Kreu Aktualitet Programi i Rindërtimit vijon intensivisht në gjithë akset problematike të vendit

Programi i Rindërtimit vijon intensivisht në gjithë akset problematike të vendit

274
0

Investimet e qeverisë shqiptare në infrastrukturën rrugore synojnë kthimin e të gjithë akseve të rëndësishme nacionale në rrugë të parametrave europiane. I tillë është edhe segmenti Vorë-Fushë Krujë, i cili, edhe pse renditet i dyti në vend për nga numri i mjeteve që qarkullojnë në ditë, pas autostradës Tiranë-Durrës, kishte degraduar në vite në një aks pa asnjë standard dhe me rrezikshmëri të lartë për aksidente rrugore. Një investim prej 4.9 milion eurosh i qeverisë shqiptare do ta shndërrojë këtë segment, në një rrugë të parametrave europiane për sa i përket elementëve të sigurisë dhe sinjalistikës. “Ky është rindërtim goxha i thellë dhe është rindërtim i domosdoshëm, sepse ishte një nga akset më të shpartalluar, ndërkohë që është aks kombëtar, për momentin, deri kur të ndërhyjmë në mënyrë rrënjësore pastaj, me ndërtimin e të gjithë rrugës së re Kashar-Thumanë, pastaj lart deri në Balldren dhe të krijojmë një rrugë të standardeve siç dimë ne,” u shpreh Kryeministri Edi Rama i cili inspektoi sot ecurinë e punimeve në këtë segment të rëndësishëm rrugor. “Segmenti Vorë-Fushë Krujë, një segment i gjatë 11.2 km, është një segment relativisht i plotë, i thellë, me paketë asfaltike, me shtresat me të gjithë elementët e sigurisë rrugore, sinjalistikë vertikale e horizontale. Me këtë investim i gjithë ky segment kthehet në një rrugë me parametrat e duhura,” u shpreh Afrim Qendro, Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar. Drejtuesi i kompanisë së ndërtimit tha se rruga po ecën me ritme mjaft të shpejta dhe për 3 muaj pritet të jetë gati. “Afati është 6 muaj e gjysmë, por besoj për 3 muaj është e përfunduar. Kemi bërë më shumë se gjysmën deri tani, edhe me ritme të jashtëzakonshme, me dy turne. Kemi aktivizuar rreth 210 punonjës dhe 160 makineri. Punojnë me dy turne me ritme të papara,” u shpreh ai.
Kreu i ARRSH-së tha se paralelisht po punohet në të gjitha arteriet e hapura rrugore, si dhe në zonat që paraqisnin rrezikshmëri për rrëshqitje me afrimin e stinës së dimrit, apo për katastrofa natyrore. “Të gjitha pjesët e tjera të rehabilitimit i kemi hapur, jemi në përfundim. Edhe Shkodër-Muriqani është drejt fundit, edhe Fushë Mjeda, edhe me Tamarën. Gjithashtu dhe Gjirokastër-Lazarat është drejt përfundimit. D.m.th. e gjithë pjesa rehabilituese, paketa që kishim, është drejt përfundimit. Ndërkohë që janë bërë dhe shumë emergjenca. Kemi në Xhurë, kemi në Urën e Peqinit, disa vepra të tjera që janë shumë të rëndësishme për sigurinë rrugore dhe për të shmangur të gjithë këto katastrofat e mundshme që mund të na vinin,” tha Qendro.
Kryeministri Rama shtoi se në Klos nuk ishte vënë dorë për gati çerekshekulli, ndërsa nënvizoi se dhe Rruga e Arbrit po ecën me ritme të kënaqshme. “Klosi ishte, që në kohën kur kishte shkel shoku Enver atje, s’kishte vënë dorë më as njeri, vetëm për të shkuar për të ngritur gishtat e demokracisë. Po, edhe rruga e Arbrit po ecën shumë mirë,” u shpreh Rama.
“Rruga e Arbrit deri tani është me ritme shumë të kënaqshme. Jemi diku mbi 20 e ca për qind punime të kryera. Është duke ecur mirë realisht. Shumë afër fillojmë dhe këto të dyja që ju përmendët, Milot-Balldren dhe Thumanë-Kashari dhe me këto i gjithë aksi pastaj merr formë tjetër dhe merr formë përfundimisht, bashkë me të gjithë elementët, deri në Balldren kalon, shmanget ajo rrëmuja, e gjithë ajo situata e pakëndshme që është krijuar në hyrje të Lezhës dhe i gjithë aksi që kalon, me doganën e Muriqanin dhe me Hanin e Hotit kalon në kushte normale dhe bëhet një aks i mbyllur. Përfundimisht do kemi kategori A të mbyllur, një rrugë me të cilën nuk hyhet më, nuk ka më mundësi, do jetë siç kemi bërë edhe unazën lindore. Nëse sot Burreli nga Skurajt kërkon një orë e gjysmë gati të shkosh në Burrel dhe gjatë luginës një rrugë e keqe, me bërjen e Burrel-Klosit dhe me e Rrugën e Arbrit, Klosi vetë vjen për 35 minuta në Tiranë, po ashtu Burreli. D.m.th., i gjithë aksi lëvizës do ndryshojë dhe i gjithë zhvillimi ekonomik, edhe produktet, koha e shkurtër e lëvizjes. Plus nuk do harxhojnë më për makinat edhe për mirëmbajtjen. E gjitha është shumë pozitive si situatë,” deklaroi kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Kryeministri Rama ndërkoi nënvizoi nevojën e zgjidhjes përfundmtare të problemit të ujërave në autostradën Tiran-Durrës, që sollën përmbytje nëj vit më parë. “Duhet të zgjidhim edhe çështjen e ujit te autostrada. E gjithë ajo liria demokracia e këtyre është mbledh atje,” theksoi Rama.
“Ne kemi bërë gati të gjithë studimin hidrik dhe çfarë na duhet për të ndërhyrë. Do bëjmë një ndërhyrje, kemi gjetur dhe hapësirat në kontratë, do bëhet një ndërhyrje emergjence e shpejtë për të bërë të mundur të gjithë mos përsëritjen e asaj situate që kishim. Ndërkohë që kemi një bashkëpunim të mirë me disa biznese të cilët pjesën mbrapa bizneseve të tyre kanë filluar pastrimin e kanaleve. Kemi bashkëpunim dhe me KESH-in me të gjithë institucionet, se, në fakt, atje ka tension të lartë, ka rrjete të sistemit të ujit të pijshëm, d.m.th. është një gjë që do një zgjidhje përfundimtare,” deklaroi kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here