Kreu Aktualitet Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese

Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese

236
0

Deklaratë e Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e përshëndet përpjekjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të kërkuar “përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese, ndaj të gjitha çështjeve”, që sipas tij, Presidenti i Republikës, “nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”, siç shprehet Presidenti përmes zëdhënësit, lidhur me dekretimin e Ministrit të Brendshëm.

Duke nënvizuar se “herën e pare”, Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qene Kryeministri qe i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht.

Jo vetëm kaq, po në funksion te adresimit shterues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në formë pyetësori drejtuar Ministres së Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë.

Duke shprehur besimin se në këtë proces të ri, ku Kuvendi ka padiskutim fjalën e fundit pas Kryeministrit e Presidentit, Presidenti i Republikës, nuk do të ketë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, Kryeministri i Shqipërisë do të bashkëpunoje me durim e me përkushtim të plotë me Presidentin e Republikës, për ta ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjellë e shtuna e shkuar.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here