Kreu Aktualitet Program Kombëtar për Rilindjen e Universitetit

Program Kombëtar për Rilindjen e Universitetit

211
0

Pakti për Universitetin, Kryeministri Edi Rama takim me studentë të universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër:

Faleminderit për mikpritjen!

Më vjen mirë që sot jemi këtu për të diskutuar sëbashku, për të dëgjuar nga ju, apo për t’ju dhënë përgjigje pyetjeve apo shqetësimeve që ju mund të ngrini në një proces që, siç e kam thënë që ditën e parë kur ju filluat protestën, për mua është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe serioz, që potenciali që prodhoi protesta të mos shkojë dëm dhe që çfarë u vu në rendin e ditës nga ajo protestë të adresohet për të mirën tuaj, por edhe për të mirën e universitetit dhe të atyre që do vijnë  pas jush në auditorë.

Besoj se është e qartë që ne nuk e kemi as propagandë dhe as fushatë këtë proces, por e kemi shumë seriozisht dhe po punojmë shumë seriozisht në të gjitha ato aspekte që kemi identifikuar, si pjesë të një tërësie që duhet të ndryshojë rrënjësisht, duke u nisur nga ato 8 pikat e famshme dhe duke shkuar dhe përtej 8 pikave në disa drejtime të tjera. Por njëkohësisht edhe duke kuptuar më shumë nga ky dialog i vazhdueshëm dhe duke mbajtur shënim gjëra të reja që dalin. E mira e dialogut është që jo vetëm flet njëri dhe tjetri dëgjon, por edhe dëgjon tjetri kur flet dhe kuptohesh më mirë dhe mëson nga tjetri, del më i ditur se në momentin kur hyre.

Do ndalem dy aspekte. Rektori foli për të ardhura. Dakord, por nuk është buxheti i shtetit përgjigja për çdo nevojë financiare, ashtu sikundër nuk është shteti përgjigja për çdo nevojë për punë. Mendoj që të mësuarit e njerëzve në vendin tonë me idenë që jetojmë në një sistem tjetër, nuk jetojmë në sistemin kur shteti përgjigjej për të gjitha, duhet të fillojë herët në shkollë.Sidomos në universitet, ne duhet të hapim një faqe të re, që do të thotë, universiteti të nxjerrë para. Është shumë e rrugë e shkurtër që të financosh veprimtarinë e universitetit me paratë e prindërve dhe me paratë e buxhetit. Është rruga më e shkurtër të thuash, kemi nevojë për kaq lekë, buxheti na jep kaq, të tjerat t’i paguajnë prindërit. Ndërkohë që pjesa e tretë që duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme të universitetit, që është angazhimi i trupës pedagogjike dhe i studentëve për të nxjerrë para, mungon komplet. Universitetet në botë gjenerojnë të ardhura, jo vetëm me sponsorët apo donatorët që kanë, por edhe me ato që i ofrojnë tregut.

Ky universitet është i ndërtuar dhe jeton përditë mbi një pasuri të jashtëzakonshme,  që fle dhe që ka filluar të zgjohet nga pak, por është shumë larg së qeni pasuri që e shfrytëzojnë qytetarët e Gjirokastrës, apo që e shfrytëzon vendi. Kjo pasuri është Gjirokastra, një vend i bekuar ku mendja, dija dhe vullneti mund të nxjerrin shumë të ardhura. Universiteti në këtë drejtim ka mundësi t’iu ofrojë institucioneve, sektorit privat, jo vetëm studime se si mund të nxirren më shumë të ardhura nga kjo pasuri, por edhe projekte konkrete. Duke bërë këtë, studentët, jo vetëm mësojnë nëpërmjet librave, por edhe mësohen të hyjnë në një logjikë tjetër që nuk është logjika “mbarova shkollën, dua një punë në shtet”; kam mbaruar Histori-Gjeografi, por e dua shumë partinë tuaj, prandaj dogana e Kakavijës është vendi që shkon për mua. Kakavija është vërtet një pozicion gjeografik strategjik, por kjo s’do të thotë që ke mbaruar për Gjeografi dhe duhet të shkosh atje.

Aspekti tjetër që desha të prek lidhet me atë çka ne e çuam përtej 8 pikave, që është punësimi, dhënia e mundësisë për të punuar për shtetin, atyre që janë më të mirët, që janë me 9-ta e me 10-ta dhe që kanë të drejtë të kërkojnë të shërbejnë në këtë shtet, duke i ndihmuar që të kapërcejnë pengesën ligjore të deritanishme, që je shumë i mirë, por s’ke eksperiencë. Shumëkush me të drejtë thotë ku do e fitoj eksperiencën dhe si do konkurroj kur eksperienca më vihet si pengesë.  Këtë e kemi kapërcyer dhe po ashtu programin që kemi pasur për praktikat në administratë,  këtë vit është më i artikuluar. Janë një numër i madh studentësh që mund të bëjnë praktika në administratë dhe përmes këtyre praktikave të fitojnë eksperiencën e duhur dhe pastaj të mund edhe të kontribuojnë në shtet.

Kur fola në aspektin e parë, nuk kisha parasysh që duhet përjashtuar ideja që mund të shërbesh në shtet, jo. Por ama është shumë e rëndësishme që nga njëra anë bëjmë çmos që të kultivojmë një mendësi të re, që kur vij në universitet për të marrë dije, nuk vij thjesht e vetëm për një shans, që të bëhem një rrogëtar i shtetit, por vij që me dijet e mia të mund të fitoj në një treg mundësish të pafundme, për kë është me ide dhe ka vullnetin t’iu shkojë pas ideve dhe ka kurajon që të përballet me vështirësitë.

Gjirokastra ishte një pasuri e fjetur, sot ka filluar të zgjohet. Po të shihni rreth e rrotull, do shikoni njerëz, të cilët janë edhe pa universitet, por kanë arritur të bëjnë transformime të atyre pasurive që kanë në instrument fitimi. Para 5 vitesh e gjysmë, në Gjirokastër mundësitë për të qëndruar ishin minimale, sot mundësitë janë shtuar dhe çdo ditë mendohet e punohet nga vetë njerëzit, për të hapur të tjera dyer për mikpritje. Ky është një aspekt, por Gjirokastra ka universitetin, ka studentët dhe në këtë aspekt ka një potencial të madh si mundësi tjetër zhvillimi.

Ne jemi të gatshëm të mbështesim të gjitha universitetet, edhe universitetin e Gjirokastrës. Kemi filluar të ndërtojmë partneritetet mes ministrive dhe universiteteve, sipas fushave. Kujdestare për universitetin e Gjirokastrës është Ministria e Arsimit, drejtpërdrejtë, si dhe për universitete të tjera jashtë Tiranës, ndërkohë që për universitetet brenda Tiranës janë ministritë e tjera, sipas profilit të fakulteteve. Ministria e Arsimit do të adresojë nevoja të caktuara për komunikim me ministri të tjera, sipas fushave, në mënyrë që jo vetëm të themi hapni një derë për të nxjerrë para, por edhe të ndihmojmë që ju të bëni para, duke qenë këtu në universitet brenda, duke ju dhënë mundësi që të bëni projekte të përbashkëta me ne, me institucione të ndryshme, të bëni programe apo studime të ndryshme për llogari të institucioneve të ndryshme. Kështu të ndërtohet një rrugë e re, sepse nuk mund të vazhdojë kjo histori, paguajnë prindërit, paguan buxheti i shtetit, hyr brenda, lexo dhe se çfarë bëhet jashtë s’di gjë fare. Pastaj mbaro universitetin dhe me vrap ku të kap një punë në shtet. Nuk funksionon. Është si të rrotullohesh në vend.

Përsa i përket Shtëpisë së Ushtarakëve, ne po bëjmë me të gjithë universitetet, me partneritetet në këtë fazë, inventarizimin e nevojave dhe bashkë me inventarizimin e nevojave, edhe projektet. Duhen projekte, pra, nëse themi do marrim Shtëpinë e Ushtarakëve, këtu s’është thjesht ideja t’ju japim çelësat e Shtëpisë së Ushtarakëve e pastaj, me të drejtë, studentët thonë s’ka banjo, s’ka sallë. Duhet marrë Shtëpia e Ushtarakëve, duhet ulur dhe duhet bërë projekti që të kemi qartësi, çfarë do bëhet aty dhe sa kushton. Po kështu, nevoja të tjera që kanë dalë për laboratorë, për mjete didaktike, për auditorë, për konviktin, të gjitha duhen bërë projekte. Universiteti i Gjirokastrës ashtu si dhe të tjerët, duhet të kenë, – ne kemi parashikuar fundin e sezonit për këtë, – një dosje të nevojave me projekte, se është projekti që nxjerr financimin, nuk është nevoja. Mund të kesh nevojë sa të duash, po s’pate projekt…

Mbi atë bazë, ne do të mbledhim të gjitha dosjet dhe do bëjmë dosjen e madhe të Programit Kombëtar të Rilindjes së Universitetit nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e logjistikës dhe e mjeteve didaktike, si dhe konviktet. Në vjeshtë do të hapim të gjitha ofertat publike për të bërë kontratat me sipërmarrje të ndryshme dhe për të filluar punën në kantierin e universitetit.

Ambicia jonë është që pjesa e dytë e mandatit qeverisës të jetë kantier i universitetit në të gjithë Shqipërinë për çdo universitet.

Kjo ka shumë lidhje me çfarë do bëjnë universitetet, se për të kërkuar para është gjëja më e thjeshtë. Në Gjirokastër është rregulli numër 1 me të cilin fillon jo biseda, por shikimi i bashkëbiseduesit dhe është rregulli i qartë se si shkon biseda dhe si mbaron.

Mirëpo, – dakord, s’kemi asnjë problem, aq më tepër që ju paratë edhe i ruani dhe nuk i investoni, – do t’i bëjmë mbi bazë projektesh.

-Duke qenë se u prek tema e bursave edhe në protestë, doja të dija diçka në rastin e studentëve si unë personalisht, që janë kryefamiljarë, të përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, për arsye që akoma nuk i kam kuptuar. Unë kam komunikuar dhe me ju vetë zoti Kryeministër duke ju nisur një mesazh, 2, 3, 4, 5 dhe s’kam marrë asnjë përgjigje. Nuk kam asnjë të ardhur. Jam nënë e një fëmije. Jam duke studiuar, besoj që kjo gjë është e mirë për të gjithë, për mua më tepër. Nuk e kam situatën për të paguar tarifën, shpenzimet e konviktit e të gjitha me radhë.

Kryeministri Edi Rama: E vërteta është që ke marrë përgjigje dhe të kam thënë të shkruash te Platforma, për të marrë përgjigje nga Platforma, sepse pyetjeve teknike që kanë të bëjnë me kategori të caktuara, me probleme të caktuara unë nuk kam mundësi t’iu përgjigjem, jo nga mungesa e dëshirës, por ngaqë nuk di t’iu përgjigjem. Platforma www.shqiperiaqeduam.al ka pasur dhe ka një seksion të veçantë për të gjitha pyetjet e kësaj natyre. Megjithatë, ministrja këtu është dhe besoj se mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje teknikisht, sepse janë detaje shumë të imta që unë personalisht, me gjithë qejf do isha përgjigjur, por nuk i di.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini: Ne, në dhjetor, vendimin që e morëm për ata që mund të jetë përfituesit e bursave nga kategoritë e veçanta që përfitojnë ose ndihmë ekonomike, ose që janë me nevoja të veçanta, apo i përkasin minoriteteve jemi bazuar në VKM-në që ka ekzistuar gjithmonë për kategoritë e veçanta. Gjatë diskutimeve në fund dhjetori dhe në janar pamë që kishte nevojë të shtoheshin disa kategori të tjera dhe ato u shtuan. Për raste të tjera që po dalin po evidentojmë me shumë kujdes që për vitin e tjetër shkollor, ose semestrin e ardhshëm të përfshijmë edhe raste të tjera që nuk janë përfshirë, sipas rregullave në fuqi.

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk i dimë të gjitha prandaj dëgjojmë dhe nga dëgjimi mësojmë më shumë dhe kuptojmë më shumë. Kështu që jua sugjeroj dhe juve këtë qasje sepse është shumë më produktive, mëson pa paguar tarifë, se boll ta dëgjosh tjetrin dhe mëson gjëra që nuk i di dhe ndërkohë s’kushton asnjë lekë.

-Unë jam student i vitit të dytë në Gjuhë-Letërsi. Për protestën që u zhvillua dua të citoj një thënie, “po nuk qau fëmija nuk i jep ushqim nëna”. Prandaj dhe ne u çuam, për të na u mundësuar kushte më të mira. Si fillim unë doja krijimin e mundësisë së ndërtimit të një biblioteke europiane meqë jam dhe student i letërsisë kam një lidhje të drejtpërdrejtë me librin. Pjesë tjetër që dua të prek është karta e studentit, që të na krijojë lehtësi. Po ashtu, duam fonde për kushte më të mira, qoftë në universitet, por dhe në konvikte.  

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket kartës kemi vendosur një afat te Pakti për Universitetin. Pakti për Universitetin është shumë i rëndësishëm se nuk është program i shkruar qeverisë, por është një program i detajuar angazhimesh që ne duam ta kthejmë në një kontratë, që do të thotë, qeveria si palë në këtë kontratë, gjërat që ka marrë përsipër dhe që po detajohen falë këtij dialogu do t’i nënshkruajë me përgjegjësi dhe kur diçka e nënshkruar nuk plotësohet qeveria do mbajë përgjegjësi. Personat përgjegjës do përgjigjen. Mirëpo kjo kontratë do 3 palë, do qeverinë, do universitetin, pra drejtuesit, ju do juve, por jo juve kështu si popull, ju do juve me emër, me mbiemër, me firmë për ta çuar deri në fund këtë proces, sepse ky proces ka dhe një anë tjetër që ju e ngritët, por më duket se keni filluar ta harroni, unë nuk e kam harruar, se unë mendoj që aty fle një lepur i madh që është: pedagogët, titujt shkencorë, sa të vërtetë janë, cilësia e librave në këmbim të notës. Si do frenohet? Si do e bëjnë studentët vlerësimin e pedagogëve. Janë 3 gjëra që i keni thënë ju, nuk i kam thënë unë. Ju po i harroni. Unë këto nuk i harroj. Kur u thoja atëherë që unë do mbetem dhe protestuesi i fundit, por unë nuk lëshoj të paktën derisa të kem mundësi në këtë detyrë e kam ditur mirë se si do zhvillohet kjo histori dhe këtë do t’ua kujtoj vazhdimisht. Besoj shumë dhe nuk e them për të qenë diplomat, por sepse e besoj këtë gjë, shumica e pedagogëve janë të denjë, janë persona që nuk e meritojnë që të futen në një thes me një pjesë tjetër që është pakicë, por jo pakicë e vogël, që janë sharlatanë, të cilët shiten si doktorë shkencash, si profesorë, si njerëz që dinë shumë dhe që e kanë biznes. Këto i keni thënë ju. Unë po i përsëris se dua që në këtë pikë mos flini gjumë. Ajo që mua më shqetëson është kjo, akoma sot nuk po dëgjoj një universitet që të ketë filluar procesin verifikimit të titujve shkencorë. Ka filluar diçka në Korçë, nuk e di këtu në Gjirokastër, por nuk po dëgjoj një universitet, – këtë e ka detyrë universiteti, se ju erdhët atje te ministria, u mblodhët, i kërkuat të gjitha nga qeveria, ndërkohë që të gjitha ato që kërkuat nga qeveria duhet t’ia kërkonit Rektorit, dekanëve dhe atyre që drejtojnë dhe sigurisht në disa gjëra rektorët dhe dekanët me të drejtë do të na kërkonin ne ndihmë dhe mbështetje, patjetër, por, ama dhe këtë nuk e them për t’i fajësuar, e them për t’i kujtuar që universiteti është autonom, që do të thotë, shumë e thjeshtë, juve këtu s’bllokuat auditorët sepse ju jeni gjirokastritë, ju e dini shumë mirë që çdo minutë kushton, çdo orë kushton. Kush i harxhon minutat dhe orët me idenë që s’kushtojnë paguajnë më pas dhe ata që i bllokuan do paguajnë më pas, do rrinë në verë atje më gjatë. Juve do mbaroni në kohë, pavarësisht se çfarë kishit për të marrë e morët, ndërkohë që ata që donin të bënin mësim, që ishin shumica, më shkruanin mua deri në 03:00 të mëngjesit që t’i çliroja unë ose i shkruanin ministres, ose iu shkruanin të tjerëve, “na shpëtoni nga këta!”. Qeveria nuk i shpëtonte dot, sepse qeveria nuk e kapërcen dot atë prag po nuk ishte e ftuar këtu. S’vij dot unë ta kapërcej pragun e t’ju mbledh juve nëse nuk do zotëria këtu, që është titullari dhe është titullari që ka atë mandatin si i zgjedhur që të garantojë organizmin e gjithçkaje ndodh këtu brenda dhe administrimin e të gjithë punëve këtu brenda. Nuk vij dot unë ta kaloj pragun atje, askush, aq më tepër që të vijë Policia. Autonomia nuk është vetëm liri, është dhe përgjegjësi. Kështu është dhe për vlerësimin e titujve shkencorë, nuk e bën dot Qeveria, nuk e bën dot Ministria, nuk duhet të përzihet në këtë punë. Ministria mund të lehtësojë dhe ajo që kemi përcaktuar ne te VKM-të është që ne të garantojmë logjistikën, softin përkatës që bën të gjitha analizat e teksteve, por ama vlerësimet i bën universiteti. I keni dëgjuar Mark Markët çfarë thonë? “Antikushtetuese”. Pse është antikushtetuese? Antikushtetuese që të blej unë kompjuterin e ta përdorësh ti? Blije, po bëje! Nuk e thonë as se si dhe as se kur do ta bëjnë këtë gjë, që ju ta dini shumë mirë, se, vërtet paguan tarifën edhe 50%, tarifa përsëri është pagesë që del nga xhepi i prindërve, paguan tarifën dhe do ta dish se kë ke përballë. Nëse të vjen njëri të thotë që është doktor shkencash, ti duhet ta dish është doktor shkencash, apo jo. Është e drejta jote si student të dish, “kam përballë kë, që po më tregon mua për këtë shkencë?” Nuk e thonë. Do ta lini këtë gjë? Do ta harroni? Harrojeni. Do të jetë kostoja juaj. E dyta, e thashë, e kam dëgjuar nga ju, unë nuk e dija fare që ekzistonte si fenomen ky se s’është detyra ime ta di, por Ministria kishte të dhëna për këtë, tregtia e librave, i bëjnë librat vetë dhe thonë “bli librin tim ndryshe s’merr notën që dua unë”. Ju e keni thënë. Këtu nuk e di, askund nuk vë dot gisht, ku është më shumë, ku është më pak, por kjo do ndalojë.

E fundit fare, ju keni kërkuar që të bëni vlerësimin e të gjithë pedagogëve, është mekanizëm që e ka e gjithë bota, nuk është diçka e panjohur. Ama edhe këtë duhet ta bëjë universiteti, performanca e trupës pedagogjike, unë jam student dhe ka të drejtë një herë në vit të shprehem dhe ajo që unë bëj pastaj i kalon rektoratit. Rektorati e sheh çfarë mendojnë studentët për performancën e secilit nga pedagogët dhe kupton aty shumë gjëra. Nuk është aty as gjueti shtrigash, as metodë revolucionare, është metodë që e përdorin të gjitha universitetet normale në botë.

Këto janë 3 çështje që nuk duhen lënë, prandaj Pakti për Universitetin do jetë kontratë. Ju do merrni përsipër pjesën tuaj, ne do marrim përsipër pjesën tonë dhe Rektorati, Dekanati do marrë përsipër pjesën e tyre. Ju do jeni garant për pjesën që është këtu brenda se atë prag unë nuk e kaloj dot, garantët e paktit jeni ju, sepse ju keni dalë në protesta, ju i keni kërkuar këto gjëra dhe ju jeni përfituesit dhe nga ana tjetër viktimat në rast se sistemi nuk funksionon si duhet. Kjo gjë bëhet emër për emër. Nuk është me detyrim, kush do të jetë do të përfshihet, do thotë, unë dua të jem garant i kësaj pune. Ne do i marrim përsipër të gjitha, edhe kartën e studentit edhe të tjerat do merren përsipër si do bëhen, do bëhen.

Erdhi afati, nuk u bë, do çoheni ju do thoni: zoti Kryeministër, ti je përfaqësuesi i palës në qeveri? Ku e ke këtë? Atëherë kush janë përgjegjësit për këtë? Je ti? Është ministrja ? Është zëvendësministrja? Është drejtori? Duhet të paguajnë me kokën e tyre, jo kështu me llafe, vetëm kështu mund të funksionojë sipas meje.

E dija që do kalonte viti i ri e do bëheshit të urtë fare, por a ka ndonjë gjë tjetër? Tani frika që kam është që mbas kësaj urtësie, do vijë gjumi pastaj, aty duhet pritur një dekadë që të zgjoheni prapë, por unë nuk ju lë që t’ju zëri gjumi.

– Përshëndetje! Unë kisha këto pyetje. Kur keni ardhur në Gjirokastër, keni thënë që qyteti jonë ka dy gjëra të rëndësishme, turizmin dhe universitetin. Turizmi i përket tjetër kujt, po universiteti? Cilat janë disa nga strategjitë e qeverisë suaj për universitetin tonë?

Kryeministri Edi Rama: E para, mos e thuaj në shumës, thuaj strategjia që të paktën të fokusohemi te një strategji për universitetin se strategjitë janë shumë dhe po të kemi shumë strategji, ngatërrohemi pastaj me këmbët tona. Por besoj që në ato që po thoja më parë, e bëra shumë të qartë, universiteti i Gjirokastrës duhet të shfrytëzojë potencialin që ka Gjirokastra dhe duhet të dalë përtej mureve të veta, duke ndërtuar këtë proces që thashë, një proces partneritetesh prej ku të marri të ardhura dhe të ofrojë shërbimet e veta. Cilat shërbime? Shërbimet e trurit se nuk ka çfarë shërbimi tjetër të ofrojë.

– Përshëndetje! Jam viti i fundit dhe mendojmë për të ardhëm. Siç thoni dhe ju, e ardhmja jemi ne.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e kam thënë ndonjëherë këtë unë, e kam dëgjuar në kohën e komunizmit, por unë nuk e kam thënë. Kështu që mos ma vër në gojë mua. E them unë, por e them në një formë më të bukur.

– Unë jam drejt përfundimit të studimeve në Infermieri,  një nga problemet më shqetësues është puna. Çfarë qëllimi keni ju? Se ne nuk do jetojmë gjithë kohën me prindërit tanë. Çfarë qëllimi keni ju, pasi ne të mbarojmë për të siguruar një vend pune për të ardhmen tone?

Kryeministri Edi Rama: Këshilla që erdhi nga salla ishte martohu, tipike gjirokastrite, por sidoqoftë, kjo nuk hyn tek Pakti për Universitetin. Nuk do t’ju kërkojmë një angazhim të tillë. Si të martuar, si të pamartuar, e ardhmja jeni prapë, por përsëri më pyet mua për diçka që në radhë të parë duhet të pyesësh veten. Sidoqoftë, unë do të jap përgjigjen time. Ne kemi sot një sistem të reformuar për rekrutimin e infermierëve, i cili ka filluar të funksionojë. Sot mund të ta them me plot gojën që nuk është siç ishte deri dje, kur pavarësisht se mund të mbaroje shkollën për infermieri, pavarësisht se mund të ishe infermiere e zonja, për t’u futur në punë duhet të shkoje të anëtarësoheshe në një parti. Kemi patur parti të specializuara për punësimin e infermierëve që të jepnin kartën dhe të çonin infermier, pa të parë nëse di të bësh gjilpërë apo thjesht vetëm ngul gozhda. Sot, kjo nuk është më. Sot ka një platforme dixhitale ku aplikohet, bën testin dhe merr pikët dhe në bazë të pikëve, futesh në një listë ku, kur të vjen radha, hyn në punë. Kjo është gjëja që bën shteti. Shteti ka një numër të caktuar infermierësh e nuk mund të hapi vende të tjera për të punësuar e për të dhënë rroga për infermierë, nëse nuk i duhen më shumë se sa aq.

Tjetra që është e rëndësishme, është që ne kemi filluar, por do duhet të përshpejtojmë procesin e përcaktimit të kuotave dhe e numrit të përgjithshëm të studentëve në një fushë apo në një fushë tjetër, duke e përafruar më shumë me nevojat që ka tregu, se me gjithë respektin për tregun e gazetarisë, por unë nuk e di se ku do shkojnë 100 studentë që janë në vit të parë për gazetari në Elbasan, nuk po llogaris ata që janë në vit e dytë, e me radhë. Me gjithë respektin për këtë profesion kaq të rëndësishëm për sistemin tonë, por e imagjinoni ju se sa kazanë duhen plus për të punësuar gjithë këta njerëz që studiojnë për gazetari?

– Pjesa më e madhe po ikin në Gjermani!

Kryeministri Edi Rama: Kjo është e pavërtetë. Kjo është një tjetër legjendë, është e pavërtetë. Ne kemi sot që flasim 13000 e disa qindra infermierë në sistem dhe kemi mbi 4000 në listën e pritjes. Nuk janë në Gjermani, janë në Shqipëri që të jemi të qartë. Ajo që infermierët kanë ikur të gjithë në Gjermani e këtu nëpër spitale janë berberët, është një legjendë. Janë të pavërteta, siç është e pavërtetë që ikjet nga Shqipëria janë fenomen i viteve të fundit, siç është e pavërtetë që vitet e fundit kanë ikur nga Shqipëria më shumë se sa vitet më parë. Janë të gjitha të pavërteta. Janë histori kazani, nga të cilat po vuan shumë gjithë bota, jo vetëm Shqipëria, lajme të rreme, gjysmë fakte, gjysmë të vërteta që hidhen e përzihen dhe krijohen perceptime që janë komplet pa lidhje me realitetin.

Nëse je e zonja, nuk diskutohet që ke një rrugë për të hyrë e për të punuar në sistemin shëndetësor shqiptar, pa diskutim. Nëse të tjerët janë më të zotë, do presësh. Shumë e thjeshte. Fakti që ke një diplomë, nuk është në këtë sistem që ne kemi zgjedhur, detyrim i shtetit që të të gjejë një punë. Kjo nuk ekziston. Po të shikoni Francën, po të shikoni Amerikën, po të shikoni Gjermaninë, shikoni kë të doni, ata që mbarojnë universitetin nuk shkojnë që ditën e parë të futen në punë në shtet, pjesa më e madhe.

E dini se sa aplikime bën një student në Francë për të gjetur punë? Mesatarisht 150. Në 150 drejtime kërkon punë dhe mesatarisht thirret në 30 intervista dhe e dini se sa është shkalla e suksesit? Është më pak se 50%!

Kështu që shumica e atyre që mbarojnë, shkojnë e fillojnë punë, jo domosdoshmërisht në profesionin e tyre që të jemi të qartë. Pra, kemi zgjedhur këtë sistem. Ishim në atë sistemin tjetër – që e përmbysën ata që ishin në moshën tuaj në ’90, – kur futeshe infermiere, nuk diskutohej që në fund mbaroje, të merrte partia, të çonte infermiere ku kishte nevojë atdheu, por vendin e punës e kishe të sigurtë, nuk kishte aty mbarove infermiere dhe rri pa punë sepse ishte e planifikuar dhe të kishte në dorë, jo vetëm të të fuste në punë, por të kishte në dorë jetën, të kishte në dorë mendjen, të kishte në dorë të ardhmen, gjithçka. Kështu që ti ishte thjesht një pjesë e një makinerie, merre këtu, çoje nga Gjirokastra infermiere në Kala të Dodës.

– Ju po thoni që nuk po ikin në Gjermani, por realiteti është që pjesa më e madhe po ikin në Gjermani. Si thoni ju? A mund të bëhet Shqipëria pa rininë?

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë tjetër. Nga e ke ti këtë të dhënë që pjesa më e madhe po ikin në Gjermani?

– Po shkoj realitetin

Kryeministri Edi Rama: Ku e shikon ti?

– Po e shikoj në pjesën më të madhe të spitaleve. Po shikoj njerëzit e mi. Po shikoj  miqtë e mi.

Kryeministri Edi Rama: Sa miq ke ti? Gjithë popullin shqiptar e ke mik ti? Dëgjo edhe një herë tjetër. Unë e kam shumë qejf debatin, por e kam problem insistimin në padije. Dija është fakte. Dija është prova. Dija është argumente, jo “po e shikoj”. Ku po e shikon? Po e shikon në televizor? Po. Po e shikon në fjalimet e parlamentit? Po. A po ikin njerëz në Gjermani dhe në Europë? Patjetër që kanë ikur, po ikin e do vazhdojnë të ikin. Janë kthyer e do vazhdojnë të kthehen. Çdo me thënë “ky është realiteti”? Kanë ikur, ikin dhe do ikin sepse nuk jemi në bunkerin e shokut që kishte monumentin këtu para universitetit. Jemi në një vend të lirë dhe të hapur dhe nuk jemi ne Gjermania, nuk jemi ne vendi më i zhvilluar që të vijnë të tjerët tek ne të gjithë dhe ne të rrimë këtu, por jemi një nga vendet më të pazhvilluara për 1001 arsye dhe prandaj si vendet e tjera ikim. Nuk jemi në debat bashke, më bëre pyetjen tani po të jap përgjigjen dhe nuk kam ndërmend të bëjmë debat se e kam problem debatin pa fakte pa argumente, ku opinioni bëhet fakt.

Është e vërtetë që edhe kthehen, është e vërtetë që kthehen më pak se sa ikin. E njëjta gjë i ndodh të gjitha vendeve. Po të them, nga Kroacia që është vend i BE, kanë ikur në vitin 2017, – shifrat e 2018 nuk i kam, – më shumë se sa nga Shqipëria. Është vend i Bashkimit Europian.

Nga Italia e jugut, kanë gjithë jetën që ikin. Është vend i pestë, fuqia e pestë ekonomike në botë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që është diçka, nga e cila nuk duhet të surprizohemi, nuk duhet të çuditemi, nuk duhet të qajmë, nuk duhet të ankohemi, por thjesht duhet ta marrim si fakt. Ama është po kaq e vërtetë që në spitale ti nuk sheh asgjë sepse në spitale i kemi të gjitha infermieret që kemi nevojë dhe kemi 4 mijë e disa qindra që janë në listë pritje.

Nuk janë në Gjermani, janë në Shqipëri. Kanë aplikuar në portalin e infermierëve dhe presin të hyjnë në punë. Nuk janë në Gjermani. Po ashtu mjekët, kanë ikur mjekë, ikin mjekë. Patjetër që kanë ikur dhe ikin, por mungesa e specialistëve në spitalet tona nuk lidhet me faktin që kanë ikur, lidhet me faktin që për 4 vjet nga viti 2009 në vitin 2013 u mbyll sistemi i specializimeve, u hap një gropë, dhe ne e trashëguam këtë situatë që tani është drejt ndryshimit, pasi nga 2013 në vitin e shkuar, u kryen specializimet dhe nga janari kanë filluar të plotësohen vendet për specializantë.

Ashtu sikundër, ne kemi vënë një bonus për mjekët specialistë që pranojnë të shkojnë jashtë Tirane, marrin pagën sa në Gjermani, në rast se do të fillonin punë mjekë sa të zbresin në aeroport sepse kanë pagën e mjekut plus 2 milionë bonus. Ne kemi mjekë që vijnë nga jashtë, shqiptarë, që punojnë në spitalet tona jashtë Tiranës. Nuk janë qindra, por janë disa që kanë ardhur dhe i kemi sot në spitalet tona, që do të thotë, nuk është situata siç përshkruhet nga njëra anë. Situata i ka të dyja anët. Patjetër që ka njerëz që ikin e do vazhdojnë të ikin dhe kthehen e do vazhdojnë të kthehen. Balanca midis ikjeve dhe kthimeve është më shumë ikje, nuk diskutohet. Do fillojë të ndryshoje kur Shqipëria të ofrojë më shumë se sa ofron sot për ata që të bëhen më shumë që kthehen se sa që ikin, por ky është proces, kjo nuk është as me se si e kam unë dëshirën, as me se si e ka tjetri dëshirën dhe as se sa e si e qysh sot bëj unë apo bën tjetri. Është një fenomen i përgjithshëm, nga vendet ish komuniste kanë ikur pjesë të tëra. Këtu thuhet nuk ka ngelur njeri. Një nga vendet më të suksesshme ish komuniste është Lituania. Në Lituani, unë personalisht, me sytë e mi kam parë një qytezë të tërë bosh, por jo kështu siç thonë “na ikën nga fshati”, nga fshati iknin edhe pa u hapur kufijtë fare, flasim bosh, qytezë fantazmë komplet. Pse? Sepse kishin ikur komplet. Këto janë lëvizje demografike që nuk duhet të na çudisin. Patjetër që e kuptoj shumë mirë që një i ri apo një e re thotë, “unë kam mundësi, unë jam sot në një fshat këtu, në mes të një situate ku nuk përmbush dot aspiratat e mia, pse mos iki”? Si e ndalon? Cfarë i thua? Hajde se do të jap rrogën si në Gjermani? Si e bën këtë? Në çfarë forme? Se dakord, rrogat e ulëta në krahasim me çfarë do të doja unë të ishin apo do donte secili të ishin, janë realitet, por nëse do të ishin rrogat një çështje qejfi, apo nëse do të ishin rrogat e ulëta, një problem vetëm i Shqipërisë pse vendet e tjera të rajonit i kanë pak a shumë njësoj? Për çfarë arsye? Pse nuk i bëjnë ata, pse sa më i zhvilluar vendi aq më të larta rrogat? Sepse rrogat lidhen me jo se sa dua unë të jenë rrogat, por se sa mundësi kam unë, përndryshe, në shtëpitë tuaja, pse prindërit duhet të kenë problem t’ju japin juve gjithçka që ju doni? Pse mos jua japin? Do thoni ju, nuk kanë. Po të shkojnë të marrin borxh. Pse nuk marrin borxh? Se po morën borxh, humbin dhe shtëpinë. kështu është dhe vendi. Duhet të prodhojmë, duhet të rrisim mundësitë që të kemi më shumë për të shpërndarë me njëri tjetrin, shumë e thjeshtë. Teoria “hajde të rrisim rrogat se kështu kemi qejf”, mund ti rrisë, por për 6 muaj përfundon më keq se sa në ’97.

Edhe zhytesh më keq se sa të zhyti Sudja me Vebiun se është tamam si me shtëpinë. Mund ta rrisësh ti standardin e jetës në shtëpi dhe thua hajde të hamë e të pimë. Ha dhe pi? Po mbas 1 muaji vijnë ata që të kanë dhënë lekët dhe të thonë na jep tani dhe shtëpinë dhe rri në rrugë. Kështu që duhet të jemi realistë. Është vërtetë ajo që the, por nuk është e gjitha, është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është kjo që po të them. Çfarë shihet nëpër media, “ikën mjekët, ikën infermierët”, është gënjeshtër. Ikin mjekë dhe infermierë, patjetër, por Shqipëria nuk ka sot mungesë mjekësh dhe infermierësh. Ka mungesë mjekësh specialistë për shkak të asaj që thashë dhe ka 4mijë e ca infermierë që janë në listë pritje për të hyrë në punë. Nuk është se mungon njeri në spital apo se mungojnë zëvendësuesit.

– Përshëndetje! Keni thënë shpesh dhe e përsërisni dhe e mbështes edhe unë pjesën që jemi në sistemin e demokracisë dhe nuk duhet të kërkojmë punë shteti, por duhet të mundohemi të punojmë atje ku na del, por një pyetje të paktën për bashkinë Memaliaj. Muajin e fundit, këtë që kaloi, kanë dalë të paktën 20 vende të lira pune, ndër të cilat, një vend më të thjeshtin, unë e kam plotësuar me kritere dhe ndërkohë kryetari i bashkisë më thotë që nuk e plotëson, nuk ke masterin të përfunduar. Ok, rri pres dhe marr vesh që zotëria në fjalë fut një njeri me shkollë të mesme. Atëherë pse unë duhet të rri dhe të mos kërkoj një vend pune në shtet, por njëri me shkollë të mesme të futet?

Kryeministri Edi Rama: Shiko, unë shpesh herë futem nëpër sherre me njerëzit sepse unë kam një problem me sa kuptoj, kam një dashuri të madhe për gjuhën shqipe, e dua shumë gjuhën shqipe dhe ngaqë e dua shumë dhe merrem shumë me të, i vë shumë rëndësi çdo fjale dhe çdo fjalie. Kështu që kur më citojnë gabim, e kam problem. Unë nuk kam thënë dhe nuk them mos kërkoni punë shteti. Nuk e them këtë. Unë them që nuk është puna në shtet e vetmja zgjidhje për njeriun që kërkon punë apo që është i papunë. Mos kërko punë shteti nuk e them. Të gjithë janë në të drejtën e tyre të kërkojnë punë shteti apo të kërkojnë punë në sektorin privat. Ajo që ndodh dhe që më bën mua ta përsëris vazhdimisht është kjo. Shumëkush më shkruan këtu për punë. Unë i them gjithmonë të njëjtën përgjigje. E para njëherë, nuk fus njerëz në punë. Unë nuk merrem me këtë çështje fare. Unë nuk jam njeri që merrem me këtë dhe detyra ime nuk është të marr të fus njerëz në punë në shtet, aq më tepër të bëj punësime duke marrë mesazhe. Por ama, gjëja që them gjithmonë është, do punë? Apo do rrogë në shtet? Nëse do rrogë në shtet, është adresa e gabuar. Nëse do punë në privat, unë jam gati të të ndihmoj. Këtë përgjigje i jap të gjithëve dhe e di sa është përqindja e pranimit të ofertës time? 10%. 90% thonë jo, faleminderit shumë, por unë nuk shkoj skllav. Tjetri thotë faleminderit shumë por unë të kërkova punë, nuk të kërkova të bëhem shërbëtor, e kështu me radhë. E nga ata 10% që pranojnë e dini se sa janë ata që realisht shkojnë dhe punojnë? 10% e 10%, të tjerët thonë “jo”. Po nuk është “jo” puna, siç më shkruante njëri dhe është reale, “kam djalin pa punë, sapo është martuar e të tjera, mirë për mua nuk u bë gjë, por të paktën për djalin”. I thashë “ok, çfarë shkolle ka djali”? “9 vjeçaren”. Në rregull, dakord i thashë. Marr zyrën e punës, i them ja ku e ke numrin, se e bëj vazhdimisht këtë në zyrën time online. E thërrasin ata dhe i thonë punë në ngarkim- shkarkim. Vijnë mesazhet, – ju thoni master, cili master,  – asnjëri nga ju me master këtu sipas atij nuk meritonte të futej në punë para djalit të vet. Çfarë e kam djali unë tha, hamall? Po të ishte për hamall, unë nuk të drejtohesha ty, ti je kryeministri i vendit. Unë nuk po them drejtor, po një specialist djali im mund ta bëjë. Është reale. Kur prindi i thotë djalit, “ti more babë je për specialist”, djalit me 9 vjeçare, e mori në qafë.

Megjithatë, për rastin konkret tëndin, lidhur me këtë padrejtësinë që ti pretendon, është mirë që ne ta shikojmë dhe do ta shikojmë për aq sa mund të na dëgjohet zëri në rastin konkret se nuk është se në atë bashki na dëgjohet shumë zëri me thënë të drejtën.

Tani, të të kthehem pak me ca fakte? Janë shifrat zyrtare, jo llafe. Ju dëgjoni vazhdimisht dhe duke dëgjuar, – siç ndodh në gjithë botën, gjithë bota ka problem, – fillon dhe krijohet perceptimi se këtu kanë ikur 600.000 njerëz dhe bëhet një garë, njëri në parlament, njëri thotë 600.000 , tjetri thotë 800.000, ai kryesori thotë 1 milionë. Tani, unë po ju them shifrat, nga 2011 në 2018.

E para punës njëherë, në 2011 dhe 2012, në vitet 2011-2012 kanë ikur nga Shqipëria, respektivisht 55.000 dhe 52.000. Pra, 107.000 njerëz kanë ikur në 2011 -2012. Ndërkohë që kjo shifër 50 000 nuk është arritur më që nga 2013 e këtej. Janë kthyer gjatë viteve më pak dhe e disi sa është neto? Pra, e dini sa njerëz, më shumë ikje se sa ardhje, janë në total nga 2011 në 2018? Janë 150 000 persona, në total. Shifra totale.

Kështu që ne flasim për 600.000, 800.000, sikur jemi Kina. Ikjet janë më shume se sa kthimet, rreth 150 000 njerëz. Ky është fakti. Tani gjykojeni vetë. Se thonë azilet e azilet. Shqiptarët kërkojnë azil, kanë kërkuar azil, sidomos në atë fazën që u hap ajo loja në Gjermani. Shkojnë nga vende të Bashkimit Europian. Kroatet nuk kanë nevojë të kërkojnë azil, por në 2017 kur shqiptarët kishin një numër të lartë azilkërkimesh, kroatët ikën më shumë se shqiptarët. Por kroatët nuk kërkojnë azil, janë në tregun e lirë të BE. Në BE, ti je këtu, merr makinën, mbas tre ditësh arrin në Portugali, shkon fillon punë në Portugali dhe nuk të thotë njeri asgjë, nga vjen e kush je, je vend i BE dhe je në një treg, nuk ke nevojë për leje pune e për historia të tjera e prandaj nuk numërohen. Ama ne, sidoqoftë, pavarësisht shfrytëzimit të mekanizmit të azilkërkimit, thjeshtë dhe vetëm lëvizim siç kanë lëvizur të gjithë. Patjetër që do ishte mirë ta kishim ne në dorë që t’i balanconim flukset e të tjera. Patjetër që, ne kemi nevojë për krah pune dhe ky është një problem dhe e kombinuar pastaj me rënien e lindjeve, por ju lutem, është shumë e rëndësishme që t’i qëndrojmë fakteve e që të mundohemi që të shkojmë pak më thellë se sa çfarë shohim në këto pasqyra. Sepse e vërteta është pak më ndryshe se sa ajo që përsëritet gjithë kohës dhe që e thashë dhe po e përsëris dhe unë, e ka problem gjithë bota.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.