Kreu Aktualitet “Operacionit Kutia”, dhurata për bashkëmoshatarët e prekur nga tërmeti

“Operacionit Kutia”, dhurata për bashkëmoshatarët e prekur nga tërmeti

93
0

Qindra fëmijë të çerdheve, kopshteve dhe shkollave të Tiranës iu bashkuan këtë javë “Operacionit Kutia”, duke ndarë jo vetëm lodrat, por edhe veshjet dhe librat me bashkëmoshatarët e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Sot dhjetëra makina nga kryeqyteti u nisën drejt zonave të prekura, për të surprizuar me dhurata fëmijët e Durrësit, Thumanës, Laçit, Lezhës dhe Shijakut. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Durrës, ku dorëzoi një pjesë të dhuratave për fëmijët e strehuar në hotele aty, ndërsa falenderoi të vegjlit e Tiranës që u solidarizuan me bashkëmoshatarët e tyre.

“Jam shumë i lumtur që fëmijët e Tiranës i kanë përgatitur dhuratat me gjithë zemër. Jo vetëm që kanë vënë në kuti gjëra të vogla, stilolapsa, lodra, doreza, kapuça, por mbi të gjitha kanë vënë një pjesë të zemrës së tyre. Ndaj, sot jam krenar për të gjithë djemtë dhe vajzat e Tiranës, që kanë bërë të lumtur kaq shumë fëmijë, jo vetëm në Durrës, por edhe në Thumanë, Laç, Kurbin, Shëngjin, Shijak, Kavajë. Më vjen mirë që iu bashkova një pjese të “Operacionit Kutia” këtu në Durrës dhe mezi pres që sot në darkë të marrim raportet sesi kamionët me dhurata kanë shkuar nëpër të gjithë cepat, aty ku ka pasur nevojë për të bërë djemtë dhe vajzat tanë të lumtur. Ishte një gjë e vogël, por me zemër të madhe”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Ai theksoi se këto momente janë dhe një mundësi për të ndihmuar, por edhe për të krijuar miqësi të reja mes fëmijëve të Tiranës dhe atyre të zonave të prekura. “Shpresoj shumë që nga këto dhuratat anonime, ku djemtë dhe vajzat e Tiranës i kanë dërguar djemve dhe vajzave në zonat e prekura nga tërmeti, me shpresë do të lindin disa miqësi të reja, shoqëri, bashkëpunime të reja. Vërtet kjo ishte një fatkeqësi dhe një moment i vështirë, por jam shpresëplotë se çunat dhe gocat nëpër të gjithë Shqipërinë që u lidhën me “Operacionin Kutia” do të jenë ata që nesër do të drejtojnë këtë vend, këtë qytet, do të bëjnë punë të rëndësishme dhe do kenë filluar bashkëpunimet që në moshën e vogël kur bashkëmoshatarët e tyre kishin nevojë”, u shpreh Veliaj.

Fëmijët e kryeqytetit iu përgjigjën thirrjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës për t’u bërë pjesë e “Operacionit Kutia” duke përgatitur secili prej tyre kutinë e dhuratave për fëmijët e zonave që u dëmtuan më rëndë nga lëkundjet e tërmetit të muajit të shkuar. “Operacioni Kutia” synoi t’u vinte në ndihmë fëmijëve në zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, në mënyrë që edhe ata të gëzojnë për festat e fundvitit si gjithë fëmijët e tjerë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.