Kreu Aktualitet Pakti për Universitetin – Dialog me studentët e Elbasanit

Pakti për Universitetin – Dialog me studentët e Elbasanit

647
0

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me studentë të Universitetit të “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan:

Faleminderit për këtë mundësi!

Ne e shikojmë shumë të arsyeshme të vazhdojmë të diskutojmë në çdo universitet, sepse procesi i dialogut është një proces i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm, kur ka një problematikë që duhet trajtuar mes një grupi interesi dhe qeverisë. Në këtë proces mësojnë të dyja palët, sepse dëgjojnë dhe kuptojnë më mirë njëra-tjetrën, duke kuptuar njëkohësisht që cilat janë gjërat realisht të rëndësishme dhe si mund të adresohen ato në kohë.

Unë besoj se ka qenë një eksperiencë goxha intensive dhe interesante, në të gjitha aspektet, kjo eksperiencë e ditëve të protestës së studentëve dhe pas tyre, ku ka pasur një shpalosje të një shqetësimi real e njëkohësisht, edhe forma të ndryshme të shprehjes së këtij shqetësimi, që nga format më absurde, deri tek format më të mirësjellshme. Por e rëndësishme është që ne që në fillim e kemi kuptuar që kjo është protesta jonë. Nuk është një protestë kundër nesh, por një protestë që ka brenda një potencial shumë të madh për transformimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në Shqipëri.

Ne kemi bërë përpjekjen tonë për të reflektuar mbi çështjet, po ashtu për të reflektuar edhe mbi vetveten, mbi mënyrën si i jemi qasur këtyre çështjeve në kohë, mënyrën si mund t’i qasemi me edhe më shumë efektivitet dhe mbi të gjitha, për si mund të ndërtojmë një sinergji mes qeverisë dhe universitetit, duke krijuar një partneritet real, që shkon përtej marrëdhënies institucionale mes Ministrisë së Arsimit dhe drejtuesve të universiteteve. Një partneritet mes qeverisë dhe studentëve, pedagogëve dhe drejtuesve, në një proces që, siç e kemi parë e që siç duket dita-ditës, janë thënë një pjesë e gjërave, nuk janë thënë të gjitha. Ndërkohë ka një sërë shqetësimesh të mëdha, brenda për brenda organizmit të universitetit, të cilat nuk janë shqetësime që qeveria mund t’i zgjidhë duke ndërhyrë nga jashtë, por për të cilat, qeveria mund të ndihmojë nga jashtë, duke mbështetur procesin e brendshëm.

Unë kam pasur një eksperiencë personale të jashtëzakonshme me whatsapp-in, gjatë këtyre ditëve, se u hap për të gjithë dhe pati një bombardim spektakolar me mesazhe shumë interesante. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë “ne duam të bëjmë mësim, por janë ca që nuk na lënë të bëjmë mësim”, “si t’ia bëjmë ne”, “na ndihmo ti, të na ndihmojë qeveria”.

Është e vështirë të shpjegosh që nuk është qeveria ajo që mund të zgjidhë këtë problem, sepse universiteti është autonom, është një territor që administrohet me autonomi dhe nëse qeveria do të ndërhynte, do të shkelte këtë autonomi. E mbi të gjitha, si mund të ndërhyjë qeveria, – sepse ka një grup njerëzish që kanë bllokuar korridorin, ose kanë bllokuar derën, apo kanë bllokuar oborrin, me polici? Policia ndërhyn vetëm me kërkesë të autoriteteve të universitetit dhe për sa kohë, policia nuk ka një kërkesë të tillë, nuk mund të ndërhyjë dot, por edhe nëse ka një kërkesë të tillë, prapë kjo nuk është zgjidhja e vërtetë e një problemi që është shprehje e një situate komplekse.

E rëndësishme është që është krijuar një mundësi shumë e madhe për të gjithë. Është krijuar një mundësi e madhe për universitetin, një mundësi e madhe për qeverinë, një mundësi e madhe për shoqërinë, për të përqendruar energji, mjete financiare dhe mjete politike, në kuptimin e mbështetjes të universitetit, për ta çuar në një nivel tjetër, nga pikëpamja e kushteve, arsimin e lartë.

Mund të diskutonim gjerë e gjatë, se shumë pyesin, pse tani e pse jo më parë. Janë bërë gjëra të rëndësishme në këndvështrimin tim, asnjëherë nuk janë mjaft, të gjitha ato që janë bërë në të gjithë sektorët dhe jo më pastaj në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë, që janë dy sektorë me ndjeshmëri shumë të lartë dhe me një kompleksitet shumë të madh, që kërkojnë burime financiare të jashtëzakonshme dhe edhe instrumente të pazakonshëm.

Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ne kemi zgjedhur të jetojmë në një sistem ku prezumohet që askush nuk i di të gjitha. Në diktaturë, dikush i di të gjitha dhe të tjerët thjeshtë i përsërisin. Diktaturë nuk ka zgjedhje të lira, ka thjeshtë përgjigje të gatshme për çdo pyetje. Kush nuk i mëson përgjigjet dhe nuk i përsërit ato, ekspozohet keq, në raport me sistemin dhe vë veten e vet në rrezik.

Në demokraci nuk ka përgjigje të gatshme. Secili ka përgjigjet e veta. E mbi të gjitha, procesi demokratik i mirëfilltë nuk është procesi zgjedhor vetëm, por është i gjithë procesi mes dy zgjedhjeve, mes atyre që zgjedhin dhe atyre që zgjidhen dhe mjetet demokratike të ngritjes së shqetësimeve, ku hyn edhe protesta. Janë pjesë e sistemit, pikërisht sepse prezumohet që një grup interesi ka jo vetëm të drejtën, por ka edhe detyrën që një moment të caktuar të bëjë presion maksimal që vëmendja ndaj tij të jetë më e madhe nga sa ka qenë deri në atë moment, ose që një çështje të marrë vëmendje parësore, kur duket sikur parësore janë disa çështje të tjera. Ajo që e bën diferencën është nëse qeveria është gatshme të dëgjojë, ose nuk është gatshme të dëgjojë, nëse qeveria është gatshme të kuptojë, ose nuk është e gatshme të kuptojë.

Një qeveri nuk matet thjesht me çka bën, por në radhë të parë me si reagon ndaj atyre që e kanë zgjedhur, ose atyre të tjerëve që kanë të drejtën të shërbehen edhe nëse nuk e kanë zgjedhur. Në këtë aspekt, ne besoj që kemi qenë në lartësinë e sfidës demokratike për të dëgjuar, për të kuptuar e për të reaguar. Patjetër që në një proces kompleks diskutimesh, nuk mund të biem dakord për të gjitha dhe mbi të gjitha, unë nuk kam rënë e nuk bie dakord me këdoqoftë që në emër të studentëve, në emër të rinisë, në emër të së drejtës, shkel etikën e komunikimit. Shumë dakord, madje është e mirëseardhur ironia, është i mirëseardhur humori, është e mirëseardhur sarkazma, por jo rrugaçëria dhe jo vulgariteti, sepse këto nuk janë pjesë e komunikimit normal mes njerëzve.

Thënë të gjitha këto, ne sot jemi në gjendje të themi që jo vetë kemi adresuar me shumë seriozitet të 8 pikat e studentëve, duke thënë qartësisht se si i kuptojmë ne ato 8 pika, edhe mbasi i kemi dëgjuar dhe vazhdojmë t’i dëgjojmë studentët, sepse kemi edhe ne të drejtën tonë t’i kuptojmë në mënyrën e caktuar.

Dikush thotë që duhet që vota e studentëve në zgjedhjen e stafit akademik të peshojë 50%. Kjo nuk ndodh. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse studentët vijnë dhe ikin. Stafi akademik është aty dhe vota ka të bëjë edhe me diçka që lidhet me karrierën akademike. Është një përgjegjësi përtej një trevjeçari, ose një pesëvjeçari, që është cikli i bashkëjetesës së një studenti me universitetin. Por nga ana tjetër është e kuptueshme që kjo kërkesë vjen si rezultat i nevojës për më shumë dinjitet dhe më shumë respekt për studentin.

Nga ana tjetër është shumë e qartë që tarifat sot janë nën kosto. Ato tarifa, siç ishin, janë tarifa nën kosto. Kushton më shumë një student sot, sesa ato tarifa. Kjo është e vërteta. Tarifat i ka vendosur çdo universitet, duke bërë një kostim për studentët dhe çka ka bërë qeveria dhe çka mund të bëjë qeveria është të vendosi tavanin dhe të thotë “deri këtu”, nuk mund të shkosh më sipër, sepse krijohen probleme. Nëse ne nuk do vendosnim tavanin, të jeni të sigurt që tarifat do të ishin më të larta dhe të gjitha kërkesat që kanë sjellë universitetet para vendosjes së tavanit kanë qenë më të larta, për arsye llogarie, jo për arsye nevoje për të marrë e për të bërë.

Një arsim cilësor lidhet edhe me sa paguan. Të jemi shumë të qartë. Por, duke pasur parasysh jo thjesht sa kapacitet ka një familje për të paguar, sepse universiteti nuk është arsim i detyrueshëm, por edhe se qeveria ka për borxh që, në parim, të mbështesë ata që vijnë nga familje në nevojë. Këtë e ka detyrim, por nuk ka detyrimin që të bëjë babanë dhe nënën për të gjithë, në çdo moment, kur vjen puna tek arsimi i lartë. Ky është parim, por faktet janë që kushtet sidoqoftë janë të vështira, nuk janë kushtet më optimale të mundshme e duke pasur parasysh kushtet, atëherë ne kemi rënë plotësisht dakord dhe e kemi konsideruar të drejtë kërkesën për të përgjysmuar tarifat për Bachelorin.

Përgjysmim i tarifave për të gjithë, edhe për ata me 4-ra dhe 5-sa, për t’i dhënë mundësi që deri në fund të vitit t’i përmirësojnë notat. Nëse do kenë përsëri 4-ra dhe 5-sa, vitin tjetër shoqëria nuk do paguajë për ta. Ata mund të vazhdojnë universitetin, por do paguajnë tarifë të plotë, sepse prindërit e gjithë studentëve, nuk mund të paguajnë dy herë, të paguajnë edhe për vajzën apo djalin e tyre, – se gjysmën e tarifës e paguajnë prindërit, – të paguajnë edhe si taksapagues për atë vajzën e djalin tjetër dhe për ngelësat.

Unë e di që nuk e keni qejf këtë fjalë, por kjo është fjalë shqipe, që definon një kategori dhe është një fakt që dikush që nuk merr dot universitetin, mund të bëhet një profesionist i shkëlqyer në një fushë tjetër, mund të bëhet një hidraulik fantastik, një marangoz i jashtëzakonshëm, një elektricist, një sipërmarrës i vogël, apo një sipërmarrës i madh. Mund të ndjekë arsimin profesional e të bëhet i zoti i vetes, sepse një njeri që bën universitet, që praktikisht nuk bën asgjë, por vetëm harxhon paratë e prindërve për të mbetur në klasë, mbas 5 vitesh është një humbës. Ndërkohë që një njeri që nuk bën dot universitet, edhe pse nuk e ka atë prirje, nëse bën arsimin profesional, nëse shkon në kolegjin profesional, fare mirë mund të bëhet një fitues në jetë.

Kjo nuk ka të bëjë me studentet, saç ka të bëjë me ne, pra, është politika jonë që duhet të bëhet shumë e mprehtë në këtë drejtim. Ne duhet t’i japim shumë më tepër vëmendje për një transformim që ka nisur, por është i ngadaltë. Një nga gjërat që do të bëjmë me ministren është ta përshpejtojmë, të kemi më shumë programe profesionale.

Folëm me rektorin këtu, kam folur dhe me të tjerë dhe katër programet e para profesionale në këtë universitet kanë interes. Sigurisht, ne duhet të rregullojmë bazën e rregullave, në mënyrë që kush shkon në një program profesional ta ketë rrugën e hapur e të mos konsiderohet si një i kategorisë së dytë për punësimin, por ne nuk mund të vazhdojmë me teorinë e masivizimit, duke i thënë të gjithëve futuni në universitet, ju paguan shteti e në fund, pjesa më e madhe thonë, ku do shkojmë, se realisht ku do shkojnë.

Para se të vinim këtu ishim në një ndërmarrje, për mua, ekselence nga pikëpamja e aftësisë së duarve, një ndërmarrje prodhuese dhe të gjithë ustallarët kishin 40, mbase dhe 50 vite punë dhe nuk pashë asnjë usta të ri. Problemi që kishte pronari ishte pikërisht ky, si do ta zëvendësojmë këtë gjeneratë duarartësh, kur të tjerët, e vetmja gjë që bëjnë me dorë është të shtypin Facebook-un, Instagramin dhe të bëjnë ato selfiet e fotot me njëri-tjetrin, bëjnë ato montazhet që i bëj edhe unë, kuptohet, por që nuk është e vetmja gjë. Që do të thotë se perspektiva e punës nuk mund të zgjidhet me punë shteti. Është e pamundur.

Njëkohësisht, ne duhet të fillojmë të balancojmë tregun. Këtu, ju keni, – nuk e di sa e vërtetë është, se e kam përdorur disa herë si shembull, besoj është e vërtetë, – nja 100 vetë për gazetarë në vit të parë. Ku do shkoni? Cili kazan do ju nxë 100 veta nga Elbasani dhe 100, 100, 100 janë 400 vetëm këtu. Domethënë, jeni mijëra njerëz që doni “kazanin” tuaj për të jetuar. Do bëhet një kazanhanë e madhe që nuk do ia dalim dot. Unë të paktën po mendoj si do vijë dita që kazani të fillojë të marri formë pak më prej mermeri, ju doni ta bëni llamarinë komplet.

Përtej shakasë, që në këtë rast është më shumë se gjysma e të vërtetës, dua të them konkretisht diçka për ju. Me rektorin kemi folur prej kohësh, sepse edhe Taulanti është interesuar për këtë gjë disa herë, lidhur me nevojën e infrastrukturës këtu. Keni një godinë të ish kirurgjisë, që është e nevojshme për infrastrukturën.

Ajo që kemi bërë ne, që nuk është tek kërkesat, por ka qenë një nga rezultatet e reflektimit tonë. Ne e kemi shumë të qartë dhe nga ato dialogje që unë kam bërë në kushtet e shtetrrethimit gjysmë demokratik, gjysmë… nuk e di si ta quaj, të sallave në ato kushte, por interesante, kam dëgjuar gjëra që nuk mund t’i dëgjojë njeriu kur sheh njerëz që bërtasin me megafona dhe thonë “nuk flasim, plotëso kushtet”. Një nga gjërat ka qenë shumë e drejtë, si t’ia bëjmë me praktikat mësimore, që përpara kanë qenë pjesë përbërëse e procesit mësimor, kurse sot ose nuk bëhen fare, ose bëhen shumë të shkurtra.

E njëkohësisht si t’ia bëjmë me kërkimin shkencor apo me laboratorët minimal po themi që duan dhe që mungojnë. Një nga rrugët që ne kemi menduar për gjithë këto aspekte është krijimi i një partneriteti mes ministrive. Këto partneritete, do bëjnë të mundur që ministritë të angazhohen në marrëdhënie bilaterale me universitetet për të ndihmuar për praktikat. Po marr një shembull, Infermieria ka nevojë të bëjë praktika, atëherë Ministria e Shëndetësisë do të jetë e angazhuar drejtpërdrejtë për të ndihmuar për praktikat, për të akomoduar gjithë nevojat që nuk janë thjesht të natyrave organizative, por të natyrave financiare. Po kështu, inxhinieria- Ministria e Infrastrukturës, Gjeologjia-Ministria e Energjisë, Financat-Ministria e Financave dhe Ekonomisë,  Mësuesia-Ministria e Arsimit, pra ky është një aspekt. Aspekti tjetër, ka të bëjë me dhënien e projekteve universiteteve për të përfituar projektin ministria përkatëse dhe për ta paguar projektin në mënyrë që të ardhurat t’i shkojnë grupit të punës dhe universitetit, duke ndihmuar në këtë mënyrë edhe kërkimin shkencor indirekt.

Angazhimi i sipërmarrjeve, qoftë me një fond përgjegjësie sociale, qoftë me kërkesa të drejtpërdrejta për të investuar në laboratorë, e kështu me radhë. Fjala vjen, laboratori i gjeologjisë, i kërkohet sipërmarrjeve që janë në fushën e minierave apo në fushën e naftës që të sponsorizojnë e kjo bëhet në mënyrë të organizuar, jo në mënyrë sporadike.

Për infrastrukturën edhe ju keni dëgjuar një debat, Ministrja e Infrastrukturës dje ka informuar që qeveria vendosi me propozim të ministres të anulojë procedurën e partneritetit publik- privat Thumanë – Kashar, një vepër me një hapësirë fiskale goxha të madhe.

E faktikisht një shumë të konsiderueshme, e cila vetëm për ndërtimin e veprës ishte rreth 230 milionë dollarë, – por duke përfshirë dhe mirëmbajtjen është më e madhe, – ta kalojë për paktin për universitetin. Tani, keni dëgjuar reagimin që “nuk ka lekë”, “kjo është lojë se nuk ka lekë”. Kur do bëhej rruga, ishte një “vjedhje” shumë e madhe dhe vihej kuja, “po jua vjedhin 300 milionë”, tani thonë “kjo është kot se nuk ka lekë”.

Tani, në fakt nuk është as njëra, as tjetra. As po vidheshin dhe faktikisht skema e partneritetit ose e koncesioneve që është kthyer në një mjet propagande kriminalizuese për një mekanizëm që është mekanizëm financimi krejt normal, është e thjeshtë. Quhet partneritet  publik – privat sepse sektori publik përmes qeverisë, i kërkon sipërmarrjes private që të nënshkruajë një bashkëpunim, ku sipërmarrja private nuk merr para, por në radhë të parë hedh para, pra financon paratë e veta për sigurisht të marrë para në një afat kohe shumë më të gjatë. Pra, nëse ne na duhet Rruga e Arbrit për 3 vjet, ne nuk e bëjmë dot rrugën e Arbrit për tre vjet sepse buxheti ynë nuk na e mundëson. Atëherë çfarë bëjmë ne? Ne i themi një sipërmarrjeje private, urdhëro, ta bëjmë bashkë. Fillo ti me paratë e tua dhe kur ti të kesh arritur një volum të caktuar, ne do fillojmë të paguajmë dhe atë që ne do ta paguanim për tre vjet nëse rrugën do ta bënim me paratë tona, do ta paguajmë për 13 vjet, ky është partneritet. Pra, këtu fiton publiku rrugën në 3 vjet, përndryshe rruga do të bëhej në 13 vjet. Kjo është skema. Thumanë – Kashari, ishte faktikisht partneritet publik – privat dhe zgjodhëm anulimin e Thumanë – Kasharit sepse është partneriteti publik-privat me volumin më të madh dhe këtë volum, ne do ta kalojmë tek pakti për universitetin. Si? I thashë rektorit, – e kemi gati, tha, projektin e ish kirurgjisë i thashë, po ju keni edhe konviktet problem. Konviktet në çdo bashki ne do t’ia kalojmë universitetit. Pra, universiteti duhet t’i administrojë konviktet këtu, konviktet e këtij universiteti apo në Vlorë, apo në Shkodër, apo në Gjirokastër, është formula më e thjeshtë dhe më efikase sepse universiteti kështu mund të bëjë edhe kombinimin e nevojave dhe kombinimin e incentivave për studentë të caktuar etj, etj. Pra i thashë, këtë projekt duhet ta integroni sëbashku me projektin e konvikteve, sëbashku me çfarë keni nevoja të tjera dhe do bëni një projekt dhe shuma që duhet për këtë projekt për universitetin e Elbasanit do futet në programin e infrastrukturës universitare që do të bëhet me partneritet publik-privat, me të njëjtën skemë si Thumanë-Kashari, por jo rruga atje, por programi kombëtar për infrastrukturën e universiteteve. Këtë gjë do ta bëjnë të gjithë ministritë. Ministria e Kulturës, e cila ka në patronazh Universitetin e Arteve, do punojë me universitetin e Arteve, me një grup të përbashkët pune, do identifikojnë të gjithë nevojat, salla e koncerteve, sallat e pianove, sallat e pikturës, skulpturës e ku di unë, të gjithë çfarë nevojash janë, në bazë të nevojës do bëhet projekti e të gjitha këto projekte ne do t’i nxjerrim në mënyrë transparente në publik dhe do ti themi sipërmarrjeve, urdhwroni, kemi në këtë program x projekte, mund të jenë disa universitete bashkë, mund të jenë disa universitete veç, kush janë sipërmarrjet që janë të gatshme të vijnë dhe të bëjnë siç po bëhen shkollat në bashkinë e Tiranës, është e njëjta gjë.

Ne kemi dhënë hapësirën fiskale dhe shkollat fillojnë të ndërtohen me paratë e sipërmarrjes. Çfarë do bëjë bashkia e Tiranës? Bashkia e Tiranës në bazë të hapësirës fiskale të këtij programi do paguajë në vite, pra ju do merrni universitetin e ri në 2 vjet apo në 3 vjet, sa do zgjasë puna dhe ndërkohë kjo do paguhet në 10, 11, 12 vjet, nuk ka rëndësi, sipas kontratës që do bëhet me sipërmarrje. Kjo është gjëja. Dhe kur dalin me atë tabelën aty është që ç’të të them dhe thonë pastaj pse bën humor ti me ne në Instagram. Po çfarë të bëj unë me këta? Se nuk di çfarë të bëj. Ti marr seriozisht, duhet të nxehesh, dukesh si ata. Të bësh humor është rruga më e drejte sepse humori është dhe gjëja më serioze për hir të së vërtetës. Humori i vërtet është serioz. Karagjozllëku nuk është serioz, nejse dhe nxjerrin atë tabelën dhe thonë, e shikoni? Nuk ka lekë për këtë. Rruga e Arbrit ka lekë kurse kjo nuk ka lekë. Po Rruga e Arbrit ka lekë në buxhet sepse privati, ajo kompania atje ka financiar deri tani vetë dhe gjithë ato që mund të keni parë dhe ju të kantierit janë të bëra me lekët e kompanisë dhe e ka arritur atë moment kur i është thënë, ti deri këtu do vish vetë, pastaj do fillojmë të japim pak nga pak. E nëse Rruga e Arbrit kushton X dhe ne do ta marrim rrugën për 3 vjet, shlyerjen do ta bëjmë për 13 vjet. Kjo është logjika. Tani, pyetjet tuaja janë më të rëndësishme se sa fjalët e tepërta që thashë unë. Nëse keni pyetje për ministren, për mua, bëjini.

Përshëndetje! Jam studente në fakultetin e shkencave mjekësore teknike. Është dëgjuar shpesh që Universiteti “Aleksandër Xhuvani” etiketohet si një nga universitetet me stafin e pedagogëve më të korruptuar. Unë doja të dija çfarë masash do të merren për këtë fenomen?

Kryeministri Edi Rama: E kam dëgjuar edhe këtë shumë në këto ditët “whatsapp days” dhe përgjigja ime është shumë e thjeshtë. Së pari, duke qenë mu në mes të vorbullës së kazanit që janë të gjithë njësoj, hajdut ky, hajdut ajo, hajdut përpara, hajdut mbrapa, hajdut lart, hajdut poshtë, kam mësuar një gjë, që nuk janë të gjithë njësoj. Ja ku është Taulanti. Dje fitoi një gjyq sepse u akuzua për një gjë shumë më të rëndë se sa një akt korrupsioni thjesht. Mirëpo akuzuesi nuk ishte në gjendje të paraqiste asnjë provë dhe çka avokatët e akuzuesit thanë në gjyq, ishte, ne mendojmë që duhet lënë hetimi dhe duhet lënë ngjarja të zbardhet deri në fund, se ne jemi të sigurtw që në fund do dali që ky është, por për momentin ne e kemi thjesht këtë një bindje.

Unë mendoj që kur flasim për korrupsion duhet të kemi kurajën të themi “Ti”, ose “filan” pedagog më ka kërkuar para dhe unw jam e gatshme ose i gatshëm të përballem me filan pedagog me fakte e nëse të ka kërkuar vërtetë para, atëherë je në gjendje të thuash ku, si, e të tjera dhe pastaj ka njerëz që dinë të hetojnë nëse pikërisht atë ditë e pikërisht në atë vend ke qenë apo nuk ke qenë.

Çfarë dua të them? Dua të them që njerëzit bëjnë zgjedhjen e tyre. Nëse mua një pedagog më kërkon para, ose një mjek më kërkon para ose një polic në rrugë më kërkon para dhe unë vendos që nuk ia jap, të jeni të sigurt që, në fund të ditës unë fitoj, por ama kjo do të vësh kujën dhe kush ka të drejtë dhe beson dhe lufton për atë të drejtë, nuk ka shans që të ndodhi ajo që “jo po se unë nuk e them se ai më ngel”. Unë nuk e diskutoj që ka pedagogë që e bëjnë këtë gjë, mos mendoni që unë po them që nuk është e vërtetë, problemi është si luftohet kjo. E para, nuk mund të futen të gjithë në një thes. E dyta, nëse thyhet heshtja, nuk ka pedagog që ka kurajën pastaj që ta tentojë këtë gjë se thotë “ore unë mund ta tentoj, por ajo që më ndodh mua është e papërballueshme”. Kështu që kjo është një çështje force. Unë nuk e besoj akoma, por shpresoj që protesta juve t’ju ketë mësuar një gjë, t’ju ketë dhënë një ide të forcës që keni.

Unë jam krenar për këtë, që është më e lehtë të dilni të protestoni tek Ministria e Arsimit, tek Kryeministria, është më e lehtë të dilni te dera, t’i zini rrugën Kryeministrit dhe t’i thoni nuk duam dialog, plotëso kërkesat, etj., është më e lehtë t’i bërtisni Kryeministrit, – unë jam shumë krenar për këtë, – sesa të dilni te dera atje dhe të bëheni grup e të thoni “ky pedagogu këtu nuk hyn dot në mësim,” “ky pedagogu duhet të vijë  me ne në prokurori dhe atje do i tregojmë që na ka kërkuar lekë”.

Kjo është ajo që duhet t’iu ketë dhënë ju protesta si ndjesi, që ju keni një forcë të madhe, kur jeni bashkë.

Ju thoni, “nuk na lënë të bëjmë mësim”. Çfarë doni nga unë? Unë nuk ju mësova kur u mblodhët te Ministria e Arsimit. Përkundrazi! U mblodhët dhe ju respektova maksimalisht, duke u munduar të kuptoj si e keni hallin, si mund t’ju ndihmojmë, t’ju mbështesim. Mua nuk ma kërkuat ju të ndërroj qeverinë, por unë reflektova, duke ju parë juve. Nëse disa veshëgjatë mblidhen dhe zënë rrugën atje dhe s’ju lënë të futeni në mësim, ju çfarë bëni? Mblidhuni edhe ju dhe me gishta në vesh. S’ka nevojë as për konfrontime, as për të rënë në atë nivel, por duhet të kuptoni që kush ka të drejtë, ka forcë dhe nëse bëhet bashkë me të tjerët, nuk ka gjë që e ndal.

Kështu që çështja e pedagogëve të korruptuar, si në çdo fushë, lidhet me kapacitetin e qytetarit që nuk e pranon korrupsionin, që thotë unë nuk të jap kokërr leku për provimin dhe unë bëhem kamikaz, jo për të vrarë, por dal te dera e universitetit dhe vë kujën. Ama unë e bëj këtë kur kam të drejtë, jo me teorinë “mua s’më ka kërkuar lekë, por kështu e kemi dëgjuar”, apo me teorinë që po të vuri pedagogu 4, të ka kërkuar lekë, po të vuri pedagogu 5, s’të ka kërkuar lejë, sepse ka dhe kështu.

Unë kam ndjekur historinë e një pedagogu, të cilin ajo lëvizja e Kadri Qorrit e nxori me damkë korrupsioni. Hetoi prokuroria 6 muaj. U thirrën të gjithë studentët, një për një, u morën provimet. U ekspertuan provimet. Asnjë student përpara prokurorit nuk tha më ka kërkuar lekë dhe ma ka kërkuar këtë ditë. Asnjë, përkundrazi, thanë “kështu na kanë thënë”. Provimet treguan që ata meritonin kokrrën e 4-ës. Nëse mbi këtë bazë ngrihet një lëvizje studentore, lëvizje për universitetin dhe kërkon revolucion për të bërë gjueti shtrigash me pedagogët, kjo s’ka shans që të çoje asgjëkund.

Nëse korrupsioni që është problem dhe nuk e diskutoj fare këtë, nuk ka njeri që e mohon që ka pedagogë sharlatanë që e turpërojnë universitetin, por këta do vazhdojnë të jenë pjesë e bashkëjetesës këtu dhe do vazhdojnë të jenë të paprekur, nëse do fshihen pas të tjerëve dhe të thonë që të gjithë pedagogët janë kështu. Jo, nuk janë të gjithë. Duhet t’i ndajmë. Unë s’jam si të tjerët. Jo se jam 198 cm, por për 1001 arsye unë jam unë, me të mirat dhe të këqijat e mia. Kam ndoshta më shumë se të tjerët në një aspekt, por në disa aspekte të tjera as nuk e pranoj krahasimin me të tjerët. E askush nga ju nuk është njësoj këtu me tjetrin. Edhe kafshët në pyll janë ndryshe. Jo çdo ujk, po ta shohësh me më shumë kujdes, sesa të ikësh me vra nga frika, do shohësh që është ndryshe nga tjetri. Jo më njerëzit.

Nuk mundet dot të shpëtoni nga një e keqe që është një e keqe, nëse nuk keni kurajon, ti vini gishtin drejtpërdrejtë të keqes dhe të thoni, këtë njeri nuk e pranojmë, ama jemi të gatshëm të shkojmë të dëshmojmë. Jo nuk e pranojmë se na kërkon lekë, nuk ia dhamë dhe ngelëm në klasë si ngelësa “looser”, por nuk e pranojmë sepse ky ka kërkuar lekë. Dhe të shikoni pastaj, ka kurajo njeri që t’i shkojë mendja të vijë të kërkojë lekë. Kujtoni se në vende të tjera nuk e bëjnë, se s’duan lekë. Jo, nuk e bëjnë sepse e dinë që ju kthehet mbrapsht menjëherë. Nuk i shkon mendja një pedagogu gjerman të kërkojë lekë. Merre pedagogun gjerman, sille këtu, sille në një situatë korrupsioni e të shohësh, do kërkojë lekë, apo s’do kërkojë lekë. Merre pedagogun shqiptar që kërkon këtu lekë, çojë në Gjermani të japë mësim dhe as do i shkojë mendja, se thotë më mori gjemani më futi 7 pashë nën dhe. Kjo është gjëja që bën ndryshimin. Teoria të ankohem se më kërkuan lekë këtu e më kërkuan lekë aty, a provove të luftosh? Jo. Atëherë?!

Jam student pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Master i Shkencave, viti i parë. Gjithashtu dhe përfaqësues i studentëve në Senatin Akademik. Zoti Kryeministër, pyetja e para është shumë e ndjeshme, kur do të realizohet Karta e Studentit dhe çfarë përfitimesh do të kenë studentët për transportin publik, a do ketë reduktim çmimi për studentët në këtë Kartë, meqë shumica e studentëve janë nga rrethet dhe unë jam nga Kukësi. Pyetja e dytë, një nga 8 kërkesat e studentëve ishte zgjidhja e një studenti në Bordin e Administrimit të Universitetit. Ju keni thënë që do e realizoni. Çfarë kriteresh duhet të plotësojë studenti dhe si do të zgjidhet ai, për të qenë anëtar i Bordit të Administrimit të universitetit?

Kryeministri Rama: E para, Karta e Studentit është një angazhim që për hir të të vërtetës duhet të ishte plotësuar. Nuk është plotësuar e nuk po i hyj për çfarë arsyesh. Gjëja që kemi bërë dhe që kemi dashur të bëjmë dhe që besojmë të bëjmë me Kartën, është që të hyjmë në rrjetin e Kartës Europiane të Studentit. Është një rrjet i ri që është krijuar. Ne e kemi filluar qysh në fillim të vitit të shkuar diskutimet. Kemi marrë një dakordësi me organizatën franceze, që është ofruesi i Kartës Europiane dhe duam që të finalizojmë këtë proces në mënyrë që Karta e Studentit të jetë e vlefshme dhe ashtë vendit dhe në ato vende që janë pjesë e network-ut, se nuk janë të gjitha vendet, por në fakt po regjistrohen njëra pas tjetrës. Është një network që BE e ka hapur edhe për vendet jo anëtare, pra, për vendet e Ballkanit dhe të mund të përfitojnë njësoj. P.sh., nëse shkon në Paris, të përfitosh nga Karta Studentore e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të gjitha ato që përfiton një student në Paris nga Karta Europiane e universitetit të tij, ose të saj në Francë.

Ndërkohë, përsa i përket çfarë do përfitohet këtu, ka filluar procesi me bashkitë dhe me institucionet e tjera, në mënyrë që Karta të ketë një vlerë kudo, d.m.th., që Karta e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” vlen jo vetëm për zonën e Elbasanit, por të vlejë për kudo. Nëse për studentin ka hyrje të lirë në Parkun e Butrintit, atëherë të gjithë studentët shqiptarë të kenë mundësi të hyjnë lirisht në Parkun e Butrintit dhe në të gjithë listën që ka përgatitur Ministria e Kulturës dhe  institucionet e tjera.

Ndërkohë bashkitë, Bashkia e Tiranës p.sh., po punon për të pasur edhe marrëveshje me kompani private për blerje në dyqane të caktuara. Me Kartën e Studentit bëhen marrëveshje mes bashkisë dhe këtyre shërbimeve për ulje 10%, 20%, 30% etj..

Përsa i përket transportit, kjo është një çështje e politikave të bashkive. Nuk mund të ketë diçka uniforme. Nëse udhëton në Tiranë, është ndryshe, nëse udhëton në Vlorë është ndryshe. Pra, sa i përket transportit ndërurban, kjo është diçka që po e studiojmë. Nuk është e thjeshtë, por po e studiojmë, sepse nuk duam që, nëse ne kërkojmë ulje, kjo të kthehet në rritje për qytetarët. Kompanitë mund të thonë, ju doni ta ulni për studentët, ne e rrisim për qytetarët. Prandaj na duhet kohë për t’i bërë të gjitha këto. Kartën e kemi premtuar për ta shpërndarë në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

Bordi i Administrimit është bordi i aksionerëve. Aksioneri kryesor është shteti, qeveria, sepse qeveria financon dhe qeveria në Bord është për të kontrolluar financat, nuk është për të marrë vendime. Bordi nuk merr asnjë vendim, në kuptimin e politikave të universitetit. Janë vendime të Senateve. Faktikisht, Bordet i ratifikojnë vendimet e Senateve dhe kurrë nuk kanë dalë kundër, të thonë “jo”.

Aty ku çalon demokracia e brendshme në universitete, është tek Senatet dhe te Këshillat Studentorë. Këshillat Studentore, ju e  dini vetë, janë fantazma politike të zgjedhura s’mbahet mend qëkur, të manipuluara në një pjesë të madhe. Normalisht, unë akoma pyes veten, pse askush ende brenda universitetit nuk kërkon rizgjedhje të Këshillave Studentore. Këtë nuk e kuptoj. Nuk e kërkon njeri këtë. Mos harroni se nga Këshillat Studentorë shkohet në Senat. Këshillat Studentorë zgjedhin anëtarët e studentëve në Senat dhe anëtarët e studentëve në Senat janë ata që kanë të gjithë aksesin në vendimmarrjen e Senatit. Senati është ai që merr vendime. Bordi është ai që i ratifikon dhe i monitoron vendimet, pra, monitoron financat. Të qenit e anëtarëve të Bordit nga ana e qeverisë aty janë një garanci për ju, sepse bëjnë kontrollin financiar, ose monitorimin financiar.

Ajo që ka munguar dhe që ne do ta rregullojmë tani është që anëtarët e Bordeve jo gjithmonë kanë qenë një profil solid. Do të bëmë një proces të hapur dhe në Borde, pjesa e qeverisë do të mbulohet nga personalitete. P.sh., personalitete që kanë një lidhje me Elbasanin, që kanë një lidhje me universitetin “Aleksandër Xhuvani”, që mund të mos jenë fare këtu në Elbasan, mund të jenë personalitete publike, njerëz që janë personalitete të fushave që ka universiteti. Midis tyre ne do zgjedhim dhe do themi është nder i madh që ju të shërbeni në Bord. Studentëve iu kemi lëmë një zgjedhje, jo të zgjedhin një student, se nuk e ka askush dhe s’ka sens, por studentët t’i sjellin qeverisë 3 propozime dhe qeveria të zgjedhë 1 nga 3 personalitetet që ata i konsiderojnë përfaqësues të tyre, ose të denjë për Bordin. Ndërkohë universiteti ka 3 në Bord. Në Senat, ju mund të bëni betejën tuaj aty dhe të thoni pse duhet të jenë 3 pedagogë, por të jetë edhe një student. Ju futuni nga ana e universitetit, por nuk mund të futeni nga ana e qeverisë, e cila është aty për shkak se financon dhe ka të drejtën t’i kontrollojë financat, nuk mund të hedhë lekë në gropë dhe të mos shohë se çfarë ka ndodhur.

Ndërkohë ajo që shoh unë e që kërkohet vazhdimisht, është, pse nuk e kontrolloni ju këtë, apo pse nuk ndërhyni ju aty? Nuk i bën qeveria këto. Jam shumë i habitur nga disa pedagogë, të cilët bëjnë protesta për vendimet e qeverisë, për VKM-të.

VKM-të shkelin autonominë, – thonë.

Nuk e di cila VKM shkel autonominë.

VKM-ja që e përgjysmon tarifat shkel autonominë?!

VKM-ja që e përcakton blerjen e bibliotekës digjitale shkel autonominë?!

VKM-ja që përcakton bursat shkel autonominë?!

VKM-ja që merret me çështjen e botimeve?!

VKM-ja për Kartën?!

Apo VKM-ja për hapjen e Bordeve për personalitetet publike?!

Kush e shkel?

Nëse e kanë për VKM-në që lidhet me kontrollin e plagjiaturave, ne e kemi bërë shumë të qartë, qeveria nuk ka bërë dhe nuk bën dot kontroll plagjiaturash. Qeveria mund ta lehtësojë këtë proces, duke vendosur disa rregulla dhe i jemi referuar Rrjetit Akademik Shqiptar përsa i përket aspektit të regjistrit digjital të doktoraturave. Pastaj është universiteti që duhet të ndërtojë një proces për të bërë të gjithë këtë. Nuk ka një rrugë tjetër.

E kam dëgjuar dhe nga të tjerë  të thonë, merreni në dorë vetë, se ata do e bëjnë kështu e ashtu. Nuk është një arsye, mosfunksionimi i disa elementëve, që ne të ndërhyjmë dhe të rimarrim në dorë universitetin dhe të heqim autonominë universitare.

Po ashtu e keni dëgjuar të thonë se ligji i Arsimit të Lartë e ka fajin, por askush nuk thotë në cilën pikë të ligjit. Ata që janë kundër ligjit të Arsimit të Lartë janë si ata që deshën të dilte Anglia nga BE dhe akoma sot nuk kam dëgjuar dhe e kam ndjekur atë debat me shumë interes dhe kam ndjekur edhe këtë pyetje që e bëjnë ata që janë kundër daljes, na thoni një gjë, një rregull të BE-së që ju pengon juve të bëni një ligj, të bëni një normë, të ndërtoni një mekanizëm. E njëjta gjë është edhe këtu. Më thoni te ligi i Arsimit të Lartë, një pikë që pengon një gjë në rrugën e arsimit të lartë dhe hajde ta heqim. Më thoni një! Ligji i Arsimit të Lartë financon privatët, thonë. E pavërtetë! Nuk ka asnjë qindarkë që të ketë shuar tek privatët. Edhe pse unë e kam thënë gjithmonë, ata që shkojnë marrin arsim në universitet privat nuk i ka pjellë lopa, i ka lindur nëna. Janë fëmijë prindërish, njësoj siç jeni ju këtu. Ata prindër paguajnë taksa edhe për ju. Kështu që unë nuk e shoh këtë ndarje në formën që njëri është i nënës e tjetri është i njerkës, por e vërteta është që asnjë qindarkë nuk është dhënë. I është dhënë akses në kërkim shkencor, patjetër. Nëse një grup studentësh, pedagogësh duan të përfitojnë fonde për kërkim shkencor dhe ata janë në universitet privat dhe i meritojnë ato fonde, pse mos t’i marrin. Por nuk kanë marrë asnjë qindarkë deri tani.

Unë jam nga qyteti Divjakës, viti dytë Master.

-Unë jam nga qyteti Divjakës, viti dytë master. Në radhë të parë, problemi që kemi ne këtu në konvikte është që, unë kam 5 vite që jetoj këtu në konvikt dhe shikoj që nuk ka pas ndonjë investim për konviktet realisht dhe ajo që na mungon janë shumë gjëra, por fatmirësisht kemi patur mbështetjen e stafit që janë drejtues në konvikt dhe kjo është ajo që na ka shtyrë që të qëndrojmë në konvikt, të jemi pjesë e tij dhe të vazhdojmë universitetin. A do kemi ne ndryshime dhe çfarë do ndodhë konkretisht? Kur do fillojnë këto dhe çfarë na ofroni ju për konviktet?

Kryeministri Edi Rama: E para e punës, është absolutisht e vërtetë që në konviktin tuaj nuk është investuar që kur ti nuk kishe lindur akoma, besoj. Babai yt ishte bebe që kur është bërë investimi i fundit në këtë konvikt. E nuk është vetëm ky konvikt, ka dhe plot konvikte të tjera. Këtë nuk e them me krenari, por kjo është e vërteta. Ashtu sikundër është e vërtetë që qeveria e parë që ka filluar të investojë në konviktet e studentëve është qeveria jonë. Në takimin me Kancelaren gjemrane në vitin 2014, unë një nga gjërat që i kam kërkuar ka qenë një financim për konviktet. Faktikisht, janë 4 godia që tani janë pothuajse të përfunduara te inxhinieria në Tiranë, janë dhe 9 të tjera, pra 13 godina që bëhen me standarde të ruajtjes së energjisë, që do të thotë me standardet më të larta. Por kjo, sigurisht nuk mjafton, nuk diskutohet. Pra, ti me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën e prindërve që të kanë sjellë këtu mund të thuash, më fal po çfarë më duhet mua se çfarë është bërë atje. Unë di që këtu s’është bërë asgjë. Këtë gjë mund ta thonë shumë të tjerë, jo vetëm për këtë fushë, por dhe për fusha të tjera. Çështja është mundësitë janë ato që janë. Që të bëjmë më shumë duhet të rrisim më shumë mundësitë. Unë po ju them një gjë, nëse protesta juaj do të kishte ndodhur 2 vjet përpara, ju mund të ishit sot para Ministrisë së Arsimit dhe nuk merrnit kokërr leku dot, se s’kishim. 2 vjet përpara ne nuk mund ti përgjigjeshim kërkesës për përgjysmim tarife. Kërkesa është e drejtë dhe ne e plotësojmë sepse mendojmë se është e drejtë, jo sepse kemi ndonjë frikë se çfarë do bënit ju, por është e drejtë. Ama, 2 vjet përpara kërkesa do ishte po kaq e drejtë, se nuk është se dy vjet përpara prindërit tuaj ishin më të kamur, por ne nuk do e plotësonim dot se nuk do kishim mundësi financiare. Sot kemi mundësi. Tani, për të bërë këtë për konviktin tuaj dhe për universitetin dhe për shumë të tjera e kuptojmë se nuk mund të presim gjatë. Atëherë çfarë mund të bëjmë? Hoqëm një projekt të madh infrastrukture për ta investuar përsëri në infrastrukturë, por jo në rrugë, por në infrastrukturë universitare. Këtë vit do të merremi intensivisht me projektet. Do grumbullojmë të gjithë projektet ekzistuese. Ju keni projekte ekzistuese, do plotësoni dhe pjesën tjetër të projektit. E folëm me rektorin sot se si ta ndihmonim që të ngrihet grupi i projektimit dhe të bëhet projekti. Këtë gjë do bëjmë në të gjithë ministrinë tonë me universitetet dhe objektivi ynë është që në vjeshtë, shtator-tetor, ne këtë punë ta vendosim ta nxjerrim në publik dhe të kërkojmë shprehjet e interesit të sipërmarrjes për të ndërtuar partneritete me sipërmarrjen që të fillojmë punën dhe brenda këtij mandati ne të kemi bërë një transformim rrënjësor të infrastrukturës dhe brenda këtij mandati tonë të kemi nisur edhe ndërtimin e veprës më të madhe që hyn në këtë program që është Kampusi universitar i Tiranës. Ky është plani. Kam dëgjuar shumë nga ju që thonë, “po, mirë, si të besoj unë?” Do besosh dhe do kontrollosh, s’ke rrugë tjetër. Unë nuk mund të them më shumë se kaq. Ne këtë do bëjmë dhe e kemi sot mundësinë.

Jam studente e ekselencës në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, fakulteti i shkencave të natyrës, dega biokimi ,viti i parë në Master Profesional. Një nga pikat e paktit për universitetin ishte platforma “Punë të Mbarë” për punësimin e studentëve ekselentë. Këto vende pune do të jenë nëpër rrethe, apo vetëm në Tiranë? Kjo iniciativë do të jetë vetëm për vitin 2019, apo do jetë në vazhdimësi? Çfarë do të përfitojmë ne si studentë ekselentë. Pyetja e fundit, Universiteti ynë është një ndër më të mirët. Ne që dalim në profilin e mësuesisë kemi të drejtë të punojmë vetëm në sistemin 9-vjecar. Përse nuk kemi të drejtë dhe ne të punojmë në gjimnaz?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk ka student ekselent në planet, që e ka të sigurt çfarë do ndodhë ditën që do mbarojë shkollën. Nuk ekziston. Është një luftë konkurrencë, betejë e përditshme dhe ideja që unë shkoj në universitet dhe shteti duhet të më garantojë mua se ku do shkoj pas universitetit është një ide që ka vdekur në dhjetorin e vitit 1990. Deri në dhjetorin vitit 1990, ne jetonim në një sistem kur ti ishe i sigurt se në fund të universitetit do të merrte shteti de do të çonte diku. Nëse ti do ishe te më të mirët, – ka pas dhe atëherë një përqindje, mos gaboj ka qenë 5%, – mund të qëndroje në Universitet ose mund të shkoje në disa pozicione relativisht më të mira se të tjerat në Tiranë.

Përndryshe, ti mund të ishe nga qendra e Tiranës, të merrte shteti dhe të thoshte, “ti do shkosh tani në fshat, në Bajram Curri, 5 vjet”.  Madje, atëherë më kujtohet, ishte monumenti i Bajram Currit në qendër të qytetit dhe kishte dalë ajo shprehja “5 vjet e ke vëlla”, se sa zbrisje nga autobusi shihnin Bajram Currin që e bënte kështu, 5 vjet. Pastaj, pas 5 vitesh, ti mund të riktheheshe, ndërkohë të rinjtë shkonin atje. Pra, nuk kishte një njeri që mbaronte universitetin që t’i thonin je pa punë. Të gjithë në punë. Por jo aty, ku ti mund të synoje ose ku ti me tënden mund ta meritoje, por aty ku të caktonte shteti, në fund të botës. Ky sistem ka vdekur. Ajo që ne duhet të bëjmë dhe unë mendoj që protesta na e ka dhënë këtë mundësi të artë, është që ne të krijojmë kushte që aty ku ka vende të lira, njerëzit të hyjnë sipas meritës. E kemi krijuar këtë me mësuesit. Ti nuk bëhesh dot mësues sot, nëse nuk merr pikët në portal dhe nëse nuk vjen radha sipas pikëve në portal. Është kompjuter. Të gjitha të tjerat janë përralla. Deri dje kishte dhe abuzime. Sot nuk ka dot. Është me ligj. E kemi kaluar dhe në parlament. Ti nuk hyn dot në universitet sot, përpara dikujt tjetër, nëse tjetri i ka pikët më shumë se ti. Le të jesh djali i 7 ministrave bashkë, nuk e kalon dot djalin e një çobani, nëse djali i çobanit ka më shumë pikë se ty. Ka marrë fund. Këtë gjë duhet të bëjmë për punësimin në administratë. Tani te punësimi në administratë, ne kemi një traditë të tmerrshme, ju e keni dëgjuar, tepsia, etj., etj.. Protesta na ka dhënë mundësinë që ne ta mbyllim rrugën e tepsisë. Të gjithë vendet e lira, të gjitha, nuk janë 1000, janë më shumë, të gjitha në administratën publike, pra që janë në shërbimin civil, ose në administratën shtetërore, do të vihen në dispozicion të studentëve që kanë mbaruar me 9-ta dhe me 10-ta vjet dhe që mbarojë sivjet. Nuk kemi mundësi ta shtrijmë më shumë për momentin, që do të thotë, kush ka mbaruar me 9-ta dhe me 10-ta regjistrohet në portal.

Nuk janë vetëm në Tiranë vendet. Ka dhe 30 e ca vende mos gabohem qarku juaj këtu. Regjistrohet. Kam mbaruar vjet financë, me 9.7, shoh atje kam vende të lira në Ministrinë e Financave, kam vende të lira në doganë, kam në tatime, unë bëj aplikimin tim. Taulanti bën aplikimin e vet. Besa bën aplikimin e vet dhe nëse Besa është me 9.8. Taulanti s’diskutohet, është më keq se unë, është me 9.6, unë jam me 9.7, është Besa e para që zgjedh dhe Besa zgjedh vendin në ministri. Mbaroi. Shkon Besa. Vjen radha ime. Pastaj vjen radha e Taulantit. Pastaj vjen radha e dikujt që është me 9.2 dhe ndërkohë unë e shoh, secili nga ju e sheh, nuk është se nuk e sheh. Ti e sheh për këtë vend, në këtë fushë kanë aplikuar kaq njerëz dhe ti sheh aty si i kanë rezultatet. Pra, ti e ndjek garën. Nuk është se gara zhvillohet jashtë syve të tu. Nuk ka intervista. Nuk ka kontakte fare. S’ka rëndësi fare se kë njeh, kë nuk njeh. Është kompjuteri. Ti ke ID-në tënde që e ke marrë kur je regjistruar. Me ID-në tënde, ti futesh dhe sheh te fusha jote sa veta janë regjistruar, si i kanë rezultatet dhe kur e sheh sa janë përpara teje lutesh që, ishalla, ky që është përpara meje të thotë “jo nuk dua të shkoj të punoj në shtet, do shkoj të punoj në bankë ose do shkoj jashtë shtetit. Kjo na jep mundësinë njëherë e para e punës që tepsia nuk çan më, se nuk ka vend. E dyta, kjo jep mundësinë që të gjithë ju të keni një vit eksperiencë, se nëse ju s’keni eksperiencë nuk futeni dot në konkurs, se ligji thotë, po nuk patë eksperiencë, ti nuk futesh dot në konkurs. Mbaroi. Ti thua, “ore unë kam mbaruar shkollën me të gjitha 10-ta. Ku do e bëj eksperiencën unë nëse nuk futem dot?” Pra është si rreth vicioz. Ndërkohë që ligji është i drejtë. Nuk e ka ligji fajin. Ligji është ligj europian. Në Europë nuk bëhet fjalë. Nuk ndodh dot që ti të mbarosh shkollën dhe të shkosh direkt në administratë, nuk punon dot. Të punosh në administratë në Europë është njësoj si të rritesh në gradë. Por është tjetër gjë. Kjo është gjëja që ne kemi bërë dhe pas një viti ty ligji të lejon që të konkurrosh sepse ti e ke lejuar eksperiencën. Atëherë ti konkurron për ta mbajtur vendin tënd. Nëse ti je e zonja do e mbash atë vend që për një vit ka qenë i yti. Nëse vjen dikush tjetër që është më i zoti se ty do ta marrë ai. Kjo është logjika.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini: Tradicionalisht universitetet e rretheve kanë përgatitur mësues për ciklin fillor dhe Universiteti i Tiranës ka përgatitur mësues për shkollën e mesme. Kështu ka qenë gjithmonë. Ajo që po mendojmë tani të bëjmë, në kuadër të fuqizimit të programit të mësuesisë, në përgjithësi dhe këtë do e diskutojmë, nuk e kemi marrë si vendim, por si mendim fillestar, e kemi rritur notën mesatare në 7 për pranimin për degët e ndryshme që prodhojnë mësues, pra që të rrisim kapacitetet e atyre që futen në mësuesi që të kenë mundësi të absorbojnë sa më shumë, me idenë që ta rrisim më tutje notën mesatare hyrëse, duhet të fuqizohen programet brenda që të marrin më shumë dije dhe ndoshta të krijojmë një master që i përgatit mësuesit për të gjithë shkollën e mesme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.