Kreu Aktualitet Projektet transformuese infrastrukturore të Vlorës

Projektet transformuese infrastrukturore të Vlorës

643
0

Kryeministri Rama bashkëbisedim me qytetarët në Vlorë për buxhetin 2019 për infrastrukturën:

Shumë faleminderit për këtë interesim të madh, lidhur me temën e këtij takimi, që është buxheti për infrastrukturën, në kuadrin e disa takimeve që ne do të bëjmë lidhur me buxhetin e vitit 2019.

Siç e tha edhe ministri, për buxhetin për infrastrukturën vendosëm që të vijmë këtu në Vlorë, pasi jo vetëm ajo që tha Damiani është e vërtetë, që, Vlora është një nga zonat ku zhvillimi i infrastrukturës në vitet e fundit është shumë domethënës, por askund më mirë se në Vlorë nuk mund të flitet dhe për Shqipërinë. Nuk diskutohet!

Kini parasysh, që, deri në vitin 2013, shteti shqiptar hyri në një rrugë shumë të rrezikshme për qëndrueshmërinë e vet financiare dhe çka ndodhi me sektorin e infrastrukturës ishte shëmbëlltyrë e mungesës së aftësisë qeverisëse, por edhe e një papërgjegjshmërie të madhe, në raport me të nesërmen.

E vërteta është që, me ndryshimin e qeverisë, u bë i mundur edhe ndalimi i një ecurie shumë të rrezikshme që kërcënonte edhe njëherë tjetër qëndrueshmërinë financiare, jo më për arsye të piramidave, por për arsye të një konceptimi dhe të një shfrytëzimi me filozofinë e piramidës së të ardhurave dhe burimeve financiare.

Një dallim dua të them për të gjithë ata që dëgjojnë atë zhurmën e kazanit lidhur me Partneritetin Publik-Privat. Deri në vitin 2013, buxheti i shtetit mbështetej tek borxhi i jashtëm. Ndërkohë që sot, ne kemi një buxhet, i cili nuk bazohet mbi asnjë qindarkë borxh, që do të thotë se gjithçka që ne do të vazhdojmë të ndërtojmë nuk do të ndodhë duke ia lënë si barrë fëmijëve tanë.

Ne, ndryshe nga çfarë llafollogojnë ata që e kishin mundësinë ta qeverisin Shqipërinë dhe të gjithë e panë se sa të paaftë që janë, jemi duke bërë dy gjëra në të njëjtën kohë: duke rritur si asnjëherë më parë volumin e investimeve dhe duke ulur çdo vit borxhin publik. Kjo është shumë e rëndësishme!

Ministri foli në vija të përgjithshme për planin e vitit të ardhshëm lidhur me buxhetin e infrastrukturës. Ai është dhe drejtues i Qarkut të Vlorës, unë jam deputet këtu i qytetit, kështu që, si deputet i Vlorës më takon të përqendrohem tek pjesa që i takon Vlorës, Damianin e kemi për të gjithë Shqipërinë.

Së pari, do vazhdojmë të investojmë mbi këtë bazë që kemi vendosur edhe që faktikisht është pasqyrë e një ndryshimi rrënjësor që do të thellohet në vitin e ardhshëm dhe do të vazhdojë të thellohet deri në përfundim të këtij mandati. Për mua është shumë e rëndësishme që do të fillojmë rrugën Orikum-Llogara dhe ministri duhet të mbajë zotimin për tunelin.

Tuneli i Llogarasë ka të paktën 30 vjet, në mos gabohem, që premtohet.

Është hapur si temë që kur ndodhi ai aksidenti i tmerrshëm pas shkarjes së autobusit të studentëve dhe pastaj dy helikopterë që u përplasën, duke marrë jetën e mbi 20 të rinjve e mjekëve dhe është koha që tunelin ta bëjmë realitet!

Nga ana tjetër, do të nisim shumë shpejt vazhdimin e Lungomares deri tek tuneli i Ujit të Ftohtë dhe njëkohësisht edhe rindërtimin e të gjithë aksit nga Uji i Ftohtë, në Radhimë dhe në Orikum, ku do të bëhet bashkimi me rrugën e re Orikum-Llogara dhe pastaj tuneli për të shkuar në anën tjetër.

Është shumë themelore që të transformohet e gjithë ajo zonë, nga pikëpamja e infrastrukturës! Projekti parashikon një spostim për disa kilometra të rrugës ekzistuese, e cila, si rrugë ekzistuese sot që është pranë detit do të kthehet në një rrugë këmbësore. Ndërkohë që, trafiku do të spostohet në një linjë paralele pak më tutje, për ta transformuar të gjithë atë zonë, nga një zonë që është dhe turistike, edhe zonë kalimi, në një zonë mirëfilli turistike.

Po ashtu, paralelisht me përfundimin e problemit historik të elektrifikimit, – tamam elektrifikimi, se në Orikum është fiks çështje e elektrifikimit, – ne do të punojmë për të gjithë pjesën e vijës bregdetare të Orikumit dhe do të vazhdojmë paralelisht me Bulevardin “Ismail Qemali” edhe me Sheshin e Skelës që ka mbetur në mes dhe do çlirojmë nga e gjithë ajo rrëmujë kioskash e topash, Muzeun e Pavarësisë. I vetmi vend në botë, ku Shtëpia e Pavarësisë është e rrethuar nga kioska dhe ku byrektorja shkon deri tek muri i Shtëpisë së Pavarësisë!

Po bëjmë projektin me Bashkinë dhe do bëjmë një investim aty, për të krijuar një pikë të re zhvillimi urban të qytetit.

Ashtu sikundër, sot ne vizituam edhe kantierin e qendrës historike. Nuk e di a ju ka rënë rruga, por qendra historike ka filluar të dalë pak nga pak në dritë edhe do jetë një pikë e re referimi për këtë qytet.

Aktualisht, më vjen shumë mirë që përfundoi makthi i rilidhjes së kontratës për bypass-in e Fierit dhe të Vlorës.

Puna në bypass-in e Fierit ka filluar të organizohet. Brenda pak ditësh do të fillojë intensivisht dhe nuk diskutohet që në sezonin e ardhshëm traseja e bypass-it do të jetë e hapur, s’do ketë më nevojë për t’i rënë nëpër xhepa për të hyrë në Vlorë, apo për të dalë nga Vlora.

E njëjta gjë me bypass-in e Vlorës, ku do të fillojë puna edhe ai bypass do të jetë një lehtësim i madh për të gjithë zonën poshtë të Orikumit.

Kemi pasur një negociatë të vështirë për të finalizuar kontratën për aeroportin e Vlorës, por, siç u tha këtu, unë e përsëris, në të gjitha rastet, vitin e ardhshëm do të fillojmë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Tani, po pati mundësi, mos filloni që nesër të më shkruani në facebook, “pse nuk e fillove aeroportin mbrëmë”. Vitin e ardhshëm, se kur vitin e ardhshëm, këtë nuk jemi në gjendje ta themi sot, por brenda këtij mandati, ne do ta bëjmë Vlorën me aeroport, pa diskutim.

Kemi për herë të parë, mbas 30 vitesh buxhet për hekurudhat, jo për të mbajtur në punë njerëz që thonë punoj në hekurudhë dhe hekurudhë nuk ka, por për të ndërtuar hekurudhë. Hekurudhën e re të shpejtësisë së lartë, Tiranë – Rinas – Durrës do ta fillojmë vitin e ardhshëm dhe do të rindërtojmë plotësisht linjën Fier – Vlorë të hekurudhës, që do të lehtësojë shumë edhe bizneset në portin e Vlorës.

Për sa i përket portit të Vlorës, ishim sot aty, po bëhet një investim shumë serioz, por drejtuesit tonë të qarkut, ministrit i kam thënë, ose sezonin e ardhshëm ju bie vlonjatëve traget që meriton të quhet traget ose nuk mund të jesh më, jo drejtues, por as deputet në Vlorë. Traget për Vlonjatët, jo një magazinë që lëviz nëpër det, ku edhe vetë Saliun nuk do e fusja se do më vinte keq, jo më vlonjatët.

Dhe besoj që Damiani do ta marri shumë seriozisht e mirë do ishte që ta shikonim tragetin përpara se sa të fillonte sezoni, do me thënë, nga marsi, prilli, edhe me 1 prill e pranojmë, traget e ky trageti që është sot duhet të zhduket nga Vlora e mos vijë më kurrë në Vlorë.

Thashë që do punojmë për transformimin urban, bulevardi i ri do jetë besoj bulevardi më i bukur i Shqipërisë, natyrisht bulevardi i Tiranës ka vlera të tjera, por nga ana tjetër më vjen shumë mirë që pas 70 vjetësh, më në fund do mbyllim përfundimisht grykën e ujërave njerëzorë që derdhen në ujin e detit dhe gjithë vija e Lungomares do mund të jetë, jo vetëm vijë urbane e mrekullueshme, siç është sot, por edhe një plazh i populluar siç duhet, sepse e dimë shumë mirë që, qysh pas çlirimit të paktën, problemi aty ka qenë derdhja nga lartë e ujërave të zeza.

Projekti është bërë dhe vitin e ardhshëm me buxhetin e ri, do të fillojë dhe do të ecim me shpejtësi për ta zgjidhur përfundimisht çështjen e ujërave të zeza dhe të kemi një sezon që të jetë fillimi i fundit të historisë së ujërave të zeza. Ndërkohë që, siç tha drejtori i Fondit të Zhvillimit, edhe për Himarën, për gjithë bregdetin Jon, por dhe për gjithë bregdetin e Shqipërisë, ambicia jonë është që të mos derdhet asnjë pikë ujë i zi në det.

Dje apo pardje, nuk jam i sigurt, ka përfunduar edhe gara për impiantin e parë të energjisë diellore në Shqipëri, 100 MW, 70 milionë euro, investim që do të fillojë me fillimin e vitit të ardhshëm, sapo të lidhet kontrata, besoj deri në fund të këtij viti, në zonën e Akërnisë.

Kështu do kemi sasinë e parë të një energjie të gjelbër që nuk vjen nga uji dhe njëkohësisht në zonën e Akërnisë, ku do të jetë dhe aeroporti, do ndërtohet një pol i ri zhvillimi, me shumë rëndësi.

Nuk e kam harruar, përkundrazi dhe jemi duke punuar për të filluar edhe ndërtimin e stadiumit të ri të Flamurtarit. Është një projekt që nuk përfshin vetëm stadiumin, përfshin edhe rindërtimin e këtij pallati, ashtu sikundër dhe një kompleks sportiv që mbetet për t’u përcaktuar akoma se ku do të ndërtohet, por nuk diskutohet që Vlora meriton të ketë një pol sportiv dinjitoz, siç e ka aktualisht Korça, do ta ketë edhe Vlora dhe besoj që është me shumë rëndësi për të gjithë rininë, por dhe për sportdashësit vlonjatë.

Mw tha njëri një natë, atje tek Lungomarja, – ta dhashë votën – tha, – por nuk e mendoja që do më hapje kaq shumë probleme në shtëpi. – Pse i thashë? – Se që kur bëre Lungomaren, tha, nuk e gjej më gruan në shtëpi. Më thotë gruaja, -hajde tek Lungomarja. Dhe e vërteta është që, që kur ka filluar ky transformim, vjen në Vlorë dhe shikon që Vlora ka më shumë gra se burra, se deri përpara ca vitesh, kur mbeti Vlora e shkretë në duart e Saliut, dukej si qytet ku kishin ardhur burrat për të kaluar internimin.

Ambicia është që të shtojmë gratë dhe vajzat në stadium për të parë Flamurtarin, por që të ndodhi kjo, duhet t’ju bëjmë grave dhe vajzave dhe familjeve, një stadium modern që të jetë tamam një qendër argëtimi, jo një stadium këtu, ku shkojnë dhe rrinë në krahët e njëri-tjetrit 200 veta që bërtasin dhe në fund nuk dinë sa doli ndeshja.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Ka shumë gjwra të tjera për të thënë, por sot ne deshëm të fokusohemi tek infrastruktura dhe një gjë është e sigurt që ky zhvillim dhe kjo ecuri gjërash në Vlorë, nuk është fundi, por është vetëm fillimi i një transformimi që do shtrihet edhe më thellë sepse u përmend këtu rruga e lumit të Vlorës, është një proces që ka pasur atë vonesën e vet për shkak se atë projekt ne e kemi financuar me fonde të donatorëve të huaj dhe na është dashur t’i nënshtrohemi në njëfarë mënyre atyre ritmeve të tyre, por e rëndësishme është që loti që ka filluar do përfundojë sëshpejti dhe brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, do tw nisi puna në të tre lotet e tjera, përfshirë edhe Selenicën. Kam bindjen që me ndërtimin e asaj rruge do të zgjohet ekonomia edhe në pjesën e brendshme, në pjesën rurale të Vlorës ku ka potenciale tw jashtwzakonshme për agrobiznes dhe për turizëm.

Ambicia ime është që në ndërkohë, ne të fillojmë të sjellim hotelet e para, me 5 yje në Vlorë sepse na duhet, siç e tha ministri, që sezonin turistik ta shtrijmë përtej kohës tradicionale prej dy muajsh dhe për këtë na duhet të fuqizojmë, jo vetëm infrastrukturën publike, por dhe infrasturktrën private të mikpritjes, të kemi salla konferencash të standardeve ndërkombëtare të kemi një tërësi elementësh që Vlora sot, megjithatë transformimet e mëdha që kanë bërë sipërmarrësit dhe me gjithë hotelet që janë përmirësuar ndjeshëm, nuk i ofron akoma.

Pra kjo është ambicia, që të rrisim cilësinë e gjithë industrisë të mikpritjes, në mënyrë që të rrisim numrin e turistëve e ta zgjasim turizmin në kohë, gjatë vitit, duke rritur kështu mundësitë për punësim, duke rritur kështu edhe të ardhurat.

Shumë faleminderit dhe do të shikohemi besoj shumë shpejt, kur të jemi këtu për të filluar punët e reja që nuk janë mbas shumë vitesh, por janë mbas pak muajsh.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.