Kreu Aktualitet Nis puna për ndërtimin e lagjes së re në Vaqarr

Nis puna për ndërtimin e lagjes së re në Vaqarr

47
0

Viti i ri ka nisur mbarë për familjet e zonës së Vaqarrit, të cilave u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit. Pa humbur kohë, pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur puna për ndërtimin e lagjes më të re në Vaqarr, ku do të strehohen familjet e zonave përreth, shtëpitë e të cilave u shpallën të pabanueshme. Ish-Poligoni i vjetër i Forcave të Armatosura do të kthehet në qendrën e Vaqarrit, ku familjet që do të zhvendosen aty do të kenë jo vetëm banesa të reja shumë herë më të mira se ato që kanë pasur në fshat, por edhe të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Kryebashkiaku Veliaj inspektoi nisjen e punimeve për lirimin e hapësirës ku do të vendosen shtëpitë e reja, prej nga siguroi se lagjja e re do të jetë model edhe sa i përket shërbimeve për qytetarët. “Dua të falenderoj kryeministrin dhe Ministren e Mbrojtjes që na vunë në dispozicion një repart të vjetër ushtarak, në zemër të Vaqarrit, pranë rrugës nacionale, vetëm një stacion autobusi larg nga Kombinati. Do të thotë se nuk po flasim për një fshat të humbur, por për një stacion të Tiranës moderne. Duam që e gjithë zona, ku më parë ka qenë ish-Poligoni i vjetër i Ushtrisë, të kthehet në qendrën e Vaqarrit. Është shumë pranë ish-Komunës, është ngjitur me shkollën e mesme dhe 9-vjeçare, m’u përballë kopshtit, ku do të jetë lagjja e re me 45-50 shtëpi që kryeministri tashmë është në procesin e porositjes dhe që do të jetë modeli i parë i ndërtimit pas tërmetit”, deklaroi ai.

Veliaj tha se Vaqarri do të jetë projekti i parë ku e gjithë qendra e kësaj zone do të transformohet. “Vaqarri do të jetë projekti i parë, ku e gjithë qendra e fshatit do të transformohet me terrene sportive, hapësira rekreative, tregtare, sidomos për agro-ushqimoren për të gjitha produktet që ka zona e shkëlqyer e gjithë luginës së Erzenit. Vetëm kur banesat janë të atashuara me aktivitet ekonomik, realisht bëjnë diferencën në këtë zonë. Sot kemi vetëm lirimin e territorit dhe pastaj do të rikthehemi sërish me kryeministrin, ku do të vendosim shtëpitë e para”,  deklaroi kryebashkiaku.

Ai shtoi se Vaqari do të jetë një lagje e re e Tiranës, ku do të ofrohet edhe shërbimi i transportit publik urban. “Mund të vazhdojnë ta kenë atë pronë, mund t’i rrinë mbrapa bujqësisë, por nuk kanë pse të torturojnë fëmijët. Tërmeti ishte një fatkeqësi, por edhe një mundësi për të shkëputur zinxhirin e varfërisë që i ndjek disa familje brez pas brezi në zonat periferike të Tiranës. Ajo që kemi vendosur është që linja e Kombinatit të shtojë një stacion, pra nuk do të përfundojë në Kombinat, por në çdo orë një prej autobusëve do të vijë deri në Vaqarr, në mënyrë që Vaqarri të përfshihet realisht si një lagje e Tiranës, e të mos quhet më fshat i dorës së dytë”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se kjo lagje e re do të kthehet në një etalon që mund të replikohet edhe në Thumanë, Durrës, Shijak, Kavajë, Lezhë, e kudo tjetër ka nevoja.

“Shqipëria, por edhe shumë vende të zhvilluara, nuk e kanë luksin të çojnë shkolla, rrugë, energji elektrike, kanalizimet, ujin në zona shumë pak të populluara. Është shumë e rëndësishme që këtë koncentrim që e solli tërmeti ta kthejmë në një lloj metode pune sesi të grupohemi aty ku janë shërbimet”, deklaroi ai. Veliaj dha një lajm të mirë edhe sa i përket punësimit, jo vetëm të familjeve të reja që do të zhvendosen në Vaqarr, por edhe të gjithë zonës së Kasharit, Pezës dhe Kombinatit. Falë projektit të Bashkisë së Tiranës dhe të qeverisë për krijimin e zonës së re ekonomike, do të gjenerohen vende të reja pune.

“Në anën tjetër të rrugës po punojmë me qeverinë dhe kryeministrin Rama për parkun e ri industrial. Do të jetë një mundësi, jo vetëm për të jetuar, jo vetëm për të vazhduar të punojmë me bujqësi, por edhe për të parë pak industri. TEDA, që është zona e re ekonomike, në anën tjetër të rrugës, do të mbledhë punëtorë nga e gjithë zona; Vaqarr, Kashar, Pezë, Kombinat. Në thelb garanton punësimin ardhja në këtë zonë qendrore, sesa qëndrimi në një zonë periferike”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se për situatën aktuale të të ftohtit, janë porositur shtëpiza-kontenierë, të cilat do të përdoren për sistemimin e përkohshëm për familjet më të varfra dhe familjet realisht me më shumë nevoja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.