Kreu Aktualitet Ngujimi në çadër vjen prej frikës nga drejtësia

Ngujimi në çadër vjen prej frikës nga drejtësia

636
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, me votues për herë të parë në Shkodër:

Shumë faleminderit!

Është kënaqësi për mua sa herë vij në Shkodër. Shkodra është një dashuri e vjetër sa jeta dhe kujtimi i gjyshes sime, por është kënaqësi e veçantë që janë sot këtu dhe ju keni sjellë një kohë kaq të mirë për të bërë këtë takim!

Shumë faleminderit për këtë ditë të bukur!

Shumë faleminderit për praninë tuaj!

Sigurisht që nuk është e rastësishme që rrugëtimin tonë drejt 18 qershorit ne e kemi filluar me votuesit e parë në të gjithë Shqipërinë. Edhe pse sot Ditmiri dhe Elisa preferuan ta organizonin këtë takim thjesht me votuesit e parë këtu të Bashkisë Shkodër, jam i bindur që do të bëjmë një tjetër takim me të gjithë votuesit e parë të Qarkut, sepse ka një rëndësi themelore për ne që të kuptohet qartë që zgjedhjet e 18 Qershorit nuk janë zgjedhje mes partish, por janë zgjedhje mes Shqipërisë që kishim, Shqipërisë që kemi dhe Shqipërisë që duam.

Shqipëria që kemi është shumë më e mirë se ajo që kishim.

Shqipëria që duam është shumë më e mirë sesa Shqipëria që kemi.

Shqipëria që kemi është një udhëkryq që ndahet në 18 Qershor: Do vazhdojmë luftën për Shqipërinë që duam, me drejtësi të drejtë dhe me rritje të mëtejshme të punësimit falë një shteti të drejtë, apo do kthehemi mbrapsht tek Shqipëria që kishim?

Shqipëria që kishim, sot është e ngujuar në një çadër në mes të Bulevardit.

Ju e dini mirë, kush ngujohet ka një arsye për t’u fshehur. Kush ngujohet ka një faj për të larë. Kush ngujohet ka një motiv shumë të fortë për të refuzuar të ballafaqohet me njerëzit. Ngujimi në atë çadër është ngujimi që vjen prej një frike shumë të madhe, frika nga drejtësia.

Ndërkohë që motivi ynë për të shkuar në zgjedhje në 18 Qershor dhe për tu kërkuar të gjithë të rejave dhe të rinjve që t’i bashkohen rrugës tonë është çlirimi i drejtësisë për t’i dhënë një hov edhe më të madh ekonomisë e punësimit. Në këtë aspekt të gjithë natyrisht janë të nevojshëm, por jo të gjithë mund ta kuptojnë rëndësinë themelore të kësaj date dhe të vendimit që në atë datë do të merret, siç mund ta kuptojnë të rejat dhe të rinjtë dhe siç e kuptojnë gratë në radhë të parë, të cilat, dinë shumë mirë se si mbahet një shtëpi, dinë shumë mirë se çfarë e garanton dhe çfarë e rrezikon një shtëpi dhe mbi të gjitha, dinë shumë mirë se ç’do të thotë të punosh për një shtëpi.

Ajo që unë ju them është se jam shumë krenar që ne kemi sot një qeveri që është shembull, jo e para në historinë e këtij vendi, por është shembull në rajon dhe është krenare në Europë që ka 50% gra dhe 50% burra.

Ajo që ne duam është që t’u japim akses në vendimmarrje, akses në punë, të gjithëve, por padiskutim grave dhe vajzave që janë ende sot e gjithë ditën më të diskriminuara edhe pse vajzat sot nëpër shkolla janë më shumë që kanë rezultate më të mira sesa djemtë që kanë rezultate më të mira.

Unë dua po ashtu t’ju them se kam gjithmonë trishtim kur vij në Shkodër, sepse për Shkodrën ne kemi bërë sa kemi mundur, por mund të bënim shumë më tepër. Për Shkodrën ne kemi bërë këtë që shikoni mbrapa. Teatrin Migjeni, një nga godinat simbol të traditës, një na godinat simbol të jetës së Shkodrës, një nga godinat simbol të qytetarisë shkodrane.

Ne kemi bërë për Shkodrën atë që bën dashuria për një qytet si Shkodra, atë që bën respekti për historinë e një qyteti si Shkodra dhe atë që bën mirënjohja për traditën e një qyteti si Shkodra.

Kemi rindërtuar Teatrin.

Kemi ndërtuar stadiumin.

Kemi ndërtuar Muzeun e Marubit.

Për këto të treja, për fat të mirë, nuk kemi pas nevojë për leje nga Bashkia, se harrojeni se do merrnim leje.

Ndërkohë që këtyre këtu në Bashki që iu thonë se socialistët nuk e duan Shkodrën, thuajini të marrin makinën, apo autobusin e të bëjnë një xhiro deri matanë kufirit të Shkodrës ku fillon Malësia e Madhe. Thuajini të marrin makinën, apo autobusin e të bëjnë një xhiro deri në Fushë Arrëz e deri në Pukë.

Ne nuk i ndajmë njerëzit në tanët e të atyre. Për ne njerëzit kanë të njëjtën vlerë. Qytetarët kanë të njëjtën vlerë. Prandaj duam një drejtësi që njerëzit të jenë të barabartë përpara ligjit dhe jo një drejtësi që është privilegj për ata që kanë pushtet e para dhe që është tmerr për ata që s’kanë as pushtet e as para.

Duke pasur një drejtësi të tillë ne do kemi shumë më tepër mundësi për të investuar, jo vetëm ato që janë paratë e publikut, por për të sjellë shumë më tepër ide që investohen përmes sipërmarrësve të huaj dhe vendas.

Kemi qenë shumë pranë finalizimit të një investimi jo larg Shkodrës, në bregdet, të investimit më të rëndësishëm turistik për të bërë më në fund edhe në Shqipëri një resort me 5 yje, me marinë, me shumë punësim dhe patjetër me shumë të ardhura përmes turizmit për të gjithë këtë zonë. Punuam me kompaninë e huaj për dy vjet. Toka ishte shtetërore, sepse ishte një repart ushtarak i vjetër. Ligjin e kemi bërë që tokën shtetërore e vëmë në dispozicion të atyre që duan të investojnë në turizëm se turizmi sjell rritje ekonomike, punësim, shanse të mëdha për çdo vend.

Pikërisht kur po finalizonim investimin, Gjykata merr një vendim, toka nuk ishte më e jona. Toka iu dha disave që pretenduan pronësinë mbi të me dokumente shumë të dyshimta.

Por më e bukura kush është? Ata që shkuan të kërkonin tokën, me dokumente të dyshimta, kërkuan 49.8 ha. Gjykata iu dha 498 ha. Hoqi një pikë dhe 49.8-ta u bë 498.

Një “gabim” shumë i vogël, por faktikisht ata fituan 10-fishin e asaj që kërkuan. Ne të gjithë humbëm tokën, investimin, vendet e punës që do krijoheshin dhe një perspektivë të madhe që do hapej për të gjitha atë zonë, sepse nuk është thjesht kompleksi turistik, por është gjithë zona që do prodhonte ushqime që do i shërbenin kompleksit.

Si mundet ne të pranojmë që të ndajmë votën e 18 qershorit në një votë për këtë e për atë, kur, në fakt, vota e 18 qershorit ndan se kush do vendosë për fatin tonë: do vendosë Kushtetuta, do vendosë populli, do vendosë ligji, apo do vendosin gjykatësit, prokurorët e politikanët e korruptuar, siç vendosën t’ia mohojnë kësaj zone një investim madhor prej 200 milion eurosh duke e penguar të zhvillohet?!

Të shkosh në Gjykatë për të ndarë burrin e të japë gjykatësi 10 burra! Kjo nuk bën vaki përveçse këtu. Të shkosh në Gjykatë të thuash “dua këtë”, e gjykatësi të thotë “jo, merr edhe këtë, të gjitha këto merri se janë të popullit”!

Kjo është ajo që përbën motivin e kësaj lufte. Prandaj kjo është luftë jo betejë.

Kjo është luftë për Shqipërinë që duam!

Kjo është luftë për të përcaktuar nëse këtu në këtë vend do ketë shtet, nëse qytetarët e këtij vendi do kenë drejtësi. Nëse në një shtet me drejtësi ne do të risim dhe më tej ekonominë e do garantojmë punësim për të gjithë.

Kjo është një luftë që nuk bëhet duke i ikur popullit.

Kjo është një luftë që nuk bëhet duke harruar se 18 qershori është dita kur populli, çdo qytetar ka të drejtën e vet sovrane të na gjykojë, të gjithë ne, përfaqësuesit e popullit dhe të përcaktojë se kush prej nesh duhet të marrë detyrën e qeverisjes së këtij vendi.

Të thuash që, “jo, këtë nuk e vendos populli, këtë e vendosim ne”!

Po kush jemi ne që vendoskemi që të mos paraqitemi në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta përpara gjykimit të popullit?!

Kush jemi ne që popullin gjykatës e kthejmë në një popull skllav, të cilit i themi, “ne do vijmë tek ty, por do vijmë kur të duam ne dhe ndërkohë, megjithëse ti e ke përcaktuar se kush do qeverisë këtë vend për 4 vite dhe ti duhet të përcaktosh se kush do i qeverisë për 4 vite të tjera, ti rri në shtëpi, se këtë punë do e bëjmë ne e pastaj do shohim se kur do takohemi bashkë! Halli që nuk thuhet është se, po erdhëm ne te ty në 18 Qershor, ne e dimë që ti do drejtësi. Ne e dimë që ca nga ne ti nuk i do në votim, ti i do në burg. Ne e dimë që po erdhëm ne në 18 Qershor tek ty mund të na hajë dreqi. Kështu që ne, më mirë s’po vijmë.”

Si pengohet kjo? Kjo pengohet duke penguar ata që s’kanë frikë nga ju, që s’kanë frikë nga drejtësia. Kush janë ata? Ata janë Partia Socialiste e Shqipërisë.

I keni dëgjuar kur thonë, “po mirë, t’i hapim rrugën se s’kanë faj të shkretët. E dinë që do humbin, kështu që pse t’i stresojmë? Ti mbajmë në çadër. Hajde ikim ne. Ikin dhe këta. Pastaj të gjithë bashkë, si këmbët e dhisë, shkojmë te populli kur ta vendosim ne”?

I keni dëgjuar kur thonë, “hajde të lëshojmë ne ca vende që t’i zënë këta”?

Po mirë, çfarë është qeveria? Hotel Rozafa? Disa dhoma i lëshojmë ne që të futen disa të tjerë! Po kur thonë, “por jo, se ne s’jemi të lidhur me karrigen”?

Qeveria nuk është karrige!

Qeveria është përgjegjësi përpara popullit!

Lëshon këtë përgjegjësi, ka lëshuar popullin e vet në dhëmbët e të panjohurës!

Të jesh Kryeministër i vendit nuk është të jesh i privilegjuar sepse ke suitën e Hotel Rozafës edhe tani “dil nga suita, të fusim dhe këta që ta bëjnë dhe këta një dush sepse kanë 50 ditë në çadër”!

Të jesh Kryeministër i një vendi do të thotë të mbash përgjegjësi përpara njerëzve që kanë përcaktuar këtë detyrë. Është detyrë, është përgjegjësi përpara njerëzve, Kushtetutës e mbi të gjitha, është përgjegjësi për të bërë çdo ditë jo atë ku duan të të tërheqin të tjerët për interesat e tyre, por atë që imponon interesi publik kombëtar dhe qytetar i njerëzve të vendit tënd.

Kështu që, të gjitha këto miqtë e mi, janë, siç thoshte At Gjergj Fishta, “dokrra hini”. Ndërkohë që, ajo çka mbetet është mali i arsyeve pse çdo vajzë e çdo djalë që voton për herë të parë duhet të shkojë të votojë në 18 Qershor dhe duhet të sigurohet që të mos lërë askënd nga ata që ka rreth e rrotull, që janë edhe ata votues për herë të parë, që i njeh se i ka komshinj, që i njeh se i ka në klasë, që i njeh se i ka në fshat, që i njeh se i ka në lagje, mos rrinë pa ardhur në kutinë e votimit për një arsye shumë të thjeshtë, se nuk është puna a do zgjedhim midis një të gjati, një të shkurtri, një të gjati, një të mesmi dhe tre të tjerë që s’janë as të shkurtër as të gjatë. Është puna se do zgjedhim si do jetë Shqipëria kur ju të keni mbaruar universitetin? Si do jetë Shqipëria kur ju të dilni nga shkolla e të kërkoni punë? Po ju them që nuk ka shans që Shqipëria që duam të jetë më e mirë se kjo që kemi nëse ju nuk e vendosni këtë me votën tuaj. Nuk ka shans që nëse vota juaj nuk vendos për Shqipërinë që duam, të mos biem prapë në batakun e Shqipërisë që kishim.

E gjitha është te themelet e çadrës që janë themelet e ndërtuara nga tmerri i drejtësisë. Ata janë të gatshëm ta ndajnë Shqipërinë nga Bashkimi Europian, më besoni, pavarësisht se nuk e thonë, ata sot janë të gatshëm ta ndajnë Shqipërinë nga Bashkimi Europian sepse Bashkimi Europian nuk ia jep dorën Shqipërisë t’i thotë: “mirëserdhe, ulu në tavolinë të negociojmë”, nëse Shqipëria nuk fillon vettingun e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar. Nuk ka shans. Ata janë gati t’u tregojnë juve se problemi i Shqipërisë është ambasadorja e Bashkimit Europian; se problemi i Shqipërisë është shefja e diplomacisë europiane; se problemi i Shqipërisë janë europianët që nuk e kuptojnë mirë këtë vend, që janë të blerë, që janë të shitur, që merren me drogë madje dhe që duan ta bëjnë këtë vend një burg. Po pse duan ta bëjnë burg këtë vend kur ne jemi të gjithë të pafajshëm?!

Çfarë problemi ka? Ata janë gati t’ju thonë se fajin e ka ambasadori amerikan që është i izoluar. Ata janë në çadër, ambasadori është i izoluar! Akoma nuk i ka ardhur fjala nga Uashingtoni se çfarë duhet të bëjë dhe ai është peng.

Të gjitha këto janë shenja të një sëmundjeje që, më besoni, po e lamë të zhvillohet, duke lënë 18 qershorin pa dhënë secili vendimin e vet, do bëhet një kancer që do ta ndajë Shqipërinë nga Bashkimi Europian, do ta ndajë Shqipërinë nga Europa, do ta kthejë Shqipërinë në një vend ku të korruptuarit do bëjnë ligjin për kushedi sa vite te tjera.

Unë e di shumë mirë që askujt, asnjë njeriu të vetëm, nga 1 milion që kanë dhënë votën për ne në 2013-ën, nuk mund t’i them: “E pe? Na dhe votën. Tani je i lumtur.” Askujt. Njerëzit kanë akoma halle, kanë akoma probleme, e ndër ata që na dhanë votën në 2013-ën ka akoma njerëz që s’kanë parë asgjë nga ndryshimi që kanë pritur.

Por, unë besoj, po ashtu, që njerëzit janë shumë më të mençur se sa i kujtojnë agallarët e katundit mediatik që hapin lokalet çdo natë edhe rrjepin puna e hedhin pula duke e mbajtur popullin me muhabet rakie, për ta mbajtur në fakt Shqipërinë peng të një katundi që i ka apo s’i ka 800 banorë. Politikanë, analistë, portalistë, sekserë, biznesmenë, të gjithë kanë hallet e veta. Ca paguajnë, ca paguhen, dalin atje dhe flasin: “demokracia, liria, autoritarizmi, arroganca, pabesia”. Të gjitha këto janë dokrra. E vërteta e thjeshtë miqtë e mi është se këto janë përpëlitjet e një dhimbjeje të madhe që vjen nga thellimi i reformave e në radhë të parë nga reforma në drejtësi.

Ama, njerëzve unë iu them: Ishim më mirë në 2013-ën kur kush paguante energjinë ishte budalla, kush e vidhte, apo kush nuk e paguante ishte e mençëm?! Ishim më mirë në 2013-n, kur ishin bërë gjithsej 21 mijë legalizime dhe këto, pjesa më e madhe ishin legalizime biznesesh, apo jemi sot, kur janë 130 mijë legalizime dhe 93% janë shtëpi njerëzish të zakonshëm?!

Atyre që më thonë, çfarë do ti që jep tapi dhe thua se kjo është gjë e madhe, në fund të fundit, shtëpia është e tyre, u them se nuk kuptojnë. Nuk kuptojnë që shtëpia pa letra është strehë, shtëpia me letra është kapital. Shtëpia pa letra është për t’u mbrojtur nga shiu. Shtëpia me letra është kolateral për të shkuar në bankë e për të marrë kredi, sepse nuk je më një i varfër që je në strehën që mezi e ke ngritur 25 vjet, por je një familje që tullat, llaçin, tjegullat i ke kapitalin tënd, që e fut në punë për të marrë kredi për fermën tënde të vogël, për biznesin tënd të vogël, apo për çfarëdo qoftë. Ky është ndryshimi. Ato legalizime nuk janë politikë, por janë drejtësi dhe ekonomi.

Ishim më mirë, kur i çonit fëmijët të gjithë nëpër universitete te kristali, te xhami, te pasqyra, te vitrina, te magazina dhe fëmijët rrinin nëpër klubet e Tiranës e në fund, ne paguanim dhe  dilnin të gjithë kalamajtë juristë?!

Ishim më mirë, kur Suden, Vebiun, Xhaferrin e Saliun i zëvendësuan këta të tjerët me piramidat e universiteteve, apo jemi më mirë sot, kur unë universitet shkohet me merite dhe nuk ka shans që miku, leku, partia të të japë mundësi ta kapërcesh dikë që ka rezultate më të mira se ty?

Ishim më mirë, kur matura shtetërore ishte kopje shtetërore?! Apo jemi më mirë sot, kur matura shtetërore ndan qartë kush është kush, jo mbi bazën e me kë është, çuni a goca e kujt është, sa lekë ka babi, por mbi bazën e asaj që di?!

Ishim më mirë, kur në 2013-n kishim gjithsej 3000 vetë që shkonin në shkolla profesionale dhe që shkolla profesionale vetëm emrin kishin?! Shkonin të bëheshin elektricistë dhe nuk kishin as tel, as poç, por u thoshte mësuesi, e shihni atë shtyllën atje. Po atë telin që lidhet nga shtylla te ballkoni e shihni? Kjo quhet lidhje elektrike. Apo jemi sot, që kemi 27000 të rinj në arsim profesional apo marrin trajnime profesionale.

Ne jemi në këtë betejë për Shqipërinë që duam dhe Shqipëria që Duam duhet të jetë shumë më e mirë se kjo që kemi, se kemi bërë shumë, por duhet të bëjmë shumë akoma.

Ka shumë për të humbur, nëse ne biem në grackën e Bulevardit të Tiranës dhe bëhemi bashkë në tavolinën e rakisë së katundit politik dhe mediatik dhe fillojmë dhe ne rrjepim pula, hedhim pula e bëjmë sikur ushqejmë popullin me pula.

Miqtë e mi!

Shqipëria që Duam është Shqipëri me shtet. Shumë njerëz mund të thonë ky shteti që po bëjmë sikur na ka lodhur pak. Patjetër! Sepse reformat nuk janë festa, nuk janë party në çadër ku vjen pica “katër stinët” dhe këndo himnin kombëtar duke pirë birrë. Se mund të këndohej himni kombëtar duke pirë birrë, nuk e kisha menduar! U desh të ngrihej çadra e tallavasë, aty poshtë zyrës time, këndo rreth flamurit të përbashkuar dhe birra gurgullon në fyt.

Reformat nuk janë të këndojmë himnin e të pimë nga një birrë dhe punë e madhe se të tjerët s’kanë bukë të hanë. Reformat janë të dhimbshme, janë operacione. Dhembin? Patjetër dhembin, por ama shërojnë. Por shërimi nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Nuk del njeriu nga operacioni e të fillojë vrapin tek stadiumi Loro Boriçi. I duhet qetësi, rehabilitim, stërvitje e kështu me radhë.

Doni të ktheheni prapë tek policët që hanë fara nëpër udhëkryqe dhe që të japin kapelen e të thonë, mbushe se nuk të lë me kalu. Kujtoni se nuk kthehen?! Ju siguroj që nuk jemi akoma në fazën kur çfarë kemi bërë, nuk kthehet më mbrapsht. Prandaj na duhen 4 vjet të tjera për Shqipërinë që Duam.

Kujtoni se nuk kthehen prapë, ata që nuk njohin ngjyrat e semaforit, apo ata që ju duket e kuqja jeshile?! Kthehen menjëherë dhe kthehen në emër të lirisë dhe demokracisë.

Kujtoni se nuk kthehen prapë, makinat e deputetëve mbi trotuare në Tiranë? Mbusheshin trotuaret me makinat e deputetëve dhe pse?! Se janë deputetë. Kthehen prapë!

Ajo çadra aty më kujton kioskat që u ndërtuan tek Lana, tek Parku Rinia në Tiranë. Dilte Saliu e thoshte, liri, zhvillim, demokraci. Shqipërinë do ta bëjmë si Zvicra dhe Lana do të jetë shembulli i parë i Shqipërisë zvicerane. Njësoj, “tokë e xanun”. Njësoj, vetëm se tani nuk e kanë ngulur në bar çadrën, por e kanë ngulur në sheshin e demokracisë, që është sheshi i zgjedhjeve, që është sheshi i popullit. Nuk flas për Bulevardin, se e kanë ngulur çadrën aty ku e kanë gjakosur Bulevardin. Mbi gjakun që kanë derdhur aty, kanë vënë çadrën. Ai gjak kërkon drejtësi dhe ajo drejtësi nuk vjen, siç më thonë mua shumë njerëz, që janë të acaruar me të drejtë, se ti nuk dole gjë, nuk na i fute në burg. Si ti fus në burg? Unë s’kam dalë të fus në burg njeri. Unë kam dalë që bashkë me të tjerët të qeverisim vendin, të bëjmë reforma dhe reforma e drejtësisë të sjellë drejtësi e drejtësia pastaj ta ndajë këtë punë, se u bëmë të gjithë hajdutë, të gjithë kriminelë, të gjithë trafikantë.

E patë dje? Doli njëri për të marrë lejen e legalizimit. Por unë i njoh këta demokratët kur vijnë, se lejen e duan, por sesi vijnë dhe mbërthehen kur vijnë. Unë e njoha dhe i thashë ti qenke demokrat. I kishte edhe sytë blu. Edhe ai u hap ai dhe i tha të gjitha. E patë që doli trafikant, mbas dy orësh?! Familjarisht trafikant. Doli vullnetar i Ramizit, doli trafikant, doli i  lidhur me Enverin e të tjera. Kështu e kanë bërë Shqipërinë, 25 vjet, se këtu nuk u nda kush punon dhe e zbaton ligjin dhe kush bën sikur punon dhe shkel ligjin. Këtu të gjithë jemi njësoj, të gjithë jemi hajdutë, të gjithë jemi trafikantë, të gjithë jemi mafiozë, të gjithë jemi kriminelë.

Kjo na pengon jashtëzakonisht shumë të zhvillohemi si shoqëri dhe si vend. Kjo pengon, sepse njerëzit që nuk e dinë këtë punë, thonë pse aty, ku ata që quhen kriminelë janë të gjithë në televizor dhe të tjerët janë të gjithë duke parë televizor, do të shkoj të investoj?! Të shkoj të shoh televizor dhe pastaj sesi do ma marrin pronën në gjykatë?

Zgjedhje nuk diskutohet që në 18 qershor, – lëreni se çfarë thonë dhe unë mendoj se do vijnë në zgjedhje, por dhe po nuk erdhën, është zgjedhja e tyre. Por drejtësinë ata nuk e marrin dot peng! Por shtetin Shqipërinë nuk e ndalojnë dot më të bëhet shtet, se boll e ndaluan 25 vjet me radhë. Shqiptarët, ata nuk i ndajnë dot si ushtri skllevërish, merr teserën e partisë time, të të bëj drejtor. Po nuk more teserën e partisë, je pa punë. Këtë, ne nuk e lëmë të kthehet mbrapsht.

Ne kemi 1001 halle. Kemi edhe ne gabimet tona. Absolutisht, çfarë kemi bërë, nuk mjafton. Absolutisht, duhet të bëjmë shumë më tepër për punësimin, por ne duam punësim real, prandaj duam që njerëzit të marrin zanate, se me diplomë juristi nuk të merr njeri elektricist, me diplomë juristi nuk të merr njeri marangoz, me diplomë juristi nuk të merr njeri të punosh në fushat e naftës, apo të punosh në drejtimin e fermave. Na duhen më shumë njerëz me profesione dhe e kemi hapur rrugën.

Imagjinoni sikur kjo që ne kemi bërë në këto 3 vite e gjysmë të ishte bërë 20 vjet përpara, nuk do kishim këto probleme, do kishim probleme të tjera. Nuk do kishim të rinj të papunën që “punojnë” në Facebook, që telefonin ua paguajnë prindërit. Sepse kështu u lanë, pa perspektivë. Iu thanë, shkoni tek Kristali dhe se ju bën qelibarë. Lanë gjithë lekët e shtëpisë dhe tani, ku punon? Në Facebook.

Edhe unë punoj në Facebook, por është pjesë e punës time. Nuk po them të dilni nga Facebook, por që sëbashku të vazhdojmë rrugën e të hyjmë si një vend dinjitoz, si një shtet serioz në tryezën e vendeve të Bashkimit Europian. Shqipëria të jetë një vend i respektuar, që shqiptarët të respektohen nga fqinjët, që shqiptarët të respektohen nga Europa dhe të mos shihen si qytetarë të dorës së dytë të një vendi pa shtet, të një vendi ku janë të gjithë kriminelë, të një vendi që vetëm merret me drogë, të një vendi që kurrë nuk u bë dot vend. Kështu na kanë parë deri dje, por unë ju them se me votën e 18 qershorit, ne do bëjmë që pas 4 vitesh të tjera, as mos t’i shkojë mendja njeriu më tek mënyra sesi na kanë parë tek Shqipëria që kishim, por të gjithë të na shikojnë me respekt, pavarësisht sa të pasur janë, pavarësisht sa të varfër jemi, pavarësisht sa të zhvilluar janë, pavarësisht sa kemi akoma për të bërë.

Ju falenderoj nga zemra dhe një porosi të fundit.

Ju keni këtu, sidomos në Shkodër, shumë shokë e shoqe që janë nga familje që votojnë PD. Janë në hall, janë në siklet. Afrojuni dhe tregojini që të votosh për PS, nuk është të votosh për “komunistat”, por është të votosh për ata që e duan Shqipërinë shtet, që e duan Shqipërinë në punë, që duan që shqiptarët të kenë mirëqenie. Nëse të bësh shtet, të kesh një Shqipëri që punon dhe të rrisësh mirëqenien është çështje partie, atëherë thuajuni që me ata të çadrës nuk ka shans, jo për Shqipërinë që duam, por nuk ka shans as të ngelemi tek kjo që mezi kemi ndërtuar deri tani. Ata të çadrës kanë një problem. Një problem që e kanë qysh 25 vjet. Seç kanë me themelet, po nuk shkuan t’i hanë themelet, nuk jetojnë dot. Aty te themelet e kanë problemin. Më kujtohet kur hyra në Kryeministri, kati i parë ishte me letra dhe me minj dhe errësirë komplet. Kur pyesje, pse nuk përdoret, të thoshin për çështje sigurie.

Kështu që afrojuni, foluni dhe thuajuni që vota e 18 qershorit është një votë drejtpërdrejtë për ju. Që nesër të mos fillojë prapë avazi, me kë je; ke lek? Nëse jo, të të thonë nuk futesh në shkollë, apo nuk ka punë për ty. Në qoftë se doni këtë, thuajuni vazhdoni me PD, se e keni të siguritë. Por ne nuk e lëmë PD-në të marrë peng Shqipërinë, se Shqipëria ka zot dhe zot në Shqipëri është populli. Thuajuni po ashtu se kjo është një luftë edhe për prindërit e tyre. Të flasin me prindërit e tyre e t’i thonë si do ia bëjmë që Shkodra të ketë më shumë.

Çojini prindërit në Tropojë, që si Shkodra, gjithë jetën me PD. Por a nuk ishte PD në qeveri! Tani është në çadër. Në çadër ka qenë gjithmonë, por nuk është kuptuar. Kur shkova, Tropoja ishte njësoj sikur kam shkuar kur isha student, në vitin verën e 1983-it. Gjithçka siç e kisha lënë, edhe më keq.

Shiheni Tropojën tani. Kryetari i Bashkisë së Tropojës është demokrat. Asnjë problem. As nuk do të më shohë me sy, nuk e diskutoj fare, por kur më takon, më jep dorën, më buzëqesh me respekt, flasim për punën. Por shikoni sesi me ndryshimet që po bëhen në Tropojë, me rrugën e Valbonës që ka mbaruar, kanë filluar të shkojnë gjithmonë e më shumë njerëz. Këta flasin për fasadat, sheshet. Çfarë na duhen sheshet, thotë këtu Voltana “njerëzit s’kanë bukë me hangër”. E ftoj të shkojë në Tamarë dhe ta shohë. Me një projekt transformimi urban që bëmë me Toninin, pyeti njerëzit, a kanë më shumë bukë sot, apo kanë më pak bukë. Këtyre sikur ju ha bukën bukuria, nuk e kuptoj.

Këtyre, kur jua pastruam plehrat, sikur ja hëngrëm bukën. Pastërtia është shoë, për ta. Transformimi urban është fasadë. Vetëm këta janë buka, uji, birra dhe pica e demokratëve.

Flisni me prindërit dhe në fund të fundit, nëse ata nuk hyjnë në zgjedhje, s’ka asnjë problem, se edhe na votuan, edhe s’na votuan, këta që janë demokratët e zakonshëm, me ne do marrin ato që nuk i morën kurrë me ata. Sa demokratë i kanë pritur legalizimet nga ata?! Jua japim ne tani. Do kishin qejf tua jepte Saliu, s’jua dha, por jeta kështu është, të vjen nga s’e pret. Nuk e prisnin nga unë, e marrin nga unë, ç’rëndësi ka, por e marrin. Ne nuk themi kjo është shtëpia e një demokrati dhe nuk legalizohet, ai është lokali i një socialisti, mu në mes të rrugës, këtë do legalizojmë.

Ku janë ata të përmbytjeve, se më dalin gjithmonë këtu. S’i dha Saliu kokërr leku, ata me dy gishta. Më kujtohet kur erdha në kohën e përmbytjeve, doli njëri, qull nga koka tek këmbët dhe filloi të ulërinte, më është mbytur çdo gjë, nuk duket shtëpia. Vetëm unë dhe qeni, tha, kemi ngelur. Pastaj më tha, po ti çfarë do këtu, se unë jam me PD. I thashë, unë dua qenin, nuk të dua ty. Se qeni çfarë taksirati ka, që e ka të zotin komplet të verbër. Por dëmshpërblimin e mori nga unë që doja qenin. Do i marrin deri në fund dëmshpërblimet. Nuk është për fushatë, se mua nuk më gënjen mendja se ai do japi votë për PS-në. Por dëmshpërblimin nuk e morën kur ishin ata në pushtet, se ata pushtetin e donin për vete dhe shteti në punë të vet, biznesi në punë të vet, mileti në punë të vet dhe kush t’ia hidhte njëri-tjetrit.

Tani dalin dy herë, një herë në mëngjes, një herë në darkë. Fillon himni, vijnë ata e pastaj çadra është bosh e ka muzikë. Sot kur po vija kam postuar urën e Bunës. “Nuk kena lek!” thotë, po ura e Bunës nuk ka nevojë për lekë, ka nevojë vetëm ta duash Shkodrën. Të bësh një riparim. Tani Voltanë, ose rregullo urën e Bunës për një javë, ose do ta rregullojmë ne, ndërtim pa leje!

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.