Kreu Aktualitet Nis ndërtimin rruga e re kombëtare Delvinë-Kardhiq

Nis ndërtimin rruga e re kombëtare Delvinë-Kardhiq

816
0

Përshëndetja e kryeministrit Edi Rama në nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës së re kombëtare Delvinë-Kardhiq:

Përshëndetje!

Më vjen shumë mirë që sot finalizojmë një proces të gjatë, pasi siç e tha më parë ministri, për rrugën Delvinë – Kardhiq, jo vetëm është folur për vite e vite të tëra dhe është premtuar për vite e vite të tëra, por ka pasur edhe inaugurime që në 2007. Madje gjithë gjatësia e rrugës është përfshirë në gjithë ato bilancet e 10 mijë kilometrave rrugë që ishin në fantazitë e Saliut. E vërteta është që jo 10 mijë kilometra rrugë, por edhe kjo ishte në inventarin e rrugëve të lëna rrugëve.

Një rrugë e lënë rrugëve, ku nëse e dëgjuat nga drejtori, projekti u ribë nga e para, ndërsa tuneli dhe pjesa e fundit që duhet të lidhë praktikisht Delvinën me Sarandën, po bëhen tani. Po bëhen tani, pasi as nuk ishin parashikuar fare. Do me thënë, do bënin një rrugë kombëtare me mënyrën e tyre, – siç i kanë bërë, për faqen më të zezë dhe siç i kanë djegur fondet dhe ngarkuar në kurriz borxhet shqiptarëve, – që do ndalonte në Delvinë. Imagjino! E nga Delvina, në Sarandë, në ato 6 kilometra do vazhdonte pastaj rruga e dhive të kohës së vjetër.

Kjo histori ka marrë fund dhe faktikisht historia shekullore e Kardhiqit, e Fushë-Bardhës, e Zhulatit, me nga 200-300 shtëpi, që sot janë pothuajse shpopulluar krejtësisht për shkak se kanë mbetur tërësisht jashtë çdo lloj rruge të zhvillimit, këtu merr një kthesë jo thjesht si histori e këtyre fshatrave, por si histori e një zone ku praktikisht ka një potencial të madh zhvillimi turistik, ka një potencial të madh zhvillimi ekonomik dhe nga ana tjetër, ka edhe një potencial të jashtëzakonshëm mbi ekonominë kombëtare për shkak se kjo rrugë sjell një transformim të madh në lëvizshmërinë e përgjithshme dhe në funksion të turizmit.

Nëse sot, Gjirokastra e Saranda janë pranë, por sidoqoftë janë në një distancë dhe me një lëvizshmëri që nuk e inkurajon fluksin intensiv të lëvizjes së turistëve, nesër Gjirokastra dhe Saranda do të jenë një. E në ndërkohë gjithë lidhja e Sarandës me pjesën sipër, duke kaluar përmes Kardhiqit do të jetë shumë më e shpejtë dhe do të jetë shumë më turistike.

Traseja e rrugës së re dhe projekti i ri nuk është asgjë më shumë se sa rikonceptimi me standardet e kohës së sotme i shtegut rrugor që është përdorur që në prehistori, nga ilirët, nga romakët, nga turqit, nga italianët, nga gjermanët dhe rruga e re Kardhiq – Delvinë është faktikisht një çarje shumë e rëndësishme për të shmangur qafën e vështirë dhe tërësisht të amortizuar të Muzinës dhe për ta shkurtuar me një orë pothuajse lidhjen e Tiranës me Sarandën.

Kjo do të thotë që me përfundimin e këtij aksi dhe me përfundimin e by-passit të Fierit që më në fund po zgjidhet si lak, në fytin e të gjithëve dhe do të fillojë puna në javët shpresoj në vijim, – ne do të kemi një lidhje Tiranë – Sarandë që nuk do të marrë më shumë se 3 orë kohë. Diçka e paimagjinueshme vetëm pak kohë më parë. E nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që sot ne jemi në gjendje të fillojmë të tregojmë se çfarë kuptojmë ne me rrugë dhe se sa e ndryshme është ajo që kuptojmë dhe duam të bëjmë ne nga ajo që kuptonin dhe bënë ata të tjerët.

Besoj shumëkush e ka parë këtë dallim tanimë, qoftë tek nyja e Milotit, qoftë tek rruga e Pogradecit që është drejt përfundimit dhe do ta shohë në të gjitha akset.

Ne do ndërtojmë rrugë europiane. Jo rrugë që janë edhe rrugë, janë edhe udhëkryqe, janë edhe për të ecur me makinë, janë edhe për të ecur lopa, janë edhe për të shitur mallra, janë edhe për të lidhur qytete. Këto lloj rrugësh, ne duam t’i arkivojmë në të shkuarën. E nga ana tjetër, nga pikëpamja e financave, ne sot kemi mundësinë ta bëjmë këtë gjë. Na u desh një mandat për të hequr nga rruga jonë malin që gjetëm mu përpara syve sapo morëm detyrën me borxhe nga të katërt anët.

Edhe kjo rrugë këtu u fillua me daulle e me tam-tame e u lancua si projekti i madh dhe çfarë solli? Solli vetëm borxhe. U bënë ca kilometra për propagandë dhe pastaj kompanitë mbetën në batak sepse askush nuk merrte më përgjegjësi të paguante sepse ishin hapur tenderat dhe ishin lidhur kontratat pa lekë. Rrugë të lëna rrugë dhe gjithë ajo propaganda e mijëra kilometrave rrugë, ishin në fakt thjesht dhe vetëm tendera.

Ne nuk do ta konkurrojmë dot qeverinë paraardhëse për numrin e tenderave të bëra, por ama edhe për tenderin e bërë për rrugën që jemi këtu sot, për një segment ku filloi puna dhe u la rrugëve, kemi financuar ne, më mbrapa. Asnjë lek nuk u dha nga qeveria e mëparshme. U zhytën ata që punonin këtu në borxhe me bankën, si gjithë kompanitë e tjera.

Sot, financat e konsoliduara na e japin këtë mundësi dhe na japin mundësinë të kemi dy programe paralele. Një program nga buxheti i shtetit direkt siç është ky këtu dhe një program me partneritetin publik – privat, siç po bëjmë rrugën e Arbrit, siç së shpejti fillojmë segmentin Thumanë – Kashar, Milot – Balldren, segmentin tjetër Orikum – Llogara. E në këtë mënyrë, do të kemi një pamje tjetër të rrugëve të Shqipërisë, duke përfshire by-passin e Tepelenës që do të integrohet në aksin ku jemi sot këtu për të çelur këto punime. Imagjinoni që edhe këtu, kemi trashëguar të njëjtin problem si në të gjitha rrugët e tjera, mungesën e studimit gjeologjik. Domethënë, pa studim gjeologjik. Një gjë e pakonceptueshme. Të gjitha këto do të sjellin, jo vetëm rritje të lëvizshmërisë, por drejtpërdrejtë dhe rritje të ekonomisë dhe të punësimit.

Në mbyllje, duke ju garantuar që ne do të bëjmë diferencën dhe në fazën e zbatimit, duke i qëndruar në kokë çdo detaji e duke kërkuar maksimumin e cilësisë nga të gjitha kompanitë, në mënyrë që çdo qindarkë e financuar për rrugët nga taksat e shqiptarëve të kthehet në një vepër cilësore, – unë i falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur këtu dhe që janë sot në këtë aktivitet që është një aktivitet me rëndësi të madhe për gjithë zonën, por besoj është dhe një aktivitet me shumë rëndësi për gjithë ardhmërinë ekonomike dhe sociale të vendit tonë dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.