Kreu Aktualitet Paketa e ndryshimeve penale – Fund çdo kërcënimi nga ushqimi për shëndetin

Paketa e ndryshimeve penale – Fund çdo kërcënimi nga ushqimi për shëndetin

64
0

Siguria ushqimore në produktet industriale, ku përfshihet dhe buka e përditshme për konsumatorin shqiptar, është në qendër të vëmendjes së qeverisë. Një masë shumë e rëndësishme në drejtim të rritjes së sigurisë ushqimore ka qenë ndalimi i importit të miellit me proteina nën 12%. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi vizituan një prej fabrikave më të mëdha dhe moderne në vend për prodhimin e miellit, “Miell Tirana”, ku elementi i cilësisë është në fokus të punës  për të garantuar një treg të sigurt dhe të shëndetshëm për konsumatorin.

“240 ton në ditë është kapaciteti. Këtu fillon që te gruri që hidhet, që përzihet, merret mostra, te proteina, të gjitha janë të dubluara. Bëhet në sekondë. Një aparat i tillë kushton 70 mijë euro. Para disa vitesh blemë pajisje laboratori për në kufi, që të mbroheshim kur ishte problemi i proteinës. Kështu që, ne këtu i kemi në vend, direkt e jep me lagështi, me proteinë, të gjitha parametrat e energjisë së grurit. Kjo fabrikë është ndër më modernet që mund të gjesh në botë. Çdo gjë këtu është e re,” shprehet sipërmarrësi.

Kryeministri Rama tha se me ndryshimet më të fundit ligjore në Kodin Penal për abuzuesit me cilësinë e produkteve, kryesisht atyre industriale, do vendoset një standard i ri për produktet ushqimore.

“E vërteta është që situata përpara disa vitesh ishte shumë xhungël. Nuk merrej vesh çfarë futej. Nuk merrej vesh çfarë prodhohej. Patëm masën e parë të shtrëngimit, që ta ndalojmë grurin me proteinë nën 12%. U bë goxha betejë, sepse janë lobe, janë interesa, janë para e madhe dhe ndërkohë tani është koha që t’i japim fund çdo lloj pasigurie dhe çdo lloj kërcënimi që vjen për shëndetin nga ushqimi, sidomos nga ushqimet që janë prodhime industriale, siç është buka, sepse për sa i përket frutave dhe perimeve e vërteta është që është bërë zhurmë e madhe krejtësisht e padrejtë. Kemi eksportuar rreth 300 mijë ton produkte vjet dhe faktikisht nuk është kthyer një kamion nga BE-ja, flas për perime, për fruta, ndërkohë që për këto, që nga buka dhe të tjerat, shqetësimi është real. Kështu që vendosja në Kodin Penal të masave që çojnë në heqje lirie për ata që kërcënojnë shëndetin do sjellë, jam i bindur, një përmirësim të menjëhershëm, sepse, në fund të fundit edhe një pjesë e atyre që e bëjnë këtë punë, e bëjnë me lehtësi, nuk e marrin shumë seriozisht edhe për faktin që, është diçka që sistemi nuk ka arritur dot ta godasë, apo ta frenojë. Me këtë, besoj që do vendoset standard përfundimisht për produktet ushqimore që vijnë nga industria e lehtë. Është e domosdoshme,” deklaroi Kryeministri Rama.

Investitori pohoi se kjo formë abuzimi ka goditur edhe vetë prodhuesit.

“Të themi të drejtën kemi vuajtur shumë, por tani ka filluar duke punuar mirë. Vjet për herë ta parë, pas 3 vitesh humbje dolëm me fitim. Sivjet po përsëri duket mirë. AKU ka filluar të lëvizë me bllokimin e miellit të skaduara dhe bëheshin disa lojëra në Mal të Zi dhe në Kosovë,” u shpreh ai.

Nga ana e tij ministri Çuçi deklaroi se masat e reja legjislative do t’i japin fund edhe abuzimeve nga prodhuesit e vegjël në furrat e bukës.

“Edhe forcimi që po i bëjmë ne tani gjithë pjesës edhe ndërprerjes së mashtrimit me produktin bujqësor që e futëm dhe në një nga nenet e posaçme te ndryshimet në Kodin Penal është drejtpërdrejtë në ndihmë të tyre, sepse sot i gjithë ai abuzim që bëhet me grurin është që, pothuajse në gjithë furrat e bukës ku blejnë konsumatorët aty prodhohen dhe ëmbëlsira dhe bukë masive. Ndërkohë që, për bukën masive ne e kemi vënë taksative dhe kjo e ka ndihmuar shumë sektorin që duhet të ketë 12% minimumi nivelin e proteinës, gruri. Për ëmbëlsirat lejohet edhe 9%. Kështu që, këta abuzojnë pikërisht me këtë. Me gjithë këtë forcim ne kemi vënë një nen të posaçëm që në momentin që ne kapim një abuzues që bën bukë masive me grurë me nivel proteine 9% ai do të ndiqet penalisht,” u shpreh ministri Çuçi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.