Kreu Aktualitet Qendra shëndetësore Ndroq, një nga 180 qendrat e transformuara nga programi kombëtar...

Qendra shëndetësore Ndroq, një nga 180 qendrat e transformuara nga programi kombëtar i rehabilitimit

389
0

Në vetëm pak kohë janë 180 qendrat shëndetësore të ndërtuara nga e para, apo rikonstruktuar në themel në të gjithë vendin nga programi kombëtar për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore. Së fundmi, falë këtij programi, edhe 10 mijë banorë të Ndroqit, në periferi të Tiranës marrin shërbim shëndetësor në standarde të larta në qendrën e saporikonstruktuar. Qendra e vjetër ishte një godinë tërësisht e rrënuar dhe jashtë funksionit normal, shpjegon ministrja  e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama bëri në këtë qendër.

“Është një qendër që ka 23 punonjës shëndetësorë, infermierë dhe mjekë, iu ofron shërbime 10 mijë banorëve të Ndroqit dhe besoj që në këtë program kemi realizuar edhe atë që kemi premtuar për forcimin e sistemit parësor dhe mundësisë që iu ofrojmë qytetarëve të marrin shërbime afër vendbanimit,” u shpreh ministrja Manastirliu.

Nga 1 janari, më shumë se 59 mijë qytetarë nuk i janë drejtuar më sporteleve për rinovimin e Kartës së Shëndetit, por e kanë përfituar atë online dhe barrën e provës për statusin e pacientit e kanë institucionet shëndetësore.

“Karta e Shëndetit ishte një ndër praktikat që krijonte më shumë vonesë në marrjen e shërbimit. Vetëm në 2 muajt e parë rezultojnë 59 mijë shërbime që janë eliminuar në saj të Kartës së Shëndetit, që do të thotë, më shumë akses për shërbime,” u shpreh ministrja Manastirliu.

Krahas rinovimit të infrastrukturës shëndetësore dhe digjitalizimit, në dy muajt e parë të vitit janë punësuar 140 mjekë me një sistem transparent përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”, ku në bazë të pikëve të gjithsecilit u bë emërimi në spitale dhe në qendra shëndetësore në të gjithë vendin.

“E pabesueshme! Sapo jemi diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në qershor, morëm licencën në dhjetor, në fund të janarit kemi filluar punë,” shprehet një prej mjekeve të reja të qendrës në Ndroq.

“Aplikimi ishte shumë komod. Mjaftonte një kompjuter dhe mund të aplikoje që nga shtëpia online. Procesi ishte shumë transparent. Të them të drejtën nuk e besoj akoma që kam filluar punë në Tiranë. Nëse nuk do ishte kjo mundësi nëpërmjet portalit, dyshoj se do kisha filluar,” pohon një mjeke tjetër.

Në vitin e dytë të funksionimit, Portali “Mjekë për Shqipërinë” po dëshmohet nga vetë mjekët një histori suksesi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.