Kreu Aktualitet Qendra Shëndetësore 10, ndër qendrat e rindërtuara në themel

Qendra Shëndetësore 10, ndër qendrat e rindërtuara në themel

143
0

Qendra Shëndetësore nr.10, në Tiranë, ofron shërbimin 24 orë për qytetarët, tërësisht e rindërtuar me një infrastrukturë bashkëkohore. Projekti i rindërtimit, pjesë e programit për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore në mbarë vendin, e shndërroi edhe këtë Qendër në një mjedis komod, ku shërbimi mundësohet në kohë dhe me cilësi të lartë. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin sot në Qendrën nr.10, për të cilën qytetarët  shprehen shumë të kënaqur.

“Kushtet janë të përmirësuara. Fëmijët ndjehen komodë. Ambientet janë më të rregullta më të pastra. Ne prindërit ndihemi pa merak tani dhe më të sigurt për shërbimin,”- thotë një nënë e re.

Ndryshimi është i dukshëm, në mënyrë të veçantë për banorët që prej shumë vitesh marrin shërbimin këtu. “Jam banore e kësaj lagje që prej 18 vitesh. Më përpara ka ambientet kanë qenë me lagështirë. Tani kanë ndryshuar gjerat tërësisht.”

“Kam një muaj  që kam ardhur nga Amerika dhe standardet e kësaj klinike janë njësoj si ato andej. Duket pothuaj njësoj,”- shprehet një tjetër qytetar.

Ndërkohë që mjekët e sidomos ata që punojnë prej vitesh në këtë Qendër janë optimistë për faktin se me përmirësimin e kushteve rritet edhe cilësia e shërbimit. “Kam që prej vitit 1986. Një ndryshim shumë i madh. Është një përmirësim rrënjësor i kushteve. Është një komoditet i madh për fëmijët, për prindërit dhe njëkohësisht edhe për ne mjekët,” – shprehet një prej tyre.

Ministrja Manastirliu shpjegoi se Qendra nr.10 në Tiranë është një prej 4 qendrave që ofrojnë shërbim 24 orësh në sezonin e dimrit, për të lehtësuar fluksin e qytetarëve në QSUT. Ndërkohë që mjekët e të gjitha qendrave shëndetësore të Tiranës, ofrojnë shërbimin e tyre edhe në pediatrinë e QSUT.  “Në kuadër të programit tonë të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, këtu ka tashmë gjithë standardet. Prindërit marrin një shërbim shumë më të mirë. Kjo qendër ofron shërbim 24 orësh. Tani në dimër, ne kemi vendosur që 4 qendra shëndetësore këtu në Tiranë, prej të cilave është edhe kjo, t’i hapim 24 orë për të lehtësuar Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pediatrinë, e cila ka një fluks shumë të madh. Ndërkohë mjekët e të gjithë qendrave shëndetësore ofrojnë dhe shërbim në pediatri,” – tha Manastirliu.

Ndërkohë kjo iniciative është mirëpritur si nga mjekët e Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, po ashtu edhe nga mjekët e qendrave shëndetësore në kryeqytet.  “Ne shkojmë japim shërbimin në QSUT nga ora 4 pasdite deri në 10 të darkës. Në QSUT, numri i vizitave është shumë i lartë dhe mjekët e QSUT e kanë mirëpritur shumë, sepse është një ndihmë e madhe dhe u është lehtësuar jashtëzakonisht fluksi. Ndryshimi i kushteve është si nata me ditën,” – shprehet mjeku pediatër. 

Një tjetër risi që do të zbatohet këtë vit është edhe sistemi i referimit elektronik, për të cilin Ministrja Manastirliu shpjegon: “Qendra bën edhe referimin elektronik për çdo qytetar që ka nevojë të bëjë një konsultë më të specializuar në qendrat tona të specialiteteve. Nëse deri dje, qytetarëve iu duhej të shkonin dhe të pritnin radhën, sot e bëjnë direkt nëpërmjet referimit elektronik. Është viti i parë i aplikimit të referimit elektronik dhe ekzaminimeve elektronike. Po rrisim fashën orare për mjeket me 25%, duke mos lejuar që të shkojnë pa referuar. Është shumë e rëndësishme ndjekja e sistemit elektronik të referimit. Jo vetëm që shmang burokracitë, por i jep edhe mjekut një lloj normimi të punës që ai bën.” 

Ministrja Manastirliu pohon se Qendra Shëndetësore nr.10 është një nga qendrat më të suksesshme përsa i takon ndërgjegjësimit të qytetarëve për kryerjen e kontrollit bazë. “Në vitin 2018, 428 mijë qytetarë kanë bërë  kontrollin mjekësor bazë. Kjo është një nga qendrat kampion, pasi ka rendiment 109,9 % , d.m.th, ka ftuar më shumë qytetarë të bëjnë kontrollin bazë dhe ka parandaluar më shumë sëmundje.” 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here