Kreu Aktualitet Pakti për Universitetin, 373 ekselentë në administratë

Pakti për Universitetin, 373 ekselentë në administratë

70
0

Kryeministri Edi Rama në takimin me studentët ekselentë, fitues të Platformës Punë të Mbarë, të cilët bëhen pjesë e administratës publike:

Është kënaqësi, realisht, ky moment, sepse kurorëzohet një nga pikat e rëndësishme të një procesi që vazhdon, pika që ka të bëjë me krijimin e mundësisë reale për të gjithë më të mirët, për të shërbyer në shtetin shqiptar. Drejtorja e Administratës Publike tha një vit, por në fakt nuk është një vit, është një vit për të pasur mundësinë që ju të konfirmoni pozicionin tuaj të punës dhe për të kapërcyer atë pengesë, që ishte mungesa e eksperiencës në hyrjen në konkurset e administratës publike.

Ne kemi adoptuar një ligj që është tërësisht i përputhur me standardet e Bashkimit Europian për administratën publike. Ky ligj përcakton se për të konkurruar, për të marrë një vend pune në administratë duhet një eksperiencë e caktuar, sepse në BE, në vendet me një administratë të konsoliduar nuk mund të shkosh direkt nga shkolla të futesh në ministri.

Mirëpo në kushtet tona, kjo është një domosdoshmëri, jo një nevojë, por një domosdoshmëri që administrata të fillojë të marri sa më shumë fytyrën e ëndrrave, shpresave, ambicieve dhe meritave të më të mirëve dhe që ata, të cilët investojnë për të pasur rezultate të larta në shkollë dhe që përfundojnë universitetin me 9-ta e 10-ta  të mos ndihen të përjashtuar nga mundësia për të kontribuuar në një administratë, që nuk është si administratat e konsoliduara të vendeve të Bashkimit Europian për të cilat është ndërtuar dhe ligji që ne kemi miratuar sipas standardeve të Bashkimit Europian, por është larg së qeni ajo që duam.

E më vjen shumë mirë që kjo mundësi më në fund na u dha dhe na e dha protesta e studentëve, sepse ka qenë një përpjekje më e vjetër sesa më takon mua nga ana ime, por ka qenë e pamundur për shkak se ligji e ndalon. Ju e dini shumë mirë që ne jemi një vend që monitorohet nga Komisioni Europian, sepse jemi në procesin e integrimit europian dhe zbatimi i ligjeve, sidomos përsa i përket administratës publike është një nga pikat më kyçe të këtij procesi monitorimi dhe administrata është një nga prioritetet që ne kemi në rrugën e integrimit, të vendosura nga Komisioni Europian.

U desh protesta që ne ta shfrytëzonim protestën për t’ju thënë atyre që duhet t’i hapim rrugë këtyre njerëzve, sepse situata është e vështirë dhe me këta nuk po arrijmë të merremi vesh, kështu që duhet t’i hapim rrugë. Pra, në një farë mënyre u desh protesta që na dha mundësinë që ta përdorim si argument që të hapim këtë rrugë dhe në fund t’ia dalim të realizojmë një qëllim të përbashkët.

Ju keni mundësinë që brenda vitit të parë të punës, jo vetëm që të fitoni eksperiencën që duhet për të bërë konkursin, por dhe ta njihni vendin e punës tuaj më mirë se kushdo tjetër që do vijë të konkurrojë për atë vend pune dhe pastaj më i miri do fitojë. Por, ama, ju nuk do të keni pengesën e parë për të hyrë në konkurs dhe do keni dhe avantazhin ndaj çdo konkurrenti tjetër, që do e njihni vendin e punës nga brenda e do ta keni shumë më të lehtë të jepni përgjigjet e duhura përpara Komisionit të Shërbimit Civil, lidhur me konfirmim tuaj në atë vend pune. Kjo është gjëja më e rëndësishme, ashtu sikundër ky është vetëm fillimi i një procesi që lidhet me ripërtëritjen e administratës.

Së shpejti do të shpallen të tjera vende dhe të gjitha vendet e lira që janë edhe me kod pune, pra që nuk janë pjesë e shërbimit civil, vendet e lira në Hipoteka, vendet e lira tek ALUIZNI, vendet e lira në inspektorate të ndryshme do të jenë në dispozicion të më të mirëve. Kjo është një ndihmë shumë e madhe për ne dhe për mua personalisht sepse kështu i kemi vënë fre përfundimisht edhe prurjeve të tepsisë sepse themi “dakord po nuk kemi çfarë bëjmë sepse kemi marrë një angazhim tjetër dhe duhet ta zbatojmë këtë angazhim dhe t’u japim mundësi atyre që janë më të mirët që të hyjnë” dhe t’i japim administratë një energji të re, një fytyrë të re, një sjellje të re mundësisht.

Unë e shoh me shumë kënaqësi që ka plot vajza dhe djem këtu e si gjithmonë, kur janë më të mirët, më shumë janë vajza sa janë djem. Domethënë, 373 më të mirët, 300 janë vajza. Kuptohet pse Shqipëria ka vuajtur kaq shumë ndër vite, sepse ka pasur burrat që e kanë drejtuar me sukses të madh. Shumë nga vajzat, por dhe djemtë që janë këtu, në doganë, në tatime do të duhet besoj të bëjnë diferencën dhe të sjellin disa virtyte të munguara që do të ripërtërijnë dhe organizatën.

Dija e shkollës është njëra gjë dhe praktika e punës është diçka tjetër. Sigurisht që përputhja e atyre që ju keni lexuar në libra dhe i keni mësuar mirë me sa duket dhe ballafaqimi me realitetin kanë të gjitha vështirësitë e veta, por ajo që është kryesorja është që ju të sillni në administratë idealizmin me të cilin jeni përballuar gjithë periudhën e mësimeve dhe studimeve. Unë jam i bindur që midis jush ka plot që mund të kishin gjetur plot arsye për të mos qenë më të mirët, mund të kishin gjetur plot arsye për të mos shkuar në shkollë. Me siguri mes jush ka fëmijë prindërish pa punë ose fëmijë prindërish me kushte ekonomike të vështira, por ju nuk keni zgjedhur që të justifikoheni me këto vështirësi reale dhe të mos shkoni në shkollë. Nuk keni zgjedhur që të mjaftoheni me një 5 ose me një 6, duke thënë “nuk kam kushte, se prindërit e mi nuk janë në punë”, por përkundrazi keni zgjedhur që të ulni kokën dhe të vraponi drejt. Kjo ju bën një shembull për t’u respektuar dhe për t’u vlerësuar. Për t’u respektuar për atë që keni bërë, sigurisht që e keni bërë për veten tuaj, por jeni edhe një shembull për gjithë të tjerët dhe më vjen shumë mirë që ne na jepet mundësia ta bëjmë këtë vlerësim.

Gjatë rrugës disa do shkëlqejnë edhe në punë, disa do të jenë shumë të mirë, disa të tjerë mund të mos ia dalin dot, dikush tjetër mund të thotë që kjo eksperiencë pune në shtet më shërbeu për të mësuar disa gjëra të reja, por dua të provoj diçka tjetër në sektorin privat e kështu me radhë. Sidoqoftë duhet të jeni të sigurt që do të jetë një eksperiencë shumë e çmuar për ju në të gjitha aspektet dhe unë jam shumë i kënaqur që ne ua japim juve këtë mundësi, pa bërë asnjë diferencim.

Kemi arritur aty ku askush nuk e mendonte se mund të arrihej në Shqipëri. Ju nuk i përkisni brezit që keni hyrë në shkollë me sistemin e ri. Ju keni qenë të fundit, në mos gabohem, ose të parafundit që keni hyrë në universitet, përpara se të fillonte platforma dixhitale e hyrjes në universitet dhe e dini shumë mirë që keni rrezikuar. Keni hyrë nëpërmjet një sistemi padrejtësie.

Ne kemi arritur që sistemin e hyrjes në universitet ta bëjmë një sistem ku nuk ka fare rëndësi as si ta quajnë babanë, as sa lekë ka familja, as nëse je nga qyteti, apo je nga fshati, as nëse je i pasur, apo je i varfër, mjafton rezultati dhe ty nuk të parakalon dot njeri. Je i pa parakalueshëm nga dikush që mund të ketë mbështetje që ti nuk e ke.

Më vjen shumë mirë që hyrja juaj në punë vjen 100% nga merita juaj. Ju jeni produkt i meritës tuaj si punonjës shteti. As nuk është marrë njeri dot dhe as nuk ka dashur të merret njeri as se çfarë votoni ju, as se çfarë votojnë prindërit tuaj, as sa të pasur, a sa të varfër janë prindërit, as se kë njihni, thjesht e vetëm janë parë rezultatet dhe ju keni marrë atë që keni kërkuar sipas rezultateve. Kush ka kërkuar një pozicion dhe tjetri ja ka marrë, ai që ja ka marrë ka pasur rezultat më të mirë. Ky është fakt. Nëse sot, ju jeni 373 këtu, i 374-ti nuk është këtu, sepse nuk ka një rezultat më të mirë se ju që jeni këtu.

Ai i 374-ti dhe 375-ti, 400-ti, apo 425-ti, do futen dhe ata në punë, sepse me thirrjen e re atyre u vjen radha, por këtu nuk mund të jenë sepse këtu jeni ju sepse ju jeni më të mirë. Këtë sistem kemi zgjedhur. Sistemin ku më i miri duhet të gjejë vendin që i takon dhe me këtë model kemi arritur realisht ta bëjmë në perfeksion. Unë jam shumë i kënaqur për këtë dhe jam falënderues sinqerisht, të gjithë atyre ndër ju që i dhatë shpirt protestës së studentëve, sepse ishte një shtysë shumë e fortë për të hapur këtë proces.

Kjo nuk ishte tek ato pikat që nuk flisnim dot ne. Kjo ishte një pikë që unë e shtova sepse kisha kohë që doja që të hapej kjo rrugë, që studentët më të mirë ta merrnin direkt vendin në shtet dhe të mos ishin peng, as e mungesës së eksperiencës e as e historive të tjera që ju e dini shumë mirë dhe që dekurajojnë shumë njerëz dhe i bëjnë të thonë “nuk bëhet”. Ja pra që bëhet!

Sigurisht që kjo nuk zgjidh të gjithë problemin. Sigurisht që futja juaj në një administratë me mijëra e mijëra njerëz nuk do përmbysi botën, por ama është një injeksion i një energjie shumë të pastër dhe shumë pozitive, që sigurisht do bëjë diferencën. Një gjë vetëm dua t’ju them, kur kam qenë në moshën tuaj, kur prindërit, ose ata në moshën time tani më jepnin këshilla, këndoja me vete dhe thosha kurrë mos u bëj si këta. Kur të bëhesh sa këta, betohu që nuk ke për t’i dhënë këshilla atyre që janë si ti. Unë nuk kam qejf t’i jap këshilla më të rinjve, sepse besoj që ju dini mjaftueshmërisht, por një, jo këshillë, por një urim kam për secilin nga ju, që të jeni vetvetja në vazhdimësi.

Ju po hyni në administratë që administrata të bëhet si ju jo që ju të bëheni si administrata. Ju po hyni në administratë që dikush në krah që do të keni e që do ta shikoni e që do përfaqësojë atë që e bën administratën të padëshirueshme për publikun, të fillojë të ndikohet nga ju, jo të ndikoheni nga ai. Dhe është gjithmonë një “ai”. “Ajo”-të janë shumë të mira. “Ai”-të janë problem në administratë, që ta dini paraprakisht.

Nëse keni ndonjë gjë për të pyetur, për të shtuar, për të thënë, për t’u ankuar, për të sharë, për çfarë të doni, jeni në lirinë tuaj ta bëni dhe mund të merrni fjalën.

Përshëndetje zoti Kryeministër! Unë jam Enkelana Shala, e diplomuar në fakultetin e drejtësisë. Unë sot jam shumë e nderuar që jam pjesë e studentëve ekselentë dhe realisht do doja të isha falënderuese ndaj qeverisë, e cila bëri që ne të mendojmë që ëndrrat janë edhe të realizueshme dhe gjithashtu, mbi të gjitha në fakt, të mund të kontribuojmë edhe ne sadopak për një Shqipëri europiane. Në fakt nuk është sekret që akoma ekziston miti që meritokracia nuk është mes nesh, por ne sot jemi një shembull perfekt që procesi i meritokracisë po ndodh si rezultat i punës sonë të palodhshme dhe kurajës që kemi pasur dhe unë besoj që ne do jemi një shembull i mirë edhe për studentët e tjerë ekselentë në vijim. Gjithashtu besoj që secili prej nesh këtu e beson dhe e shpreson që jemi bërë pjesë e një rrugëtimi që të rritemi profesionalisht dhe personalisht, por gjithashtu që të investojmë drejt ndërtimit të një administrate profesioniste dhe të paanshme që uroj të hapë rrugën që vendi jonë të jetë pjesë e familjes së madhe europiane. Duke ju uruar të gjithëve  suksese ju falenderoj për mundësinë dhe shpresoj që kjo të jetë vetëm fillimi i një tradite të bukur aq edhe të nevojshme.

Kryeministri Edi Rama: Këto ishin fjalë të ëmbla! Ka ndonjëri fjalë të hidhura? E vërteta është që mosbesimi tek sistemi i meritës nuk është një mit, është një realitet dhe ka bazë, nuk është pa bazë me thënë të drejtën. Është një betejë e vështirë, nuk është një betejë që fitohet. Është luftë që nuk fitohet me një betejë. Kjo është një betejë e fituar, por lufta vazhdon dhe ka shumë beteja për të bërë në gjithë frontin sepse nuk është e lehtë të përmbysësh një traditë të mbrapshtisë të ndërtimit të sistemit të administratës dhe në fund të ditës, vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri për atë që kanë, por dallohen për atë që dinë dhe dituria e vendeve është e mishëruar tek institucionet e tyre.

Unë e përsëris shpesh dhe ndoshta ndonjëri edhe e ka dëgjuar, Izraeli nuk ka ujë. Është një vend pa ujë. Ne jemi vendi i dytë më i pasur në burime ujore në Europë. Izraeli ka sistemin më ekselent të ujësjellësit në botë. Ka sistemin më ekselent të vaditjes. E çon pikën e ujit tek bima, personalisht, çdo bimë në Izrael trajtohet, çdo rrënjë trajtohet në mënyrë të personalizuar. Ndërsa ne akoma ujin që e kemi pasurinë nga më të mëdhatë e kemi problem të madh. Pse? Se shumëkush, shumë shpesh thotë kemi ujë, kemi naftë, kemi minerale, kemi këtë, kemi atë, ca të pengon, bëje pra. Si bëhet pra? Pasuria e një vendi nuk është në tokë, është në kokë dhe janë institucionet që e mishërojnë dhe administrata është baza dhe po të shikosh vendet në tabelën e klasifikimit të zhvillimit, ato që janë më të zhvilluara kanë administratën më të fortë, që do të thotë, gjithë sistemi i funksionimit të turit si vende e kanë vënë. Ato që janë vende më pak të zhvilluara kanë administratë më të dobët. Është e gjitha tek institucionet. Dallimin e bëjnë institucionet. Ndërtimi i institucioneve nuk është diçka që mund të ndodhi sa hap e mbyll sytë. Nuk është si një koment që e bën në Facebook. Është proces i gjatë dhe i vështirë. Krijimi i institucioneve që nuk preken, nuk goditen, nuk tunden si pasojë e ndryshimeve apo zhvillimeve politike do të thotë të shkruash një histori tjetër. Shkrimi i një historie tjetër kërkon vite, nuk është diçka që bëhet si të shkruash një libër. Librat e një historie të madhe duan 2 orë të lexohen, por ajo historia e madhe është shkruar për dhjetëra e qindra vite.

Ky është një moment i rëndësishëm ndryshimi sepse këtu jemi në një kuadrant të mbledhur 373 plus disa veta që jemi ne këtu, ku kur flitet për meritën është absolutisht e padiskutueshme që të gjithë ata që kanë ardhur këtu, kanë ardhur si pasojë e meritës dhe ky është një lajm shumë i mirë, por mos mendoni se do dali në lajme. Në lajme mund të dali një student ngels që po bërtet se profesori i korruptuar nuk i ka dhënë notën që meriton. Ky del në lajme mjafton që të dali të bërtasë e del në lajme. 378 njerëz që i kanë kushtuar jetën e tyre deri tani librave, kanë marrë 9-ta dhe 10-ta dhe sot hyjnë në administratë, mund të mos dali në lajme, s’janë lajm. Lajmi është që “ktu nuk bëhet mo vlla”.

Unë po i them këto që këto fjalë të dalin në lajme. Se ata do i nxjerrin e do thonë që “jo jo e shikoni që ky na paragjykon se ne nuk jemi kazan ne jemi.. por kjo është çështje tjetër.

-Përshëndetje! Unë jam Alda Gjergji e diplomuar në fakultetin ekonomik, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Kam një emocion krejt të veçantë që jam sot këtu. Së pari, jam mirënjohëse prindërve të mi për mënyrën se si zgjodhën të më edukonin, rrisnin e të më orientonin. Së dyti, jam krenare për veten time sepse unë sot arrij të punësohem pa parti, pa para e pa mik. Thjesht përkushtim dhe vullnet i hekurt i imi. Së treti, i jam pafundësisht falënderuese iniciativës së studentëve. Kjo iniciativë ishte një farë të cilën, faleminderit juve Z. Kryeministër, që krijuat terrenin e përshtatshëm për t’u rritur, për t’u zhvilluar dhe që do të japë fryte të bukura në të ardhmen edhe për ne edhe për brezat që do të vijnë.

Dua të bashkëndaj edhe një fakt tjetër. Nuk jam e vetmja që përfitoj nga kjo iniciativë, bashkë me mua përfitoi edhe motra ime ekselente dhe përveç kësaj është edhe një iniciativë tjetër e veçantë e juaja sepse motra ime tjetër më e vogël ekselente studion aktualisht në Universitetin e Stambollit. Edhe atje është ekselente. Ju falënderoj pa masë. Me këtë rast ju përcjell falënderimet e përzemërta edhe të prindërve të mi.

Edhe diçka, kam edhe një sugjerim nëse mundem. Është bërë punë për sa i përket administratës publike, jemi në rrugën e duhur mund të them, por kemi shumë për të bërë. Nëse një institucion nuk ka performancën e duhur ndoshta do të ishte e mirë të zbatonim politikat e rotacionit. Sepse njerëzit mund të kenë aftësi, por nuk janë atje ku duhet. Ndaj do ju lutesha shumë ta konsideronit edhe politikën e rotacionit.

 Kryeministri Edi Rama: Ma shpjego pak se nuk e kuptova mirë më jep një shembull konkret për këtë.

-Mund të jenë institucione të të njëjtës linjë dhe janë punonjës ekonomist, jurist sipas profesionit të tyre. Kanë disa kohë që punojnë në të njëjtin institucion pse jo të mos ndërrohen paralelisht?! Dikush tjetër mund të jetë më i frytshëm në atë vend. Ai ka qëndruar për aq kohë, institucioni ka këtë rezultat, nuk jemi aty ku duam pse të mos provojmë diçka tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Sa të hysh në punë do e shohësh sa kollaj është tw flasësh dhe sa kollaj është të bësh.

Përmende një element lidhur me studentët që kemi çuar në Stamboll. Kjo është një histori e panjohur për publikun sepse nuk e kemi bërë për ta propaganduar. Kemi pasur mundësinë që të çojmë çdo vit një numër të caktuar, 50 studentë. Vitin e parë kur e kemi bërë, – nuk e di nëse motra ka qenë vitin e parë, – kemi bërë ekzaktësisht këtë gjë, ishin 50 vende, kemi marrë listën me Lindita Nikollën, nga i pari tek i 50-i, një nga një me nota.

Realisht është kënaqësi e madhe sepse në Stamboll, janë në një nga universitetet e Stambollit dhe goxha mirë i pozicionuar në klasifikimin global ITU, janë më të mirët, sot që flasim, e të gjithë brezave.

Një nga zgjedhjet, s’më kujtohet e dyta apo e para, kam përshtypjen e para, ishte një vajzë, prindërit e të cilës kishin një kioskë 2 me 2 në Kavajë dhe familja ishte goxha e varfër, vajza ishte e shkëlqyer dhe është një nga studentet më të mira e universitetit atje. Më kujtohet biseda me të atin sepse e morën në telefon nga ministria dhe ai nuk e besoi kujtoi se po talleshin. Nuk e besoi dhe mbylli telefonin. Pastaj fola unë dhe më tha që “kurrë nuk e kamë menduar që vajza ime do të arrinte të kishte këtë vlerësim, ndërkohë që gjithçka që kemi bërë e kemi bërë për fëmijët”.

Është një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që më mërzisin mua në Facebook, “jo po këtu, jo po aty, jo po kështu jo po ashtu” dhe rrinë në kafe, kanë edhe atë facebook-un dhe japin mendime për zhvillimin, si bëhet kjo e si bëhet ajo dhe janë ngelsa.

Dhe i ngelet hatri kur i thua ngelësa. Neqoftëse je ngelës, je ngelës. Nuk është shpikur akoma një sistem ku ngelësat të vihen në piedestal.

Sigurisht që janë të respektueshëm. Vajza e tha shumë mirë, është një shprehje e Hengelit “nuk ka njerëz të paaftë, ka njerëz në vendin e gabuar”, d.m.th. kur ngelësi bëhet pedagog, psh. Ai është në vendin e gabuar, ai nuk duhet të jetë pedagog duhet të jetë kaldajist, por që të jetë kaldajist nuk duhet të kishte ardhur në universitet duhet të kishte shkuar në shkollë profesionale. Dhe këtu sigurisht e ka fajin sistemi.

Përpara se të vija këtu po bëja një debat me një kolegen tuaj, ishte me 8.9 dhe e quante veten më ekselente se të gjithë ju që jeni këtu. Në fund tha “ky është sistemi yt prandaj edhe unë skam marrë dot 9-të”. Unë i thashë nëse do ishte faji i sistemit unë nuk do isha duke takuar 373 veta që kanë marrë 9-ta kanë marrë edhe 10-ta. Pra, për të gjetur justifikime është gjithmonë më e kollajshme se sa për të bërë punën e vështirë. Ajo që keni bërë ju është punë e vështirë dhe për këtë arsye keni sot këtë vend dhe mos harroni asnjëherë që jeni produkt i meritës tuaj.

Unë jam i bindur që shumë nga ju këtu do të bëjnë karrierë në administratë. Jam i bindur që ndër ju do të ketë njerëz që do të bëhen shpejt përgjegjës pastaj do të bëhen drejtorë. Kini parasysh që nga ligji që kemi bërë, mesatarja e moshës së të rekrutuarve në administratë është 31 vjeç dhe mesatarja drejtuesve të lartë është 39 vjeç. Kjo ka aspektet e veta problematike, sepse normalisht duhet më shumë eksperiencë, por është edhe tregues i faktit që ka një ripërtëritje që po ndodh. Patjetër që kush do të vendosë të vazhdojë karrierën në administratë do të bëjë sukses. Vajza që foli përpara, unë nuk e kuptoj përse mos të ishte kjo kryetarja e Bashkisë së Shkodrës. Mund të jetë nesër. Por ama mos harroni kurrë që jeni produkt i meritës dhe mos i bëni të tjerëve atë që ju s’do të donit t’jua bënte kush juve, sepse sot, ju s’do të ishit këtu, në qoftë se ne do të kishim filluar të merreshim me kush janë prindërit, kushërinjtë e kujt jeni, apo t’i kishin dhënë listën deputetëve t’u thoshim kush janë kushërinjtë tuaj këtu, etj..

Ju jeni këtu pikërisht sepse ne nuk bëmë këtë. Prandaj mos ua bëni këtë të tjerëve. Vetëm kështu mund të krijohet meritokracia dhe të kthehet në sistem. Ligjet nuk e bëjnë atë që supozohet të bëjnë, nëse njerëzit nuk janë zbatues të mirë të ligjeve.

-Unë jam Vera Doçi, diplomuar pranë Fakultetit të Ekonomisë, Master Shkencor Financë, Universiteti i Tiranës. Duke ju falënderuar për mundësinë mendoj se është një mundësi mjaft e madhe për ne, pasi ne kemi vuajtur për një praktikë mësimore dhe jo më për një vend pune. Ne jemi një nga fakultetet më të mira në Universitetin e Tiranës, të paktën kështu është për mua dhe studentët, pavarësisht se ekselentë dhe shumë të mirë, nuk kanë pasur mundësi për të vazhduar një praktikë mësimore aty ku kanë dëshiruar, për shkak të marrëdhënieve, burokracive etj.. Kjo mundësi që na jepet sot është një mundësi që unë personalisht do përpiqem ta shfrytëzoj maksimalisht dhe shpresoj që të gjithë të japim më të mirën. Pavarësisht se me vonesë mendoj se asnjëherë nuk është vonë për të bërë punë të mira. Ju jam falënderuese ju si qeveri, nismës së studentëve, sepse ishte një iniciativë për të përmirësuar shumë e shumë problematika që ne i kemi hasur ndër vite. Unë vij nga një familje me të ardhura jo shumë të larta, me një ekonomi, siç mund ta themi, shumica prej nesh e vuajnë. Kemi qenë tre fëmijë në shkollë dhe nuk ka qenë e lehtë për prindërit tanë, duke i falënderuar ata sot për çdo gjë që kanë bërë për ne. Vëllai im la shkollën, la masterin për shkak të pamundësive ekonomike. Motra ime mbaroi me rezultate të shkëlqyera dhe asnjëherë nuk u shpërblye, madje ka vuajtur një vit e ca për një vend pune. Flas në rreth, sepse është kthyer atje ku jemi në Tropojë. Unë sot e kam mundësinë dhe do ta shfrytëzoj maksimalisht.

Ju falënderoj ju për mundësinë dhe të gjithë bashkë shpresoj të bëjmë më të mirën. Të jemi një shembull që studentët të punojnë fort, pavarësisht kushteve të vështira dhe t’ia dalin vetë. Kjo falë edhe mundësisë tuaj, sepse unë e kam ëndërruar ndoshta ndonjëherë  të futem në administratën publike, por e kam parë të vështirë, duke parë realitetin, duke parë vështirësitë që janë për të gjetur një vend pune, miku, leku etj.. Jam shumë e lumtur që vijmë në bazë të meritës dhe jemi këtu të gjithë bashkë. Shpresoj që të jemi frymëzim për brezat që vijnë, që të punojnë fort dhe t’ia dalin vet.

Kryeministri Edi Rama: E dëgjuat çfarë tha? E pastaj më thoni që e kam gabim unë. Tha, “jemi familje me të ardhura jo të larta. Vëllai e la shkollën për pamundësi. Motra e mbaroi shkollën”. Nga e njëjta familje, ai nuk e çoi deri në fund. Ajo e çoi deri në fund. Të dy binjakë. Ai e la, ajo e vazhdoi. Sepse ajo është më e fortë se ai. Ky është fakt. Po të mos kishte “ajo” në shtëpi, ai do e kishte bërë shtëpinë çorap. Megjithatë, përtej shakasë, që është treçereku i të vërtetës në këtë rast, dua ta them këtë gjë, sepse është e rëndësishme. Edhe pse ju e thatë, nuk ka njeri që nuk i pëlqejnë fjalët e mira, falënderimet, etj., por, realisht, kjo nuk do të ishte bërë dot, nëse nuk do të ishte protesta e studentëve.

E unë jua shpjegova “pse”-në.

Unë kam dashur ta bëj këtë më parë. Nuk e çaja dot me Komisionin Europian. Protesta shërbeu, – ju nuk e kishit fare te pikat, – për të marrë një aprovim nga Komisioni. Drejtoresha, kur ia kam thënë në momentin e parë, më tha, “mos se do na bëjnë “black out” në procesin e integrimit” dhe aq më tepër tani, kur duam të hapim negociatat, sepse do thonë u kthyen mbrapa tek 1 nga 5 pikat që është administrata publike. I thashë, do t’ua çojmë kërkesën dhe do t’u çojmë dhe një album fotografik të protestave dhe do t’u themi që kjo është e domosdoshme për të hapur një shteg, sepse kjo do të krijojë lehtësi. E pranuan dhe ja ku jemi këtu, sot dhe kemi hapur një praktikë fantastike, sepse kjo mundësi do t’u jepet të gjithëve në vijim. E kemi nisur me 2017- 2018-ën për shkak të numrave, se, nëse do ta hapnim për më gjerë, do ta kishim më të vështirë, por do të vazhdojë.

Jemi shumë të vendosur ta vazhdojmë. Ka shumë rëndësi që ju të jeni të suksesshëm, për ta konsoliduar këtë proces. Do t’i pastrojmë zyrat pak nga pak, por me vendosmëri dhe në mënyrë sistematike nga injorantët, nga ata që i thonë vetes ekonomistë, por dinë të bëjnë llogari vetëm kur luajnë me letra. Ju jeni duke vendosur gurin e parë.

Desha të prek një aspekt tjetër, aspektin e Paktit për Universitetin. Ju sigurisht e keni kaluar atë fazë, por është shumë e rëndësishme që, sidoqoftë, ju të vazhdoni të jeni pjesë e kësaj historie që filluat ta shkruani vetë me protestën, sepse nuk është vetëm punësimi. Praktikat e punës janë shumë themelore dhe ne e kemi parë gjatë gjithë takimeve që kemi bërë në universitete, që problemi i praktikave është problem i madh për shumë universitete. Kemi hapur tani një tjetër thirrje për praktikat, por jemi larg asaj që duhet të bëjmë sipas specifikave të çdo universiteti. Do të ishte mirë, që, – sigurisht, kjo është çështje dëshire dhe vullneti, nuk është me detyrim, – ata që duan të jenë pjesë e procesit të Paktit për Universitetit të bëhen pjesë. Ne po përgatisim një dokument ku do t’i ftojmë njerëzit që duan të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij procesi, që të nënshkruajnë si palë, për të kontribuuar dhe monitoruar Paktin.

Pakti nuk është një dokument angazhimesh që merren dhe nuk mbahen. Ne kemi vendosur afate, kemi vendosur procese angazhimesh ku duhet të jenë të 3 palët, qeveria, drejtuesit e universiteteve dhe studentët.

Po hasim një problem të madh me pikat kyçe. Konviktet, laboratorët, auditorët, biblioteka patjetër janë shumë të rëndësishme, janë edhe më thjeshtat për t’u bërë, por pikat kyçe ishin: vlerësimi i titujve akademikë të pedagogëve, tregtia e librave të pedagogëve, vlerësimi i performancës së pedagogëve nga studentët.

 Këto janë 3 pika që kanë të bëjnë me përmbajtjen e procesit mësimor. Kemi ngecur sepse pedagogët dhe drejtuesit në një pjesë të tyre nuk i duan. Këto nuk mund të bëhen dot nga lart-poshtë. Nuk e bën dot qeveria vlerësimin e titujve akademikë ashtu sikundër vlerësimin e performancës së pedagogëve nga studentët. Është një mekanizëm që e ka e gjithë bota. Është e thjeshtë të bëhet. Nuk e bën dot qeveria. Këtu kemi ngecur. Duhet të gjejmë mënyrën për ta shtyrë më tutje, por kjo nuk bëhet duke e shtyrë. Është ajo që thoja unë që në fillim, por ju nuk e kishit mendjen të dëgjonit. Ka disa gjëra që qeveria nuk i thotë dot, sepse nuk futet dot brenda në universitet. Brenda në universitet janë studentët. Brenda në universitet janë pedagogët. Ajo është forca brenda disa mureve që duhet të bëjë disa gjëra. Ndryshe s’bëhen dot.

Në këtë aspekt është mirë që ju të përfshiheni. Kuptohet, ju jeni në pozicionin e njerëzve që tani e keni mbaruar universitetin dhe e shikoni nga jashtë, por keni të gjithë eksperiencën dhe dijen e nevojshme për të dhënë kontribut çfarë shkon, çfarë nuk shkon dhe për të qenë një zë. Është mirë që, siç ka praktika të tilla plot kudo, ky rrjet i studentëve të ekselencës në administratë të mbahet i lidhur, si një grup interesi që mund të japë kontribut. Ju, jam i bindur, që pas një viti do konfirmoheni në vendet tuaja të punës dhe mund të ndihmoni për të trajnuar të tjerë. Do mund të përfshiheni edhe në programin e Departamentit për ekselentët e tjerë. Në vend që kjo të bëhet teorikisht, kjo bëhet praktikisht, pra, me njerëz nga ju, Departamenti i pret, i sqaron, i orienton dhe i mëson të tjerët që të vijnë siç erdhët ju. Ju praktikisht orientimet i morët pak partizançe, sepse ishte eksperienca e parë, por të tjerët mund t’i marrin prej jush.

Jam e diplomuar për infermieri në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë. Kur aplikova në platformën www.punetembare.gov.al isha shumë skeptike. Nuk mendoja se procesi do ishte transparent. Gjithmonë mendoja se do ishte në aspektin teorik. Kam aplikuar në fakt 30 minuta para se të mbyllej afati i fundit. Ju jam shumë mirënjohëse për iniciativën, sikurse edhe të gjithë punonjësve të DAP që e bënë procesin të shpejtë dhe transparent. Ishte një vend pune për pozicionin infermier në të gjithë Republikën e Shqipërisë për administratën publike dhe atë vend arrita ta fitoj unë nga gjithë studentët e Infermierisë që kishin aplikuar. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për mua, sepse do jem një ndër të paktët infermierë në Shqipëri që rrugëtimin e tyre e fillojnë përmes administratës publike, duke qenë se mundësia që ne të hyjmë në administratë është shumë e ulët, krahasuar me profesione të tjera.

Kryeministri Edi Rama: Unë realisht ju shpreh të gjithë admirimin për arritjet tuaja dhe të gjithë respektin për përfshirjen tuaj në këtë përpjekje të përbashkët. Nga sot kjo është përpjekje e përbashkët. Nuk jemi më dy palë, jemi një palë. Nuk e di si ndiheni që jeni palë me mua, por unë ndihem shumë mirë që jam palë me ju. Ajo që duhet të bëjmë, është t’i japim administratës dimensionin e të gjithë kësaj përpjekjes tuaj individuale dhe ta fuqizojmë meritën si komponent bazë në administratë. Jam i bindur që jemi në rrugën e duhur. Do kërkojë kohë, durim, por jam i sigurt që ju do jeni një fuqi shumë e madhe tërheqëse për të tjerët dhe një shembull shumë i mirë. Padiskutim që për vajzat nuk e diskutoj fare që do konfirmohen në pozicionet e tyre, për djemtë jam më skeptik, por nuk kam asnjë paragjykim dhe do isha shumë i lumtur sikur të ma rrëzonin këtë skepticizëm dhe të konfirmoheshin që të gjithë.

Është një vit i bukur dhe plot me sfida. Mos u dekurajoni kur të hyni brenda dhe të shikoni që nuk është aq keq sa ju kanë thënë dhe sa duket nga jashtë. Ka plot njerëz pozitivë. Ka plot njerëz që kanë shumë gjëra për t’ju mësuar. Ka djaj me brirë plot, sa të duash, por është e gjitha pjesë e përballjes me eksperiencën e parë jetësore me praktikën e jetës. Kështu që, thjesht mos u dekurajoni! Nuk është si në libër. Librin e ke vetë, nuk ke të tjerë aty që të ndërhyjnë. E merr, e mëson, reflekton mbi të dhe e zotëron. Këtu çdo germë është një person, kokë më vete që duhet t’i gjesh mënyrën ta bashkosh me germën tjetër, derisa të bësh një fjalë, pastaj ta bësh fjalinë, pastaj imagjino faqen, imagjino librin, por kjo është një sfidë shumë e bukur.

Unë ju falënderoj për besimin! Ju falënderoj po ashtu edhe për faktin se do jetë një ndihmë e madhe, sepse shembulli juaj flet më shumë sesa një milionë fjalë. Ju jeni fakti që merita u vlerësua maksimalisht dhe në bazë të meritës ju jeni këtu.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here