Kreu Politike Prononcim për mediat i Kryeministrit pas mbledhjes së Kryesisë së PS

Prononcim për mediat i Kryeministrit pas mbledhjes së Kryesisë së PS

391
0

Prononcim për mediat i Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS:

-Çfarë u diskutua në mbledhjen e Kryesisë së PS?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë një proces të miratimit të kandidaturave për kryetar partie, sepse siç e dini, prej disa muajsh jemi në proces riorganizimi ripërtëritjeje dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme dhe pasi kemi zgjedhur kryetarët e organizatave, pasi kemi përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve edhe gratë, duke vendosur të fillojmë të zbatojmë një normë të re të organizimit ku drejtimi i organizatave i besohet një burri, ose djali dhe një gruaje, ose vajze, kemi bërë dhe zgjedhjen me “një anëtar një votë” të të gjithë delegatëve të Kongresit, tani ka ardhur koha të përmbyllim procesin me zgjedhjen e kryetarëve të partisë. Për këtë, propozimet e marra nga të gjitha asambletë janë trajtuar në kryesi dhe kanë marrë miratimin për të vazhduar pastaj procesin e garës dhe të zgjedhjes së kryetarëve të partisë në 61 bashkitë e vendit.

-Po në Shkodër si po ecën procesi i organizimit?

Kryeministri Edi Rama: Kudo procesi ecën sipas normave të paracaktuara, sigurisht, diku më shpejt, diku më ngadalë, diku shumë mirë, diku mirë, diku më dobët, por, në përgjithësi, unë besoj se, ky proces na ka dhënë atë që kemi pritur, na ka dhënë një energji të re, na ka dhënë një ripërtëritje të domosdoshme në një fazë të ndërmjetme, pasi, edhe pse zgjedhjet duken larg, ato janë nesër praktikisht, sepse qershori i vitit 2021 është shumë afër politikisht.

-Zoti Rama janë 3 bashki pa kryetar bashkie. A ka një komunikim me Presidentin e Republikës për të caktuar një datë për zgjedhjet?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk kemi asnjë komunikim. Ju e dini që situata post zgjedhore karakterizohet nga një inerci që lidhet me historinë e dekrete-zhdekreteve, kështu që ne kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësi normale të qeverisjes, aty ku ne kemi fituar bashkitë dhe ku praktikisht kemi dy vakanca. Besoj që kjo po ndodh. Ndërkohë që, për sa i përket Shkodrës, nuk ka një vendim edhe, për fat të keq, Shkodra është në situatën më të rëndë nga kjo pikëpamje, sepse ka një kryetare që është kryetare dhe s’është kryetare dhe faktikisht ka një vakuum në këtë aspekt, por kjo është një çështje që nuk është në dorën tonë dhe nuk kemi se si e zgjidhim, por thjesht presim që të marrë një zgjidhje.

-Dje keni folur lidhur me prioritetet e qeverisjes për vitin 2020. Por për sa i përket krizës politike, a mendoni që mund të zgjidhet në vitin 2020? A do ketë një tjetër ftesë për opozitën?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që vendi nuk ka vakuum për arsye sepse Kuvendi funksionon, procesi legjislativ ecën, ne reformat po i çojmë përpara. Besoj që me prioritetet që kemi caktuar do i japim një shtysë të re shumë të fortë kësaj faze të dytë të mandatit në kuptimin e impaktit që do të ketë kjo shtysë, qoftë në aspektin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë në aspektin e nevojës për të përfunduar një proces të stërzvarritur të titujve të pronësisë në fshat me ligjin e ri që tashmë është gati, qoftë në aspektin e shërbimeve. Në janar besoj që qytetarët do fillojnë ta ndjejnë shumë shpejt lehtësimin e madh nga fakti që nuk do jenë më të detyruar të shkojnë nëpër sportele, të presin, të bëjnë aplikime, pastaj t’iu thuhet që, “shko se mungon kjo, mungon ajo, merr këtë letrën këtu, kthehu andej”.

Brenda 2020-ës të gjitha shërbimet do të jenë shërbime që do u ofrohen qytetarëve, të paktën në fazën e aplikimit, online. Nga ana tjetër, shteti do të marrë përsipër në çdo sportel që të plotësojë dosjet me të gjitha dokumentet që i kërkohen sot qytetarit nga brenda shtetit dhe që e detyrojnë të shkojë në 17 dyer, pra nuk do ketë nevojë fare që të bredhë sa andej-këtej, qoftë në aspektin e sezonit turistik, pasi, mbase e kujtoni që kemi marrë angazhimin për të bërë një riformatim të legjislacionit për vijën bregdetare dhe besoj që kjo do ndjehet shumë në sezonin e ardhshëm, qoftë në aspektin e ecurisë së Paktit për Universitetin me hapjen e kantierit të madh të Kampusit Universitar, që do ta transformojë përfundimisht botën universitare në një platformë që, nga pikëpamja e infrastrukturës do të jetë e pakrahasueshme me çka ka qenë në gjithë këto vite, qoftë në aspektin e vetë rindërtimit që është prioritet i prioriteteve dhe besoj që kur njerëzit të fillojnë të kthehen në shtëpi shumë më të mira dhe kur zonat e prekura të fillojnë të marrin frymë me një lloj energjie të re pozitive, si rezultat i rindërtimit, të gjitha këto do të vlejnë për qytetarët dhe nuk besoj se në kushte të tjera do të mund të bëhej më shumë se kaq, edhe pse e mira s’ka fund, pra nuk kemi ndonjë vakuum në këtë aspekt.

Sigurisht që do ishte mirë PD të ishte në parlament. Ka marrë vendimin e vet të ikë. Është një vendim që tregon se ka dëmtuar rëndë vetë PD. Padyshim që nuk e ka bërë më të mirë jetën politike të vendit, por nuk është se e ka cënuar në pikën e mosfunksionimit kështu që gjërat funksionojnë, mund të funksiononin më mirë padiskutim në këtë aspect, por gjithmonë nuk ka diskutim që ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, ne jemi të gatshëm të diskutojmë, ne jemi të gatshëm të dëgjojmë, të mbajmë shënim, të reflektojmë kur shohim që ka ide dhe sugjerime positive, por ne jemi të votuar e të dënuar të udhëheqim, nuk jemi këtu për të ndjekur të tjerët, as për të pritur që dikush të zgjohet nga gjumi apo të përfundojë atë shtriqjen përpara se sa të vijë në punë.

Një propozim konkret për ndryshimin e sistemit, do dëgjohet kërkesa e opozitës brenda dhe do vazhdoni ta prisni dhe opozitën jashtë apo do ta miratoni?

Kryeministri Edi Rama: Të gjitha idetë respektive të çdo force politike janë legjitime, por ajo që është detyrim e që nuk është çështje dëshirash apo idesh, por është çështje e ecurisë së mëtejshme të procesit të konsolidimit të zgjedhjeve dhe procesit të modernizimit të përgjithshëm të vendit, është implementimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këtu ne nuk kemi çfarë diskutojmë, nuk kemi çfarë gjejmë për t’u ndarë. Këtu thjesht ne duhet të bëjmë implementimin e rekomandimeve.

Kemi qenë të hapur që të dëgjojmë versionet e çdo pale për mënyrën se si e lexojnë e si mendojnë që do bëhet implementimi i rekomandimeve, por pa diskutim që në zgjedhjet e ardhshme do të kemi komisione zgjedhore të depolitizuara, pra partitë nuk do kenë më asnjë gjë në dorë, në raport me komisionet zgjedhore e pastaj të tjerat janë gjëra që kanë rëndësinë e tyre, por kjo është kryesorja dhe votat si proces do t’u besohen njerëzve që nuk kanë asnjë lloj detyrimi dhe asnjë lloj zelli të posaçëm, në raport me partitë e tyre për të shkelur ligjin.

Kjo është gjëja më e rëndësishme, ka vite që kërkohet, ka ardhur koha të bëhet, ne do ta bëjmë dhe kaq.

Zoti Kryeministër, kishit premtuar amnisti për gra, por sërish këtë fund vit mungon.

Kryeministri Edi Rama: Sot në mos gabohem, në mbledhjen e qeverisë pas pak kemi këtë vendim për të marrë e besoj që përfitueset kryesore do të jenë gratë. Unë do kisha dashur më shumë se kaq, në raport me gratë, por jam në minorancë në këtë aspekt.

Po për shpërblimet e vitit të ri Zoti Rama?

Kryeministri Edi Rama: Sot në mbledhjen e qeverisë, siç e thashë dje, kemi edhe këtë diskutim. Situata nuk është normale, ju e dini shumë mirë dhe jemi shumë të kujdesshëm sepse ndërkohë që nuk duam të prekim asnjë prioritet dhe nuk duam të prekim asnjë pjesë të procesit të përgjithshëm të qeverisjes dhe të impaktit të këtij procesi me njerëzit, duhet të matemi mirë për arsye se dëmet janë dhe nuk e dimë sot se sa do të arrijmë të marrim si mbështetje financiare. Ne e kemi marrë përsipër dhe kemi skenarin e përballimit të situatës, qoftë dhe sikur të mbetemi vetëm, por kjo do të thotë që duhet pastaj të prekim të tjera gjëra. Kështu që jemi pak në këtë fazë që duam të mos cenojmë prioritetet dhe siç e kemi parë, prioritetet nuk janë cenuar deri tani që flasim, por ndërkohë nuk duam të shpenzojmë përpara muajit shkurt kur do të kuptojmë përfundimisht se çfarë do të jetë në aspektin e mbështetjes financiare kontributi i miqve dhe i partnerëve në mënyrë që të kemi pastaj një qartësi mbi çfarë do bëjmë më mbrapa.

Si mund të jeni në minorancë në një qeveri ku gjysma e qeverisë janë gra, nuk janë mbështetëse ato për gratë e tjera?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk ka lidhje. Unë doja një amnisti totale për gratë. Tani është një debat i madh në lidhje me gratë që kanë vrarë burrat që të jemi të qartë e ky debat nuk është një debat politik, është një debat juridik, është një debat shumë i komplikuar se sa thjesht dëshira apo qëllimi i mirë nga ana ime. Kemi pasur disa debate në fakt e nuk është se nuk e mbështesim në kuptimin që gratë nuk duan gratë, por vrasjen e burrave nuk e shohin si një krim që mund të amnistohet me një të rënë të lapsit dhe unë mendoj që kanë të drejtë nga pikëpamja ligjore, nga pikëpamja e vijimësisë. Thjesht unë nuk i kisha hyrë më thellë në këtë aspekt, por instinktivisht mendoja që mund të bëhej diçka e tillë, e plotë. Por amnistia do të jetë e konsiderueshme për gratë, nuk diskutohet kjo. Do përfitojnë një pjesë e madhe e grave që sot po vuajnë në burg.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.