Kreu Aktualitet Parlamenti Europian mirëpriti Reformën në Drejtësi të kryer nga Shqipëria

Parlamenti Europian mirëpriti Reformën në Drejtësi të kryer nga Shqipëria

95
0

Fjala në Parlament e kreut të Grupit të Partisë Socialiste, taulant Balla në seancën e sotme plenare:

Të nderuar kolegë,

Padyshim që kjo seancë është një risi në punën parlamentare, për shkak të dedikimit të problematikave që deputetët mendojnë se janë çështje me sensibilitet publik, por edhe lokal, për rastet që deputetët vlerësojnë të sjellin në seancë zërin e tyre.
Pa dashur të replikoj me z. Musai, dua të them se ky mekanizëm parlamentar është për të sjellë problemet e qytetarëve.

Ka edhe mekanizma të tjerë sikurse janë seancat e pyetjeve, interpelancat, mocionet me debat, në të cilat qeveria përfshihet me detyrimin me afat të përcaktuar për të sjellë përgjigje.

Ju lutem mos prisni që propozime konkrete, të cilat janë alternativa në politikë, të merren në konsideratë si pjesë të politikave të qeverisjes.

Është shumë e rëndësishme po ashtu të kuptojmë se këto mekanizma parlamentarë duhet të fillojnë të përdoren. Edhe seanca e pyetje-përgjigjeve që ngriti z. Karamelo është një seancë, e cila mund të zhvillohet qoftë të mërkurën, qoftë të enjten apo edhe të hënën. Nuk ka asnjë seancë pyetjesh të refuzuar nga ana e ministrave apo e Kryeministrit.

Në këtë kontekst, unë do të doja sot të ndalesha në një rezolutë shumë të rëndësishme të Parlamentit Europian të miratuar javën e shkuar.

Kam pasur mundësinë, edhe si bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, të isha prezent në sallë të mërkurën dhe të enjten teksa diskutohej dhe miratohej rezoluta.
Jam ndjerë krenar që në sallat dhe korridoret e Parlamentit Europian, euro-deputetë të grupit socialist e demokrat, por jo vetëm, të mbanin në duar flamurin e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë së Veriut. Një shprehje proteste e Parlamentit Europian, aty ku mbyllen përfaqësuesit e 28 vendeve të Bashkimit Europian, për të mbështetur fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.
Euro-deputetë nga shtete të ndryshme, madje edhe nga ato vende, të cilat në Këshillin Europian shfaqën skepticizëm dhe bënë të pamundur vendimin unanim të 28 vendeve. Holandezë, danezë, francezë, e thanë shumë qartë në Rezolutë se mos-vendimi i 18 tetorit ishte një gabim strategjik.

Gabim strategjik për Europën, për shkak se besueshmëria politike e Këshillit Europian, duke iu kundërvënë zgjerimit, është vënë në dyshim. Gjithashtu gabim strategjik për Ballkanin Perëndimor për shkak se kjo politikë lë hapësirë për ndikime të tjera, interesat e të cilave jo gjithmonë janë në përputhje me vlerat demokratike të familjes europiane, që ne aspirojmë të jemi pjesë.
Do të doja t’u drejtohesha qytetarëve, ata që na ndjekin. Është hera e parë që në Parlamentin Europian kemi një shumicë prej më shumë se ¾ , 412 euro-deputetë, të cilët shprehën bindjen se Shqipëria ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të përparuar në agjendën e reformave të Bashkimit Europian dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.

Parlamenti Europian mirëpriti Reformën në Drejtësi të kryer nga Shqipëria.
Për këtë Reformë në Drejtësi, Parlamenti Europian shprehet se: Duhet të konsiderojmë përpjekjet më gjithëpërfshirëse në këtë fushë, gjithashtu në krahasim me atë që të gjitha vendet e tjera të Rajonit do të duhet të realizojnë në rrugën e tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pra, Reforma në Drejtësi, jo vetëm që është një histori suksesi në Shqipëri, por Parlamenti Europian u sugjeron edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, sikurse Maqedonia e Veriut, Serbia apo Mali i Zi, të marrin si referencë Reformën në Drejtësi të kryer nga Shqipëria. Kush ka sy ta shikojë, kush ka veshë le ta dëgjojë. Kjo vlen edhe për ata që u rrekën të kapen pas një mos-vendimi për të arsyetuar hallin e tyre. Halli i opozitës rrugore nuk zgjidhet dot, sepse atë hall e krijuan vetë. Ikën vetë nga Kuvendi dhe padyshim është koha për të treguar se bojkoti i institucioneve demokratike është një instrument, i cili i këshillohet kujtdo të mos e përdorë, sepse nuk të çon drejt suksesit.

Por, pavarësisht qartësisë me të cilën u shprehën deputetët në rezolutë, jam i sigurt që edhe ky dokument i rëndësishëm ka mundur të bindë të gjithë skeptikët në vend, përfshirë edhe ata që argumentuan se Shqipërisë nuk iu çelën negociatat për shkak të mos-përmbushjes së detyrave.

Arsyetimi i mos-marrjes së vendimit ka të bëjë më shumë me çështje të brendshme të Bashkimit Europian. Nuk do të ishte Bashkimi Europian, Unioni më i suksesshëm nëse nuk do të kishte vijuar procesi i zgjerimit. Zgjerimi ka sjellë padyshim edhe nevojën për ta reformuar Bashkimin Europian, sistemin e vendimmarrjes. Nuk është e njëjtë të marrësh vendime me gjashtë anëtarë, sikurse ishte Komuniteti i Çelikut dhe Qymyrit dhe sot me 28 vendeve anëtare, ku vetëm procesi i largimit të një prej vendeve anëtare ka kërkuar dhe kërkon ende kohë.

Jashtë mbështetjes për Shqipërinë në Parlamentin Europian ishte vetëm grupimi i ekstremit të djathtë në Parlamentin Europian.

Është një moment që Partia Demokratike të shikojë dhe reflektojë mbi qasjen e partive simotra të përfaqësuara në Parlamentin Europian, Partive Popullore Europiane.

Është e paimagjinueshme gjuha që përdor Partia Demokratike në Shqipëri, për fat të keq edhe Presidenti i Republikës, në fajësinë lidhur me mos-vendimin e Këshillit Europian.

Në mocionin për rezolutën të propozuar nga deputetët e Partive Popullore Europiane, ku spikat z.McAllister, flitet qartë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj në rrugën për fillimin e bisedimeve. Procesi i fillimit të bisedimeve, marrëveshja për anëtarësim, është një proces i gjatë, nuk është anëtarësim, por përfundon me anëtarësimin në BE.

Unë sot do të doja t’ju bëja thirrje deputetëve të opozitës këtu në këtë sallë: është në detyrën tonë historike që ne të vijojmë punën për realizimin e detyrave të shtëpisë, të cilat duhet ti realizojmë.

Unë mendoj se instrumenti i vënë në dispozicion nga Bundestagu, përmes disa hapave konkretë, është udhërrëfyesi ynë më i mirë. Ne duhet ta përmbyllim Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR deri për Krishtlindje, sepse padyshim deri në Samitin e Zagrebit edhe ata që janë kundër vijimi të procesit të zgjerimit do të kenë ndryshuar mendje.

Gabimi strategjik i bërë më 18 tetor duhet riparuar menjëherë.
Dua ta përshëndes vendimin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore për të bërë ndryshimet e domosdoshme në ligjin për financimin e partive politike. Kemi pasur një rast tepër të rëndë në Shqipëri dy vite më parë, teksa kryetari i Partisë Demokratike është sot nën akuzë publike për financime të dyshimta. Ne duhet ti presim rrugën çdo lloj financimi të dyshimtë të çdo lloj partie politike, përfshirë këtu edhe fushatat zgjedhore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.