Kreu Aktualitet Oficerët e rinj të Policisë Kriminale

Oficerët e rinj të Policisë Kriminale

98
0

Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, e cila hap dyert për studentët e ekselencës:

Është një ditë e bukur për Policinë e Shtetit sepse sot, për herë të parë, hyn në fuqi një praktikë e re, praktika e hapjes së dyerve të Akademisë së Sigurisë për studentë të ekselencës, studentë të fakulteteve të ndryshme, që nga fakulteti ekonomik dhe deri tek informatika, të cilët i bashkohen trupës së policisë së shtetit, duke sjellë dije të reja, duke sjellë energji të reja dhe mbi të gjitha një kulturë të re.

Nga ana tjetër, është një ditë e bukur sepse sot këta 52 studentë dhe studente që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe që nisin kursin e specializimit në këtë Akademi, do t’i bashkohen një procesi jashtëzakonisht delikat, të vështirë, por edhe të rëndësishëm po ashtu, të ripërtëritjes dhe fuqizimit të policisë kriminale. Një polici, ose një pjesë e Policisë së Shtetit, ku nevoja për dije, nevoja për rritje të kapaciteteve, nevoja për të përmbushur një vakum të trashëguar prej shumë e shumë vitesh, është në rendin e ditës.

Për herë të parë, Policia e Shtetit bën një thirrje në adresë të studentëve të ekselencës edhe si një angazhim i qeverisë në kuadër të Paktit për Universitetin, që u mundëson studentëve akses të drejtpërdrejtë në punësim, në administratë apo në përvoja kualifikuese dhe faktikisht, në fund të një shkollimi 6 mujor dhe të 3 muajve praktikë, këta 52 studentë dhe studente që përfunduan universitetin me rezultate të larta, do të jenë oficerë policie me gradën e komisarit. U përzgjodhën mes më të mirëve në një proces seleksionimi të 589 aplikantëve dhe mbi të gjitha, u rikonfirmua dhe një herë vullneti ynë për të garantuar meritën, pa parë mbiemrin, pa parë tarafin, xhepin apo partinë. Është një proces që do të rihapet për studentët me rezultate të lara, në shtator të këtij viti, në një fazë të dytë rekrutimi për të zgjeruar mundësitë e më të mirëve në njërën anë dhe për të vijuar me rifreskimin e trupës policore.

Më vjen shumë mirë që në këtë proces është vendosur dhe një standard tjetër, një standard i ri, ai i njohurive mbi gjuhën angleze sepse besoj që nuk mund të ketë një polici kriminale të standardeve bashkëkohore nëse nuk ekzistojnë edhe instrumentet për të jetuar me të përditshmen e zhvillimeve rreth e rrotull nesh dhe me informacionin e standardeve më të mira dhe natyrisht që këtë informacion mund ta gjejnë vetëm, duke zotëruar edhe gjuhën angleze.

Nga ana tjetër, më vjen shumë mirë që të diplomuarit në drejtësi, në ekonomi, në teknologji informacioni, janë sot një dëshmi e këtij vullneti, por edhe dëshmitarët e parë të një procesi ku jam i bindur se duke parë dallëndyshet e para, të tjerë dhe të tjera do të bashkohen në këtë proces.

Për ne është fare e qartë që ripërtëritja gjeneracionale e policisë së shtetit është një sfidë e jashtëzakonshme në kushtet kur siç e nënvizoi me plot të drejtë edhe ministri, kjo Akademi u braktis dhe faktikisht u mbyll për vite e vite të tëra dhe tanimë ka filluar të japë kontributet e para në këtë ripërtëritje, duke nxjerrë edhe kuadrot e para pas rivënies së saj në punë.

Nga ana tjetër, këtu janë edhe 213 studentë, të cilët kanë nisur shkollën bazë të Policisë së Shtetit dhe do t’i përkasin patrullës së përgjithshme pas përzgjedhjes së tyre në një konkurs transparent dhe të pa kontestuar. Dua që t’ju drejtohem të gjithëve ju, duke ju thënë që nëse ju sot jeni prova e vullnetit për të pasur procese ku vlerësohet merita, ku vlerësohet puna dhe investimi i bërë nga ju dhe nga prindërit tuaj, këtë dëshmi mbajeni me vete dhe kujtohuni gjithmonë që të jeni të drejtë në vlerësimin e të tjerëve në rrugën tuaj të karrierës.

Pas 1 dekade të tërë mbylljeje dhe braktisjeje, kjo Akademi sot është rikthyer në jetë dhe ndërkohë ka nevojë ende për shumë më tepër akoma. Prandaj në kuadrin e paktit për universitetin, edhe kjo Akademi do të përfshihet në programin e madh të rindërtimit, në bazë të një projekti që, si në të gjitha pjesët e tjera të rrjetit të universiteteve, ne do të financojmë.

Uroj dhe besoj që drejtuesit e Akademisë, sëbashku me ministrin, me Ministrinë e Brendshme si një mbështetëse kryesore e kësaj Akademie, do të vënë në dispozicion të programit të rindërtimit një projekt ambicioz që do të adresojë të gjitha nevojat e infrastrukturës, të gjitha nevojat e logjistikës dhe të mjeteve didaktike, pasi unë i kam dëgjuar me vëmendje shqetësimet e pedagogëve edhe të territorit të Akademisë, ka mungesa të ndjeshme në laboratorë shkencore dhe në mjete didaktike dhe ju siguroj që të gjitha do të përfshihen në programin e financimit, me urimin që si sot një vit, Akademia të jetë një kantier i madh, ashtu sikundër i gjithë rrjeti i universiteteve dhe ne të bëjmë një transformim epokal nga kjo pikëpamje.

Rritja e cilësisë së burimeve njerëzore, ardhja në këtë Akademi çdo vit e më shumë e vajzave dhe djemve që kanë, jo vetëm ambicie për të veshur këtë uniformë të shenjtë të shtetit, por edhe vijnë me investime të mëdha, të prindërve dhe të tyret në studimet e deritanishme dhe pretendimi i vendosur nga ana jonë për të pasur në këtë Akademi, jo thjeshtë individë, por individë me nota të mira, me një vijë sjelljeje të pakontestueshme, përbëjnë edhe një detyrim më shumë për ne që të gjithëve ju dhe prindërve tuaj t’u japim maksimumin nga pikëpamja e kushteve, t’u japim maksimumin nga pikëpamja e mjeteve mësimore, në mënyrë që në momentin kur ju do të dilni në rrugën e jetës, si pjesë e Policisë së Shtetit, t’i ktheni maksimumin popullit dhe atdheut tonë.

Sidoqoftë, besoj që vini në Policinë e Shtetit në një fazë të rëndësishme, në një fazë të ndërmjetme, mes policisë që kishim, një policie të braktisur, një policie të tradhtuar, një policie që jo sipas meje, por sipas raporteve të partnerëve tanë që gjithmonë e kanë mbështetur dhe i kanë qëndruar pranë policisë, të cilët gjej rastin t’i përshëndes për praninë e tyre këtu, ishte policia më e keq paguar, policia më e moshuar dhe policia më e pashkolluar në pikëpamje të mesatares rajonale.

Sot, ne kemi përmbushur objektivin e vendosur nga një raport i mirë detajuar i bërë sëbashku me partnerët disa vite më parë, që ne e gjetëm gati, për nivelet e pagës, çka nuk do të thotë se pagat janë aq të kënaqshme sa duhet të qëndrojmë këtu, do të rriten edhe në vijim, ashtu sikundër, kemi filluar të adresojmë problemin e moshës dhe problemin e shkollimit, por patjetër që do të kërkohen disa vite, sepse shkollimi dhe përmbushja e vakumit në shkollim nuk mund të jetë një çështje thjeshtë dëshire, por edhe durimi.

Nga ana tjetër, për sa i përket moshës, unë besoj që me një reformë që Ministri i Brendshëm po udhëheq dhe me krijimin e një strukture të re që do të jetë një strukturë shërbimi e Policisë së Shtetit, në formën e një ndërmarrjeje që do të ofrojë shërbim për ruajtjen e objekteve, do të krijohet mundësia për një tranzicion të butë për oficerët më të moshuar dhe për të marrë më shumë të rinj, duke ju krijuar atyre më të moshuarve mundësitë që të vazhdojnë të kenë një pagë dhe duke dhënë kështu edhe një kontribut tjetër shumë të rëndësishëm në pastrimin e një xhungle policish private, të cilat shpesh herë janë shëmbëlltyra të keqtrajtimit të njeriut në aspektin e pagave dhe të sigurimeve shoqërore. Shpeshherë janë thithëse të mëdha të fondeve publike për arsye të nevojave të shumë institucioneve për të pasur mbrojtje dhe shpeshherë nuk e ofrojnë kurrsesi atë shërbim që mund të ofrojë Policia e Shtetit përmes një ndërmarrje të tillë, një kompanie moderne, e cila do të sigurojë që ata që shkojnë në një moshë të caktuar të vazhdojnë të shërbejnë dhe njëkohësisht në të gjitha aspektet të kemi një qasje të integruar dhe shumë më të shëndetshëm, në raport me nevojat për ruajtjen e objekteve.

Në mbyllje dua t’ju them se, jo unë, as Ministri i Brendshëm apo qoftë dhe drejtori i policisë së shtetit, por faktet dhe shifrat flasin më së miri për faktin që jemi në një fazë të ndërmjetme ku ka shumë arsye për të qenë krenar për shumëçka është bërë. Ashtu sikundër ka dhe shumë motiv për të kërkuar shumë më tepër.

Në të gjitha aspektet Policia e Shtetit ka bërë progres, por jo thjeshtë atë progresin e natyrshëm që çdo organizëm bën nga viti në vit, por një progres shumë domethënës. Vetëm në janarin që lamë pas të 2019 janë sekuestruar 5 milionë euro asete kriminale, ndërkohë që në gjithë vitin 2013 ishin vetëm 1.2 milionë asetet e sekuestruara.

Pak javë më parë, Guardia di Finanza e rikonfirmoi pastrimin e Shqipërisë nga fenomeni i përhapur i kanabisit. Mjafton një shifër me numrin më të lartë të orëve të fluturimeve skanuese në territorin e Shqipërisë krahasuar me gjithë vitet e tjera, sasia e zbuluar e kanabisit për vitin 2018 ishte 0.8 ha, d.m.th., praktikisht asgjë, ndërkohë që vetëm 5 vite më parë po Guardia di Financia evidentonte me një numër shumë të kufizuar orësh fluturimi, 320 ha. Ky është një kapërcim i madh që nuk do të thotë se ne kemi tejkaluar sfidën e luftës kundër drogës dhe trafikimit të drogës, përkundrazi, është një sfidë e të gjitha vendeve dhe nuk ka si të mos jetë dhe një sfidë e këtij vendi. Ama sot, unë besoj shumë fort që edhe me shtysën domethënëse që Ministri i Brendshëm ka sjellë në vijim të një pune të nisur mbarë edhe me fokusimin e mëtejshëm të operacionit Forca e Ligjit, edhe me ndërveprimet e shtuara me institucionet dhe agjencitë e tjera, nuk kemi asnjë arsye për të mos qenë besimplotë që e nesërmja do të jetë më e mirë.

Si fjalë mbyllëse, unë dua t’i them të gjithë vajzave dhe djemve që janë këtu dhe që po rezistojnë në këmbë ndërkohë që ne duhet të mbarojmë fjalimet se kjo është një ditë e bukur për Policinë e Shtetit për të gjitha ato arsyet që thashë, por mbi të gjitha është një ditë e rëndësishme për prindërit tuaj, të cilëve ju detyroheni shumë dhe për të cilët në radhë të parë duhet të bëni maksimumin që, ashtu sikundër ia keni dalë në studimet tuaja universitare apo ju të tjerët, sikundër ia keni dalë për të ardhur sot në këtë oborr, duke përballuar një konkurrencë të madhe e duke dalë më të mirë, t’ia dilni edhe deri në fund të këtyre studimeve dhe të mbeteni krenaria e arsyeshme e prindërve, duke u bërë dhe krenaria e atdheut tonë të përbashkët.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here