Kreu Aktualitet Platforma e bashkëqeverisjes përmirëson shërbimet publike

Platforma e bashkëqeverisjes përmirëson shërbimet publike

58
0

Kryeministri Edi Rama në takimin e përjavshëm me qytetarët që kanë marrë zgjidhje përmes Platformës së Bashkëqeverisjes:

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe mirë se keni ardhur, të gjithë ju që jeni sot të ftuar për të dëshmuar për rastet e bashkëqeverisjes, falë ndërveprimit me platformën.

Dorela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Prezantoj sot rastin e Zonjës Rovena shehu, e cila është mësuese në ciklin e ulët në shkollën 9-vjecare Kamëz e re, me një përvojë 18 vjeçare në sistemin arsimor. Ajo iu drejtua platformës, pasi Zyra Arsimore Kamëz i hoqi të drejtën e shkallës së dytë të kualifikimit, të cilën ajo e kishte fituar, edhe pse dispononte dokumente që e vërtetonin atë. Ministria e Arsimit, pasi trajtoi rastin dhe verifikoi të gjithë dokumentet, vendosi dhe urdhëroi zyrën arsimore Kamëz të revokojë vendimin e saj. Sot, Rovena trajtohet si mësuese specialiste dhe paga e saj është rivlerësuar në masën 10%

Zonja Rovena Shehu:  Jam aktualisht e punësuar në Zyrën Arsimore Kamëz. E kam fituar vendin tim të punës nëpërmjet portalin “Mësues për Shqipërinë”. Jam renditur e para në profilin tim, në zyrën arsimore ku unë punoj. Mbas 10 muajsh punë në Zyrën Arsimore jam ndeshur me një veprim burokratik. Shkalla e dytë e kualifikimit tim është shpallur e pavlefshme për efekt pagese, edhe pse unë disponoja dokumentacionin përkatës. Me bindje të plotë iu drejtova Platformës së Bashkëqeverisjes. Ishte një procedurë shumë e thjeshtë. Nga kompjuteri im u futa në faqen përkatëse, regjistrova ankesën time, i bashkëngjita kësaj ankese dokumentet që mendova se ishin të nevojshëm për shqyrtimin e rastit tim dhe me dy email-e problemi im u zgjidh. Falënderoj Platformën e Bashkëqeverisjes për këtë organizim të përsosur që ka krijuar në shërbim të qytetarëve. Një falënderim të veçantë edhe për Ministrinë e Arsimit pasi unë jam punësuar nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, e falënderoj për reformat e saj. Tashmë unë punoj në një shkollë që është pranë shtëpisë time. Falënderoj grupin e punës që u mor konkretisht me problemin tim dhe ju uroj suksese të mëtejshme.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Rovena për mundimin për të ardhur dhe për të dëshmuar rastin dhe më vjen shumë mirë që rasti është trajtuar dhe është zgjidhur, por, mbi të gjitha, më vjen shumë mirë që me këtë rast, të gjithë mësuesit, të gjitha mësueset e Shqipërisë të dëgjojnë përmes dëshmisë tuaj se, nëse ndeshen me një vështirësi burokratike, nëse ndeshen me një proces administrativ të pafavorshëm në funksion të të drejtës së tyre, nëse ndeshen me një situatë ku nuk arrijnë dot të korrigjojnë në funksion të së drejtës një aspekt të punës së tyre, mjafton t’i drejtohen platformës dhe skuadra e platformës është e gatshme, në kohë reale, të adresojë problemin dhe t’i japë zgjidhje.

Kemi bërë një anketim kombëtar ditët e fundit, lidhur me perceptimin e publikut për shërbimet dhe me kënaqësi kemi konstatuar se ka një përmirësim në këtë perceptim. Përqindja e qytetarëve që vlerësojnë se shërbimet janë të përmirësuara është e konsiderueshme dhe e pakrahasueshme me përqindjen e atyre që kishin të njëjtin vlerësim vetëm 1 vit më parë. Nuk diskutohet që në këtë përmirësim, Platforma e Bashkëqeverisjes ka rolin e vet kryesor, sepse jo vetëm zgjidh probleme, por ushtron presion pozitiv mbi administratën, pasi gjithmonë e më shumë, punonjësit që shërbejnë për qytetarët, po vetëdijesohen se nuk bëhet shaka me të drejtën e një qytetari. Sot, qytetari nuk mbetet pa shpresë dhe pa zgjidhje kur ia përplasin derën në fytyrë, por mjafton t’i drejtohet platformës dhe ai menjëherë ka të gjithë fuqinë e qeverisë në dispozicion. Është bashkëqeverisje në kuptimin më të thjeshtë dhe më të plotë të fjalës.

Enada, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që prezantoj sot vjen nga Shkodra, është ai i Zotit Edmond Çuni. Në vitin 2018, zotëria është pajisur me leje legalizimi dhe më pas ka vijuar procedurat pranë ZVRPP Shkodër, për të bërë të mundur regjistrimin e lejes. Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, hipoteka e Shkodrës konstaton mospërputhje midis sipërfaqes së parcelës ndërtimore dhe asaj të deklaruar në lejen e legalizimit. Për këtë fakt kërkohej një ndërveprim midisi institucioneve, për të bërë të mundur korrigjimin e të dhënave, i cili zgjati në mënyrë të pajustifikuar. Në këto kushte, qytetari vendos t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes dhe brenda 10 ditësh është pajisur me certifikatën e pronësisë.

Zoti Edmond Çuni: Problemi im ka qenë me zyrën e ALUIZNI-t dhe me zyrën e hipotekës. Kam aplikuar për certifikatën e legalizimit që në vitin 2006 dhe na kanë zvarritur shumë. Në vitin 2018, dëgjova për portalin dhe vendosa të bëja një aplikim. Nuk pata shumë shpresë, por thashë se nuk humb gjë. Erdhën, bënë matjet, u pajisa me lejen e legalizimit, e çova tek zyra e hipotekës për regjistrim. Ata ma kthyen dokumentacionin mbrapa se kishte bërë një gabim ALUIZNI, prandaj duhet të aplikoja për herë të dytë. Kur bëra ankesën herën e dytë, zyrat sjellin certifikatat me vonesë se kanë fluks pune dhe thashë të bëja dhe një ankesë tjetër. E bëra, ma sollën 1 javë para afatit. Kkështu që jam shumë i gëzuar dhe uroj të vazhdoni kështu gjithmonë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit që ke ardhur nga Shkodra për të sjellë këtë dëshmi dhe është rasti për të thënë se, – në kujtesën time e kam përsëritur disa herë në këto evente javore të bashkëqeverisjes, – ne ishim angazhuar për një reformë shumë të vështirë, por të domosdoshme të të gjithë agjencive të titujve të pronësisë. Sot nuk kemi më hipotekë dhe ALUIZNI të ndarë, por kemi një agjenci të vetme, e cila sapo ka filluar procesin e bashkimit të të dyjave. I kemi dhënë fund pas 20 vitesh, një ecejaku të pafund mes ALUIZNI-t dhe hipotekës që ka marrë kohë të madhe nga qytetarët, ka shpenzuar energji të pafundme të tyre për të marrë në fund një certifikatë dhe ka penguar edhe procesin e konsolidimit të gjithë hartografisë në dispozicion të hipotekave, që është një nga plagët më të rënda, më të infektuara dhe më të vështira për t’u shëruar, që kemi trashëguar, se bëhet fjalë për harta që janë fizikisht copë-copë. Për fat të keq, në mandatin e parë, ne nuk arritëm dot të imponojmë ekzekutimin e një vendimmarrjeje shumë të thjeshtë, që hipoteka të merrte të mirëqena hartat e ALUIZNI-t, sepse ato janë harta të krijuara nga puna në terren dhe aktuale dhe përplasjet mes këtyre dy hartave kanë krijuar situata nga më absurdet, por me një kosto të lartë për qytetarët. Më në fund ia kemi dalë. Kemi një agjenci të vetme dhe shumë shpejt, në javët, në muajt në vijim, qytetarët do të shohin që kur shkon për të marrë një legalizim, nuk do të të thotë më njeri “urdhëro lejen dhe shko tek hipoteka”, por ke aplikuar për legalizim dhe në fund merr certifikatën e hipotekës. Pra, nuk ka më dy stacione. Vajzat dhe djemtë që merren me këtë element të punës së platformës kanë mijëra raste ecejakesh mes hipotekës dhe ALUIZNI-t. Kjo ecejake ka marrë fund. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt konsolidimit të një procesi që ne duam një orë e më parë ta kthejmë në një proces automatik, që mos ketë më nevojë për të mbajtur radha e për të pritur, por kjo do kërkojë kohën e vet.

Ernesti, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot, para jush dua të sjell rastin e Zonjës Valbona Gjokaj, banore e njësisë 11 në Tiranë, e cila adresoi ankesën e saj në drejtim të Ministrisë së brendshme, në drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile pasi gjatë marrjes së një certifikate personale në gjuhën e huaj konstatoi që mbiemri i saj ishte shënuar gabim. Pavarësisht kërkesës së saj për korrigjim, ky korrigjim nuk ishte bërë i mundur. Me marrjen e kësaj ankese, drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile bëri të mundur verifikimi si dhe koordinimin me zyrën e njësisë administrative dhe bëri gjithashtu korrigjimin e këtij gabimi.

Zonja Valbona Gjokaj: Kam pasur një problem me mbiemrin. Kërkoja një certifikatë me 7 gjuhë dhe ma dhanë gabim. Iu drejtova gjendjes civile dhe për 10 ditë i çova në Ministrinë e Rendit. Kisha dy muaj që sorollatesha dhe nuk mu zgjidh asgjë. Atëherë iu drejtova portalit të bashkëqeverisjes. Shkova në Laprakë, atje ku janë zyrat e PS. Ata çunat atje më ndihmuan. E bëra kërkesën dhe për 7 dit mua më ka ardhur përgjigja e mbiemrit. Ju falënderoj, jeni shumë të mirë.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që i je drejtuar zyrës që është hapur atje nga deputeti. Zyrat e deputetëve tanë në shumë zona janë kthyer në zyra të bashkëqeverisjes dhe funksionojnë për gjithë qytetarët. Të gjithë ata, të cilët kanë nevojë për ndihmë se nuk aksesojnë dot platformën nga telefoni, apo nuk kanë kompjuter në shtëpi, mund të shkojnë në njësinë administrative, në postë, apo në zyrat e bashkëqeverisjes që janë hapur nga partia apo nga deputetët e PS, që i shërbejnë gjithë qytetarëve padallim. E rëndësishme është që nuk ka nevojë të sorollateni më lart e poshtë, nuk ka nevojë më të prisni me javë e me muaj për të marr përgjigje nga një zyrë. Në momentin që afati i marrjes së përgjigjes skadon dhe ju nuk e keni marrë përgjigjen, mos prisni, mos u sorollatni, mos kërkoni rrugë të tjera, mos lejoni t’ju shikojnë nga xhepi, mos kërkoni deputetin, kushëririn, krushkun e me radhë, thjesht një klik, shqiperiqeduam.al dhe menjëherë keni qeverinë në krahun tuaj. Kur them qeverinë, drejtpërdrejtë ministrin apo ministren. Rasti konkret është ndjekur nga ministri i Brendshëm personalisht, sepse këtë kuptim ka bashkëqeverisja, që qeveria është një instrument në dorën e çdo qytetari, edhe kur bëhet fjalë për hallin e tij të “vogël” kur e shikojmë nga jashtë, por shumë të madh kur e ke. Rasti i një mbiemri për t’u ndryshuar në gjendja civile është një hall mikroskopik për të gjithë ne, por kush e ka mbiemrin e nuk e ndryshon dot, imagjinoni çfarë halli i madh është. Të duhet të saktësosh mbiemrin tënd në një copë letër, se përndryshe nuk bën dot shumë gjëra të tjera.

Juela, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Sot ju sjellim rastin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për qytetarin Arqile Veshi nga Tirana. Zoti Veshi është ish-ushtarak dhe ankohet në platformë n e bashkëqeverisjes për shkak se nuk ka arritur të ketë një pension të saktë, siç i takon, përfshirë suplementin dhe pensionin e pleqërisë. Menjëherë ministria e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Institutit të Sigurimeve Shoqërore, verifikoi dosjen e plotë të tij dhe i dha të drejtë. Për më tepër ftojmë zotin Veshi për ta ndarë me ne rastin.

Zoti Arqile Veshi: Unë në radhë të parë falenderoj Zotin Kryeministër që ka organizuar këtë strukturë, e cila zgjidh dhe ballafaqohet me problemet që kanë njerëzit. Dëshiroj të uroj që këtë mënyrë organizimi të jetë në të tëra hallkat e sistemit shtetëror. Zonjat që janë marrë me problemin tim i falënderoj për korrektësinë dhe uroj që të kenë sukses dhe si ato të ketë dhe të tjerë Shqipëria.

Kryeministri Edi Rama: Është ndoshta nga rastet që më japin më shumë kënaqësi, kur sheh pensionistë, të cilët ndryshe, pa Platformën e  Bashkëqeverisjes do e kishin të pamundur të zgjidhnin hallin e tyre nëpër gjithë ato historitë e burokracisë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, me drejtoritë e Sigurimeve Shoqërore, të cilat janë akoma larg së qeni të reformuara dhe të konsoliduara në procedurat e tyre, sepse dhe aty është trashëguar një situatë katastrofike, që ka përmirësime të ndjeshme, por që sidoqoftë mbetet një situatë problematike që krijon probleme për shumë njerëz. Kemi pothuajse çdo herë këtu një rast pensioni që kërkon korrigjim, apo pensionistësh që kërkojnë t’iu njihen diferencat e munguara të pensioneve të marra në kohë. Faktikisht është kënaqësi të shikosh me sa shpejtësi dhe efikasitet Platforma ua zgjidh hallet pensionistëve. Iu lutem të gjithë pensionistëve që na dëgjojnë që, nëse kanë një problem me pensionin, të mos hezitojnë, por direkt përmes Platformës, me një nip, me një mbesë, djalë a vajzë, nuse apo dhëndër, me një komshi, te njësia administrative, te posta, ose te zyra më e afërt e bashkëqeverisjes, ngritur nga PS,të na drejtohen dhe menjëherë me çështjen angazhohet skuadra në Ministrinë e Financave dhe është ministrja e Financave që e ndjek personalisht çdo rast.

Dorina, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantoj sot i përket Zotit Zef Nikolli nga qyteti i Lezhës. Qytetari iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes në lidhje me ankesën e tij mbi OSHEE-në. Ai posedonte një ambient të cilin e jepte me qira në qytetin e tij. Në muajin nëntor edhe pse ky ambient ishte bosh, fatura erdhi 5 mijë kilovat. Atëherë qytetari u ankua në zyrën pranë klientit. Pasi u ankua disa herë dhe nuk gjeti zgjidhje, ai vendosi t’i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes. Menjëherë ankesa u trajtua nga OSHEE, sëbashku me koordinatorët dhe përkatësisht Drejtoria Rajonale në Shkodër bëri të gjitha verifikimet përkatëse duke ngritur një grup pune dhe tashmë kjo ankesë është e zgjidhur.

Zoti Zef Nikolli: Është një privilegj për mua, njëkohësisht dhe kënaqësi që ndodhem përpara Kryeministrit të vendit, për t’i qarë një hall që në aparencë duket shumë i vogël, por mua më ka rënduar shumë. Iu drejtova portalit tuaj dhe brenda 24 orëve më është zgjidhur problemi i mbifaturimit 5 mijë kilovat. Shumë faleminderit!

Flavia, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Një qytetar i Tiranës, Zoti Ytbi Hajdërdhi i drejtohet Platformës së Bashkëqeverisjes në emër të 40 familjeve që jetonin në rrugën “Reshit Çollaku”. Ky komunitet i vogël banorësh kishte rreth 2 vite që i drejtohej strukturave përgjegjëse mbi gjendjen e rrugës ku ata banonin, pasi mungonte ndriçimi, mungonte sinjalistika e duhur, por nuk kishin gjetur asnjë zgjidhje. Ankesa u trajtua bashkë me strukturat përgjegjëse të Bashkisë Tiranë, të cilat reaguan menjëherë për të zgjidhur situatën.

Zoti Ytbi Hajdërdhi: Iu drejtova bashkëqeverisjes nga zyra e postës, bashkë me shokët, 40 familje. Brenda javës na erdhi ndriçimi. Rruga ishte bërë. Tani presim të na bëjnë dhe rezidencën për makinat. E dyta, bëra një kërkesë për shtesë, 5 vjet me radhë te ALUIZNI, nuk çaja dot. Iu drejtova Portalit, për 3 ditë më kanë ardhur nga ALUIZNI, më kërkuan ndjesë dhe nuk kaluan as 16 ditë, më thërrasin të shkoj të marr lejen e legalizimit. Jam shumë i kënaqur nga Platforma e Bashkëqeverisjes dhe nga ti Zoti Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Që të jemi korrekt, është meritë e vajzave që punojnë këtu dhe e djemve, por patjetër edhe e drejtuesve, ministrave, ministreve.

Dua të ftoj për ta mbyllur një prurje të re në skuadrën e Bashkëqeverisjes, e cila vjen nga Fakulteti i Drejtësisë me grupin e studentëve të ekselencës. Ka mbaruar me mesatare 9.34 dhe tani vazhdon studimet Master Shkencor Publik në universitet, por është një nga shembujt që masterin e paguan me punën e vet. Nga pozicionet që mund të zgjidhte në ministri apo Kryeministri, zgjodhi ekzaktësisht agjencinë e Platformës së Bashkëqeverisjes.

Ina Veliu, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje: Jam diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në ciklin e studimeve Bachelor. Si çdo student tjetër, shqetësimi im pas diplomimit ishte punësimi. U informova mbi portalin www.punetembare.al dhe vendosa të aplikoj me besimin që do të arrija sa më lart profesionalisht në degën që kam studiuar. Aplikova. Ishte një proces i shkurtër, rreth 5 minuta. Brenda shumë pak ditësh erdhi përgjigja. Unë shpreha interesin për pozicionin specialist në Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje. Arsyeja pse e zgjodha këtë është sepse unë besoj në faktin që ne mund të përmirësojmë sëbashku vendin tonë për Shqipërinë që ne duam. Jam e sigurt se mund ta arrijmë këtë. Në këtë Platformë ndihmohen qytetarët me veprime konkrete dhe brenda një kohe shumë të shkurtër.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithë të ftuarve për mundimin që morët, pasi, pas të gjithë asaj që keni hequr, mund të thoni, s’kemi më mundësi të vijmë të bëjmë dhe këtë punë, por realisht keni dhënë kontribut për të ndihmuar që mesazhi ynë të shkojë tek të gjithë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.