Kreu Ditar Në ballë të sulmit

Në ballë të sulmit

100
0

Në ballë të sulmit

“Ne robërit, do jemi zotët e këtij vendi”

Muhamet Gjollesha ka lindur në fshatin Lazarat të Gjirokastrës në vitin 1914. Në vitin 1934 kreu shkollën teknike dhe doli gjeometër. Ai mori pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare që në vitet e para. Veprimtari të veçantë do të kryente në zonën e Burrelit dhe në Tiranë.

Në Shkurt të vitit 1944 vjen me detyrë të veçantë në Tiranë. Spiunët u vunë në gjurmë të tij dhe kapet e varet në litar në Pazarin e Ri në Tiranë, më 29 Shkurt 1944.

Makina ecte… Bisedat mes pasagjerëve s’kishin të sosur. Gjithsekush qante hallet e tij. Po, si pa u kuptuar, biseda erdhi rreth rrugës, asaj rruge ku po kalonin. Inxhinier, – i foli një burrë i moshuar një djaloshi flokëverdhë që kishte zënë vend aty nga mesi, – po pse, bre, s’po filloni me e rregullue këtë dreq rruge që na e hangri shpirtin?!

-Ka me u ndreqë, o axhë, bile do ta bajnë ma yë mirë – iu përgjigj djali në dialektin e plakut, megjithëse dukej qartë në të folur që s’qe nga ato anë.

-Si the, ma të mië? Besa, or mik, jena ngop me të tilla fjalë, unë kam me e besue bash njatëherë kur ta shof.

Po do arrish ta shohësh, jo vetëm ti, por të gjithë na – i tha djaloshi.

-Po mirë, mirë, o inxhinier, njashtu si thue ti qoftë!… Po a ke me ndenjë shumë andej? Kur po na vjen prapë? Shpejt do të kthehem.

Po bëheshin më se 3 orë që po udhëtonin brenda grykës së lumit e akoma s’po dukej ura ku kthehej rruga në Tiranë.

…Ujrat e Matit te fryra nga shirat e atij dimri, s’përmbaheshin, kishin dalë në fushë e kishin përmbytur ato vende të ulëta. Pasagjerët që qenë në makinë, i ngulën sytë mbi ato ujra që qenë shtrirë sa të hante syri.

-A thue, o inxhinier, se ju njerëzit me shkollë i dini më mirë këto gjana, se një ditë kanë me u ba zap kto ujna? – e pyeti burri i moshuar.

Inxhinieri që rrinte ulur, me vështrim të tretur mes ujrave, u kthye menjëherë nga udhëtari, e shikoi atë me ngulm në sy dhe për një çast s’foli fare. Por sytë e plakut që mbante llullën në gojë, prisnin përgjigje. Si ë vështruan një copë herë njeri-tjetrin, djaloshi i tha:

-Edhe ato do t’i zbutim. Kohët do ndryshojnë. Ata, njerëzit e fushës, ju të maleve, ne robërit, s’do hiqemi më zvarrë; s’do mbetemi në ujë e në baltë, s’do kemi uri për bukë, do jemi ne, zotët e këtij trualli.

Të gjithë e shikonin me gojëhapur inxhinierin dhe dëgjonin me vëmendje. Ndonjërininstiktivisht vuri dorën në bark, se i gërrisnin zorrët nga uria. U dukeshin si përralla ato që thoshte ai.

-Po a ka me kenë larg ajo ditë, he burrë? Iu drejtua prapë plaku. Jo, ajo është shumë e afërt. Armiku e ka humbur torruan. Ne po shtojmë radhët tonë.

-Njashtu,  bir, njashtu, përshpëriste plaku matjan. Po si të quajnë?

Muhamet Gjollesha. Makina vazhdonte të ecte. Po atë ditë arriti në Tiranë, zbriti nga makina dhe u drejtua për në agjensi. Mori biletën për në Gjirokastër. Atë pasdite i pa për herë të fundit shokët, pa për herë të fundit qytetin.

Si u nda me shokët, Muhameti shkoi të flinte se të nesërmen nisej për udhëtim me detyrë Partie.

“…Në Tiranë, më 29 Shkurt 1944, fashistët gjermanë me anën e xhelatit Xhelal Staravecka, kishin ekzekutuar Muhamet Gjolleshën. Fashistët e kishin arrestuar në darkën e 28 Shkurtit dhe, në mënyrën më barbare, pa gjyq fare e kishin varur të nesërmen në mëngjes në skelën e një ndërtese që po ngrihej në Pazarin e Ri të Tiranës…Muhamet Gjollesha…me litar në fyt kishte thirrur përpara armiqve: “Rroftë Shqipëria! Poshtë tradhëtarët”!

Këto radhë shkruan shoku Shefqet Peçi në kujtimet e tij për rënjen e Dëshmorit.

…Ashtu, me bereten në kokë, me shallin e kuq që ja valëviste era e asaj dite të Shkurtit, e panë Muhametin shokët e tij, ish-nxënësit e Shkollës teknike që mbaruan me të në vitin 1936 dhe dolën gjeometra. Ai mbeti me biletën e udhëtimit në xhep, për të qëndruar kurdoherë pranë nesh, për të udhëtuar gjithnjë së bashku me ne.

Në Pazarin e Ri në Tiranë, në vendin ku u ekzekutua Dëshmori Muhamet Gjollesha, është ngritur një lapidar në kujtim të vepres së tij.

R. Bedo

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here