Kreu Aktualitet Në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, takim me ekselentët

Në Universitetin “Fan Noli” të Korçës, takim me ekselentët

257
0

Kryeministri Edi Rama në takimin me studentët ekselentë të Universitetit “Fan Noli” të qytetit të Korçës:

Shumë faleminderit për mundësinë! Para se të vinim këtu morëm disa mesazhe nga studentë të tjerë që “pse ne jemi ndarë nga studentët e ekselencës”.

Pastaj në hyrje pata dhe një  përshëndetje nga një grup tjetër që kishte një qasje më audio, pa shumë artikulime, por dhe atyre u thashë që jam i gatshëm t’i takoj pas këtij takimi.

Ashtu sikundër dhe atyre të tjerëve u thamë që jemi të gatshëm. Vetëm se një gjë dua ta them që në fillim. Po bëhen 30 vjet në fakt, që bashkëmoshatarët tuaj 30 vite më parë bënë një zgjedhje. Bënë një zgjedhje shumë të fortë dhe shumë të qartë që “do të ndahemi nga një sistem, ku të gjithë janë njësoj dhe të hymë në një sistem, ku konkurrenca dhe merita janë baza e gjithë aktivitetit individual dhe shoqëror”. Që do të thotë në një sistem ku nuk jemi të tërë si “këmbët e dhisë”, pak a shumë.

Kështu që, thënë kjo, takimi me ju dhe kontakti me studentët më të mirë është detyrim parësor mendoj unë për ne, pasi ata që janë studentët më të mirë janë më shumë sesa thjeshtë disa vajza dhe djem që marrim 9-ta dhe 10-ta. Janë më shumë se kaq. Janë shembull që provon se kush ka vullnetin dhe kush ka këmbënguljen për t’i bërë gjërat siç duhet, i bën. Pavarësisht se jam i bindur 100 % që edhe midis jush, këtu në sallë, mund të këtë jo pak që mund të kenë plot mundësi të justifikohen për të mos marrë 9-ta dhe 10-ta. Jam i bindur në këtë sallë ka vajza dhe djem, prindërit e të cilëve mund të jenë të papunë, ose prindërit e të cilëve mund të mos ia dalin dot kollaj që t’iu japin mundësinë që të vini në shkollë. Por, asnjeri këtu nuk ka zgjedhur të justifikohet, nuk ka zgjedhur të gjejë arsye për të mos shkuar në shkollë, arsye për të mos mësuar, arsye për të mos qenë tek më të mirët. Kjo është arsyeja pse në momentin e  parë kur ne u hasëm me kërkesat e studentëve, shkuam shumë përtej kërkesave për ata që janë më të mirët. E nuk zbatuam thjesht normën e përgjysmimit 50% të tarifës për të gjithë njësoj, por për më të mirët shkuam te pagesa 100 % e tarifës nga shoqëria nëpërmjet taksave. Sepse unë besoj se shoqëria u detyrohet më të mirëve që t‘i stimulojë dhe t’u shprehë respekt. Ashtu sikurse u detyrohet dhe atyre që janë më të dobët, në kuptimin ekonomik, atyre që vijnë  nga familja me ndihmë ekonomike.

Ndërsa të tjerëve në tërësi, u paguajmë 50 % të tarifës në nivelin e parë. Gjë që vlen për ju në nivelin e dytë. Pra, nëse edhe në nivelin e dytë vazhdoni me 9 dhe 10, gjysmën e tarifës ia u paguan shoqëria.

Por, nga ana tjetër besoj që është vendi për të thënë që në këto kushte, secili prej jush, secila prej jush duhet të bëjë më shumë se kaq, më shumë sesa të marrë 9-ta dhe 10-ta  dhe duhet të sigurojë që kjo gjë që është nisur për një transformim real të jetës në universitet, të mos mbetet rrugës dhe pakti për universitetin të implementohet deri në fund, në mënyrë që ata që vijnë pas, të gjejnë një situatë shumë më të shëndetshme në të gjitha ato pikëpamje që rektori pak  a shumë  i ceku në fjalën e vet.

Unë dua që pakti të kthehet në një kontratë, në një kontratë të matshme mes nesh dhe jush. Ju ftoj juve këtu dhe të gjithë studentëve të tjerë dëshirojnë që të anëtarësohen në këtë kontratë, të vënë emrin e tyre në këtë kontratë për të marrë një përgjegjësi, për ta ndjekur zbatimin e kësaj  kontrate sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për tarifat.

Tarifat u miratuan. Këtu, për shkak se universiteti ka qenë i angazhuar dhe i ka përmbushur detyrimet dhe e ka plotësuar dokumentacionin, ju i keni marrë tanimë ato që u takojnë, pra, u është paguar gjysma e tarifës dhe keni filluar të merrni bursën e përmuajshme siç ju takon. Por, janë disa të çështje të tjera, rektori i preku dhe ju i dini më mirë se unë, – që duhen ndjekur.

Këtu nuk mund më të fshihen pedagogët që meritojnë të kalojnë në filtër. Nuk mund të fshihen dhe nuk mund as që çudia të zgjasë tre javë, për më tepër në kushtet kur ne e kemi mbingarkuar shoqërinë pasi ju duhet ta dini që tarifat janë nën kosto akoma.

Kushton më shtrenjtë një student sesa tarifa dhe të paguarit e tarifës përgjysmë për të gjithë, të paguarit e bursave për ju, të paguarit e tarifës së plotë për ju dhe për ata me ndihmë ekonomike, janë një shtrëngim më shumë financiar i shoqërisë, por në këmbim të çfarë? Kjo duhet të këmbehet me një arsim më cilësor në të gjithë spektrin, jo thjesht me një lehtësim të studentëve nga pikëpamja financiare. Kur them për pedagogët kam parasysh domosdoshmërinë që të mos mbetet rrugës, një nga kërkesat themelore të studentëve dhe një nga pikat më të dobëta të sistemit që kemi ne sot. Farsa e titujve akademikë dhe korrupsioni i pedagogëve, tregtia e librave pa asnjë vlerë, në këmbim të notës. Gjëra, fenomene që i kanë ngritur vetë studentët dhe që ka një tendencë për t’i shmangur. Ne kemi kaluar disa vendime dhe është shumë interesant sepse janë mbledhur disa pedagogë që deklamojnë gjëra të mëdha, kërkojnë abrogimin e ligjit, kërkojnë disa gjëra dhe thonë të ndalet denigrimi i profesorateve. Kush po e denigron profesoratin? Në fakt nuk është kështu thelbi. Thelbi është të ndahen pedagogët e nderuar dhe të respektuar nga sharlatanët që nën emrin e pedagogut janë një nga simptomat më domethënëse të sëmundjes që ka universiteti, që është një sëmundje e brendshme e universitetit.

Është shumë interesante sepse janë tre pika, që janë thelbësore për mendimin tim, që ne i kemi trajtuar në vendimet tona, që pakti i ka të palëvizshme dhe që këta nuk i thonë, ose i thonë, por bëjnë sikur nuk kuptojnë.

E para është, do vlerësohen apo jo titujt akademikë. Shumë e thjeshtë. Unë po iu them vetëm kaq, nëse ju dorëzoheni, nëse ju harroni, nëse ju mjaftoheni me lekët që morët, titujt akademikë nuk kanë për t’u vlerësuar dhe pedagogët sharlatanë që ju i keni pasur në qafë, do tua lini në qafë atyre që vijnë pas jush.

Ata thonë “po ne e duam këtë, por këtë s’mund ta bëjë qeveria”.  Këtë nuk duhet ta bëjë qeveria, por pyetja e thjeshtë është “kur dhe si do bëhet kjo”. Këtë ata nuk e thonë dhe për këtë arsye ata nxisin studentë për të bllokuar mësimin për ata që kanë të drejtë të marrin mësim dhe nuk po e marrin dot normalisht në disa pika të nxehta ku janë grumbulluar këto figura.

E dyta është, a do ndalet apo nuk do ndalet tregtia e librave pa vlerë në këmbim të notës? Kur dhe si? Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë. Ne jemi të gatshëm t’iu mbështesim, nuk duam të ndërhyjmë. Aq e vërtetë është kjo saqë janë të pafundme mesazhet që më vijnë mua personalisht, që i vijnë Besës, që i vijnë Nikos, që i vijnë Sotiraqit e kujto qoftë. Këtyre në këtë rast konkret jo, se këtu mësimi  nuk është problem, por flasim për ato pika, ku mësimi është problem nga studentë që luten “aman na lironi rrugën se duam të bëjmë mësim”, nga prindër që luten.

Përgjigja jonë është shumë e thjeshtë. Qeveria nuk është përgjegjëse për organizimin e brendshëm të universitetit dhe për organizmin e mësimit, dhe qeveria nuk ndërhyn dot sepse i ka njohur universitetit autonomi. Autonomia është liri në vendimmarrje dhe përgjegjësi. Këta duan vetëm lirinë, pa përgjegjësi. Kur vjen puna te përgjegjësia të gjitha i kërkojnë nga qeveria. Kur vjen puna te liria të gjitha i duan për vete.

E treta është vlerësimi i studentëve. Ne duam që studentët një herë në vit të bëjnë vlerësimin e pedagogëve, të të gjithë pedagogëve me mekanizmat e njohur që i ka gjithë bota, nuk është se do shpikim. Këta nuk  e thonë as kurrë dhe as si. Pakti për universitetin, unë e kam thënë qysh ditët e para kur as  ju këtu nuk kishit dëshirë të më flisnit me gojë mua, që duhet të flasim sepse kjo gjë është shumë përtej kësaj që duket dhe këto pika janë të pamjaftueshme. Ashtu sikundër, rrezikojmë që nëse nuk i diskutojmë gjërat, shumë gjëra mbeten rrugës dhe në fund ky potencial që krijoi protesta zhbëhet dhe gjëja e përgjithshme mbetet po aty.

Dhe faktikisht çfarë ka ndodhur? Po iu jap vetëm një detaj. Vetëm nga komunikimi, ne kemi bërë shumë përmirësime të vendimeve tona. Pasi ka lloj- lloj kategorish studentësh që ne nuk i kemi patur parasysh që në momentin 1 – sepse kërkesa ishte shumë e përgjithshme, – me prindër invalid, situata me shumë fëmijë etj etj, ose ajo tjetra që ishte problem “do të merret mesatarja e përgjithshme e ponderuar apo do të merret mesatarja e një viti më parë”.

Çfarë vlere ka që ti thuash atij “ti me 9-ta dhe me 10-ta je njëherë e përgjithmonë apo ti tjetri që si ke 9-ta dhe 10 s’ke të drejta t’i marrësh”.

Jo, nëse ti për një vit përmirësohesh dhe hyn te 9-ta dhe 10, e meriton ta marrësh bursën sepse ky është në fund të fundit edhe qëllimi, që ti të stimulohesh për t’u bërë edhe më i mirë. Por të gjitha këto kanë ardhur dhe janë përmirësuar si rezultat i dialogut. Dialogu është zhvilluar në mënyrë pak “ekstravagante” në zyrën time online në WhatsApp, por ç’rëndësi ka.

Ajo  që ka rëndësi është që kemi avancuar. Ajo që është themelore sot të thuhet, është që pakti për universitetin duhet të kthehet në një kontratë, ku qeveria t’i ketë detyrimet një nga një me afate, por ama dhe ata që do të jenë anëtarë, pjesëtarë të kësaj kontrate, që do marrin përsipër të bëhen anëtarë të këtij pakti, të kenë detyrimin ta ndjekin, hap pas hapi.

T’i kërkojnë qeverisë llogari pikë për pikë sipas afateve, por të mos lejojnë që brenda universitetit gjëja të shpërbëhet, se brenda universitetit, qeveria nuk futet dot. S’ka si futet. Nuk vijmë dot ne brenda universitetit të bëjmë vlerësim akademik, apo jo. Nuk vijmë dot ne brenda universitetit të bëjmë mbrojtjen e studentëve nga korrupsioni apo nga këto favoret që këmbehen për tekstet. Këto janë çështje të brendshme që duhet të garantojnë ata që e mbështesin paktin. Në këtë formë, pedagogët problematikë do të vendosen me shpatullat në mur dhe pedagogët e ndershëm dhe profesionistë, që janë shumica, – unë e kam bindje këtë dhe nuk e them për propagandë, – do të shpëtojnë njëherë e mirë nga përzierja e të njomit me të thatin dhe nga trajtimi i të gjithëve si “këmbët e dhisë”.

Katranjosët janë të interesuar që të gjithë të jenë si “këmbët e dhisë” në jetë dhe jo vetëm në universitet. Të paaftët dhe injorantët janë gjithmonë të interesuar që t’i bëjnë të gjithë njësoj, se kështu kanë statusin e të qenurit të barabartë mes të barabartësh. Këtë e shikon kudo, në politikë, në biznes, në shkollë, në jetë, kudo. Por, ama kur vjen puna tek arsimi dhe tek universiteti, kësaj i duhet vënë fre, në mënyrë që të kemi një rritje cilësore të universitetit.

Nuk po zgjatem më shumë sepse Besa i dha të dhënat kryesore. Rektori i preku pikat e dobëta në detaje, por ne kemi ardhur këtu që t’iu dëgjojmë dhe ta bashkëbisedojmë me ju.

Kështu që jeni të lutur që të merrni fjalë, të pyesni, të ngrini shqetësime. Edhe sharjet live janë të mirëseardhura, jemi mësuar tani. Vetëm se kush shan, duhet të matet se fjalët pastaj i merr mbrapssh kuptohet, na e ka mësuar këtë jeta on line.

Do t’ia kaloj Nikos, por vetëm për një element sepse më bëri përshtypje, kur po vinim që ndërtesa është goxha e mire.

Në fakt po vinim nga një tur në disa ndërtesa fantastike që, nuk është thjesht çështja se janë ndërtesa të bukura, por që janë krijuar hapësira shumë speciale në këtë bashki për qytetarët, për të rinjtë, për vizitoret. Nuk kam parasysh ato që janë bërë më parë, por kam parasysh ato që janë bërë me bashkinë e re, gjithë zonën e pritjes për qytetarët që është spektakolare. Kam parasysh bibliotekën e re që po ndërtohet. Aty do vendosim edhe një akses për bibliotekën digjitale akademike në bashkëpunim me universitetin, galerinë e re të arteve, muzeun e “Gjon Milit”.

Këtu jemi në një vend, ku kanë ndodhur zhvillime fantastike nga pikëpamja cilësore. Nuk është çështje ndërtesash, por është çështje shije. Ajo shija që Korça i ka dhënë këtij vendi shumë e shumë vite më parë, ku gjyshërit e gjyshërit tuaja ishin me borsalino me ato flokët asnjëherë të lëna pas dore, i është rikthyer tani pak nga pak, por jemi akoma, jo aty ku duhet.

Niko më tha që edhe kjo godinë është bashkëpunim i  bashkisë me universitetin.

Gjatë bisedës besoj se do me jepet rasti të flas për atë pjesë të Paktit që ka të bëjë me kushtet e infrastrukturës me partneritetet me ministritë, sipas fushave, me bashkitë dhe me investimet që ne do të bëjmë për t’i garantuar të gjitha këto, por ama vetëm në këmbim të vetëm një gjëje. Në këmbim të angazhimit tuaj në radhë të parë si më të mirët që jeni. Jeni më të mirët në mësime dhe duhet të jeni më të mirët edhe në avancimin e çështjeve shoqërore dhe të komunitetit tuaj në universitet për të mos lejuar që sëmundja e brendshme e universitetit të mbetet e paoperuar. Sepse kjo ju takon ju, me mbështetjen  absolutisht të plotë timen dhe të qeverisë, por kjo u takon ju.

Niko Peleshi: Nuk dua të zgjatem sepse edhe ministrja edhe Kryeministri shtjelloi të gjitha aspektet e paktit për universitetin, por unë nuk dua ta shikoj vetëm nga një kënd që na intereson shumë të gjithëve, këtu në Korçë dhe në gjithë qarkun e Korçës, nga këndi i trazimit të ujërave të ndenjura të shumë viteve në fakt, që u bë shkak dhe sebep protesta, por që do ketë shumë impakt pozitiv për qytetin në përgjithësi edhe për gjithë rajonin. Këtu e kam fjalën për bashkëpunimin për të cilën e mora fjalën. Kemi patur në këto vite punë shumë të mira, arritje shumë të mëdha, nuk jemi atje ku e kemi projektuar dhe e kemi ëndërruar qytetin, ashtu dhe gjithë Shqipërinë, por duhet të pranojmë që kemi qenë shumë mbrapa në një drejtim, në integrimin e fuqisë së madhe të universitetit, të studentëve, por dhe të fuqisë akademike e njerëzore me bashkinë e qytetit, me institucionet e qytetit dhe me projektet e mëdha të zhvillimit. Kemi qenë si ishuj të ndarë për hir të së vërtetës e këtë duhet ta pranojmë. Ashtu sikundër koha e tregoi, zhvillimet e fundit e treguan që edhe këtu brenda, universiteti ka pasur ishullin e studentëve më vete, ishullin e pedagogëve nga ana tjetër. Bashkëpunimi ndërmjet tyre nuk ka qenë siç duhet dhe nuk ka prodhuar sinergji. Besoj që gjithë ky trazim ujërash do na sjellë në një kohë tjetër. Në kohën kur universiteti bëhet një pjesë integrale e projekteve tona të zhvillimit. Këtu kemi disa shenja shumë të mira, e përmendi kryeministri, bashkia me universitetin kanë prodhuar një projekt përshembull si ky i rektoratit.

Bashkia ka vënë në dispozicion një ndërtesë të vjetër në degradim. Rektorati me kursimet e veta investoi për të krijuar këtë hapësirë të re për universitetin. Kemi një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet këtyre dy institucioneve që do ti hapë rrugën edhe programit të sportit dhe të edukimit fizik. Edhe ky një bashkëpunim i dy institucioneve. Kemi prodhuar rreth 80 në mos gabohem masterat e parë të restaurimit, pra profesionistët e parë të restaurimit me master në nivel kombëtar, si bashkëpunim me universitetin politeknik të Tiranës, universitetin “Fan Noli” dhe Bashkisë, ku bashkia për herë të parë shfrytëzoi hapësirën që jep ligji i kaq shumë anatemuar i arsimit të lartë për të kontribuuar në programe të përbashkëta me universitetin. Ka kontribuuar jo pak, por rreth 60 milionë lekë për të prodhuar mastarat e parë të restaurimit. Këto janë fillesat e para, por kemi shumë mundësi të reja për të ngritur qendra të përbashkëta të start-up, të inovacionit, të kreativitetit, gjithë hapësirat e mëdha që i janë shtuar qytetit, qoftë infrastrukturë sportive, kulturore apo biblioteka e re që sapo vizituam me kryeministrin, kanë mundësi të kthehen në institucione dhe në vende vibrante, ku studentët zhvillojnë dhe një dimension tjetër veç atij akademik, dimensionin e qytetarëve të mirë të Shqipërisë sepse ky brez, pas disa vitesh do të jetë brezi i europianëve të Shqipërisë. Ju do të jeni qytetarë të bashkimit europian për pak vite, ndaj në këto vatra të mendimit akademik ne mund të prodhojmë edhe të hedhim farën e qytetarisë europiane. Unë ju premtoj që me aq sa kam unë në mundësitë e mia dhe në të gjithë hapësirën që më krijon pozicioni ku punoj, përfaqësimi në parlament, sëbashku me deputetë e tjerë, në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e bashkisë dhe me universitetin, do të sjellim për diskutim, si pjesë e platformës së hapur, nga pakti i universitetit, ide shumë inovative në mënyrë që ky universitet dhe ky qytet, ky qark të jetë një hap përpara edhe në këto drejtimet e reja, pra jo vetëm në pjesën e hardëare tashmë të ndërtuar, por dhe në pjesën e software të qytetit për të cilën ju jeni të domosdoshëm.

Tani fjala për studentët. Unë dua të veçoj Esmeraldën, si një shembull që duhet ta promovojmë shumë fort. Është një vajzë ekselente, ka mbaruar me të gjitha 10 shkollën e mesme dhe po e veçoj për një gjë që lidhet me bujqësinë. Ekselente që ka zgjedhur të studiojë për agrobiznes. Nuk është e zakonshme në Shqipëri, nuk kemi arritur dot t’i japim prestigj agronomit apo veterinerit në Shqipëri ende. Është një sfidë jo vetëm e Shqipërisë, por edhe vendeve më të zhvilluara, por këtu tek ne nga ai liberalizimi i famshëm i universiteteve aq më keq akoma këto degë u bënë të pa preferuara kështu që përgëzime për shembullin e madh që i jep studentëve të gjithë Shqipërisë.

-Faleminderit! Jam Kryetare e Këshillit Studentor. Çdo ditë jam në kontakt me të gjithë studentët dhe ata më falin shumë energji pozitive nga mëngjesi në darkë. Këtu po shikoj një energji shumë negative. Të gjithë si të trishtuar. E dyta, u përmendën studentët që ishin jashtë. As unë dhe as studentët e tjerë, shumica, nuk jemi dakord që në këtë mbledhje janë vetëm të pranishëm studentët e ekselencës. Universiteti është i të gjithë studenteve, jo vetëm i studentëve të ekselencës. Atje në protestë, para disa javësh, ky pakti i universiteti që sot po ngrihet këtu, është si rezultat i protestës së atyre studentëve që janë atje jashtë, domethënë problematikat shqetësimet që ata ngritën, pikërisht e sollën universitetin në këtë fazë që jemi sot këtu. Më përpara, këtu duhet të ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e këshillit studentor për të përfaqësuar të gjithë masën e studentëve pastaj duhet të ishin studentët e ekselencës e kështu me radhë. Këtë duhet të korrigjoni të parën. E dyta, kryeministri foli këtu për pedagogët, foli për leksionet, për dispensat e të tjerë. Zoti kryeministër, ne e kemi bërë këtë hap falë bashkëpunimit. Nuk jemi ishull studentësh e ishull pedagogësh. Unë që në vitin e parë e kam ndjerë këtë ngrohtësinë e universitetit. Në bashkëpunim me të gjithë pedagogët dhe profesorët. Profesor Aliu është vetë atje, na ka mbështetur kur ne kemi propozuar idenë për të ngritur një komision për vettingun e pedagogëve. Njëkohësisht kur kemi shfaqur probleme dhe shqetësime në lidhje me dispensat. Kështu që të gjitha këtu që unë përmenda janë në proces e sipër pune, pra janë ndërtuar. Ajo çka unë do dëshiroja nga ju, është që pjesa që nuk varet nga universiteti të zgjidhet në mënyrën më të mirë të duhur sepse jam e sigurt që pjesa që është brenda universitetit do zgjidhet në nivelet maksimale. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Në varësi të asaj që do zgjedhësh, sigurisht mund të bësh sukses në bujqësi, por ti mund të bësh sukses dhe në politikë me sa pashë dhe nuk je rastësisht kryetare e Këshillit të Studenteve. Tani, një gjë të vogël. Se kë takojmë ne, e zgjedhim ne. Por nëse ju, si këshill studentor apo nëse ju si studentë, doni të më takoni mua, e zgjidhni ju.

Pra, është shumë e thjeshtë. Unë e shpjegova pse ne sot dëshironim dhe unë dëshiroja të takoja studentët më të mirë. I dua shumë unë më të mirët, më pëlqejnë shumë në çdo fushë se janë shembull shumë i mirë. Mos më ndërprit, mungesa e edukatës nuk është luftë kundër indiferencës. Më pëlqen shumë mua kjo pjesë patjetër sepse edukata është shumë e nevojshme që njeriu me njeriun të merren vesh.

Ka një shprehje shumë të bukur që thotë, “cilësia e demokracisë nuk varet nga sa shumë biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord”. Nëse nuk biem dakord me mirësjellje, jetojmë mirë. Nëse nuk biem dakord me të shara apo me luftë, jetojmë keq. Kjo vlen për shoqërinë, kjo vlen për një komunitet, kjo vlen për familjen. Edhe në familje, nuk biem dakord për çdo gjë, por nga mënyra se si nuk biem dakord, varet edhe cilësia.

Pastaj kur flet duhet të jesh i përgatitur për atë që do dëgjosh. Unë jam gjithmonë i përgatitur. Të dëgjova me vëmendje. Tani duhet të më dëgjosh edhe ti, që do të thotë, nëse Këshilli studentor apo studentë, një grup studentësh apo të gjithë bashke duan të më takojnë mua, unë jam gjithmonë i gatshëm. E kam kërkuar, jam lutur sa më doli shpirti, por ishte një zgjedhje fatkeqe që të ndërtoj një proces pa komunikim. Edhe ajo zgjedhje ishte shprehje e rënies së nivelit të edukatës demokratike në tërësi. Kjo është e para.

E dyta, patjetër që janë shumë pozitive ato që keni bërë ju këtu, por unë e dëgjova me vëmendje rektorin. Ti do bëhesh politikane me sa kuptova unë, nuk do bëhesh agronome në fund dhe kjo është një gjë shumë e mirë se na duhen politikanë që vijnë nga sukseset në jetën akademike, por ato që tha rektori tregojnë që këtu ka shumë për të bërë akoma. Për sa i përket pjesës që duhet bërë nga ne, nga qeveria dhe që nuk është pjesë që mund ta bëni ju, jemi shumë dakord bashkë dhe unë jam shumë i qartë për çfarë duhet të bëjmë ne.

Nuk kemi bërë pak besoj, por nuk diskutohet që është e pamjaftueshme, në raport me çfarë duam sepse këto tema që sot ne i diskutojmë, do ishin luks i pakonceptueshëm 5 vjet më përpara, kur kishte universitete që jepnin diploma në këmbim të parave e nuk shkoje fare t’i merrje leksionet apo të tregoje sa dije, kur as nuk bëhej fjalë për akreditime. Akreditimet bëheshin nga këshilltari i kryeministrit dhe ishin një farsë e paimagjinueshme dhe jo më siç e tha rektori, nga një nga agjencitë më të mira në botë, siç është agjencia angleze e cilësisë që ka ardhur dhe ka kaluar në skaner gjithë universitetet. Ka akredituar dhe universitetin tuaj e kështu me radhë.

Thënë pjesa jonë, unë do doja shume të dëgjoja nga të gjithë se cila mendoni ju se është pjesa jonë, se mbase ne na ka shpëtuar ndonjë gjë, por ajo që ne kemi identifikuar si pjesën tonë është mbështetja e universitetit për sa i përket nevojave në infrastrukturën që ka universiteti, për sa i përket praktikave, për sa i përket krijimit të urave për tregun e punës që i tha dhe rektori. Për sa i përket punësimit.

Është një gjë shumë e madhe kjo që ka ndodhur, që falë protestës, ne na u dha mundësia që të hapim rrugën për më të mirët që të punësohen në administratë. Pa konkurse, pa asnjë lloj sistemi, ku mund të ketë interferenca, por vetëm me rezultatet e tyre dhe vetëm përmes një platformë dixhitale, ku secili e ndjek procesin e aplikimit dhe ku nuk të kalon dot përpara dikush që i ka rezultatet më të dobëta se sa ti, nëse ti ke zgjedhur këtë vend apo atë vend.

Janë 900 aplikime që janë bërë për 800 vendet e para të punës që janë shpallur.

Do ketë disa shpallje, por 800 të parat janë ato që janë shpallur. Deri tani janë mbi 400 që janë kualifikuar. E kemi shtyrë pak afatin se presim që të marrin dokumentet edhe të tjerët. Këtu për shembull në Korçë nuk është problem se ju i keni bërë detyrat ndaj vetes, por ka universitete që akoma nuk kanë sjellë gjithë dokumentacion e ne nuk duam të penalizohet asnjë për të aplikuar në këtë thirrje të parë. Ndërkohë që, kemi ngritur grupe të përbashkëta e do vazhdojmë të plotësojmë mes ministrive përkatëse dhe universitetit për të adresuar nevojat në infrastrukturë, nevojat për laboratorë, nevoja për mjete didaktike e të gjitha këto do jenë pjesë e programit të madh të ndërhyrjes për transformimin e infrastrukturës universitare në gjithë Shqipërinë, si dhe programeve të përveçme, si për shembull me universitetin Bujqësor të Tiranës.

Ne kemi filluar faktikisht ndër të tjera edhe një projekt për ndërtimin e fermës së universitetit që është një histori e dhimbshme, pasi universiteti bujqësor i Tiranës ka pasur një fermë të standardeve të larta ndërkombëtare të asaj kohe, e cila u shkatërrua plotësisht. Tani ne si qeveri do financojmë ndërtimin e një ferme model me të gjithë komponentët për t’i dhënë mundësi, jo vetëm për të bërë mësimin në kushte praktike, por edhe për të krijuar marrëdhënie tregtare, për të shitur produkte e për të nxjerrë të ardhura nga ky aktivitet që llogariten të ardhura të konsiderueshme për atë madhësi që ka ferma.

Të njëjtën gjë, në një dimension më të vogël sigurisht, ne mund ta bëjmë edhe këtu me universitetin e Korçës, në degën që merret me bujqësinë, me zhvillimin rural për ata që merren me, – se e lexova këtu, – menaxhimin e biznesit bujqësor, që të krijohet një sistem i brendshëm që të jetë një sistem që komunikon me tregun dhe që njëkohësisht i jep mundësi të gjitha profileve brenda degës që të kenë aktivitetin e tyre konkret. Por kuptohet që ky është vetëm një shembull se mund të bëhen edhe gjëra të tjera. Kështu që faleminderit për ndërhyrjen dhe kur të jeni gati për mbledhjen tjetër, unë vij me kënaqësinë më të madhe, edhe me ata që janë jashtë. Sidomos ata, se i kam shumë qejf ata.

-Përshëndetje! Faleminderit për ftesën! Unë jam studente në fakultetin e shkencave të natyrës dhe humane. Pas një ciklit të parë studimesh bachelor dhe një master shkencor, le të themi që prisja tepër, punësimin atë që është finalja. Pas rezultateve të larta kam bërë një kalvar të gjatë kërkesash për punësim. Praktika jonë konkretisht ishte në institucione dhe kërkesa ime për punë ishte tek institucionet. E para herë që dëgjoj që janë rreth 38 vende të lira pune sepse nuk më është dukur në asnjë vend ku unë kam kërkuar kaq transparencë e vendeve të lira të punës dhe më ka rezultuar që nuk ka asnjë vend të lirë pune për mua. Megjithatë, nuk jam ndaluar, kam vazhduar një specializim në Tiranë dhe trajnime të shumta në lidhje me fëmijët autikë me shpresën që në qytetin e Korçës mund të punoja si një mësuese ndihmëse në këtë fushë, duke qenë se kërkesat janë të larta në atë shkollë dhe mëse të nevojshme, – gjë që mu mohua. Përsëri nuk u stepa. Vazhdova të bëja një master profesional e sot jam në përfundim të këtij masteri profesional. Ka mbetur diploma në prill. Normalisht që këtu jam si pjesë e ekselencës së zgjedhur, duke qenë se edhe në bachelor edhe në master shkencor kam qenë po pjesë e kësaj ekselence. Pres punësimin dhe ju falenderoj ju për prezencën që bëtë në lidhje me vendet e lira të punës që ishin. Nuk e di nëse ka një kusht apo nëse ka patur një kriter punësimi për të gjithë ata që kanë mbaruar një master shkencor, jo me të njëjta rezultate, që janë punësuar, qoftë në arsim apo në vende të tjera të institucionit. Nuk e di nëse për ta ka patur një transparencë sepse normalisht për shokët e mi të klasës që sot nuk gjenden këtu në Korçë, nuk ka patur një transparencë.

Kryeministri Edi Rama: Nuk janë 38, mos na i ul, janë 39 vende pune dhe nuk ka nevojë fare të lodhemi, të diskutojmë. Është një adresë, punetembare.al dhe i ke të gjitha të afishuara aty dhe fakti që aty kanë aplikuar rreth 900 persona, tregon që kjo është reale.

Janë mbi 400 që janë kualifikuar. Kualifikimi është shumë transparent. Është shume i thjeshtë sepse bazohet vetëm tek rezultatet. Pra ti aplikon, kërkon vendin e punës që të shkon për shtat, depoziton dokumentet e tua të rezultateve dhe ai vend pune është i hapur deri në momentin që dikush përpara teje nuk e merr dhe ai përpara teje duhet të ketë rezultat më të mirë se ty. Nëse deri tek ty vjen radha dhe askush nuk e ka marrë atë vend pune nga ata që janë më të mirë, e merr ti. Ai që vjen mbrapa teje nuk e merr dot. Është shumë e thjeshtë dhe kjo që po them unë, ndiqet online, e ndjek vetë,  i sheh të gjithë flukset e lëvizjeve dhe nëse një vend zihet, ti ke mundësi ta bësh aty krahasimin mes vetes dhe atij që ka zënë vendin. Njësoj si platforma e hyrjes në universitet, që prej 2 vitesh nuk ka asnjë ankesë, artimetikisht po them unë, asnjë ankesë, sepse është platformë e hapur për të gjitha ata që duan të futen në universitet dhe e ndjekin vetë rrugën e nuk i kalon dot njeri.

Është e njëjta si me mësuesit. Nuk e di çfarë transparence i ka munguar shokëve të tu që kanë ikur, por sot nuk futesh dot në arsim përveçse në atë rrugë. Përmes portalit dhe përmes pikëve dhe e kemi kaluar tani nga një mekanizëm që ishte një mekanizëm eksperimental, në ligj. Është me ligj, pra asnjë drejtues i zyrave arsimore nuk e bën dot që të kapërcejë, që t’i marri njërit punën t’ia çojë tjetrit sepse del atje dhe praktikisht është në shkelje të ligjit. Kështu që, në këtë aspekt, jemi në kushtet kur të gjithë ata që janë me 9-10, që kanë mbaruar vjet apo mbarojnë sivjet, kanë mundësi për akses në punë. Por thënë kjo, meqë e dëgjove me vëmendje fjalën, ideja që e vetmja rrugë punësimi është shteti është një ide me të cilën ne duhet të luftojmë shumë.

Ideja që puna të vjen në shtëpi e të merr ty është një ide me të cilën ne duhet të luftojmë shumë.

Studentët sivëllezër e simotra tuaja në Europën ku ne duam të integrohemi, kur mbarojnë shkollën, nuk kanë absolutisht asnjë garanci se do punojnë në zanatin e tyre e mesatarisht bëjnë 150 aplikime për punë dhe 50 intervista pune. E di sa është përqindja e suksesit? Është nën 30%. Të tjerët, të gjithë në punë që nuk kanë lidhje fare me çfarë kanë bërë shkollën, por kuptohet, hap pas hapi dhe kush është i zoti çan. Tani, sigurisht që është e lehtë ta thuash, është shumë më e vështirë ta bësh dhe është e lehtë ta thuash për një vend të Bashkimit Europian dhe është më e vështirë ta thuash për Shqipërinë ku nuk është se ka oferta spektakolare nga të katër anët, por ama ky është realiteti. Gjëja që ka ndodhur është historike sepse ti japësh mundësi direkte një studenti me 9-10 që ta zgjedhi vetë punën, të vëri gishtin atje në bazë të notave, këtë nuk e kanë vendet e tjera. E dyta, është historike sepse kjo ne na ndihmon që të mbyllim përfundimisht kanalet që sjellin në punë njerëz nga klientelat, nga partitë, nga ryshfetet.

Ne do ta shtrijmë këtë gjë, edhe përtej administratës dhe shërbimit publik.

Do ta shtrijmë në të gjitha vendet e tjera të punës. Pra, nëse do të ketë vende pune në Hipotekë, vendet e punës në Hipotekës do të jenë të lira për ata që kanë mbaruar me 9-10.

Do fillojmë të shtrijmë edhe vitet. Pra tani kemi dy vite, kemi këtë vit dhe një vit më parë.

Do kalojmë tek 2017, pastaj tek 2016, për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që kanë mbaruar me notat më të mira që të kenë një zgjedhje pune në shtet. Kjo është ajo që do bëjmë.

-Përshëndetje! Jam përfaqësues i studentëve në senat. Në vazhdim edhe të asaj që tha pak Esmeralda, unë mendoj se studentë të mirë janë ata që janë qytetarë të mirë në radhë të parë dhe më pas edhe ekselentët. Për mendimin tim, ata që janë jashtë janë qytetarë të mirë pasi dinë të kërkojnë.

Kryeministri Rama: E zgjidhem, e trajtuam atë çështje. Të mos i kthehemi prapë të njëjtës gjë. Qytetarët e mirë nuk bëjnë “uuuu”.

-Ndoshta ishte një ekspresion i momentit, por edhe në parlament bëhet “uuuu”.

Kryeministri Edi Rama: Por nuk janë qytetarë të mirë në parlament. Ku e dëgjove ti, të thash gjë unë që janë qytetarë të mirë ata në parlament?!

-Kështu që mos prisni që në parlament të jetë kjo “uuuu” e në rrugë të mos jetë.

Kryeministri Edi Rama: E pres patjetër.

Se atë model marrim ne nga ai parlament.

Kryeministri Edi Rama: Mirë pra dakord. Atë model unë nuk e pranoj.

-Edhe ne nuk e pranojmë.

Kryeministri Edi Rama: Mos e promovo të paktën. Natyrisht, ata janë të justifikuar sepse kishin pyllin në sfond.

-Kishin dhe universitetin nga mbrapa.

Kryeministri Rama: Jo nga mbrapa kishin pyllin. Nga mbrapa universitetin e kisha unë.

Po, duke qenë se jemi në Korçë, ju duhet të dini që ne dimë t’i kërkojmë gjërat tona edhe me edukatë edhe me etikë. Për pjesën që na intereson ne si studentë, është pjesa e përfaqësimit të studentëve në strukturat akademike. Pakti për universitetin e ka prekur pak këtë pjesë, por nuk e ka bërë të qartë se me çfarë peshe do jetë, do jetë 20%, do rritet, do ngelet ashtu siç është? Sepse edhe kështu siç është prapë për mendimin tim ka mangësi. Ne nuk përfaqësohemi si duhet në senat. Unë gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë i vetëm në senatin akademik dhe nuk kam pasur një student tjetër. Pas protestës që u bë në gjithë Shqipërinë, sigurisht që ka një ndryshim sepse shikoj që nga strukturat drejtuese, të paktën nga të universitetit nga ajo deliri për të shfaqur ato arritjet, ka kaluar në autokritike për këtë më vjen mirë. Për pjesën tjetër që doja t’ju pyesja, keni ndonjë projekt konkret për konviktin e universitetit të Korçës? Edhe nëse ka, kemi afate ose ku është projekti që edhe ne të mund ta shohim. Kaq kisha zoti Kryeministër. Faleminderit që erdhe në qytetin e Korçës të dëgjonit studentët!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Edhe njëherë përsëris. Unë nuk i shmangem asnjë komunikimi, asnjë debati, asnjë sherri po të doni, por gjëja që dua ta nënvizoj shumë fort është që nuk mundet të përmbysim rregullin bazë që juve e keni mësuar që kur keni filluar të kuptoni shqip nga prindërit tuaj, pavarësisht modeleve e shembujve negative dhe nuk diskutohet që ka edhe më keq se sa kaq dhe më keq se kaq patjetër, çdo të enjte, e ke në parlament. Nuk diskutohet. Por kjo nuk do të thotë që të amnistojmë mungesën e mirësjelljes në komunikim. Është e paamnistueshme, sepse për më tepër po ndodh diçka që është e pa tolerueshme. Po ndodh që kush bën “uuuu” pengon të tjerët të bëjnë atë që duan pa bërë “uuuu”. Kjo është e patolerueshme. Nuk ndodh këtu, por ndodh në vende të tjera.

E drejta për të bërë “uuuu” është e garantuar. Nuk diskutohet. E drejta për të imituar specie të ndryshme të pyllit është një e drejtë e njeriut, por nga ana tjetër, e drejta e çdokujt për të bërë atë që do, edhe qoftë e një studenti të vetëm që thotë, “unë paguaj djersën e prindërve të mi, për të marrë mësim e sot dua mësim edhe sikur gjithë universiteti të dojë mësim”, është një e drejtë që duhet garantuar e jo më pakica që të marri peng shumicat me “uuuu”. Kjo është pastaj pylli që futet e dominon qytetin kështu që në këtë pikë unë nuk kam asnjë prirje që të bëj sikur nuk kuptoj apo që të hesht që të dukem paqësor.

Për sa i përket atyre të tjerave, jam absolutisht shumë i vëmendshëm për t’i dëgjuar.

Kuota e përfaqësimit nuk do ndryshojë. Nuk kemi gatishmërinë ta ndryshojmë sepse nuk e shikojmë aty problemin. Senati akademik ka përfaqësi studentësh. Aty ku këshillat studentore janë të mirëorganizuar dhe rasti i Korçës është një nga rastet e rralla që këshilli studentor është i mirëorganizuar, përfaqësimi në senat sjell rezultate.

Faktikisht, juve nuk keni pasur nevojë të ndryshoni asgjë në ligj për të garantuar përfaqësimin e një studenti në bordin e administrimit. Si e garantuat këtë ju? Jo, nuk është shkelje e ligjit kjo sepse në kuotën që ka universiteti, universiteti mund të vendosi vetë, do jenë pedagogë, do jenë studentë, do jenë më shumë pedagogë, do jenë më shumë studentë, do jenë të gjithë pedagogë, nuk do ketë studentë. Si e garantuat? E garantuat me cilësinë e përfaqësimit. Kjo është shumë e thjeshtë.

Nuk ka nevojë për debat dhe është e provuar statistikisht që, aty ku kuota e përfaqësimit në senat, balanca e përfaqësimit në senat prishet në emër të barazisë, goditet cilësia e mësimit. Fillojnë historitë e njësoj siç bëhen zgjedhjet e tjera, fillojnë të bëhen dhe zgjedhjet në universitet.

Aq e vërtetë është kjo sa disa vende e ky nuk është rasti ynë e nuk duam t’i hyjmë këtij debati, por në disa vende, shumë më demokratike siç janë vendet nordike, Danimarka, Suedia, Norvegjia, kanë hapur debatin e zerimit të kuotës së përfaqësimit të studentëve. Pse? Vetëm nga kjo. Nga influenca negative që kjo sjell në procesin zgjedhor, duke i vendosur ata që duan të zgjidhen në pozitën që të bëjnë kompromise në kurriz të cilësisë së mësimit.

Këtë e thonë ata. Tani ata janë në botë tjetër, nuk bëhet fjalë që ne të shkojmë pas tyre e as ta hapim këtë debat, por po jua jap si shembull. Kështu që 20% është një kuotë e mjaftueshme dhe nga ana tjetër po ju them dhe diçka që të kuptohet mirë. U bë një protestë që në përmbajtjen e vetë, problem ishte shprehja më kuptimplotë e problemit që është brenda universitetit. Qeveria u fut në këtë histori si një shënjestër e kollajshme, por të gjitha ato pikat janë pika që i takojnë universitetit e janë shprehje e dobësisë në marrjen e përgjegjësive nga ana e universitetit. Edhe tarifat, janë të universitetit, nuk janë të qeverisë. Nuk vë qeveria tarifa. Qeveria vë tavan dhe tavanin e ka venë sepse kur u bë sprova e parë, të gjithë universitetet kanë kërkuar tarifa më të larta se këto që kanë, me të drejtë sipas mendimit tonë sepse kostoja është e lartë dhe qeveria u detyrua të vëri tavan për të mos cënuar si të thuash atë integritetin e fuqisë ekonomike të studentëve që shkojnë në një universitet publik. Për sa i përket konviktit. Ne do t’i rindërtojmë të gjitha konviktet pa përjashtim, por projektet nuk i bëjmë ne. Projektet i bëjnë universitetet, në bashkëpunim me ata që i administrojnë konviktet. Qeveria nuk administron konvikte. Konviktet administrohen nga bashkitë, administrohen nga ndërmarrjet sipas rastit e të tjera. Ideja jonë është që konviktet duhet të kalojnë në administrim të universitetit sepse është më e integruar. Sistemi është më i integruar dhe aty universiteti mund të bëjë politikat e veta, në tarifa, për ata që vijnë në familje në nevojë të kenë tarifë tjetër, ata që vijnë nga familje të pasura të kenë tarifë tjetër, por ky është një proces që ne po e diskutojmë.

Në momentin që ne do të kemi projektin do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet edhe për konviktin pa diskutim. Nuk e di gjendjen e konviktit këtu, por gjëja që po bëjmë është që po mbledhim të gjitha të dhënat e nevojave të universiteteve, nevoja në mjedise, nevoja në logjistike, nevoja në mjete didaktike, dhe të konvikteve dhe të gjitha këto pastaj do të përfshihen në programin e paktit dhe do të financohen nga qeveria dhe partnerë të ndryshëm, siç është rasti me konviktet që ka disa partnerë që po financojnë. Kjo  është gjëja që do të bëjmë. Edhe për këtë arsye, unë e përsëris që ju të përfshiheni në kontratën e Paktit me Universitetin që të mos mbetet një gjë e njëanshme me një palë dhe çdo palë të bëjë detyrën e vet.

-Përshëndetje zoti kryeministër! Vij nga fakulteti i Infermierisë. Fillimisht dua t’iu falënderoj për ftesën. Problematikat që ka fakulteti i infermierisë ndoshta janë shumë shumë herë më të mëdha se ç’mund t’i kenë fakultetet e tjerë.

Ky fakultet ka shumë probleme, qoftë nga infrastruktura, qoftë nga problematika të tjera që deri para protestës ato konsideroheshin të pazgjidhshme. Pas protestës ne morëm një fije shprese dhe filloi të përfaqësohej dhe fakulteti jonë. Pavarësisht problematikave të tjera që u trajtuam dhe nga rektori, problematika jonë kryesore është infrastruktura. Nëse do të vini te fakulteti ynë do të shikoni që është një fakultet shumë i veçuar nga të tjerët dhe nuk kemi mundësi për studentët. Kemi 60-70 studentë nga viti i parë, të cilët zhvillojnë studimin në kushte që për ne janë ekstreme, mund të quhen të papranueshme. Seminaret dhe leksionet që ne zhvillojmë i zhvillojmë në një bankë 4-5 studentë dhe kjo mendoj se nuk është normale. Nuk e di nëse ka një zgjidhje pësa i përket këtij problemi. Donim të kërkonim që meqë është ndërtuar një godinë e re për maternitetin, ne të fakultetit të infermierisë të mund të zhvillonim mësim te godina e maternitetit të vjetër. Kjo ishte kërkesa parësore që ne kemi sepse problematikat që kemi te fakulteti infermierisë janë shumë herë më të mëdha.

Miniatrja e Arsimit Besa Shahini: Faleminderit për pyetjen. Ne në grupet e punës që kemi themeluar, ku disa nga ministritë krijojnë partneritet me universitete apo fakultete të caktuara në varësi të fushës që mbulojnë, e kemi krijuar dhe grupin e punës që mbulon universitetin e Korçës me të gjithë problematikat. Pjesë e grupit të punës është edhe Ministria e Arsimit, për shkak se keni edhe një fakultet të madh që merret edhe më mësuesinë, kemi nga Ministria e Bujqësisë, kemi nga  Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe do të kemi edhe një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kjo për të arritur drejt një përfundimi të përbashkët për të identifikuar të gjitha nevojat infrastrukturore dhe këtu nuk po flasim për dhoma, tavolina e karrige, sepse nevojat infrastrukturore janë edhe me laboratorë, me elementë të ndryshëm që një fakultet i caktuar i ka të nevojshme, në mënyrë që të zhvillohet mësimi në mënyrë cilësore. Problematikën që e ngrite ti, por që e kemi dëgjuar edhe më përpara e kemi edhe në të shkruar edhe nga drejtues të universitet dhe është në proces të mbledhjes së informacionit. Në momentin e parë që të vijë i gjithë grupi  i punës i plotësuar, do të vijmë të vizitojmë godinën ku ju punoni tani, por edhe godinën  e re. Të shohim si ekziston mundësia për të investuar por edhe për të kaluar që nuk është vendim vetëm i yni.

Të shohim se si ndërtohet ky projekt i investimit infrastrukturor dhe pastaj të merremi me pjesën tonë që është të ndajmë mënyrën sesi do investohet.

-Ne kemi dhe një problematikë tjetër, është një rrugë e gjatë nga fakulteti i infermierisë për të ardhur në laboratorët e kimisë të fakulteti tjetër. Dhe pothuajse e kemi të pamundur  të kalojmë brenda orarit mësimor. Zakonisht duhet të vrapojmë që të arrijmë…

Rektori i Universitetit Fan Noli të Korçës, Ali Jashari: Problemi që ngre studentja është shumë i drejtë. Departamenti i infermierisë ka një numër të madh studentësh në një godinë shumë të vogël pavarësisht se ajo është rikonstruktuar. Si zgjidhje provizore ne kemi gjetur që, për leksionet e përbashkëta që bëhen në këtë departament që shkon në 100-120 vetë bashkë me mamitë, do të bëhen në fakultetin e Bujqësisë dhe atë të Ekonomisë. Sivjet rektorati kishte në plan që të ndërtonte një godinë tjetër shtesë në fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Humane, por është dhe varianti tjetër që ne qeverisë të mos i kërkojmë një vezë sot, por t’i kërkojmë një pulë që t’i përmbushë të gjitha kërkesat për infrastrukturën.

Kryeministri Edi Rama: Ndonjë vezë ka në drejtimin tim? Meqë u fol për vezë dhe për pula, se dhe pula kemi në Parlament që ta dini ju.  Iu falënderoj shumë për këtë mundësi!

Edhe një herë duhet ta theksoj që sot është provë, por besoj se do kemi prova të tjera në vijim, që për mua dhe për ne nuk ka qenë asnjë sekondë qëllimi si të shuhet të tretet dhe të harrohet protesta. Por, ka qenë dhe mbetet qëllim sesi potenciali i protestës të mos shuhet, të mos tretet e të mos harrohet.

Faktikisht, sot ne erdhëm këtu me dëshirën tonë dhe i ftuam ne studentët ekselentë për të bërë këtë diskutim. Dhe pa diskutim, e përsëris që jam i gatshëm të takohem me të gjithë ata që duan të takohen me mua. Dhe shyqyr që kemi Esmeraldën që do të na garantojë që të vihet një vijë mes njeriut dhe pyllit gjatë diskutimeve me të gjitha kategoritë.

Ajo që është e rëndësishme është të mos lëshojmë pe në këtë proces. As ju të mos lëshoni pe. Kur them ju, jo ju që jeni këtu, por studentët e përfshirë të mos lëshojnë pe, në kërkesat për të cilat ne kemi marrë përsipër për realizimin. Po iu them një gjë, sikur ju të kishit dalë në protestë dy vjet më përpara e të kërkonit përgjysmim tarife, mund të ishit akoma sot në protestë dhe nuk do ta kishit përgjysmimin e tarifës. Jo se nuk do ishte drejte, se është e drejtë sot dhe patjetër që do ishte dhe dy vite më parë, por do ishte e pamundur për ne. Ne nuk do t’i kishim sot mundësitë financiare që të thoshim “ok do ta përgjysmojmë tarifën, do ta zerojmë dhe do ta paguajmë ne 100 % për kategoritë që kemi paguar dhe do të japim dhe bursa”. Nuk do ta bënim dot, do ishte e pamundur. Do tu thoshim “hidhuni përpjetë, por nuk bëhet”. Sot kjo është e mundur të bëhet.

Ndërkohe që përsa i përket pjesëve të tjera janë delikate dhe duhen bërë, por bëhen vetëm nëse ju do të jeni të angazhuar, vetëm nuk bëhen. Qeveria vetë e ka të pamundur, sado e çuditshme të duket, por e ka të pamundur të lirojë godinat nga uzurpatorët që pengojnë të tjerët të bëjnë mësim.

E ka të pamundur të bëjë vlerësimin e titujve akademikë vetëm, nuk e bën dot. Qeveria mund t’iu mbështesë me logjistikë, mund t’iu mbështesë me softëare-in për analizat e teksteve, por duhet ta bëjë universiteti. Ka një pyetje që e bëjnë shumë studentë. “Po mirë si do bëjnë këta vlerësimin e vetvetes?”

E para, është komplet e pamundur që qeveria ta bëjë këtë gjë dhe nuk është autonomia problemi, siç nuk është demokracia  problemi. Pavarësisht të gjitha problemeve që kemi, mua nuk më shkon mendja që kemi bërë gabim që kemi zgjedhur demokracinë,  apo është gabim që kemi zgjedhur autonominë për universitetin. Zbatimi si duhet i normave, i rregullave, i ligjeve, i japin demokracisë më shumë cilësi, i japin autonomisë më shumë cilësi.

Por, në këtë fazë duhet që të studentët të mos lëshojnë pe. Dhe jo të mos lëshojnë pe, duke bërë ato budallëqe që “ja ne jemi mbledhur këtu e po i bëjmë edukatë njëri – tjetrit” se ça thonë ca çudira, por të mos lëshojmë pe, duke kërkuar një për një, ato pika që janë pika kyçe dhe që janë faktikisht të përmbledhura tek ato kërkesa dhe që mund të zbërthehen me shumë sukses nëse bëhen siç duhen.

Për këtë arsye duhet që pakti të jetë një kontratë e dyanshme.

Ne të marrim përgjegjësitë tona dhe për këto jam shumë i gatshëm që t’i japë llogari Esmeraldës, dhe kur them Esmeraldës kam parasysh të gjithëve atyre që janë të angazhuar si ajo, për të kërkuar llogari një për një. Pakti nuk është akoma i detajuar, ne do ta detajojmë pjesët specifike. Universiteti i Korçës do të ketë pjesën e vete specifike pasi të bëjmë të gjithë inventarin e nevojave, duhet mjedisi i për infermierinë etj. Ne do të themi “po do të bëhen dhe si do të bëhen”.

Siç kemi thënë për këto 8 pika, do kemi afate preçize. Mbi bazën e afateve, studentët sot dhe nesër do kërkojnë llogari.  Do thonë “keni dhënë afat këtu që nuk do bëjmë vrap për të shkuar nga infermieria për të shkuar te laboratorët  dhe ne po vazhdojmë po bëjmë vrap.” “Do mbash përgjegjësi për këtë”. Jo një program si ato fletëpalosjet elektorales, por një kontratë, ku ama studentët, ata që duan, duhet të bëhen anëtarë, të bëhen pjesë të bëhen palë. Kush e përfaqëson në atë kontratë universitetin e Korçës?

Kjo duhet të jetë e lirë, e hapur me vullnet të lirë dhe komplet individual. Dhe kështu kemi një sistem që na garanton të shkojmë përpara dhe të mos bëjmë gjithmonë të njëjtin muhabet, por të shikojmë progresin hap pas hapi, në çdo pjesë. Kështu do garantohet deri në fund edhe vlerësimi i titujve akademikë edhe ndalimi i tregtisë së librave, edhe vlerësimi nga studentët i performancës së të gjithë pedagogëve mbi bazën e një mekanizimi të dakortësuar.

Shumë faleminderit për pritjen, për durimin, për pyetjet, por edhe debatet mikro që patëm, por që i dhanë pak lezet bashkëbisedimit demokratik.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.