Kreu Aktualitet Nisin punimet edhe për rikonstruksionin e godinave të djemve në “Qytetin Studenti”

Nisin punimet edhe për rikonstruksionin e godinave të djemve në “Qytetin Studenti”

600
0

Njëkohësisht me rikonstruksionin e konvikteve të vajzave, në “Qytetin Studenti” vijon puna edhe për përmirësimin e kushteve në godinat ku jetojnë djemtë. Qendrat studentore kanë pak kohë që kanë kaluar në varësi të Bashkisë së Tiranës, e puna për rikonstruksionin e tyre po vijon me ritme të shpejta.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për përmirësimin e kushteve në godinën nr. 6, ku qeveria dhe bashkia po investojnë falë ndihmës së donatorëve, ndërsa zhvilloi edhe një bashkëbisedim me studentët. “Jam jashtëzakonisht entuziast që edhe me konviktet e djemve po ecim siç kemi nisur me konviktet e vajzave. Pata një mundësi fantastike të takoj studentët që po e shikojnë vetë dhe në një farë mënyre janë kthyer në inspektorë pune të të gjitha rregullimeve që po bëhen në konvikte. Ky është një konvikt, të cilit i kemi hyrë me themeli, falë bashkëpunimit me Agjencinë Turke të Zhvillimit TIKA, pas kërkesës së kryeministrit për të pasur një ndihmë imediate në fillim të vitit”, tha ai.

Për shkak se studentët jetojnë ende në konvikte, po punohet me mjediset e përbashkëta, dushet, nyjet sanitare dhe fasadat, ndërsa ndërhyrja nëpër dhoma do bëhet gjatë muajve të verës, kur studentët të kthehen në shtëpitë e tyre.

Ashtu si me kopshtet dhe çerdhet, Bashkia e Tiranës po zbaton skemën “adopto një konvikt”, për t’u krijuar studentëve kushte më të mira. Veliaj u bëri thirrje kompanive që veprojnë në Tiranë dhe kanë mundësi financiare t’i bashkohen nismës. “Jam shumë i lumtur që po shkohet përtej rregullimeve bazë, veshjes me kapotë, që do ulë shpenzimet energjetike, do shtojë kursimet, do mbajë ambientet më të ngrohta dhe më të ventiluara dhe më vjen mirë që kemi arritur në raportin 8 dushe për 30 studentë; pra më pak se 1 për 4, që në fakt është norma e çdo familjeje. Unë besoj se për sa kohë që po ofrohet komoditeti bazë, si në çdo familje modeste shqiptare, them që jemi në përmbushje të këtij misioni. Konviktet i kanë kaluar Bashkisë së Tiranës dhe ne po punojmë me donatorë të huaj, si KFË apo TIKA, por edhe me donatorë shqiptarë, që mund të jenë banka, kompani celulare, siç u bë me çerdhet e kopshtet”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës është e gjitha në këmbë, për t’iu përgjigjur kësaj sfide të re, ndërsa u bëri thirrje studentëve që t’i kthehen mësimit për t’i hapur rrugë, gjatë verës, vijimit të punës me kapacitet të plotë, në mënyrë që viti i ri akademik t’i gjejë me mjedise komode dhe të denja për ta. “Na duhet bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim! Bashkia e Tiranës është e gjitha në këmbë, që t’i përgjigjet kësaj sfide të re për konviktet, ama na duhet pak bashkëpunim nga studentët, që shkolla të mbarojë kur duhet të mbarojë dhe më pas ne të hyjmë në çdo dhomë, për t’u siguruar që e njëjta cilësi që po punohet jashtë në nyjet sanitare, në dushe e banjo, të jetë në dhomën e gjithsecilit, për të pasur një jetë dinjitoze në Tiranë, si qytetarë të ardhshëm të Tiranës”, u shpreh Veliaj, teksa nënvizoi se të vetmit që humbasin nga vonesat janë vetë studentët.

“Shpresoj shumë që studentët të reflektojnë në ato pak fakultete që nuk po zhvillohet mësim, për të vetmen arsye se na lipset që shkolla të mbarojë në korrik. Nëse mbaron shkolla në korrik, punojmë në gusht, shtator edhe nëpër dhoma. Në të kundërt, të vetmit që humbasin nga vonesa dhe shtyrja e mësimit nuk janë partitë politike, që duan t’i përdorin, por vetëm studentët që do rikthehen në të njëjtat dhoma, siç i lanë”, theksoi Veliaj.

Drejtoresha e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr. 1, Anila Shehu paraqiti disa nga ndërhyrjet që do të bëhen në godinën Nr.6 në “Qytetin Studenti”. Ajo tha se brenda dhomave do të ketë sistem ngrohje, panele diellore për ujin sanitar, shërbime ndihmëse në secilin kat, sallë e re leximi etj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.