Kreu Politike Ne jemi me të drejtën dhe e drejta do të na shpërblejë

Ne jemi me të drejtën dhe e drejta do të na shpërblejë

97
0

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Elbasan:

Shumë faleminderit të gjithëve dhe unë mund ta konfirmoj, nuk jam aq i vjetër sa Taulanti në Partinë Socialiste, nuk kam që në 2003 që marr pjesë në fushatat e përgjithshme por kam që në 2007 dhe që nga 2007 e deri më sot, kam ardhur rregullisht në takimet e mëdha elektorale të Elbasanit por takim më madhështor se ky nuk kam parë në të gjitha këto vite.

Dua të besoj se ju ndani me mua mendimin se sot duhet të ishit në këtë shesh për dy arsye. Së pari, për ti shprehur të gjithë mirënjohjen dhe falënderimin Qazim Sejdinit sepse të gjitha këto vite që mbyllen për pak ditë, me Qazimin si kryetari i bashkisë së Elbasanit, jnë vite të një transformimi historik të cilin çdo qytetar Elbasanas, pavarësisht bindjeve politike por që sytë i ka për të parë dhe mendjen e ka për të arsyetuar, e sheh, e pranon dhe patjetër e nderon si të tillë. Qazimi ka meritën se nuk ka qenë kryetar bashkie i shumicës por i të gjithëve se nuk i ndarë qytetarët në tanët dhe në të atyre por i ka parë të gjithë, jo vetëm njësoj por edhe sy më sy, jo nga lartë poshtë.

Nga ana tjetër, unë besoj se ju ndani me mua mendimin që sot arsyeja tjetër pse jeni këtu është për të garantuar se punët e nisura me Qazimin do të vazhdojnë me Gledin por se mbi të gjitha, në 30 qershor nuk është thjeshtë dita kur Elbasani duhet e do të votojë për kryetarin e ri të bashkisë por dita kur Elbasani duhet e do të qëndrojë për Shqipërinë e fëmijëve tanë.

Nuk ka nevojë besoj, se zysha e tha përpara meje që të hymë e të numërojmë të gjitha ato që janë bërë. E mira e kësaj historie pune, bashkëpunimi, betejash të përbashkëta me Qazimin këtu në Elbasan, ashtu si me gjithë kryebashkiakët socialistë në gjithë Shqipërinë, është se sot në këtë ditë, janë punët që flasin më shumë se të gjitha fjalët. Kështu që do më ndjejë miku im Qazimi, që nuk do numëroj të gjitha punët që ke bërë lale dhe besoj që Gledi e kupton shumë mirë që ka marrë përsipër një përgjegjësi të madhe sepse të jesh në krye të këtij qyteti, të jesh në krye të këtij komuniteti, nga zemra e bashkisë së re deri tek fshati më i largët është një nder që nuk ju bëhet të gjithëve dhe që do të mbete privilegji më i madh i yti në jetë.

Unë e di që pavarësisht se të gjithë ju që jeni këtu, mbase nuk keni nevojë për shumë fjalë edhe për arsyen tjetër, sidoqoftë prisni nga unë që disa fjalë ti them dhe patjetër që do ti them sepse këtu në Elbasan, ju keni dhe një fat, të mirë ose të keq gjejeni vetë, që e njihni nga afër edhe Lulin edhe fallxhoren. I keni parë, i keni takuar, i keni dëgjuar dhe ua keni dëgjuar edhe zërin dhe ku më mirë se sa këtu në Elbasan, mund të qeshet me lutjen që fallxhorja i drejton të plotfuqishmit kur i thotë, o zot, shpëtoi shqiptarët nga blerja e votës. Ku më mirë se këtu në Elbasan mund të kuptohet se çfarë shansi i keq është të kesh Lulzimin përfaqësues në parlament. Tanimë këtë e kuptojnë edhe vetë ata që janë pas këtij. Dëgjoni këtu se çfarë bëri në mandatin e tij si kryetar i opozitës Lulizm Basha. E para, la punën vetë, se ishte kryetar bashkie. E dyta, i nxori në rrugën e papunësisë deputetët e vetë. Ata ishin në punë, ky i hoqi nga puna. E treta, i nxori në rrugën e papunësisë kryebashkiakët e vetë. Ata ishin në punë, ky i hoqi nga puna e tani, bashkë me fallxhoren po heqin nga puna edhe presidentin e tyre. LSI-ja e famshme që të fuste në punë, tani po nxjerr të papunë edhe Ilir Metën por kjo nuk na shqetëson.

Ajo që sigurisht na shqetëson është që e gjitha kjo i bën dëm popullit shqiptar. I bën dëm Shqipërisë. I bën dëm imazhit dhe patjetër edhe dinjitetit të kombit tonë në sytë e miqve dhe të partnerëve e patjetër edhe të atyre që nuk na e duan të mirën sepse nuk ka asnjë problem që në një demokraci në zhvillim të ketë debate të ashpra, të ketë edhe konflikte që nga një herë e tejkalojnë edhe kufirin e mirësjelljes por ka një problem shumë të madh kur pikërisht në një moment historik që shqiptarët e kanë pritur dhe e kanë merituar prej kaq shumë vitesh dhe kur them shqiptarët, flas për socialistë, flas për demokratë, flas për të tjerë që nuk janë as të tillë as të këtillë, momentin e uljes në tryezë me Bashkimin Europian për të filluar negociatat për anëtarësim. Momentin kur më shumë se asnjëherë tjetër, përfaqësuesit e popullit shqiptar, at të shumicës socialiste dhe progresiste, ata të pakicës demokrate edhe balliste po të doni, duhet të flisnin me një zë në gjuhë të huaj. Duhet të mbronin interesat e mbi të gjitha, udhët të përfaqësonin shpresat deh ëndrrat e të gjithëve të cilat kanë një emërues të përbashkët, nga Tropoja deri në Konispol, Bashkimin Europian, Europën ku gjendemi në zemër gjeografikisht por ku mbetemi akoma jashtë politikisht.

E pra tamam në këtë moment, këta jo vetëm që nuk bashkojnë zërin e tyre me tonin, jo vetëm që nuk i japin zë atyre që ju besuan përfaqësimin në Kuvendin e Shqipërisë, por ikin nga puna, braktisin detyrën dhe ndërmarrin një nga operacionet më të turpshme, më të shëmtuara dhe më antikombëtare që shqiptare kanë bërë kundër Shqipërisë në historinë e shtetit shqiptar. Kur ne presim me padurim që flamuri i Skënderbeut dhe i Ismail Qemalit të vendoset në tryezën e bisedimeve me familjen europiane, këta ngrenë flamurin e Haxhi Qamilit, këta ringjallin fantazmën e Haxhi Qamilit, këta bëhen mishërimi grotesk i Haxhiut famëkeq që thoshte, sa të kem Kavajën dhe Shijakun me vete, nuk pyes për Francën dhe për Anglinë. Edhe këta, përmes presidentit të Republikës flasin sikur ShteteT e bashkuara, Bashkimi Europian nuk kanë të drejta të thonë fjalën e tyre për Shqipërinë dhe nuk kanë detyrime ndaj popullit shqiptar. Është vërtetë një moment kur çdo shqiptar duhet të reflektojë e kur them çdo shqiptar kam parasysh edhe demokratët. Jo demokratët që ushqehen me përsheshin e SHQUP-it si ai ish deputeti që vrapoi të bëhen drejtor Hipoteke kur u bë marrëveshja me Lulin. As disa të tjerë si tenori Luçiano apo qorrat që ushqehen me çorbën e SHQUP-it, unë kur them demokratët, edhe më ekstremistët, kam parasysh ata që ushqehen me punën e tyre. Kam parasysh një demokrat ekstremist kudo që të jetë, nuk e njoh, këtu në Elbasan që në mëngjes nuk shkon të falet tek Luli por shkon të hapë derën e dyqanit të vetë. Shkon të hapë derën e biznesit të vetë të vogël. Shkon të punojë në fermën e vetë. Shkon të kujdeset për serën e vetë. Del për të shitur prodhimet e veta. Me atë demokrat e kam unë, me atë demokrat që në fund të ditës nuk çon në shtëpi tek nëna e fëmijëve të vetë dhe tek fëmijët e tij fjalimet e Lulit, as çon në shtëpi të dhënat e fundit nga filxhani i Monikës por çon të ardhurat nga puna. E pra ato të ardhura nga puna kërcënohen dhe dëmtohen nga Shqipëria që ata të cilët sot kanë marrë flamurin e Haxhi Qamilit e duan zjarr, e duan rrëmujë, e duan çorodi, e duan neveri, e duan shëmti në mënyrë që bota, Europa të thotë, çfarë bisedimesh do hapim ne me këta? Si do ulemi në tavolinë me këta? Këta shihe ku janë, këta po digjen, këta janë pa lidhje. Këtë kërkojnë këta dhe se po dëgjoj jehonën e cingijeve të Luçianos, ose më saktë jehonën e Luçiano cingijeve dhe dua tu them atyre që janë jo shumë të rinj, s këtu ka shumë vajza dhe djem që kanë lindur pasi ra enverizmi por të tjerëve, që janë pak më të rritur.

A ju kujtohen ata më qorrat, më shurdhët, më të marrët e enverizmit që bëheshin çeta – çeta, tamam si Luçiano cingijet këtu dhe dilnin në cepat e rrugëve apo shfaqeshin diku në errësirë siç janë aty sot për të penguar dhe frenuar dhe zmbrapsur dallgën e madhe që krijoi revolucioni i studentëve dhe Partinë Demokratike që lindi si mishërimi i një ëndrre të madhe dhe sot është katandisur si fytyra e Aurel Pavarotit. A e kuptoni se çfarë tragjedie është kjo për PD-në? a e kuptoni se çfarë tragjedie është kjo për ata demokratë të cilët janë në të gjithë të drejtën e zotit edhe të robit që të mos duan që ne të qeverisim. Janë në të gjithë të drejtën e tyre që të duan që partia e tyre të vijë në qeveri. Janë në të gjithë të drejtën e tyre që të duan që unë të iki që sot e unë do iki por do iki në Tiranë dhe ndërkohë partia e tyre është përditë e më shumë, një kujtim i bukur i të shkuarës dhe një shëmti e madhe e të tashmes pa asnjë shenjë të së nesërmes por po aq sa ç’mundën ata fanatikën e mjerë enveristë ta frenonin aso kohe dallgën e madhe të shpresës popullore që përfaqësonte Partia Demokratike, po aq mund ta frenojnë këta të mjerë dallgën e madhe të besimit e të bindjes së çdo shqiptari që Partia Socialiste e mishëron sot. Jo si parti por si forca e madhe që ndërkohë që një tufë xhagajdurësh me flamurin e Haxhi Qamilit kërkojnë të na kthejnë mbrapa, ka marrë përsipër të vazhdojë përpara me shqiptarët, për Shqipërinë e të gjithë fëmijëve. Asnjë shans nuk kanë ata dhe ai veshgjati që thoshte, të mos lejojmë të na e bëjnë prapë siç ua bënë atyre, ku e di unë çfarë i kishte ata në ’44, ai është një kokërr injoranti që nuk di fare për çfarë flet, është një mishërim i papërgjegjshmërisë dhe i veshë gjatësisë që karakterizon të gjithë ata që njësoj si enveristët e kohës së vjetër shkojnë mbrapa hireve të të kaluarës sepse në atë kohë të cilës ai i referohet, opozita u vra. Sot opozita po vret veten. Në atë kohë të cilës ai i referohet, u vendos asgjësimi i pluralizmit dhe ndalimi i çdo opozite për të hyrë në procesin politik. Sot, është opozita që kërkon të marrë peng procesin politik dhe pluralizmin, jo për gjë tjetër por për më të keqen e gjërave, për të marrë peng Shqipërinë e për ta mbajtur atë larg tryezës së bisedimeve me bashkimin Europian. Po kujt t’ia thuash? Atij t’ia thuash? Ai i shkreti vdes të bëhet drejtor Hipoteke. Çfarë lidhje ka ai me historinë? Çfarë lidhje ka ai me shoqërinë ku jetojmë? Çfarë lidhje ka ai me shekullin e XXI? Çfarë lidhej ka ai me ëndrrën dhe me shpresat e gjithë atyre prindërve socialistë e demokratë që duan ti rrisnin fëmijët sa më mirë, ti edukojnë sa më shumë, ti garantojnë sa më shumë të munden të ardhme?

Çfarë lidhje ka ai veshgjatë që del dhe flet për vëllavrasje sikur flet për të ngrënë tavë dheu me Lulin? Ai është një shëmbëlltyrë e asaj që jo socialistët por që demokratët qytetarë të Elbasanit duhet ta refuzojnë, ai është një turp për Elbasanin. Ai është një shëmtim për Elbasanin. Ai është gjithçka që Elbasani në histori nuk ka qenë, nuk është e nuk do jetë kurrë. Ai është një aksident i natyrës. Ai është një gabim njerëzor. Ai me siguri është krijuar në një moment kur zoti nuk e ka pasur mendjen. Një brutal del dhe na tregon me dorë, vëllavrasja, çfarë problemi ka.

Elbasani, dhe këtë e kam me të gjithë ata që kurrë nuk e kanë votuar Partinë Socialiste, kurrë mos e votofshin Partinë Socialiste, le të shkojnë në votim dhe le ti vënë vizë Partisë Socialiste por të refuzojnë përpjekjen për të vrarë zgjedhjet. Të refuzojnë tentativën haxhiqamiliste për të kërcënuar njerëzit që duan të votojnë. Të refuzojnë ofensivën shtazarake kundër Shqipërisë e kundër të ardhmes që përfaqëson më së miri ai lloj tipi. Një rrufe në qiellin e pastër të Elbasanit. Një personazh qesharak që është një arsye e mjaftueshme që të gjithë ta braktisin Partinë Demokratike për sa kohë ai të vazhdojë të përfaqësojë Partinë Demokratike.

Do thoni ju, pse i jep kaq shumë rëndësi? Sepse është çehrja tipike e shpirtit të keq që e ka pushtuar shpesh herë politikën e Shqipërisë që kur është krijuar shteti shqiptar. Është vetmja tipike që ka ngrënë vazhdimisht trungun e kësaj politike që kur Ismail Qemali ngriti flamurin. Ata që e penguan, e dëmtuan, e copëtuan, e sakatuan, e masakruar Shqipërinë, kanë qenë të poseduar saktësisht nga i njëjti shpirt që posedon atë mjeran, prandaj. E prandaj unë dua që të gjithë ta kenë shumë të qartë. Këtu nuk është çështja e Edi Ramës. Nuk është çështja e qeverisë. Nuk është çështja e shumicës në parlament. Këtu është çështja e dinjitetit të çdo njeriu. Çdo njeri që i thotë vetes i tillë, çdokush ndër ne që i thotë vetes shqiptar e që kërkon gjithmonë ta meritoje emrin njeri dhe emrin shqiptar, duhet ta ndajë qartë në 30 qershor. Ose me Shqipërinë që përpiqet, që punon, që strapacohet, me Shqipërinë që edhe vuan, me Shqipërinë që edhe merr goditje, me Shqipërinë që edhe rrëzohet, që ri ngrihet, që vazhdon, që ecën, që strapacohet, fiton, humbet, shkon përpara, ose me Shqipërinë e këtyre Luçiano cingijeve edhe të mallkimtarit Neritan se edhe atë më duket se e keni nga Elbasani. Një Neritan por në fakt as ky, as ata, as Neritani i shkretë nuk kanë tamam fajin e vërtetë. Faji është tek katër veta. Katër veta dhe tek imagjinata e tyre e shfrenuar për ta bërë Shqipërinë plaçkë, për të tregtuar karrierën e tyre. tek imagjinata e tyre e shfrenuar se le të digjet ky vend, punë e madhe shumë, siç thoshte ai. Le të digjet ky vend, rëndësi ka që këta të mos digjen. Por shikojeni, zoti është i madh kur thotë fallxhorja. Shikojeni se si po digjen vetë. Shikojeni se si zjarri që ju ka bërë shkrumb e hi mendjen dhe shpirtin po i djeg përditë, po i tret përditë e më beson që çdo ditë e më shumë shkrumb dhe hi do të bëhen në sytë e njerëzve. Do të jenë hije që lëvizin, fantazma që do të na kujtojnë ditë të vështira por do t’i përkasin historisë dhe për fat të keq do i përkasin asaj pjese të historisë që fillon me Haxhi Qamilin e që këta sot e ripërtërijnë si haxhiqamilistë të rinj.

Ne nuk kemi rënë nga qielli. Ne nuk jemi më të mirët e imagjinueshëm. Ne kemi bërë shumë punë por jo të gjitha punët i kemi bërë shumë mirë. Kemi bërë punë shumë të mira, kemi bërë punë të mira por kemi bërë dhe punë që më mirë të mos i kishim bërë fare. Ne kemi bërë gabime, kemi bërë reflektime, kemi dhe ne kusuret tona, ne jemi njerëz si gjithë të tjerët, njerëz që përpiqen të bëjnë, të punojnë, të ndërtojnë, ta çojnë vendin përpara. Jo gjithmonë ia dalim. Jo në çdo gjë kemi të drejtë. Kur kuptojmë që nuk kemi të drejtë, tërhiqemi. Ama, një gjë është e sigurt, më të mirë se ne, nuk ka dhe nuk ka për të pasur akoma për shumë kohë. U bënë 30 vjet. Ata shkatërro, ne përpiqu të rindërtosh. Ata bëj pis, ne përpiqu të pastrojmë. Ata prish, ne përpiqu të rregullojmë. Tani është shumë më kollaj të shkatërrosh, të bësh pis, të prishësh. Është shumë më e vështirë të rindërtosh, të pastrosh e mbi të gjitha të rregullosh e sigurisht kush përpiqet të bëjë këtë të dytën, nuk mund ti bëjë dot të gjitha gjërat pa të sharë. Nuk mund ti bëjMë dot të gjitha gjërat pa gabuar por ama një gjë është e sigurt. Kurrë, as dje, as sot dhe as sa unë të jem në vendin që ju më keni bërë nderin të qëndroj, asnjë firmë e vetme nuk është hedhur, nuk hidhet e nuk do hidhet për t’ju bërë dëm juve apo për ti bërë dëm Shqipërisë, kurrë, kurrë!

Dy fjalë në fund, këtë e kam me çunat e shkathët të Elbasanit. Është qytet me çuna të shkathët. Hyjnë e dalin në Itali, në Holandë, në Gjermani, në Zvicër, në Francë, u them: çuna, ditën e diel, kush e ka për zemër të shkojë të votojë, të shkojë të votojë. Kush e ka për zemër të shkojë ti fusi vizë Partisë Socialiste edhe Gledit, të shkojë t’i fusi vizë ama kujt i rreh zemra tani që po flasim që të bëjë ndonjë dëm, më mirë ikni çuna. Ikni çuna se nuk keni për të dalë dot më kurrë nga Shqipëria. Çuna, mos ia zini vendin në burg atij figurës. Ai le ta provojë, mos ia zini vendin. Është vendi i tij. Ai le ta provojë por nuk është mendja në vend nëse ju shkoni i bini murit me kokë për të bërë burgun e atij. Nuk është mendja në vend, ka një gjë që nuk shkon. Nuk shkohet në burg për kafe turke, nuk shkohet. Nuk shkohet në burg për Lulin, shiheni si i la shokët e vetë. Pa punë të gjithë. Kush ia ka fajin kryetarëve të bashkive të Partisë Demokratike? Unë ua kam fajin? Taulanti? Partia Socialiste? Kush ua ka fajin? Ne mezi i prisnim të na vinin përballë edhe një herë tjetër tani, të vinin këtu, të dilnin këtu e të kandidonte ai haxhiu i vogël. Mezi prisnim të gjithë haxhinjtë të na dilnin përballë, nuk na dolën përballë. Shiheni si i la. Jo do rregullohet sot, jo do rregullohet nesër. Jo prisni se do bjeri Edi Rama të shtunën, jo do bjeri të shtunën tjetër. Jo po do ta rrëzojmë të premten por hajdeni një herë të enjten. Kaloni një herë në darkë, pastaj takohemi në mëngjes. Ikën ditë, doli edhe burri i fallxhores dhe tha firma ime nuk është më firma ime se me firmën time unë kam mohuar firmën time por kjo është firma ime, nuk eshët ajo firma ime dhe këta menduan që Shqipëria u bë shesh për përsheshin e Lulit dhe për filxhanin e Monikës. Prandaj çunat e Elbasanit, kujdes se ata nuk e ka problem ti lejë pa punë por juve do ju lejë edhe pa një paketë cigare po ju çoi aty ndërkohë që kini parasysh vetëm kaq. Më tregoni, që nga viti 1990 deri para pak ditësh, kur ndodhi një herë, Shqipëria ka pasur edhe momente të tjera shumë të vështira, dramatike, kur ndodhi njëherë që qeveria e Shteteve të Bashkuara t’i tregojë me gisht, me emër, me mbiemër, dy veta. Lulizm Bashën dhe Monika Kryemadhin përpara gjithë popullit shqiptar duke u thënë në sy të popullit, ju të dy jeni përgjegjës për çdo gjë që mund të ndodhë. Kurrë! Turp! E kur ka ndodhur ndonjëherë e si mund të ndodhte që një parti që lindi për të qenë mishërimi, kanë dhe ngjyrën e flamurit të Europës, i Europës për shqiptarët, sot ka marrë lajmërimin, nëse do të guxoni të prekni gjë me dorë, do të shpalleni organizatë e dhunshme, jo më parti politike. Kur ka ndodhur?

Kështu që për ta mbyllur me një fjalë të mirë për njerëzit e mirë, unë dua vetëm t’ju them kaq. Kemi ardhur me Qazim Sejdini këtu dhe ju kam thënë. Jepjani Qazimit mbështetjen, do bëjmë për Elbasanin sa nuk është bërë për të gjitha vitet bashkë dhe ja ku e keni. Tani po ju them, në katër vitet që vijnë, Qazim, ti këtë do apo jo, do bëjmë më shumë se sa kemi bërë në katër vitet që u mbyllën. Ju falenderoj shumë dhe asnjë problem, mbajeni mend mirë. Ata bërtasin atje, e dini pse bërtasin? Mblidhen bashkë dhe bërtasin se kanë frikë. Ata të katërt kërcënojnë se kanë frikë. Janë tamam Beni ecën vetë tek ai filmi që kur hyri në pyll, në errësirë këndonte me zë të lartë. Kë do trembte? Ujqit? Jo, trembte frikën e vetë. Ata deshën për turpin e tyre të fusnin frikën dhe sëkëlldinë në çdo familje shqiptare. Nga ky mëkat do treten, prej frikës së tyre ndërsa ne, ne duhet të bëjmë shumë gjëra më mirë. Ne duhet të përmirësohemi shumë më tepër. Ne kemi shumë gjëra për të korrigjuar por ama nj gjë është e sigurt. Ne jemi me të drejtën dhe e drejta do të na shpërblejë. Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.