Kreu Aktualitet Nisin punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri

Nisin punimet për seksionin detar të TAP në Shqipëri

277
0

Në Seman, Fier nisën sot (19 tetor) punimet për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), me gjatësi 105 km. Ky seksion do të lidhë segmentin shqiptar të TAP me atë italian. Inaugurimi i punimeve të kësaj faze u bë në një ceremoni me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, si edhe drejtues të TAP. Tubat do të shtrihen në shtratin e Adriatikut, ku pika më e thellë e tubacionit do të jetë më shumë se 810 metra nën sipërfaqen e detit. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar; dy anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba dhe punime të tjera. Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë. Do të përdoren rreth 9 mijë tuba, me peshë të përafërt 100 mijë ton. Për ndërtimin dhe mbrojtjen e tubacionit, TAP po përdor standardet më të larta të industrisë.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes së punimeve për seksionin detar të TAP në Shqipëri:

Përshëndetje të gjithëve!

Është e pashmangshme që sa herë vijmë në Fier, çfarëdo vepre madhështore apo modeste që të bëjmë, nuk është e mundur të harrohet se pika kyçe e marrëdhënieve me çdo punë të mundshme publike e qytetarëve të Fierit dhe e të gjithë banorëve të zonës, por edhe e shumë të tjerëve përtej kësaj zone, është By Pass-i i Fierit. Më vjen shumë mirë të themi sot, që jemi pothuajse në momentin e heqjes së lakut nga fyti të të gjithë këtij territori, pasi është bërë realisht si lak në fyt për të gjithë lëvizshmërinë dhe qarkullueshmërinë nga ajo anë tek ana tjetër, mungesa e atij By Pass-i. Kështu që mund të them me plot gojën se në javët në vijim do të mund të finalizojmë kontratën dhe pastaj të fillojmë për të mos ndaluar më punimet, natyrisht me ato standarde që kemi nisur t’i tregojmë me punët në infrastrukturën publike.

Mendoj që ia vlen të nënvizohet po ashtu, se ekonomia shqiptare, falë gazsjellësit do të përfitojë afro 1 miliardë euro injeksion në dy dekadat e ardhshme dhe këtë e thotë një studim i Universitetit të Oksfordit. Ndërkohë që i tërë programi i investimeve të TAP-it për komunitetin dhe impaktin social, nga njëra anë, si dhe perspektiva që hapet për krijimin e një tregu të ri, e një industrie të re në Shqipëri, që pa TAP-in do të ishe e pamundur të projektohej me një minimum optimizmi, e kthejnë realisht TAP-in jo thjesht në një kompani, në një investitor, apo në një investim si gazsjellës strategjik, por në një forcë shtytëse historike për ekonominë shqiptare, për ekonominë e të ardhmes.

Tanimë, rreth 80% e projektit ka përfunduar dhe fillon edhe sfida e fundit, lidhja me anën tjetër të detit, me Italinë, krijimi i seksionit detar që ka një gjatësi prej 37 km në territorin e ujërave shqiptare dhe 25 km në territorin italian, bashkë me 43 km në ujërat ndërkombëtare.

Është një segment goxha i rëndësishëm, goxha sfidues përsa i përket teknologjisë dhe realizimit të tij. Numri i anijeve që do të përdoren për të realizuar këtë segment është mbresëlënës dhe shpresojmë që derisa segmenti të arrijë në brigjet e Italisë, në anën tjetër të jetë zgjidhur problemi i pritjes së tubit.

Më kujtohet gjithmonë kur vijmë në këto evenimente, takimi që kemi bërë me një përfaqësi të TAP-it në fillim, kur ne kishim marrë detyrën. Kur ata erdhën të shprehnin shqetësimin se në Shqipëri mund të ndesheshin me surpriza, befasira dhe pengesa që do të vononin projektin, – TAP-i dihet kalon në disa vende – dhe më vjen jashtëzakonisht mirë ta rikujtoj përsëri, sepse e kam thënë dhe njëherë tjetër që, përpara jo shumë kohësh, i njëjti grup erdhi në zyrën time dhe më tha, jemi absolutisht të befasuar nga fakti që në të gjitha vendet e tjera patëm dhe kemi probleme, në Shqipëri s’kemi pasur asnjë problem.

Në këtë aspekt shpresoj dhe uroj që të gjithë ata që kanë punuar me Shqipërinë të kthehen në ambasadorë të vendit dhe të përcjellin këtë fjalë, që ndryshe nga çfarë llafollogohet rëndom, apo nga çfarë thuhet hera-herës në mënyrë jo fort objektive dhe në raporte të caktuara, Shqipëria nuk është një vend i vështirë për investimet e huaja, apo për investimet e mëdha, -përkundrazi, – kur ka një projekt, kur ka një seriozitet dhe kur ka një bashkëpunim, që nga ana jonë është gjithmonë gatishmëria që të ketë.

Dua të shtoj gjithashtu faktin e rëndësishëm që TAP-i ka krijuar dhe krijon mundësi për punë në të gjitha nivelet, që nga punëtorët e thjeshtë deri tek profesionet e caktuara dhe për njerëzit e kualifikuar, të cilëve u jep mundësi të punojnë në profesionin e tyre dhe të paguhen shumë mirë. Janë disa raste te rejash dhe të rinjsh shqiptarë që janë kthyer nga jashtë për të punuar me projektin e TAP-it, në profesionin e tyre dhe për t’u paguar në mënyrë të kënaqshme këtu.

Është ky rasti për të thënë, se paralelisht me të gjithë këtë projekt të madh që ecën më së miri dhe me hapjen e një perspektive jashtëzakonisht pozitive për Shqipërinë përsa i përket krijimit të një tregu të mirëfilltë të gazit në planin afatmesëm dhe afatgjatë, ne jemi duke finalizuar një proces për futjen e energjisë diellore. Faktikisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po e drejton këtë proces në të cilin ka pasur shprehje interesi nga shumë kompani të njohura botërisht, kompani ndërkombëtare. E po ashtu jemi në procesin e zgjidhjes së një tjetër ngërçi të madh të së shkuarës, një “By-Pass Fieri” në formë termocentrali, i bllokuar atje në Vlorë, një tjetër gërmadhë, por prej shumë e shumë vitesh, e cila do të rimerret dhe do të kthehet në një nyje nevralgjike të sistemit të së ardhmes përsa i përket gazit.

Jemi në pritje të tymit të bardhë, që përfundimisht do të përcaktojë të vërtetën lidhur me një eksplorim shumë të rëndësishëm të SHELL-it në Shpirag dhe besojmë shumë që së shpejti do të kemi një lajm që do të jetë jashtëzakonisht pozitiv për të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Lajmin që nafta e gjetur është e komercializueshme dhe mund të hyjë së shpejti në treg, duke sjellë të ardhura të mëdha për ekonominë tonë, gjë që ka rritur jashtëzakonisht shumë edhe interesin për naftën tonë të shumë aktorëve të tjerë të rëndësishëm globalë.

Së fundi, në funksion të përpjekjes për të zgjeruar tregje, për të çelur tregje, për të krijuar mundësi të reja dhe mbi të gjitha, për të krijuar perspektivë për vende pune që paguhen shumë më mirë dhe për njerëz të kualifikuar dhe me profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluar, apo në rrugën e zhvillimit sot në botën ku jetojmë, jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativë dhe për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur për të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë shumë të zhvilluara, apo janë më pak të zhvilluara. Për momentin jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator, pasi kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar. Nëse rezultatet e kësaj pune do të jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë gatishmërinë e vendit për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë, që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here