Kreu Ditar Persefoni, heroina e bregut…

Persefoni, heroina e bregut…

147
0

Me rastin e 75 vjetorit të rënies

Persefoni Kokëdhima u lind në Qeparo të Himarës në vitin 1924. Ishte veprimtare e luftës dhe veproi me të rinjte e fshatit duke u ardhur në ndihmë partizanëve. Ajo u rreshtua në rradhët e brigades VI-Sulmuese. U shqua në luftimet që u zhvilluan në Shën Vasi të Sarandës. Ajo ishte vajzë e Qeparoit e “Fshatit të kapedanëve”, e këtij fshati me histori gjithë lavdi. Ishte nga një familje e fisme e mirënjohur, me prejardhje nga mëhalla “Bragjini” e Tërbaçit. Ishte Çupë labe, me tipare të larta morale, trimërore, atdhetare.

Persefoni ishte dhe mbetet një yll që ndriçon Kokëdhimajt, Qeparone, gjithë vendin dhe më gjerë. Ajo ishte Yll i pashuar që marshon në kolonën e gjatë të heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ-it, Vajzë bregdetase që do të tregonte akte atdhetarie e heroizmi, e thjeshtë fshati, me shami të bardhë në kokë dseri në vetulla e mbi sytë e zinj e të shkruar, që punonte si bleta, e cila hoqi shaminë e bardhë që mbante mbi kokë dhe vuri shallin e kuq partizan, kapelen me yllin e kuq, pushkën në sup dhe mori pamjen e luftëtares së lirisë. Ngjitej malit e zbriste fushës e Bregdetit duke ecur si sorkadhe, partizane sypatrembur. Trupi i vogël i saj kishte një zemër të madhe, në të cilën ishte futur Shqipëria. Nëna e vet, Kaliopi e kishte lindur dhe Nënëmadhja Shqipëri, e kishte bërë “folenë” në zemrën e saj.

Persefoni e kishte filluar luftën çlirimtare e revolucionare para se të delte partizane. Aktivizohej në grupet e rinisë komuniste. Një ditë e ngarkuan me detyrë që të kulloste dy dhitë e familjes së saj në afërsi të repartit ushtarak Italian dhe atje të vrojtonte sa ushtarë mund të ishin, sa topa e kuaj. Ajo e kreu këtë detyrë dhe informoi shokët e partisë. Por Persefoni nuk mjaftohej me kaq. Donte të shkonte malit te luftëtarët e liriës, ndaj në fillim të vitit 1944 u hodh në radhët partizane. I kishte hije arma, buzëqeshja, thjeshtësia, ndershmëria, shpirti luftarak. E urtë me shokët si vëllezër, e rreptë me pushtuesit e huaj dhe veglat e tij. U shqua në luftimet që u zhvilluan në Shën Vasi të Sarandës. Atje në Malin e Bardhë u bë një qëndresë e fortë kundër nazistëve gjermanë, të cilët sulmonin për të hapur rrugën në drejtim të Bregdetit dhe maleve të Kurveleshit. Ishin luftime të ashpra, që zgjatën 15 ditë e net.

Më 16 Qershor kompania e saj zuri pozicione tek Qafa e Manastirit. Shtrirë nëpër gurë, nën diellin përvëlues, ajo vështronte bukuritë e Jonit kaltërosh. Partizanët kishin etje të madhe për ujë dhe qëndronin të pamposhtur e të palëvizur që të mos diktoheshin nga gjermanët, të cilet ishin mizëri dhe afroheshin nga Nivicë-Bubani. Situata po rëndohej. Persefoni rrëshqiti barkas tatëpjetë mbi gurët e mprehtë që të prisnin si thikë, ndërsa nazistët po afroheshin gjithnjë e më tepër. Persefoni në ato kushte të vështira shkoi e mbushi katër pagure me ujë dhe u kthye. Ndritnin sytë e saj kur shikonte partizanet duke njomut buzët e tyre të thara. Vetë komisari i kompanisë e ndau ujin me kapakun e pagurit që të pinin partizanët nga pak e të gjithë.

Lufta filloi. Motoçiklisti gjerman që ecte në krye të kolonës, u përmbys nga një krismë e vetme pushkje. Patrulla treshë pas tij ra barkas e po kërkonte me sy për të zbuluar kundërshtarin që shtiu dhe u vrau shokun. Pas tyre udhëtonte kolona gjermane me 30 makina. U hap zjarri partizan që armiqtë Ii griu në vend. Nisi artileria e armikut. Në vend dukej vetëm tym e flakë. Gjermanët grupe-grupe të vogla gjysmë të përkulur, ngjiteshin përpjetë drejt partizanëve dhe gjuanin me automatik. Mitrolozi i partizanëve villte zjarr dhe “paloste” nazistët njeri pas tjetrit. Dikush thërriste: “Të lumtë, o Bajazit Shehu!”. Por ky trim ishte vrarë dhe me mitrolozin e tij hapte zjarr Persefoni! Kjo u mësua në mbrëmje, pas thyerjes së sulmit të tretë të gjermanëve. Persefoni ishte parë me mitroloz, të cilin e përdorte në sup, sikur të ishte pushkë dhe thoshte: “Bajazitit ia mora hakën, nesër dua të grij armiq, në hakmarrje të Rexho Kasos, që m’u vra para syve kur hidhja granatat. Eh, ç’djalë xhevahir ishte! Por, në çast një predhë e armikut ra aty afër dhe e goditi Persefonin. Plaga e saj rridhte gjak. Me urdhër të komandës, ajo u detyrua të strehohej në një familje, e cila ishte e lidhur me luftën dhe pas dy ditësh u nis për në Qeparo, që nuk ishte më larg se dy orë.

Në fshat ishte dhënë alarmi se “po shkonin gjermanët”. Nëna e saj, Kaliopi ishte në hall se “ku ta fshihte vajzën partizane”. Persua u ngrit, u vesh ngadalë, mori automatikun dhe u nis lart malit Gjivilash. Pas saj u nis e motra, e cila e arriti në vendin e quajtur “Ziliko” tek burimi i ujit. Atje, ajo pa Person të shtrirë në kllapi. E trembur për gjendjen e saj, motra thirri Lekanën, një plakë të urtë që jetonte aty më sipër me të shoqin. E morën pleqtë mirë Persefonin në krah dhe e futën në kasolle. Ajo s’përmbendej por motra I rrinte tek koka dhe qante. Plaka i shërbeu me banja të ftohta në kokë e në duar deri sa i ranë pak ethet. Kur ajo u përmend, plaka gëzoi…por në derë hynë gjashtë burra, tre gjermanë dhe tre ballistë me armë në duar.

-Hë moj trimëreshë, do të na sjellësëh lirinë? Ngrehu, se turpëruat bregdetin maleve me djem! Hë, ç’pret akoma, mos do tromopil?”.

Persua ktheu kokën nga nënë Lekana, shikoi armiqtë që i qëndronin në kokë dhe, pasi e kuptoi qartë se në duar të kujt ka rënë, u hodh të rrëmbente automatikun, por atë e mbante në krah një adjutant. Qënka e sëmurë vajza, do të na duhet ndonjë gomar ta hipim për ta çuar në fshat, – tha qarkkomandanti. Atje do t’i flasë popullit për punët e liga të partizanëve dhe ne do ta mjekojmë e lirojmë, përndryshe kështu siç është katandisur nuk e gjen behari.

-Mos u bëni merak, zotëri, unë që u ngjita këtu, di edhe të zbres, këmbët i kam të mësuara maleve si çobankë dhish dhe si luftëtare kun dër armikut, – buçiti zëri i Persefonit. “Lidheni” u dëgjua një zë. Fshati ishte mbledhur sipas urdhërit të komandës armike dhe rreth e rrotull qëndronbin gjermanë me automatikë, ndërsa ballistët kontrollonin shtëpitë për të vjedhur sende me vlerë.

Persefonin e sollën të lidhur te rrapi në mes të fshatit. Burrat me grushte e nofulla të shtërnguara, shikonin me urrejtje tradhëtarët, gratë me sy të përlotur vështronin nga bija e tyre, e cila qëndronte trimëreshë. Nënë Kaliopi u sul të mbronte vajzën  me trupin e saj, por roja e goditi me grushtin e tij të rëndë, kurse patrulla gjermane i drejtoi automatikun turmës. Idrizi, nje tradhëtar i shitur iu drejtua Persefonit: Thuaju fshatarëve se heq dorë nga komunistët e shitur, se i pështyn ato muaj turpi në mal dhe unë do të përpiqem që ta shpëtoj jetën tënde.

Por heroina i dha përgjigjen e merituar: “Në vend të fustanit, unë vesha pantallonat, mbi flokët e prera vura kapelen me yllin e kuq, në vend të kërrabës rrëmbeva pushkën e dola malit së bashku me mijëra shoqe e shokë të tjerë që luftojnë për liri. Ky nuk është turp, por nder, nder i madh. Dhe duke iu drejtuar popullit tha: “Mos qani nëna, motra, vendi im në kompani s’mbetet bosh. Shokët do të ma marrin hakën. Ne do të fitojmë! Nuk vazhdoi dot më shumë, se iu hodhën armiqtë e ia zunë gojën.

Në mbrëmje mes kolonës së gjatë gjermane e çuan në burg. Bashkë me Bulen qëndruan të pamposhtura. Më 4 Korrik 1944, aty nga ora 9, makina i çoi të burgosurat në hetuesi.  Persefonit i kërkohej që me çdo kusht ajo të firmoste deklaratë ku të deklaronte se hiqte dorë nga lufta.

-Kam nënshkruar një herë, kapiten kur preva gërshetat, mora pushkën, veç jo me penë e bojë, po më gjak shokësh e shoqesh që bien për liri! Dhe e grisi deklaratën në sy të tij. Ai e kapi nga mjekra vajzën dhe nxori çakmakun, të cilin pasi e ndezi nisi t’i digjte lëkurën e hollë të gushës.

-Mbahu motër, mbahu, duro, thoshte shikimi i Bules. Persefoni ktheu ngadalë kokën, pa Bulen, u mbush me frymë, ngriti grushtin dhe fare qetësisht sikur takohej me të rrugës, përshëndeti “Vdekje fashizmit”.

Togeri i Gestapos ngriti dorën për ta goditur Persefonin, ndërsa Bulja u hodh drejt shoqes për ta pritur vetë goditjen e shkopit metalik të tij, por s’arriti dot. Dy grushtë të fuqishme rrëzuan Bulen te cepi i murit dhe çizmja e qarkkomandantit shkeli mbi kokën e saj dhe më pas dha urdhër për të vazhduar torturat. As ujë, as bukë, as derën s’ia hapnin, as plagët s’ia mjekonin vajzës. Bulja i qëndronte te koka. Eh, ç’dashuri dhe solidaritet! Tortura, presione, kërcënime, pyetje, përgjigje, gjyq dhe më në fund vendimi: Persefoni e Bulja në litar! Të dyja shkuan ballëlartë në litar te dega e rrapit në sheshin e Çerçizit. Persefoni zgjati duart e lodhura dhe kërkoi një krëhër. Ajo ngriti ngadalë duart dhe nisi të krehë flokët e shkurtuar, pastaj puthi Bulen, ngjiti dy shkallët e drunjta, kaloi në qafë litarin dhe i ra vetë me këmbë fronit të vogël pa pritur xhelatin…

Pas Persefonit shkoi në litar edhe Bulja. Të dyja kryelartë, përballë Çerçizit që dukej sikur u thoshte: “Mbahuni o vajza me gjak shqiptari!” Dhe ato qëndruan krenare. Vdekjen e sfiduan. E mposhtën. Eh, ç’heroina ka kjo Toka jonë, ky vendi ynë, ky Kombi ynë! Dy të reja varur në litar. Persefoni mbeti një shqiponjë që vazhdon të fluturojë jo vetëm në hapësirat e Qeparoit, në malin e Gjivlashit, në fushat e gjelbëruara anës detit Jon e Adriatik, por në mbarë vendin dhe jashtë tij.

Në historikun e brigades VI Sulmuese, Persefoni Kokëdhima veçohej si një luftëtare e shquar. Mbi këto motive të heroizmit partizan, vajza e Qeparoit u shpall Heroinë e Popullit.

Dy Heroinave, populli u këndoi këngë: “Dunavat e Palorto,/Ç’vajza keni rritur-o”!

Personi e Bulja rrojnë e do të rrojnë kurdoherë në zemrat tona!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.