Kreu Aktualitet Nis vaksinimi antiCOVID

Nis vaksinimi antiCOVID

274
0

Nisi sot jetësimi i fushatës “Shqipëria buzëqesh” me vaksinimin antiCOVID në postacionet e përgatitura enkas për këtë nga Ministria e Shëndetësisë në mjediset e “Air Albania”. Kontigjenti që mori dozën e parë të vaksinës antiCOVID ishin 50 punonjës të shëndetsisë, mjekë dhe infermirë, të spitalit Infektiv në QSUT-ë. Drejtuesja e Shërbimit Infektiv, Prof. Najada Çomo ishte zonja dhe njëkohësisht, mjekja e parë në Shqipëri që u vaksinua.

Po sot u vaksinua Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh më herët, në konferencën për shtyp, se vaksina nuk është e detyrueshme, por është e këshillueshme, si e vetmja armë asgjesuese e COVID-19. Kryeministri ndoqi të gjitha procedurat e përcaktuara në procesin e vaksinimit, si plotësimi i anamnezes nga ana e mjekut, vaksinimi dhe më pas pritja për 30 minuta pas vaksinimit në postacionin e dedikuar. Në përfundim të procesit, në një komunikim me mediat, kryeministri Edi Rama u shpreh:

– Zoti kryeministër, si ndiheni?

Kryeministri Edi Rama: Çdo gjë në rregull! Asnjë problem. Mendoj që është një ditë fantastike për faktin se jemi çliruar nga një barrë shumë e madhe, nga barra e përgjegjësisë për të mos lejuar që shqiptarët të mbeteshin në radhë dhe për të mundësuar që, pavarësisht se Shqipëria dhe rajoni ku ne bëjmë pjesë nuk u përfshi në skemën e furnizimit të menjëhershëm, të fillonte në sa më pak diferencë kohe nga ata, të cilët kanë dhe gurin dhe arrën në dorë dhe i marrin vendimet dhe bëjnë dhe furnizimet. Faktikisht, ky spostim pak fare javor në kohë është vërtetë një lehtësim shumë i madh për mjua. Tani, shqiptarët mund të presin pa ankthin “a do vijë, a s’do vijë vaksina”, “do vaksinohen, a s’do vaksinohen”. Sigurisht, vaksina nuk është e detyrueshme, por është shumë e këshillueshme dhe duhet të çlirohen nga marrëzitë dhe helmet e burimeve që i furnzojnë me teori konspiracioni, sepse është e sigurtë që vaksina nuk i bën ilirët vikingë apo aziatikë. Ilirët mbeten ilirë. Vikingët nuk vijnë përmes vaksinës. E po ashtu, është e sigurtë që nuk futet çip në trup, për të përgjuar thashethemet e kafeneve.

-Ju kryeministër premtuat se një pjesë të dozave do t’ja falnit Kosovës. Do të na mbeten ne këto doza, apo do të shkojnë drejt Kosovës?

Kryeministri Edi Rama: Mos ki merak, nuk do ngelesh pa gjë ti dhe nuk do ngelet pa gjë askush, por për mua është shumë ë rendësishme që edhe në Kosovë, pavarësisht se ne nuk e zgjidhim dot problemin që ata kanë, pasi ende nuk e kanë siguruar vaksinën dhe presin, siç do të prisnim ne apo të tjerët, COVAX-in që është një platformë që nuk dihet se kur do të jetë funksionale, të mund të fillojë të paktën në frontin e parë, aty ku është vija e zjarrit në spitalin COVID të Prishtinës, tek Infektivi. Sigurisht, dozat që ne mund t’i japim Kosovës, duke nisur nga java e ardhshme, janë simbolike, por është shumë e rëndësishme që në këtë rast të mos mendojmë si BE-ja, por të mendojmë që nuk jemi vetëm ne, janë dhe të tjerët. E mbi të gjitha, Kosova dhe Shqipëria, Shqipëria dhe Kosova janë një, në gëzim dhe në hall. Kështu që, nëse ky është një hall, atëherë këtë hall, nëse nuk jua zgjidhim dot, patjetër jemi të detyruar tua qajmë vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.