Kreu Ditar Qeriba Derri, grua e larte si çipini

Qeriba Derri, grua e larte si çipini

241
0
  • Me rastin e 75 vjetorit te renies

Historia e LANÇ-it, që është shkruar me gjak dhe grykën e pushkës, nuk mund të rishkruhet me bojë!

Qeriba Derri (Hoxha), kjo vajzë trime smokthinjote ka një rrugë luftarake mbushur me veprimtari të gjerë aktive, sulmuese, atdhetare, revolucionare, antizogiste e antifashiste. Me pikat e gjakut e grykën e pushkës, së saj dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë shqiptarë, janë shkruar dhe ndritin  faqe të historisë së LANÇ, të cilat nuk ka penë e bojë që mund t’i rishkruaj. Ballistët e arrestuan dhe bashkë me nazistët e vranë. Me predhat e tyre ndërprenë jetën e saj të re në një ditë pranvere, më 4 prill 1944, sepse ajo luftonte për t’i siguruar Pranverën e përhershme Shqipërisë, me parullën “Vdekje fashizmit-Liri popullit”! E torturuan dhe e vranë  vajzën Labërisë, siç populli i këndoi: “Tek Sheshi i Vlorës, te xhamija/ shumë e hidhur historia/ Smokthinës iu vra e bija/ më lart u ngrit trimëria”.

E ushqyer me idetë e mëdha të Rilindjes dhe të Pavarësisë Kombëtare, ajo rritej një vajzë e fortë si strralli, “xixa syri, flakë balli”. Ishte fëmijë 5 vjeçare kur Qeribasë i ndodhi fatkeqësia: vdekja i rrëmbeu babain, pastaj edhe nënën. Vogëlushen e zunë hallet dhe rritej përmes vështirësive e varfërisë, ndaj rapsodi shprehej: “Qeriba, moj varfanjake,/ Moj e rritura bonjake,/ Jeta jote gjithë plagë,/ U rrite pa nënë e babë”.

Por të afërmit e saj nga fisi Hoxha nuk e lanë vajzën “në mëshirë të fatit”, por u kujdesën për të si për vajzën e tyre, e rritjen si një zog shqiponje. Pati nderin të mësonte në shkollën e Matogjinit, me mësues atdhetarin e madh, revolucionarin Halim Xhelo Tërbaçi. Në moshën 14 vjeçare u martua me Shaqo Derrin, i cili më vonë do të ishte një nga atdhetarët e vendosur të kësaj krahine. Edhe pse nuse e re, ajo përballoi me vendosmëri vështirësitë e jetës, përmes të cilave kalitej dhe bëhej e pathyeshme si strralli i Malit Çipin!

Veprimtaria atdhetare e saj shtrihej nëpër vite. Ishte 15 vjeçe, kur ajo, më 1920 aktivizohej në Luftën e Vlorës: mblidhte bukë e municione që dërgoheshin në vijën e frontit, merrej me mjekimin e të plagosurve dhe ndihmonte familjet, bijtë e të cilave binin në fushën e nderit.

Më 1924, i shoqi i saj, Shaqoja ishte oficer i Qeverisë së Nolit. Regjimi i Zogut e ndiqte, por ai emigroi në Francë. Qeribaja mbeti me vëllanë e burrit. Më 1930, ajo mundi të sigurojë vajtjen pas bashkëshortit në Francë. Këtu filloi një fazë e re në jetën e saj, u takua me mësuesin e vjetër të Matogjinit, Halim Xhelo. Bashkë me burrin u vunë në krahë të tij. Qeribaja zhvillonte veprimtari revolucionare. Si aktiviste u zgjodh anëtare e Komitetit të Çlirimit Nacional.

Në vitin 1933, Qeribaja dërgohet me mision në Shqipëri dhe bëri ndërlidhje me antizogistët, për të shpërndarë material propagandistik e për të qëndruar afër njerëzve atdhetarë. Shkonte disa here në Paris dhe kthehej e vepronte në Shqipëri, duke plotësuar detyrat që i caktoheshin. Dallohej si agjitatore, masovike. Vishej me çitjane labe, merrte tërkuzën dhe shkonte me shoqe në mal për dru e në ara për të punuar, duke vepruar për të humbur gjurmët e punës patriotike të saj.

Edhe pse jetoi për një kohë në Francë, mbeti labe e shqiptare në shpirt. Fliste me shoqe dhe dëgjohej me vëmendje prej tyre. Ndonjëra i thoshte: “Moj e zezë, derisa një punë e kishe, burrin e kishe dhe në Paris ishe, ç’djall ta mbushi mendjen të vish këtu në këto harca të Çipinit, të veshësh opinga prej lëkure lope dhe të ngarkohesh me dru si mushkë”. Qeribaja qeshte. Tre vjet me radhë nuk pushoi së punuari me gratë. Shpjegonte se këtu në Atdhe duhet të luftojmë pushtuesit e huaj. Dhe punonte me ndërgjegje për shtëpinë dhe Shqipërinë. E gjente veten mes shoqeve, në punë bashkë me to në shkrepa e male, ku ligjëronte si thëllëza. Dhe për të thuhej: “Ato vite qenë të rralla, /ti vitet i kuptoje,/ ndaj bridhje brigje maja,/ për to gjithnjë mendoje”.

Më 1936, Qeribaja kthehet në Francë. Duke qenë anëtare e degës së Komitetit të Çlirimit Nacional ndihmonte shokët për raportin që përgatitej lidhur me Shqipërinë. Më 1937 dërgohet përsëri në Shqipëri dhe me këtë rast shkoi në Tërbaç, ku ngushëlloi për vdekjen e Halimit. Më 1938 kthehet përsëri në Francë, takohet dhe i raporton Ali Kelmendit. Takonte edhe anëtarë të organizatës  “Bashkimi Kombëtar”, por kur shihte krerë të shumë flamureve të kësaj organizate, nuk kthente as kokën nga ata pa le t’u fliste. Një ditë, kur ishte në një shëtitje,  e ndaloi Q.Koculi, i cili e pyeti: “Pse moj vajzë nuk më flet?”. Ajo iu përgjigj aty për aty: “Nuk të flas se më bie erë bej”! Dhe u largua pa i dhënë dorën.

Shpirti i saj patriotik dhe revolucionar e kishte bërë Qeribanë të përfshihej në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Më 1939, ajo bashkë me Shaqon kthehen në Shqipëri. Flota luftarake e fashizmit i bllokoi në Durrës. Me zgjuarsi ata vepruan dhe shkuan në fshatlindje. Qeribaja e gjeti Smokthinën dhe gjithë Mesaplikun që flakëronte nga lufta për çlirim, ku dëgjohej dhe kënga: “Moj krahinë e Mesaplikut/ Të griu gryka e çelikut/ Top e mortaj’ e armikut”. Dhe jo pak luftëtarë e sidomos gra mblidheshin rreth Qeribasë. Rreth 400 bijë e bija smokthiniote do të përfshihehin në LANÇ me armë në dorë, 78 prej të cilëve do të binin Dëshmorë në llogoret e luftës, 4 nga familja Derraj me Qeribanë dhe në 5 familje nga 4 e 5 Dëshmorë.

Që ditët e para, edhe Qeribaja u rreshtua së bashku me luftëtarët e lirisë. Sa lezet i kishte pushka dhe ylli i kuq partizan! Ajo vinte nga Franca ku kishte pritur e përcjellë luftëtarë shqiptarë që shkoninm në Spanjë dhe tani ndodhej mes luftëtarëve të lirisë në Shqipëri. E frymëzuar nga ide patriotike dhe internacionaliste të luftëtarëve të Spanjës, shfryn urrejtjen kundër fashizmit e tani këtë urrejtje do ta tregonte duke qenë luftëtare në Atdheun e vet. Shtëpia e saj u bë bazë e partizanëve dhe e ilegalëve. Fashistët kishin rënë në gjurmët atdhetare e revolucionare të saj  dhe e kishin  vënë në rreth të kuq. Qeribaja vepronte në qytet e në fshat, sidomos në Mesaplik.

Në Korrik 1943, zgjidhet përgjegjëse e këshillit krahinor të gruas të kësaj krahine. Në Dhjetor të atij viti, pranohet anëtare e partisë në celulën e Smokthinës. Qeribaja u bë një organizatore e dalluar e grave në Lëvizjen Antifashiste të zonës së Mesaplikut. Ajo ishte e kudondodhur. Binin në luftë trimat dhe gjendej pranë nënave e motrave, të cilave u jepte kurajë! Kurdoherë zemërdhembur e fjalëmbël. Kështu vepronte ajo edhe në radhët partizane. Fjala e saj ngjallte guxim e shpresë. Dhe vetë jepte shembullin. Do ta shihje në vijat e para të luftës dhe në prapavijë duke vepruar me energji e sypatrembur. Ishte bërë e pranishme në çdo vatër fshatari. Nderohej jo vetëm në Smokthinë, por në tërë Mesaplikun dhe më gjerë, në Kurvelesh e Labëri. Populli i këndonte: “Në Shushicë kur u ktheve/ fishekë e gjerdan mbërtheve/ çave përpara s’u ktheve/ rrugët me gjak i leve”.

E vështirë e me rreziqe ishte periudha e Operacionit armik. Kudo përleshje, në Vlorë e në rrethinat e saj. Qeribaja kapet në kurth bashkë me kunatin, Elmazin. E mbajtën disa javë në burg. E torturuan. I kërkonin të hiqte dorë nga lufta, nga idealet e saj. Por edhe në burg ajo qëndroi e pamposhtur, si trimëreshë por edhe u dha trimëri të burgosurve nga trimëria  e saj.

Për veprimtarinë luftarake të Qeriba Derrit flasin edhe dokumente të armikut. Në raportin e zëvendësprokurorit të Vlorës drejtuar të Përgjithshëm të Policisë  më 31 Dhjetor 1942, thuhet se: midis 100 grave pjesëmarrëse, katër prej tyre janë kryesore, midis këtyre Qeriba Derri. Kuestura e Vlorës urdhëroi që kjo të largohet nga qyteti për në Smokthinë.

Në telegramin që i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nga zv.kuestori R.M. njoftohet se  më 2 Janar 1943 demonstrata e grave e zhvilluar ditën nga gratë e poshtme dhe nga fakti se gjatë tre ditëve popullsisë i është shpërndarë vetëm gjysma e e racionit të bukës që është 150 gramë për person….Qeriba Derri, grua e Shaqo Derrit…burrat dhe prindërit e të përqëndruarve janë thirrur dhe porositur dhe qenë marrë kundrejt tyre masat e mëposhtme: Zonja Qeriba Shaqo Derri të dërgohet në Smokthinë, që është fshati i saj dhe i burrit.

Në demonstratë morën pjesë afrsisht 100 veta. (Vlorë 12.I. 1943. AQSH i RSSH. F. 253, D.253,V. 1943, kopja italisht).

Ministrisë së Punëve të Brendshme Tiranë. Vlorë 28 shkurt 1944.

“Kemi nderin t’ju njoftojmë se, më datë 14 të këtij muaji, është arrestuar prej organizatave të Ballit Kombëtar të Vlorës, gruaja e quajtur Qeriba Derri, bija e Muhametit dhe e Nejfizes, bashkëshorte e ish kapitenit Shaqo Derri, vjeç 36, pa fëmijë, lindur e banues në katundin Matogjiin-Smokthinë të komunës Brataj…

Qeribaja ka qenë një grua e rrezikshme komuniste dhe një nga eksponentët që ka zhvilluar propagandë në klasat femënore të kësaj prefekture dhe të Gjirokastrës bile tue qenë në bashkëpunim me çetat komuniste, e arratisur”.  (AQSH. I RPSSH, F..555, V. 1944, D 45, f,. 4 origjinal). Ministrisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

“Ju parashtrojmë se më datën 3.4.1944, në tregun e këtij qyteti u pushkatuan 5 komunistë të rrezikshëm…Të ekzekutuarit janë: Qeriba Derri, komuniste e terroriste nga Smokthina e burgosur. Bashkangjitur ju paraqesim dhe një shpallje me dy kopje rreth ekzekutimit të tyre”.   ( Vlorë, më 4 prill 1944.)

***

Armiqtë e pushkatuan Qeribanë, por ajo mbeti e gjallë jo vetëm në zemrat e smokthiniotëve, por të mbarë popullit shqiptar. Trimëria e kësaj heroine oshëtiu deri në lartësinë e Çipinit dhe në tërë vendin e Shqiponjave! Me qëndresën heroike, edhe pse ndodhej para pushkatimit, mesazhi i saj për shokët e shoqet  bashkëluftëtarë ishte: Lart zemrat! Dhe hyri në zemrat dhe këngën e partizanëve e të popullit: Dhe u dëgjua kënga: “Gjithë e panë Qeribanë,/ trimëreshën e paepur/ edhe përpara gestapos/ nuk iu shua buzë e qeshur”. E duke rënë për Atdheun, Qeribaja, thirri me sa fuqi që kishte: “Rroftë Shqipëria”!

SEVO TARIFA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.