Kreu Aktualitet Në pranverë hapen të gjitha kantieret e rindërtimit

Në pranverë hapen të gjitha kantieret e rindërtimit

400
0

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore. Fjala e Kryeministri Edi Rama:

Pasqyra e situatës aktualisht paraqitet më pozitive në raport me nevojat imediate, po përmirësohet çdo ditë, natyrshëm.

Sot kemi 22 persona që vijojnë të marrin shërbim shëndetësor në spital, nga të cilët 16 në Tiranë, 3 në Durrës dhe 3 jashtë vendit. Gjendja e atyre që vazhdojnë të kurohen në spitalet tona është stabël dhe gatishmëria për të spostuar këdoqoftë që do ketë nevojë për një ndërhyrje të superspecializuar është e plotë. Ministrja ka siguruar që, në moment kur mund të duhet një transferim jashtë, kjo të mund të ndodhë pa asnjë vonesë.

Përsa i përket strehimit të përkohshëm, sot që flasim kemi kapërcyer numrin e 4000 personave të strehuar në hotele;

254 persona janë në palestra;

Shifra e përafërt e atyre që janë në çadra është 6523 persona, por është një shifër që vazhdon të përditësohet orë pas ore. Ndërkohë po vazhdon intensivisht puna për të garantuar çadra dimërore me standarde dhe jo ato çadrat e momentit të parë të emergjencës.

Në qendra sociale 395 persona;

Informacioni i fundit lidhur me personat që janë spostuar në Kosovë është 783;

Unë do kërkoja që, sipas axhendës, Besa dhe Ogerta të shkonin në kampin përkatës në Kosovë për një vizitë atje dhe për të diskutuar dhe folur me ta, duke iu ofruar që të kthehen dhe të akomodohen në hotel.

Rreth 436 persona që janë të regjistruar në regjistrin e shtabit qendror të emergjencës, që janë në streha të ndryshme;

Në total, sot që flasim jemi në 12 366 persona që janë në këtë infrastrukturë emergjence.

Të gjithë janë të garantuar përsa i përket ushqimit, veshjeve, ndërkohë që ka të tjerë që ende nuk janë sistemuar dhe për këtë do lutesha që të tre shtabet që janë ngritur specifikisht për Durrësin, Tiranën dhe Lezhën të bëjnë maksimumin që të përfundojë për të gjithë kjo përfshirje në infrastrukturën e akomodimit të përkohshëm.

Objektet arsimore me dëme të rënda, aktualisht të papërdorshme janë 31;

Institucionet shëndetësore me dëme të konsiderueshme janë 21.

 

Deri tani, inspektimi i objekteve ka arritur shifra goxha domethënëse, 4151 objekte të inspektuara në Durrës, nga të cilat 1735 janë aktualisht të pabanueshme, por vetëm 59 janë për t’u prishur.

Në këtë drejtim, unë do i kërkoja këmbëngulësisht zëvendësministrit të mos vonohemi. Prishjet e objekteve që janë për t’u prishur duhet të bëhen non stop. Nuk ka asgjë për t’u menduar dhe për të filozofuar. Bëhet inventari i familjeve që janë pronare në këto shtëpi dhe bëhet prishja.

Këtu hap një parantezë për një keqkuptim që pak është krijuar, pak është prodhuar, pak është stimuluar, lidhur me punën paralele që po zhvillohet për hetimet për nxjerrjen e përgjegjësive dhe vendosjen para përgjegjësisë të të gjithë atyre që do të rezultojnë përgjegjës. Pavarësisht fuqisë së tërmetit, rastet kur godinat e dëmtuara, godinat e bëra të pabanueshme, ato të shemburat po e po, janë produkt i shkeljeve, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë po vazhdon intensivisht dhe shumë shpejt do ketë rezultate konkrete në këtë drejtim.

Përfitoj nga rasti t’iu them të gjithë atyre që më shkruajnë e që bien pre e lehaqenieve nëpër këto klubet e kabinat mediatike, që nxjerrja e përgjegjësive dhe vënia përpara përgjegjësisë e autorëve nuk është diçka që mund të bëhet sa hap e mbyll sytë, sepse kërkon dokumentim, se do shkojë në gjykatë dhe KÇK-ja është aty e gatshme që të shfrytëzojë këtë situatë për të qenë në lartësinë e motos së vet: “Kap çfarë të kapësh!” Ne nuk duam dhe nuk do t’i japim KÇK-së mundësinë që të shqyejë ndonjë copë tjetër nga i gjithë sistemi i të drejtës dhe nga e drejta në tërësi, por do bëjmë çmos që të gjitha referimet të jenë të kopsitura ligjërisht nga pikëpamja e dokumentacionit. Kështu që kjo kërkon pak kohë, ndaj ju lutem pak durim edhe juve që doni gjak dhe me të drejtë, s’keni faj, por pak kohë, pak durim.

Në Tiranë janë 3645 objekte të inspektuara, në të cilat të pabanueshme 604 dhe 2656 me dëme të rënda.

Në Qarkun Lezhë janë një numër i konsiderueshëm banesash të dëmtuara rëndë; 55 pallate dhe 13 institucione. Mbetet për t’u parë çfarë riparohet dhe çfarë duhet hedhur përtokë.

Për fat të mirë, dëmet në blegtori janë minimale, të pakonsiderueshme, megjithatë edhe aq sa janë, do kompensohen.

Vazhdon puna për vlerësimin e objekteve. Numri i grupeve të inspektimit është masiv. Megjithatë, puna është shumë voluminoze. Ia vlen të thuhet për të gjithë ata që nuk e dinë, pafajësisht nuk e dinë, që në të gjitha rastet e tërmeteve në Itali – Italia ka një nga strukturat më të mëdha në numër dhe më të sprovuara në çështjet e këtyre lloj emergjencave, Mbrojtjen Civile Italiane, që është një trupë me famë botërore, – numri i ekipeve nga bota është impresionues, pra, mblidhet e gjithë bota. Kjo ndodh kudo, nuk është vetëm tek ne, por kjo ndodh për herë të parë tek ne, si rezultat i punës që ne kemi bërë jo thjesht për të sensibilizuar, por për të garantuar që këto ekipe të vijnë me shpejtësinë e erës, faktikisht. Edhe sot që flasim vazhdojnë vijnë.

Parmbrëmë dhe dje deri në mesditë, në Samitin e NATO-s, unë i kam bërë të gjitha bisedat e nevojshme, të gjitha shkëmbimet e nevojshme të informacioneve dhe përsa i përket fazës së parë, të gjithë janë gati. Nga një vlerësim i shpejtë që bëmë sëbashku me Oltën, Gentin dhe Endrin pas bisedave, absolutisht të gjithë ata që janë në nevojë për një çadër dimërore janë të mbuluar, është vetëm çështje kohe për të bërë të gjithë transportin dhe e gjithë pjesa e fazës së përkohshme të tranzicionit nga rrënoja në banesën e re është e garantuar.

Pastrimi në Durrës ka filluar.

Hartimi i listës së gjithë ndërtuesve që duhet të bëjnë riparimet është përfundimtar. Tani, në çështje të shumë pak ditëve, ne do ndajmë pjesën se kush do bëjë e kush nuk do bëjë, duke parë gatishmërinë e tyre dhe duke vlerësuar edhe kushtet e tyre financiare, se disa pretendojnë se kanë falimentuar e do falimentojnë edhe si individë në raport me ligjin, nëse do t’i shmangen atij detyrimi.

Objektet e shembura deri tani janë 27. Dy objekte në Durrës janë në proces, në 7 objekte vazhdon puna për pastrimin.

Më vjen shumë mirë për organizmin e bërë nga Ogerta dhe Besa për fëmijët, si për pjesën e mbulimit me kujdes psiko-social, si dhe për pjesën e marrjes së masave për të garantuar vijimësinë e mësimit.

Aktualisht janë 257 punonjës socialë dhe psikologë në qendrat e akomodimit, hoteleve dhe qendrave sociale.

Janë 192 mjekë dhe 361 infermiere që janë të angazhuar në hotele, kampe dhe në qendra shëndetësore.

Janë 800 policë që merren vetëm me këtë punë; 310 forca të gatshme dhe 87 mjete nga Forcat e Armatosura që vazhdojnë punën për sistemimin me çadra pritje, shpërndarje ndihmash, shoqërim ekipesh.

Tanimë çështja e ndihmave ushqimore dhe materiale të momentit është e sistemuar. Mbetet sfidë e ditës së sotme, vazhdimi i mbulimit me çadra dimërore të familjeve që janë në zona rurale. Në Lezhë sidomos ka ende një numër të konsiderueshëm çadrash që janë ato të momentit të parë, që nuk kanë lidhje fare me sfidën e dimrit. Po ashtu plotësimi i infrastrukturës së shërbimeve sanitare në pikat pranë çadrave, kjo është shumë kritike.

Kanë vazhduar donacionet dhe këtu vijmë tek pjesa e rindërtimit. Së pari, në raport me partnerët. Komisioni Europian ka dedikuar një fond 15 milionë euro të menjëhershëm nga portofoli i Komisionerit që mori stafetën nga komisioneri Hahn, për Fqinjësinë. Është vetëm transhi i parë i emergjencës që është dhënë, duke kapërcyer të gjitha proceset burokratike në Komision dhe nuk është kjo ndihma e BE-së, që të jemi të qartë, sepse menjëherë u hodhën përpjetë spektatorët që ju shërbejnë telespektatorëve, duke folur si gjithmonë marrëzira.

Bashkimi Europian, Komisioni Europian po punon intensivisht me ne, edhe për dy mekanizma të tjerë; Së pari, për t’ju përgjigjur përpjekjes sonë për të rialokuar të gjitha fondet IPA në këtë drejtim, për rindërtimin. Fondet IPA të destinuara apo të planifikuara, ato që janë në proces, apo ato që prezumohen se janë të dedikuara për Shqipërinë, në një transh. Së dyti, mekanizmi i solidaritetit për raste emergjencash natyrore i Bashkimit Europian. Nëse për të parin duhet thjesht një proces i brendshëm politik brenda në Komision, për të dytin priten gjithë të dhënat. Pa të dhënat, kjo nuk ka si bëhet. Të dhënat po mblidhen intensivisht, edhe me ndihmën Komisionin Europian.

Dje e ka konfirmuar në bisedë me mua Presidenti i Komisionit, atë që unë kam kërkuar gjatë gjithë ditës edhe parmbrëmë nga të gjithë liderët e vendeve të NATO-s, konferencën e madhe të donatorëve.

Konferenca e madhe e donatorëve është një sukses, po të doni vendoseni edhe në thonjëza, sepse krijon premisën për një qasje shtet me shtet në raport me Shqipërinë dhe është një instrument ekstra mbi gjithë instrumentet e tjerë të financimit, me një potencial financimi të konsiderueshëm.

Ashtu sikundër me Presidentin e Turqisë do të jemi ditën e diel në konferencën e madhe të investitorëve në Stamboll, investitorë nga vende të besimit mysliman, të cilëve do t’i adresojmë një mesazh të veçantë. Është hapur një panel i veçantë për këtë çështje dhe njëkohësisht po vazhdojmë në drejtim të vendeve të tjera të rajonit lindor.

Unë jam optimist se do kemi një mbështetje të konsiderueshme, në raport me nevojën.

Ne do vazhdojmë punën edhe për financimin, njësoj sikur të mos kishim asnjë lek nga askush. Skenari i përgatitur nga ministrja e Financave, në bashkëpunim me kryetarin e Komitetit Kombëtar për Rindërtimin, që do të jetë tanimë program i veçantë në buxhetin e shtetit, është ndërtuar në mënyrë të tillë që gjërat të bëhen pavarësisht sesa fonde do vijnë nga jashtë. Zëre se nuk do vijë asnjë lek. Në proces pastaj do të axhustohen numrat dhe mekanizmat, në varësi nga nevoja, apo në varësi nga fondet që vijnë.

Në gjë duhet ta përsëris për publikun. Ne do ta bëjmë rindërtimin, por do vazhdojmë të bëjmë dhe punët e tjera. Rindërtimi është prioritet i prioriteteve, por prioritetet e tjera mbeten prioritete. Nuk do cenojmë parametrat kryesorë të buxhetit, sepse duam që rindërtimi të jetë një plus në ekonomi dhe jo të jetë një shkak që ekonomia të impaktohet negativisht. Që do të thotë se nuk do të prekim palcën e shtyllës kurrizore të të gjithë skeletit të buxhetit, siç mund të na jetë sugjeruar, apo siç mund të propagandohet vërdallë si zgjedhje magjike. Do të realizojmë një fond, një kapacitet investues më të madh, sesa ai i planifikuar nga ata që na thonë “merrini këtu, merrini aty dhe bëni këtë”.

Nuk do prekim asnjë nga programet e shërbimeve. Nuk mund të funksionojë kjo histori, duke ja marrë disave, për t’ia dhënë disa të tjerëve. Të gjitha nevojat për shërbime janë aty.

Nuk mund t’u themi njerëzve nuk do bëni më kontroll mjekësor bazë falas se ne kemi rindërtim.

Nuk mund t’u themi të sëmurëve me dializë, që ju nuk do bëni me hemodializë, do vdisni, se ne kemi nevojë për rindërtim.

Nuk mund t’u themi nënave që shkojnë për të lindur në maternitet, merrni gërshërë me vete, se ne nuk do t’i paguajmë instrumentet mjekësorë, se do bëjmë rindërtim.

Nuk do shtojmë buxhetin dhe shpenzimet për të mjekuar infeksionet post operatorë, duke nxjerrë nga muzeu gërshërët dhe thikat e kohës së dashurisë shqiptaro-kineze, se kemi rindërtim.

Nuk do ta ndalojmë punën për rrugën e Arbrit,  se kemi rindërtim.

Nuk do të ndalojmë bërjen e analizave mjekësore, se kemi rindërtim.

Nuk do të heqim financimet e nevojshëm për të vazhduar investimet korente të ministrive, se kemi rindërtim.

E kemi hequr nga buxheti të gjithë volumin e shpenzimeve për logjistikë, makina, zyra, pajisje, pa prekur strukturën e investimeve për teknologjinë, sepse aty do të ishte një tjetër budallallëk, si dhe i kemi orientuar fondet për të mbyllur projektet në vazhdim, duke prioritizuar projektet që lidhen me rindërtimin. Ama p.sh, nuk do të heqim asnjë nga fondet e dedikuara për ujitjen dhe kullimin, që janë fonde të reja. Nuk mund të themi nuk do pastrojmë dhe nuk do garantojmë më kanale ujitëse e kulluese se kemi rindërtim. Sepse na vjen pastaj një faturë tjetër nga ndonjë shi këmbëngulës dhe na rroftë rialokimi symbyllur i buxhetit.

Puna për të inventarizuar dhe përcaktuar me kritere të qarta kategoritë e familjeve në nevojë për strehim po vazhdon. Kjo është punë shumë themelore dhe e rëndësishëm që të bëhet saktë. Në këtë lloj situate ka plot njerëz që mund të kenë dëshirë të përfitojnë diçka që nuk ju takon, pra, nuk u është prishur shtëpia, por nuk kanë pasur shtëpi përpara se të ndodhte kjo fatkeqësi, kanë qenë me qera në një shtëpi që vazhdon të jetë e banueshme, këta nuk do të hyjnë në këtë program. Për të mos folur për domosdoshmërinë për të vendosur një filtër shumë të qartë, që të mos ketë spekulantë (largqoftë) të kategorive të tjera, si kunetër xhaxhallarë, vjehrra ë administratorëve të njësive që mund të futen në këtë hulli për të përfituar ndonjë shtëpi më tepër.

Ndërtimet e reja kanë filluar të planifikohen. Është e qartë që në Durrës do të bëjmë një lagje komplet të re. Do të jemi shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në pikat ku janë krijuar hapësira për shkak të shembjeve dhe pastrimit, që të mos jenë thjesht pika ku u shemb dhe po ndërtojmë, por të jenë hapësira që të shihen si potencial për zhvillimin e qytetit, edhe me parqe të kujtesës për çfarë ndodhi, edhe me infrastrukturë sociale, arsimore.

Në Tiranë duhet një ndërhyrje e fortë në Kombinat, prishje e të gjithë atyre godinave problematike, denbabaden, po që tanimë ju ka ardhur dita që të prishen dhe ndërtimi i një blloku të ri banesash, për të akomoduar gjithë njerëzit që do të humbasin shtëpinë në zonën e Kombinatit, me parametra komplet të tjerë.

Një pikë tjetër tek “5 Maji” pranë lumit, është një zonë ku ne mund të bëjmë spostime. Ffaktikisht, pjesët më të prekura brenda qytetit janë Kombinati dhe zona e Njësisë 4, ku ne mund të bëjmë spostime, pa ju spostuar komplet jetën, në të njëjtën hapësirë gjeografike. Aty do të bëjmë një lagje tjetër. Dhe një tjetër tek ish Uzina e Autotraktorëve, relativisht më e vogël, por e nevojshme.

Këto janë tre pika që mendoj se plotësojnë nevojat dhe na e krijojnë hapësirën për Programin e Rindërtimit, me objektiv afatmesëm me 10 mijë apartamente dhe me objektiva afatshkurtër, – kur them afatshkurtër, kam parasysh 12-18 muaj, – 5000 apartamente. Pa llogaritur këtu të gjithë infrastrukturën. Do të jenë lagje të reja siç nuk ka sot në Shqipëri, me shkollë, me kopsht, me çerdhe, me qendra shëndetësore, me gjithë parametrat e furnizimit me ujë, me kanalizime të reja, me kënde sportive, kënde lojërash, me të gjitha. Lagje model sesi duhet të jetë dhe do jetë Shqipëria e së nesërmes. Nuk ka asnjë kuptim që ne të ndërtojmë banesa me standarde minimaliste dhe riparime aty për aty, me idenë hajde ta kalojmë këtë, se shohim më vonë, sepse praktikisht, ato që bëhen kështu, mbeten aty për gjithë jetën.

Nga ana tjetër duam që të jenë lagje miks, miksim të familjeve të varfra me familjet e shtresës së mesme, ku të kemi aktivitet ekonomik, jetë sociale normale si në lagjet qendër të Tiranës, jo geto ku të varfrit mbeten gjithmonë të varfër dhe ku fëmijët e të varfërve rriten me stigmën e të qenit nga lagjja e të varfërve.

Programi i investimeve bën që të mos kemi thjesht një transferim të ardhurash, si në rastin e financimit të blerjes së apartamenteve ekzistuese. Tek apartamentet ekzistuese, ne po shohim dhe po bëjmë gati gjithë sasinë e apartamenteve që na duhen për fazën nga çadrat në shtëpi. Për të marrë me qera apartamente, sepse njerëzit nuk mund të rrinë në çadër as 12, as 18 muaj, ata që do të sistemohen në qytet.

Ndërkohë për ata në fshat, natyrisht që opsioni më i thjeshtë është rindërtimi i shtëpive ashtu siç janë. Opsioni më pak i thjeshtë, po më optimal duhet të ishte një rikonfigurim i banimit. Fjala vjen, nëse do arrinim që të kishim një mirëkuptim me banorët që toka e tyre të vihet e gjitha në shërbim të ekonomisë së tyre rurale dhe banimi të grumbullohet si në një fshat normal, në një vend normal, do të ishte më e lehtë për ne, do të ishte më e lehtë për ta në të ardhmen. Kjo mbase është një rrugë që atyre mund t’ju duket më e komplikuar dhe nuk e di si do shkojë. Megjithatë, ne edhe për këtë po i marrim të gjitha masat.

Në Laç duhet të fillojmë shembjen e atyre godinave, nuk kemi çfarë presim më. Të gjithë ato pallate që unë vizitova, pallatet e revolucionit demokratik duhet  të shemben dhe të gjithë atyre duhet t’u bëjmë shtëpi të reja, që të kemi edhe në Laç, një lagje krejt të re të ndërtuar me parametra të tjera. Kështu që filloni menjëherë shembjen e atyre pallateve. Komunikoni me banorët për të marrë çfarë kanë brenda. Ndihmojini të marrin gjërat që kanë brenda, nëqoftëse aty ka probleme rrezikshmërie, për të qenë të sigurt 100%. Të gjithë pallatet problematikë në zonën që vizituam duhet të  pastrohen dhe gjithë ajo zonë duhet bërë një lagje e re e Laçit. Të fillojmë menjëherë.

Ne kemi mundësi – Elva është në komunikim – të krijojmë hapësirë pune me  Agjencinë Shtetërore të Strehimit të Republikës së Turqisë, që premtimi i Presidentit të Turqisë të fillojë të realizohet. Aty kemi bllokun më kompakt dhe hapësirën më të mundshme për të vepruar tani. Ndërkohë që në hapësirat e Durrësit dhe Tiranës është pak më e komplikuar se aty ka nevojë edhe për më shumë infrastrukturë. Në qytet, brenda në Laç, infrastruktura është aty, nga pikëpamja e infrastrukturës së kanalizimeve, ujësjellësve, pavarësisht se mund të ketë nevojë për t’u përmirësuar, por është aty. Kurse në zonat që do të ndërtojmë në Tiranë dhe në Durrës nuk ka asgjë, janë vetëm ferra. Nga buxheti do të kalojmë 0.4% për programin, me një deficit primar pozitiv nga 0.7-0.25, duke garantuar kështu edhe likuiditetin e nevojshëm për të operuar në 2020-n.

Ndërkohë po shohim kalimin e një sërë fondesh nga vitit 2019 në Fondin e Rindërtimit. Fondi i Rindërtimit do të ketë burim kryesor buxhetin e shtetit, por aty do të bashkohen edhe të gjitha fondet e tjera. Riorientimi i të gjithë shpenzimeve korente do të na ndihmojë që të përballojmë efektet financiare.

Detyrat për sot janë:

Të vazhdojmë intesivisht akomodimin në çadrat dimërore të njerëzve në zonat rurale;

Të garantojmë sistemin e furnizimit me ushqime në zonat rurale;

Të vazhdojmë intesivisht me inspektimet dhe me protokollin, për formularin që keni krijuar;

Të shembim pa pushim në Kombinat, në Laç, në Durrës, çfarë ka për të shembur;

Në zonën e Lezhës të identifikojmë ekzaktësisht edhe një herë, nëse ka pallat për të shembur, ta shembim;

Paralelisht të punojmë me intensitet për të pasur brenda janarit, planet e rindërtimit gati dhe për të filluar me projekt-zbatimet, që do të kërkojnë edhe ato kohën e tyre, para se të hapim kantieret.

Në pranverë do të hapen të gjitha kantieret e rindërtimit. Kantier  në Durrës, tre kantiere në Tiranë. Kantieri i Laçit duhet të hapet sa më shpejt, të jetë kantieri i parë që hapet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.