Kreu Politike Ngritja e plantacioneve me Gështenja në Kosovë nxitje për një sukses në...

Ngritja e plantacioneve me Gështenja në Kosovë nxitje për një sukses në të ardhmen

446
0

Gështenja është  burim i rëndësishëm i të mirave materiale, ekonomike dhe mjedisore dhe element i rëndësishëm i sistemeve agropyjore. Frutat e gështenjës kanë qenë për shekuj me radhë ushqim suplementarë  për mbijetesën e popullsisë në zonat e populluara me këtë lloj. Prodhimi i frutave dhe drurit janë të ndërvarura  ndërmjet vete dhe paraqesin  një mori vlerash për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit ku janë të stacionuara. Frutat  me aplikimin e metodave të reja dhe  të atyre tradicionale të ruajtjes dhe përpunimit, arrijnë në treg si një grup i madh i produkteve dhe nënprodukteve duke filluar: nga gështenjat e freskëta, të thara, si miell i gështenjës, si shtesë për ëmbëlsirat, kremrat, gështenjat e ngrira, apo si produkte inovative të  grupacionit “seria IV”, për përdorim të drejtpërdrejtë ose për shtesë të ushqimeve të tjera etj. Teknologjitë e reja në menaxhimin e pyjeve, vjeljen dhe përpunimin e produkteve drunore dhe jo drunore pyjore rrisin potencialin e tyre edhe për këto produkte. Ekosistemi i gështenjës përveç kësaj siguron bashkëprodhime agro-pyjore (mjaltë, kërpudha ushqimore të zgjedhura, kullota, ambient për lojë, sport, bimë mjekësore etj). Vlera e lartë e pyjeve të gështenjës është krijuar falë veprimtarisë dhe ndikimeve  njerëzore në zonat malore dhe kodrinore ku shtrihen pyjet me gështenja.

Pjesëmarrja e pyjeve të ngritura apo plantacioneve me Gështenja  në Kosovë është e papërfillshme. Edhe pse mund të ketë nisma individuale në këtë drejtim.

Në hezitimin për ngritjen e plantacioneve me gështenja në nivelin kombëtarë kanë ndikuar në radhë të parë mos njohja e ose njohja e përciptë e pyjeve të gështenjës nga e cila mos njohje kanë derivuar forcat penguese për zhvillimin dhe ngritjen e këtyre plantacioneve si: politikat jo favorizuese qeveritare, pronësia e pa definuar në aspektin juridik, situata jo e mirë shëndetësore e grumbujve pyjorë, kundërshtimi i nismave nxitëse nga struktura të caktuara fatkeqësisht në disa raste edhe profesionale, mundësitë e kufizuara për të siguruar material cilësorë fidanorë. Në nivelin ndërkombëtarë mendojmë se ka ndikim: mos përcaktimi dhe  diskutimet jo parimore kur pylltarët debatojnë rreth pyjeve natyrale dhe plantacioneve  pyjore, ku disa sish: plantacionet pyjore i shohin si përgjigje adekuate jo vetëm për kërkesën në rritje për lëndë druri, për prodhime pyjore jo drunore, por edhe për zbutjen e  problemit të humbjes së pyjeve natyrore, duke argumentuar se  përmes ngritjes së plantacioneve  amortizohet humbja e pyjeve nga shpyllëzimet, mbi shfrytëzimi, aktivitetet minerare, zjarret, dëmtimet nga fito patogjenët etj dhe kështu kontribuohet në ruajtjen e biodiversitetit pyjor dhe balancës ekologjike në tokë, kurse të  tjerë pylltarë i kundërshtojnë këto argumente dhe japin argumentet e tyre përmes cilësimit të  plantacioneve pyjore si “shkretëtira biologjike”, “ujë gëlltitesh” , “peizazhe të karburantit” etj. Plantacionet, sipas tyre, rrisin presionin mbi pyjet natyrore duke e zëvendësuar  shumëllojshmërinë (diversitetin apo polikuturën) me pyje të njëllojshëm monokulturore duke bërë invazion në treg me produkte pyjore me çmime të lira që mund të ndikojnë negativisht në  menaxhimin e pyjeve natyrore duke e bërë këtë të fundit jo konkurrues dhe jo profitabil në treg.

Prodhimi i gështenjave dhe kulturave të arroreve tradicionalisht është i pranishëm në territorin e sotëm të Kosovës që nga lashtësia. Prezenca e pyjeve me Gështenja në Kosovë duke përfshirë edhe Malësinë e Gjakovës dokumentohet nga: gjetjet arkeologjike dëshmojnë prezencën e Gështenjës që nga periudha e tercierit (në vitin 1948 në Hulumtimet buzë lumit Ereniku në Gjakovë janë gjete paleoforma te gështenjës së fosilizuar)  dhe në vendbanimet e Rosujës në Tropojë në vitin 1978 janë gjete thëngjij gështenje që datojnë nga shekulli i II-të. Ndërsa si kategori fiskale (e tatueshme) e dokumentuar deri me tani është që nga viti 1485 ku sipas regjistrit:  “Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës”[1]  në  të dhënat për Kazanë e Pejës bëhet përshkrimi i regjistrimit të detyrimeve që fshatarët (në nivel të familjes – Vatrës ose tymit) kishin ndaj Timarliut    ngjashëm si edhe  në rastin e produkteve të tjera bujqësore dhe pyjore sipas njësisë që ishte e përcaktuar si e “Dhjeta” e prodhimit.

Kushtet për rritjen dhe kultivimin e Gështenjës në Republikën e Kosovës  bazuar në konditat ekoklimatike dhe shtrirjen historike dhe aktuale të saj ekzistojnë në pjesë të madhe të vendit, e sidomos në  viset ku ky lloj ka mbijetuar si dhe në viset ku më herët është dokumentuar prezenca e tij duke mos llogaritur zona malore me lartësi mbi detare më të larta se 1100 m.

Nga vitet e 70-ta të shekullit të kaluar popullacionet me gështenja janë atakuar nga fitopatogjeni Criphonectria parasitica i cili në masë të madhe ka lënë gjurmët  e veta me pasoja për këto pyje por falë individëve të caktuar dhe shkallës së lartë të imunitetit natyral që kanë poseduar  pjesë e caktuar e këtij popullacioni e shpërndarë në gjithë sipërfaqen kanë mbijetuar pas infeksionit duke u shndërruar në individ hipovirulent.

Sot pyjet me Gështenja marrin pjesë me rreth 1% në sipërfaqen e pyjeve në vend, ato  janë në pronësi private dhe njëkohësisht janë edhe pyje edhe pemishte me parcela të fragmentuara dhe me shkallë te larte të degradimit të mbulesës pyjore e vende vende edhe të tokës duke u karakterizuar si sipërfaqe  jo-produktive pyjore e gjithë kjo për shkak të  Menaxhimit jo adekuat  i pyjeve me gështenja.

Gështenja është në rrezik të  humbjes së plotë të territorit dhe tregut si për drurin ashtu edhe për frutat që në të kaluarën jo fort të largët e zotëronte këtë treg jo vetëm në nivel vendi por edhe në nivel rajonal. Për shkak të një strukture të tillë të pafavorshme të prodhimit dhe tregut të pa organizuar, Republika e Kosovës nga eksportuese (nuk e llogarisim eksport të gështenjës grumbullimin e frutave nga tregtarët ambulantë nga Malësia e Gjakovës sepse edhe ky tregtim bëhet brenda arealit natyror dhe historik të gështenjës) tani është  importuese e frutave të Gështenjës.

Kalimi nga prodhimtaria ekstensive e produkteve nga pyjet e Gështenjës në prodhimtari intensive përmes ngritjes së plantacioneve është domosdoshmëri e kohës. Rëndësia ekonomike, mbrojtëse dhe sociale e ngritjes së plantacioneve me Gështenja është e pa diskutueshme sepse: periudha e frutifikimit  të këtij lloji fillon ndërmjet vitit të 5-6 të fidanit kurse në rrethanat e Kosovës jeton edhe deri në 500 vjet, frutat kanë vlera të larta ushqyese, lloji drunor u përket llojeve me rritje intensive e pyjet me gështenja janë ambient i pa konkurrencë për bletim – mjalti i gështenjës shquhet për vlera të larta ushqyese dhe kuruese. Gështenja si lloj me rritje intensive posedon kapacitete të lakmueshme të absorbimit dhe të depozitimit të karbonit nga atmosfera, dhe si të tilla këto plantacione me gamën e gjerë të produkteve që ofrojnë janë një komponentë e rëndësishme në zhvillimin rural në funksion të gjenerimit të të mirave materiale dhe jo materiale për komunitetin me ndikim të drejt për drejt në zbutjen simbolike të fenomenit të depopullimit të popullsisë.

Në favor të ngritjes së plantacioneve të Gështenjës dhe të arroreve të tjera shkon edhe braktisja në masë të madhe e tokës bujqësore (jo nga aspekti pronësoro juridik por nga aspekti i punimit të tokave bujqësore) nga pronarët për shkaqet të arsyeshme apo të pa arsyeshme. Këto toka paraqesin potencial të admirueshëm për ngritje të plantacioneve.

Humbja  tregut dhe shtimi i importit të gështenjës në vitet e fundit e justifikon ngritjen e plantacioneve me gështenja. Epërsia e kultivimit të Gështenjës qëndron në faktin se mbjellja e tyre mund të organizohet në viset kodrinore malore, në shpatie dhe vise më të larta, ku kulturat tjera bujqësore japin më pakë rezultate. Ngritja e plantacioneve me gështenja në tokat ku bimët frutore të tjera nuk do të ishin rentabile apo nga të cilat mund të vjelën vetëm frutat e jo edhe biomasa drunore, sekuestrimi i karbonit  apo nektari në masë është argument mjaft domethënës dhe që e favorizon këtë lloj në llogari të llojeve të tjera të drurëve frutorë (rasti i bimëve manore). Përparësitë kombëtare vërehen edhe në tentativa për ngritjen e industrinë së gështenjës.

Kosova posedon përparësi në burimet e saj natyrore, njerëzore dhe tradicionale si parakushte për të siguruar prodhim dhe përfitim më të mirë nga pyjet dhe plantacionet me gështenja nëse përzgjidhen kultivarët adekuat. Avantazhi i Kosovës është më pak i rëndësishëm në aspektin e punës, infrastrukturës dhe konkurrencës së brendshme, por qëndron në përvojën e saj të rëndësishme në fushën e frutave të freskëta për eksport nga e kaluara. Tregut në këtë fazë mund ti ofrojë fruta të freskëta me cilësi të mirë brenda sezonit të vjeljes së frutave dhe një periudhë relative kohore pas vjeljes (përmes ruajtjes tradicionale në thark (“Kotarë” krahinarizëm nga rrethet Deçan, Junik dhe Gjakovë) për një periudhë deri në 2 apo më së largu 3 muaj). Tregu industrial për gështenja të përpunuara nuk përbën një avantazh për shkak se aktualisht mungojnë kapacitetet përpunuese por edhe për shkak të çmimeve jo atraktive në tregun rajonal e më gjerë. Megjithatë kjo nuk don të thotë se në një të ardhme të mos ndërrojë qasja në këtë drejtim.

Një aspekt tjetër me Gështenjën ka të bëjë me perspektivat turistike-rekreative të ofruara nga pyjet përfshirë edhe plantacionet e gështenjës e cila me shfrytëzimin e këtyre ambienteve për të shpëtuar nga ritmet e dinamike dhe të lodhshme të jetës urbane. Zona e pyjeve janë në afërsi të vendbanimeve dhe në përgjithësi iu përgjigjen nevojave gjithnjë në rritje  për rekreacion dhe pushim  në “pyllin e gështenjës” për të qenë në kontakt me natyrën. Pra Gështenja  paraqet potencial: turistikë, rekreative, gastronomike dhe artizanale, por suksesi i tyre në shkallë kombëtare kërkon pjesëmarrje ekonomike dhe ligje për të përballuar problemet e mbrojtjes dhe zhvillimit të zonave të gështenjës.

Sidoqoftë ngritja e plantacioneve me gështenja duhet analizuar në aspektin teorik dhe praktik përmes ngritjes së sipërfaqeve testuese, duke përzgjedhë gamë të caktuar kultivarësh, të teknologjive, praktika  nga rajoni e më gjerë dhe duke organizuar një sistem të përcjelljes permanente e të ndërgjegjshme të rezultateve.

“Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës”  Botuar nga Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të RP të Shqipërisë në vitin 1974  i transliteruar nga Selami Pulaha

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.