Kreu Aktualitet Prezantohet projekti i Kampusit të ri Universitar në Qytetin Studenti

Prezantohet projekti i Kampusit të ri Universitar në Qytetin Studenti

523
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit të Kampusit të ri Universitar në zonën e Qytetit Studenti:

Sot, këtu, ne prezantojmë jo diçka të re, por prezantojmë një pune të nisur në vitin 2015, kur organizuam konkursin për Kampusin, me pjesëmarrjen e disa ekipeve të huaja dhe shqiptare. Në atë konkurs doli një fitues. Ekipin fitues e përfaqëson këtu, Pier Paolo Tamburelli, një arkitekt i njohur dhe po ashtu një partner i kahershëm i Bashkësisë së Tiranës, me disa iniciativa që kemi pasur në bashkëpunim me Qeverinë Holandeze. Më pas, projekti ngeci për një shkak shumë konkret dhe shumë domethënës, sepse gjithë puna, e parashikuar të bëhet në këtë territor, ka nevojë për territorin dhe territori rezultoi nga gjitha të dhënat e mbledhura për të çuar projektin më tutje, një tokë e xanun.

Tokë e xanun nga politikanët e partisë që lindi këtu, në Qytet Studenti. Morën nga studentët energjinë e madhe, për të transformuar Shqipërinë nga një regjim komunist në një demokraci dhe ajo që bënë për Qytetin Studenti ishte thjesht t’i merrnin dhe pronat.

Nga viti 1990 deri në ditët tona, në Qytetin Studenti kanë ndodhur disa ndërhyrje mikroskopike, siç është përshembull, ndërhyrja e përmirësimit të kësaj salle, apo ndonjë gjë tjetër, por nuk është bërë asgjë për të përballuar ndryshimin e madh që njëkohësisht ka shoqëruar procesin e transformimit shoqëror, me rritjen e numrit të studentëve. Në të njëjtat godina prezumohet se do strehohet një numër shumë më i madh studentësh. Ashtu sikundër ka ndodhur dhe me universitetin në tërësi. Simboli i këtij zaptimi është marrja e mensës së madhe të Qytetit Studenti, nga vëllai i një presidenti republike, ose më saktë, nga Presidenti i Republikës për vëllain, se po të ishte vëllai vetëm, pa presidentin, nuk do merrte dot as një lugë, jo të merrte gjithë mensën dhe kthimi i mensës në loto.

Bibliotekat e Qytetit Studenti, sallat e leximit, më saktë, u kthyen në klube striptizmi, ose në loto dhe po ashtu u zaptuan godina për qëllime personale, u ndërtuan pa leje, u ndërtuan dhe me leje. Kjo që po ju them vlen vetëm që ju dhe ata që na dëgjojnë të kuptoni diçka, që këta nuk janë thjeshtë zaptues që mund t’i marrësh e t’i largosh dhe kjo është arsyeja pse edhe projekti është vonuar. Këta janë pronarë. Këta kanë regjistruar prona në Qytetin Studenti dhe më legjislacionin tonë e me çdo legjislacion normal, u regjistrua si u regjistrua, pranona e regjistruar nuk zhbëhet dot, përveçse me lekë në dorë, duke i shpronësuar. Pasi e përdhunuan Qytetin Studenti për kaq shumë vite, me loto e me klube striptizmi, tani do t’i marrin edhe paratë me të cilat mund të rindërtoheshin gjithë këto hapësira, sepse janë pronarë që duhen shpronësuar.

Kjo është një nga plagët më të rënda që u hapën në 20 e kusur vite, me zaptime e me regjistrime pronash të grabitura në hipotekë, apo me legalizime aty ku legalizimet nuk duhet të ndodhin. Edhe këtu, ligjërisht nuk duheshin bërë legalizime, sepse ky territor është territor i universitetit. Është territor për qëllime universitare. Janë bërë legalizimet, këta janë pronarë dhe përsëri duhet t’i paguajmë.

Kjo është një padrejtësi e jashtëzakonshme, por e vetmja rrugë për të hapur procesin e ndërtimi të Kampusit është shpronësimi. Rrugë tjetër nuk ka.

Hyra në bisedë kështu, për të bërë të qartë që është e vërtetë, nëse e shohim realitetin, edhe në Qytetin Studenti, edhe në universitet, edhe kudo, me sytë e asaj që ne duam të jetë, jemi shumë larg, por, nëse e shohim me sytë e asaj që ishte e po ashtu me mënyrën sesi ne i qasemi këtij realiteti, sot është dita, dje ishte nata. Ky është fakt.

Çlirimi i territoreve të universiteteve dhe spitaleve ka qenë një nga sfidat më të mëdha tonat në këto 5 vite e pak. Kemi harxhuar energji të jashtëzakonshme, kemi harxhuar dhe para. Para disa kohësh çliruam territorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Bëmë një operacion masiv shembjesh të godinave, por një pjesë e tyre na u desh ta shpronësonim për të njëjtat arsye që ju thashë; Pavarësisht se janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, janë legalizuar në shkelje të ligjit, faktikisht ishin godina me hipotekë dhe për ta nxjerrë nga hipoteka një godinë, duhet a shpronësosh të ashtuquajturin pronar.  Sot, në Universitetin Bujqësor ka ndodhur një transformim i rëndësishëm dhe janë krijuar premisat për të shkuar më tutje, me investimet dhe me projektin që ne kemi. Ndërkohë që këtu është pjesa e luanit përsa i përket hapësirës dhe përsa i përket ambicies që kemi, për të bërë transformimin e Kampusit.

Ama ia vlen që të ritheksohet një gjë, ne nuk kemi pritur protestën për t’u kujtuar se ka konvikte, se ka probleme, se ka nevoja. Sigurisht që nuk kemi bërë dhe nuk kemi mundur dot, edhe sikur të donim, nuk do mundnim dot të bënim aq sa duhej, për të qenë sot të qetë në raport me ju. Por, ama, në vitin 2015 kemi organizuar këtë konkurs, në vitin 2014, unë e kam shtruar me kancelaren gjermane kërkesën që sot na ka dhënë mundësinë të kemi financimin e Bankës Gjermane për Zhvillim, për ndërtimin dhe rindërtimin e konvikteve.

Konviktet tek inxhinieria janë drejt përfundimit. Nëntë godina të tjera do të fillojnë e do të përfundojnë edhe këtu, me standarde absolutisht të larta. Një tjetër pjesë e programit është negociuar dhe ne presim ta nënshkruajmë për një grup tjetër konviktesh. Ndërkohë jam shumë falënderues, – do ta bëjmë në mënyrë edhe më ceremoniale këtë, – atyre sipërmarrësve që me shumë sens qytetarie, përgjegjësie, njerëzillëku, kanë ndihmuar në këtë fazë, duke kontribuuar për riparime të rëndësishme në konvikte. Agjencia turke e Zhvillimit po ashtu është këtu në Qytetin Studenti e po punon dhe ndërkohë qeveria i ka vënë në dispozicion Bashkisë së Tiranës, një buxhet që hapet së shpejti, për të vazhduar punën.

Ajo që mbetet ambicia jonë është që brenda këtij mandati, të gjitha konviktet të jenë në një situatë katërcipërisht ndryshe dhe ndërkohë, sëbashku me Bashkinë e Tiranës, ne të fillojmë ndërtimin e këtij Kampusi dhe brenda mandatit tjetër të Kryetarit të Bashkisë, ne të përfundojmë Kampusin universitar.

E di që për shumëkënd, se kam dëgjuar shumë çudira, këto ditë, nga ju, – whatsapp-i im është një arkiv që unë e kam ruajtur e në të ardhmen mbase do bëhet dhe një libër kronikë, kronikë e dhjetorit që nuk erdhi dhe ndër shumë çudira, kanë qenë mesazhet e disave që janë këtu në konvikte, pas vitit të ri. Shkuan për të bërë Vitin e Ri nëpër shtëpi dhe shkruanin, pse nuk janë rregulluar konviktet. Ishin vlonjatë, besoj unë. Dyshoj shumë se ishin vlonjatë, megjithëse nuk i kam pyetur për origjinën. Gjërat patjetër duhet të ishin bërë me kohë e me vakt dhe po të ishin bërë me kohë e me vakt, nuk do vinte radha ime të bëhesha kryeministri i këtij vendi, por ja që nuk u bënë.

Kush i numëron vitet kollaj e thotë, po bëhen 6 vjet, si nuk i rregullove të gjitha, bën një llogari shumë të shpejtë dhe të gabuar. Ndërkohë që secili duhet t’i kthehet shtëpisë së vet, prindërve të tij, kur flet për Shqipërinë.

Cili nga prindërit tuaj nuk do donin që t’ju çonin juve jo në konvikt, por në hotel me kushte optimale? Pse nuk ju çojnë në hotel e ju sjellin këtu?

Sepse nuk i kanë mundësitë.

Atëherë, pse nuk marrim borxh?

Sepse borxhi të bën të humbësh edhe shtëpinë që ke e jo më të mbash në hotel fëmijën. Për ta rritur nivelin e mbështetjes ndaj jush, ata duhet të krijojnë mundësi të reja. E mundësitë e reja nuk krijohen nga dëshira. Mundësitë e reja krijohen me punë të madhe dhe me vështirësi të mëdha. Kështu është dhe shtëpia jonë e përbashkët. Është çështje mundësish, nuk është çështje dëshirash.

Cili është ai kryeministër që nuk do që të gjitha t’i bëjmë menjëherë?

Cili është ai kryeministër që nuk do që të gjithëve t’u japi atë që duan?

Cili është ai kryeminator që nuk do t’i kënaqi të gjithë?

Por këto janë të pamundur, nuk ndodhin në këtë botë. Ajo që është e rëndësishme e që unë dua ta theksoj, është që ne kemi hyrë në një proces transformimi përfundimtar të arsimit të lartë. Kemi hyrë në këtë proces, duke vendosur në radhë të parë bazën, që është ligji i ri i Arsimit të Lartë.

[Ndërhyrje] Ju keni të gjitha të drejtat të ngini probleme, por nuk mund të përmbysni historinë e bashkëjetesës mes njerëzve në një shoqëri, e cila ka norma të përcaktuara dhe të padiskutueshme. Ndërprerja e tjetrit kur flet, prishja e një bashkëbisedimi kur të tjerët janë mbledhur të bashkëbisedojnë, në emër të nuk e di se çfarë lirish e të drejtash, është thjesht dhe vetëm mungesë aftësie për të bashkëjetuar në demokraci. Cilësia e demokracisë nuk varet nga sa shumë biem dakord me njëri-tjetrin, sepse është sistemi ku bashkëjetojnë të kundërtat, por varet nga mënyra se si nuk biem dakord, nga sa të mirësjellshëm dhe sa të aftë jemi për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të ndërvepruar me njëri-tjetrin. Njësoj si cilësia e të jetuarit në një familje. Edhe në një familje ka debate dhe kontradikta, por harmoninë e përcakton mënyra se si bashkëjetojmë duke e dëgjuar njëri-tjetrin. Kush kujton se ne këtu jemi vetëm për të dëgjuar dhe për të duruar çdo lloj veshgjatësie në emër të lirisë së studentëve, nga ana tjetër ka një rregull themelor, edhe sikur një njeri i vetëm të ketë një mendim ndryshe nga 99 të tjerë që janë në një sallë me 100 veta, e drejta e atij njeriu nuk shkelet.

Dua të theksoj edhe diçka tjetër, në diktaturë njeriu sundohet, nuk qeveriset. Sundohet, i thuhet çdo përgjigje e gatshme për çdo pyetje, apo nuk ka pyetje, ka vetëm përgjigje. Në demokraturë, siç e kemi pasur deri në kohën kur të protestoje mund ta bëje, por mund edhe të haje një plumb ballit, njeriu keqqeveriset. Në demokraci njerëzit bashkëqeverisin. Do të thotë që qeveria nuk i ka të gjitha përgjigjet për të gjitha pyetjet dhe njerëzit, jo vetëm kur votojnë, por edhe gjatë gjithë procesit qeverisës kanë lirinë dhe të drejtën e tyre të ngrenë zërin dhe të dëgjohen. Një qeveri që dëgjon është një qeveri që bashkëqeveris.

Kam dëgjuar shumë që thonë, u desh që të ngriheshim ne?

Po çfarë do bënit, do flinit gjumë?! Patjetër, u desh të ngriheshit ju për t’i dhënë një shtysë më të madhe një procesi që ishte i nisur, por që kishte nevojë për më shumë vëmendje dhe për më shumë energji.

Këtu nuk është momenti të pyesim, pse u desh të ngriheshim ne. Këtu është momenti t’i gëzohemi faktit që për herë të parë, juve ju dëgjuan. Jo vetëm ju dëgjuan, por ja ku jemi përsëri sot këtu dhe qeveria është bërë njësh me studentët dhe me pedagogët, që duan të përmirësojnë kushtet dhe cilësinë e arsimit të lartë. Jemi bërë njësh, nuk kemi asnjë kontradiktë.

Kontradikta mbi ligjin e Arsimit të Lartë është një kontradiktë që nuk rri as në qiell, as në tokë. Është njësoj si të thuash meqenëse njerëzit nuk lidhin rripin e sigurimit, të heqim ligjin për rripin e sigurimit dhe të bëjmë një ligj tjetër, që t’i lidhim, nuk e di në çfarë forme, njerëzit.

Ligji i Arsimit të Lartë duhet zbatuar dhe ata që e kundërshtojnë, – i kam dëgjuar me shumë vëmendje, – nuk thonë asgjë, zero, se ku dhe për çfarë i pengon ligji. Të thuash që një ligj nuk më bind, je në të drejtën tënde, por duhet të thuash ku të pengon. Nëse ka një pjesë të ligjit që pengon në qëllimin tonë të përbashkët, ne mund ta shohim, sepse ligjet nuk janë të shkruar në gur. Në letër janë të shkruara, njerëzit i kanë bërë, njerëzit i ndryshojnë. Por të gjitha argumentet që kam dëgjuar, janë argumente që shkojnë pro ligjit të arsimit të lartë, jo kundër. Përjashto edhe shumë legjenda urbane, që ligji financon privatët, ligji vë privatët mbi publikun etj..

Gjëja që ka rëndësi është që jo vetëm Kampusi, se kjo është e rëndësishme për universitetet, por edhe infrastruktura e universiteteve është pjesë e Paktit për Universitetin. Çdo ministri që ka marrë përsipër një patronazh, për të ndërtuar një partneritet me universitetin, – fjala vjen, Ministria e Financa e Financave dhe Ekonomisë me Fakultetin e Ekonomisë, ose ministria e Drejtësisë me Fakultetin e Drejtësisë, ose Ministria e Infrastrukturës Energjisë me Fakultetin e Inxhinierisë apo të Gjeologjisë, – tani që po flasim ka ngritur një grup dhe në bashkëpunim me një grup të përbashkët me universitetet, që duhet të ngrihet,  do të identifikojnë të gjitha nevojat e infrastrukturës. Për shembull, duhen salla të reja, ngrohje, sallë leximi, laboratorë etj.. Të gjitha këto do të inventarizohen, do të bëjmë një inventar të nevojave dhe paralelisht do të bëjmë projektet brenda një projekti të madh të transformimit të infrastrukturës.

Kampusi, nga njëra anë dhe projekti i transformimit të infrastrukturës së universiteteve, nga ana tjetër, do të financohen nga qeveria shqiptare për të filluar një proces adresimi të të gjithë nevojave të infrastrukturës. Ambicia është që ky program infrastrukture të fillojë të zbatohet brenda këtij mandati.

Këtë vit, ne do të angazhohemi sëbashkë me universitetet për inventarizimin e nevojave dhe për projektet, sepse projektet marrin kohën e tyre. Sigurisht ka projekte të thjeshta, nëse flasim përshembull, për restaurimin e sallës së shfaqjeve të Akademisë së Arteve, ai është më i thjeshtë, por përsëri është një projekt që do të kërkojë kohën e vet për t’u bërë gati. Pastaj duhen bërë procedurat për të nënshkruar kontratat me ata që do t’i ndërtojnë, por pjesë e projekteve mund të jetë një godinë e re, apo një sallë e re dhe kjo do të kërkojë pak më shumë kohë.

Ajo që është e sigurt është që universitetet do të transformohen qoftë në Tiranë, qoftë në rrethe. Dua t’i siguroj të gjithë ata që kanë shprehur shqetësimin dje, që mos vallë Pakti për Universitetin i kufizon partneritetet e ministrive vetëm në Tiranë, jo kjo nuk është e vërtetë. Do të kemi një komponente edhe për universitetet e rretheve.

Çka ne e kishim në proces e përshpejtojmë sot me herë, falë këtij ndërveprimi dhe falë shtysës nga studentët. Kjo nuk është diçka për ta fshehur, për ta bërë qeverinë të ndjehet keq që si ka mundësi që nuk e bëra unë, pa më shtyrë këta. Kjo është esenca e sistemit ku jetojmë. kjo është esenca e asaj që unë dua të bëjmë, të bashkëqeverisim. Qeveria të jetë një mekanizëm në duart e njerëzve të zakonshëm, qofshin studentë, fermerë, sipërmarrës, nga të gjitha rrugët e jetës. Njerëzit ta përdorin qeverinë për të adresuar problemet dhe nevojat e tyre. Kuptohet, duke dialoguar, dialoguar, dialoguar dhe gjetur dakordësinë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.