Kreu Aktualitet Një qeverisjeje më shumë se kurrë pranë qytetarit

Një qeverisjeje më shumë se kurrë pranë qytetarit

281
0

Takimi javor me njerëzit e zakonshëm që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre në Platformën e Bashkëqeverisjes: 

Kryeministri Rama: ​Në radhë të parë, shumë faleminderit atyre që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për të dëshmuar sot eksperiencën e tyre në platformën e bashkëqeverisjes. Ne këmbëngulim çdo javë me këtë event publik, sepse besojmë shumë fort që çdo qytetar që merr një shërbim, apo kërkon një të drejtë në zyrat e shtetit, të kuptojë se në Platformë ka rrugën më të shkurtër dhe më të sigurt për t’ia dalë, por, njëkohësisht, edhe për të kontribuuar që ne të identifikojmë ata, të cilët bëhen pengesë në rrugën e qytetarëve. 

Juneda, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Ndonjëherë njerëzit hezitojnë, por zgjidhjet ekzistojnë. Rasti që do të prezantoj i përket Zotit Avni Kalaj, i cili u drejtua në Platformën e Bashkëqeverisjes në fakt për të vëllain e tij, Zotin Qerim Kalaj, i cili aktualisht punon në Greqi, por që kthehet gjatë pushimeve sezonale në banesën e tij në Frakull në Fier. Duke filluar nga shtatori i vitit 2017, në banesën e të vëllait mungonte energjia elektrike dhe kjo për arsye sepse matësi ishte djegur dhe ishte jashtë funksionimit. Në këto kushte Zoti Kalaj i drejtohet në dhjetor 2017, zyrës së Kujdesit ndaj Klientit për të kërkuar zëvendësimin e matësit. Në kushtet kur ai nuk gjeti zgjidhje dhe u sorollat, iu drejtua pas një viti Platformës së Bashkëqeverisjes në 5 janar 2019. Aktualisht, çështja u ndoq me OSHEE, të cilët, pasi kryen verifikimet në terren, morën të gjitha masat duke instaluar matësin. Çështja është nën hetim administrativ, për të kuptuar rrethanat dhe për të identifikuar përgjegjësit, të cilët sollën këtë vonesë në marrjen e shërbimit nga qytetari.

Z. Avni Kalaj: Unë vij nga fshati Kashisht, komuna Frakull, Fier. Në tetor 2017 u dogj matësi elektrik nga shkarkimi i rrufesë dhe më thanë që duhet të bëja ankesë. Vajta e bëra ankesën dhe më sorollatnin, do vijmë sot, do vijmë nesër. Vinte përgjegjësi që merrej me matësit, e verifikonte dhe ikte. Erdhi vëllai në vitin 2017 për Vit të Ri dhe e kaloi pa drita dhe iku përsëri andej. Në qershor erdhi ministra e Drejtësisë për llogaridhënie. Doja të ngrihesha, i kisha ato fletat, më thanë ca shokë lëre se do ta zgjidhim. Asnjë zgjidhje. Më vonë, përsëri shkoja tek drejtoria e OSHEE, ai më thoshte ik tek Kujdesi ndaj Klientit, ata thoshin e ke bërë ankesën, ik se do merremi ne. Më sorollatën deri kur mu mbush mendja dhe dëgjoja edhe nga mediat për bashkëqeverisjen. Unë nuk e hapja dot atë adresë dhe me ndihmën e dikujt e hapa dhe e kam në telefon. Falë Platformës, brenda 5 ditësh erdhi matësi dhe dje erdhën dritat. Më mori inxhinieri në telefon. I thashë, ore po nga u futën?! Ti mos shiko nga u futa, a ke drita? Kam! Më ka ngel hatri me atë përgjegjësin që merrej me ato sahatet, sepse më sorollaste. Falë jush që jeni arkitekti i asaj Platforme, sepse ajo puna ime ishte më e thjeshta.

Kryeministri Rama: Lere arkitektin, por thuaja këtyre që na shikojnë sepse do thonë se je i FRESSH-it. Ky është shembull tipik, “lëre nga u futa, por shiko si ma mblodhe”, sepse presioni që ushtron qytetari nëpërmjet Platformës, për të realizuar të drejtën e vet, është maksimal. Sepse Platforma mundëson komunikimin direkt të çdo qytetari me autoritetin më të lart, me ministrin. Në rastin konkret ka qenë ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, i cili është marrë me çështjen, pasi menjëherë kërkesa shfaqet në ekranin e punës së ministrit dhe ministri kërkon drejtpërdrejtë llogari nga institucionet e varësisë dhe në ndërkohë, koordinatorja këtu, Juneda në këtë rast, ndjek ecurinë e çështjes. Nuk ka asnjë shans që ata që përndryshe shmangen, të shmangen. Ajo që është më e rëndësishmja është që më pas fillon hetimi. Ai përgjegjësi nëse konstatohet që është përgjegjës për mos përmbushjen e kërkesës, ndëshkohet deri në largim nga puna, apo edhe deri në çuarjen në prokurori në rast se ka element të dyshimit se e ka bërë këtë për korrupsion.

Albana, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që prezantohet sot vjen nga Edmiri dhe problematika e tij ishte me ZVRPP Vlorë. Qytetari përfaqësonte familjarët e tij në ankesën drejtuar bashkëqeverisjes. Prej dy vitesh, familjarët nuk kishin mundësi të merrni një certifikatë nga ZVRPP, e cila zvarriste në mënyrë të vazhdueshme, duke mos dhënë një përgjigje. Në dhjetor i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes dhe brenda 7 ditësh, qytetari mori zgjidhje dhe familjarët e tij u pajisën me certifikatën e hipotekës për banesën e tyre.

Z. Edmir Dano: Kam pasur një eksperiencë jo të mirë me ZVRPP në Vlorë. Kam bërë një kërkesë me anë të një prokure për marrjen e një certifikate që më kishte humbur, për vjehrrin. Nga data 26 gusht, përgjigja e parë për shpalljen e humbjes së certifikatës erdhi brenda afateve. Ndërkohë për marrjen e certifikatës më pas, çdo gjë ishte në heshtje. Mbas dy muajsh kam bërë një kërkesë me shkrim për të marr informacion se përse po vonohej kjo certifikatë dhe asnjë përgjigje. Kështu që e provova Platformën e Bashkëqeverisjes, bëra ankesën në këtë Platformë dhe e mora zgjidhjen brenda 5 ditësh. Ndoshta ka qenë mungesë e informacionit për procedurën që duhet ndjekur pranë ZVRPP-së, por megjithatë them se duhet patjetër që të ketë një informacion më të saktë për procedurat që duhet të ndiqen nga instancat shtetërore, edhe nëse faji mund t’i ngelet qytetarit, nëse ka ngelur për një procedurë të caktuar.

Kryeministri Rama: Kemi vazhdimisht raste me ZVRPP-të dhe me ALUIZNI-n dhe gjithmonë kemi pasur mundësi ta tregojmë edhe këtu, por ta shohim shumë më tepër se çka mund të tregojmë këtu për publikun, që Platforma është rruga e sigurt dhe është me sukses të padiskutueshëm për të drejtën e qytetarit.

Flamuri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot po sjell rastin e një qytetari me banim në njësinë administrative Dajt, i cili kishte aplikuar në vitin 2006 për legalizimin e banesës në pronën e tij. Që nga viti 2006 kishte shkuar mbi 20 herë tek ALUIZNI për të regjistruar banesën e tij, por nuk kishte gjetur zgjidhje. Duke parë që nuk po gjente zgjidhje, e regjistroi ankesën në Platformën e Bashkëqeverisjes më 6 janar 2019. Brenda 5 ditësh mori njoftimin që të paraqitej pran zyrës së legalizimit për të marrë lejen e legalizimit.

Z. Arjan Beqiri: Vij në emër të babait, sepse ka aplikuar për legalizimin e shtëpisë, por nuk ka gjetur zgjidhje. Kam që në vitin 2006 që duam legalizimin e banesës ku jetojmë, është në emër të babës. Sa herë që ka shkuar atje, asnjëherë nuk ka gjetur zgjidhje. Ka pasur takim edhe me drejtorin atje dhe ai i ka thënë për dy javë. Unë isha shumë i irrituar me ata atje dhe shkruajta tek Platforma. Brenda 5 ditësh, kam shkruar ditën e diel, ditën e enjte ka ardhur përgjigja, shko tërhiqe legalizimin se ka dal leja. Ndërkohë që unë kisha shkuar atje mbi 20 herë. Shkova ditën e hënë dhe me të drejtë kishte dalë legalizimi dhe e mora. Desha të falenderoj bashkëqeverisjen dhe doja t’i bëja thirrje qytetarëve shqiptarë, dy minuta kohë është bashkëqeverisja dhe gjen zgjidhje. 

Katerina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot, këtu ndodhet Zoti Njazi Osmani, i cili ka aplikuar pranë ZVRPP Tiranë për regjistrimin e lejes së legalizimit, e cila në fakt ishte kërkuar në qershor të vitit 2018. Duke kaluar 6 muaj resht, Zoti Osmani është paraqitur rregullisht pranë zyrës vendore, duke bërë një sakrificë, sepse aktualisht është rezident në Selanik. Përfundimisht është emetuar certifikata e pronësisë.

Z. Njazi Osmani: Prej vitesh punoj në Selanik me familjen. Me të ardhurat ngrita një godinë në komunën Yrshek. E hodha për legalizim. E gjithë ajo është pasuria ime, me certifikatë pronësie. Për shumë vjt, që në vitin 2012 deri sot vazhdoi jo sot, jo nesër. Më së fundi e nxorën legalizim në qershor dhe kemi 5 muaj s’po e marrim dot. Prandaj iu drejtova bashkëqeverisjes, e cila dha ndihmën e saj dhe për një javë doli certifikata dhe unë sot e mora dhe si gjithë të tjerët uroj bashkëqeverisjen për punën e saj të mirë. Kanë kërkuar si gjithmonë lekë, por me fjalën e Kryeministrit që tha nuk do paguani asnjë lekë, kësaj iu mbështetëm. I njoftoj të gjithë emigrantët e mi atje në Selanik, të gjithë shokët e mi që të vijnë t’i drejtohen bashkëqeverisjes për problemet e tyre, se do dalë shumë shpejt zgjidhja juaj.

Kryeministri Rama: Shumë faleminderit që e përsërite atë që unë them shpesh, por kur e thua ti është shumë më e besueshme, sesa kur e them unë. Sepse kur e them unë, duket sikur është pjesë e propagandës. Realisht Platforma jep mundësinë që pa pasur nevojë të njohësh kënd, pa pasur nevojë të trokasësh lart e poshtë, pa pasur nevojë të presësh dhe të zvarritesh dhe pa pasur nevojën të fusësh dorën në xhep, të marrësh zgjidhje. Por sigurisht duhet provuar platforma. Tre minuta maksimumi dhe 10 ditë është koha e provës, brenda 10 ditësh zakonisht vjen zgjidhja, ose kur ka nevojë për pak më shumë kohë, koordinatorët njoftojnë se duhet pak më shumë kohë.

Fatmiri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në vijim të rasteve problematike që adresojmë nga qytetarët në Platformën e Bashkëqeverisjes është edhe rasti i Zoti Nuredin Cena nga Preza e Tiranës. Në datën 21 mars 2018 i është emetuar leja për legalizimin e pronës së tij, banesë dykatëshe. Për të plotësuar hallkën përfundimtare të përfitimit të titullit të pronësisë për pronën e tij, në datën 26 tetor 2018, qytetari aplikoi nëpërmjet zyrës së ADISA-s  pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të disponuar certifikatën e pronës. Normalisht dhe proceduralisht, kufiri dhe afati përfundimtar i nxjerrjes së certifikatës së pronës duhet të ishte data 11 nëntor 2018. Por kjo datë nuk u realizua nga zyra vendore. Në kufijtë e mirëkuptimit, qytetari i la dhe një afat një muaj e gjysmë dhe në datën 25 dhjetor 2018 iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes. Pas adresimit të këtij rasti, në ndërveprim me institucionin, koordinatorët arritën dhe realizuan në datën 9 janar 2019, nxjerrjen e certifikatës së pronës së tij.

Z. Nuredin Cena: Përshëndetje, vij nga njësia administrative Prezë, Bashkia Vorë. Në vitin 2006, kisha aplikuar për çështjen e shtëpisë dhe asnjëherë nuk mora përgjigje. Duke mos marrë përgjigje, e kërkova këtë në rrugë ligjore. Te hipoteka pretendonin që ka mbivendosje. Duke kërkuar drejtësi për këtë çështja i bëra dëm vetes dhe familjes. U acaruan marrëdhëniet dhe më tepër. I dërgova ministrit të atëhershëm tre kërkesa, i kërkova dhe takim, por nuk më priti. Unë e kisha votuar qeverinë e asaj kohe. U detyrova që, nga kushtet e vështira dhe nga sulmet e qeverisë së asaj kohe për faktin që kërkova drejtësi, – të kërkoja azil politik në Suedi, së bashku me familjen, ku kam jetuar 4 vjet. Derisa erdhi qeveria socialiste dhe më thanë duhet të kthehesh. Por unë serish kisha frikë. Erdhi momenti dhe mendova të shkruaja tek platforma. Si i përndjekur politik, gjithmonë kisha qenë votues i krahut të djathtë dhe i Partisë Demokratike. Iu drejtova edhe kryeministrit të atëhershëm, i cili kishte vënë tre numra telefoni për të zgjidhur hallet e popullit, por asnjëherë nuk mu përgjigj. Ndërsa sot, arrin kjo qeveri për të cilën unë s’kam votuar, ky kryeministër që unë s’kam votuar ndonjëherë, që të më zgjidhë hallin. Me platformën arrita të marr certifikatën. Këtu gjej rastin të falënderoj këtë qeveri dhe kryeministrin e kësaj qeverie. Ishalla ju, zoti kryeministër po jepni shanse për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Unë mendoj se këta gjykatës dhe prokurorë që e kanë rrjepur këtë popull, kjo qeveri po jua jep drejtimin dhe po i hap shancet për një shtet demokratik ligjor. Falënderoj kryeministrin Edi Rama për gjithë këtë punë që po bën. Ky i ka kundra gjithë kriminelët, gjithë prokurorët e shkarkuar, por ky ka me vete gjithë popullin e ndershëm si të majtë dhe të djathtë, të cilëve kryeministri do t’i hapë rrugën për një demokraci të ndershme dhe të drejtë.

Kryeministri Rama: Duke e marrë parasysh sesa shumë do më kesh sharë përpara, e marr me kënaqësi të madhe falënderimin tani, por, meqë përmende telefonat, desha të them, – e thashë dhe javën e kaluar, – që pata një përmbytje të telefonit nga ankesat, kërkesat, nevojat për shpjegime, kryesisht të studentëve. Duke qenë se, megjithëse ne kemi çuar nëpër sekretaritë e universiteteve, njerëz nga Ministria e Financave, Ministria e Arsimit dhe përsëri ka shumë pyetje, sot do të çelet një rrugë tek platforma Shqipëriaqëduam, – besoj  është çështje orësh, po e përgatisim, – që çdo student, çdo prind që ka pyetje lidhur me vendimet e qeverisë, kryesisht pyetjet lidhen me trajtimet financiare, por ka edhe  të tjera, të mund t’i drejtohet Platformës. Mjafton të shkojë tek Shqipëriaqëduam.al. Aty do të shfaqet menjëherë rubrika e posaçme, “Jam student, kam një pyetje” dhe aty pyetja do të marrë përgjigje, sepse një grup është organizuar që të qëndrojë në kohë reale dhe të ktheje një përgjigje. Po ashtu, edhe Ministria e Arsimit do të çelë në Facebook-un e vet një dritare për t’u përgjigjur në kohë reale për të gjithë pyetjet që shqetësojnë akoma studentët, lidhur me vendimet e qeverisë, lidhur me tarifat, lidhur me trajtime të caktuara për kategori të caktuara dhe kështu me radhë.

Përsa i takon pastaj aspekteve të tjera që u përmendën këtu nga miku ynë, mua më vjen shumë mirë që është dhënë zgjidhje për një problem që mesa duket paska qenë shumë i mprehtë për familjen dhe të gjithë rrethin familjar. Ne e dimë shumë mirë seç kanë bërë konfliktet e pronës në Shqipëri. Ajo që mund të them është se së shpejti do të hyjë në fuqi ligji i ri dhe do të kemi bashkimin e ALUIZNI-t dhe të hipotekës në një institucion, një agjenci kombëtare që do të merret ekskluzivisht me çështjet e pronës dhe gjithë këto problematika që vijnë nga ecejaket, shko nga ALUIZNI e merr, shko tek hipoteka, të thotë prit se nuk e ke në rregull se ka mbivendosje, do të eliminohen, pasi do të ketë vetëm një adresë, do të ketë vetëm një sportel për çështjet e pronës, legalizimeve.

Ernesti, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zoti Shpëtim Hysa, banor i qytetit të Burrelit ankohej nëpërmjet portalit Shqipëriaqëduam, për përfitimin e shpërblimit të tij financiar si pasojë e dëmtimit të banesës nga rrëshqitja e tokës që prej vitit 2010. Me marrjen e kësaj ankese, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes koordinoi punën pranë Bashkisë Mat. Bëri të mundur plotësimin e dokumentacionit të munguar, si dhe akordimin e shumës prej 700 mijë lekëve për qytetarin.

Z. Shpëtim Hysa: Përshëndetje zoti kryeministër! Është hera e dytë që takohemi bashkë. Njëherë kur erdhe në Burrel dhe më thatë drejtohuni tek Zyra e Bashkëqeverisjes. Realisht kam bërë shumë ankesa në drejtim të zyrës. Fillimisht bëra të parën dhe më erdhi një përgjigje shumë shpejt që nuk je përfitues i shumës për mungesë dokumentacioni. Ato letra nuk i kisha bërë unë, i kishte bërë bashkia. Kam shkruar tre apo katër herë aty. Dua të falënderoj ministren Olta Xhaçka, sepse më ka thënë shkruaj prapë. Realisht këta kishin të drejtë se dosja ishte kthyer në Burrel, për ta paguar bashkia. Pastaj më erdhi në përgjigje e  ngrohtë, plotëso dosjen dhe do të shikojmë çfarë do të bëjmë. Prapë dosja u nis ashtu siç ishte e cunguar nga prefektura, më erdhi që duhen disa  plotësime dokumentesh. Në fakt, kjo pritja e gjatë më acaroi pak dhe u kam shkruar disa herë. Komunikimin e kam patur shumë të mirë. Si përfundim, çështjen e kam zgjidhur dhe ju falënderoj shumë.

Kryeministri Rama: Ky ishte rasti i fundit dhe faleminderit për të gjithë këtë shtjellim, por ishte shembull i vlefshëm për të thënë që, kur unë them drejtohu tek Platforma, nuk është as për të hedhur topin jashtë fushës, as për t’u përgjigjur në mënyrë arrogante, se ma kanë gjetur këtë tani, që përgjigjesh  në mënyrë arrogante, por të gjithëve atyre që thonë këtë, ju  them s’ka problem, do të shohim sesa kryeministra më pas do t’u përgjigjen fare. Nga ana tjetër, përgjigjet unë i jap ashtu siç i kam, sepse nuk kam as mundësi t’i zbukuroj se janë me qindra e qindra mesazhe që duan përgjigje. Por, ama, kur them drejtohuni tek “Shqipëria që duam , nuk është për të përcjellë pa zgjidhje, por për të çuar aty ku merret zgjidhja.  Sepse edhe unë, mesazhet ia çoj direkt Platformës. Pra doli që paskam patur të drejtë që nuk të lashë me fol, sepse do kishe dalë atje dhe në fund fare do të thosha këto shkruaji tek Platforma, sepse në momentin që t’i shkruan, angazhohet realisht qeveria dhe angazhohen zyrat e duhura për të adresuar zgjidhjen.

Shumë faleminderit edhe njëherë për mundimin. Ajo rruga Burrel-Klos a ka filluar të marrë pamje tjetër? Do ta shkurtojmë shumë kohën.

Shumë faleminderit dhe të gjithë koordinatorëve dhe vazhdojmë intensivisht punën. Kërkesat rriten dhe janë mijëra e mijëra ankesa që trajtohen. Ka qenë një kohë kur të gjitha këto mbeteshin rrugëve. Sot zgjidhen, mirëpo e bukura e lirisë dhe demokracisë është që sa më shumë të bësh, aq më keq është, në kuptimin që duhet edhe më shumë akoma. Të gjithë duan më shumë dhe me plotë të drejtë, prandaj, ne do ta vazhdojmë të bëjmë më shumë, që të jetë gjithmonë dhe më keq dhe duke qënë gjithmonë dhe më keq, të bëjmë gjithmonë e më shumë.

Ju faleminderit! 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.