Kreu Aktualitet Rama: Në mandatin e dytë të Lalit ndërtojmë Kampusin Universitar

Rama: Në mandatin e dytë të Lalit ndërtojmë Kampusin Universitar

112
0

Në përmbushje të “Paktit për Universitetin”, Bashkia e Tiranës, e ndihmuar edhe nga TIKA, përfundoi rikonstruksioni e plotë të konviktit nr. 6 në “Qytetin Studenti”, me kushte më të mira për studentët. Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ministret Spiropali dhe Shahini, dhe ambasadori turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yoruk, inspektuan rikonstruksionin e godinës, ndërkohë që puna do të vijojë gjatë gjithë verës, që sezoni i ri t’i gjejë gati.

Kryeministri Rama theksoi se ky 4 vjeçar do të jetë historik për arsimin e lartë, ndërsa theksoi se brenda mandatit të dytë të kryebashkiakut Veliaj do të ndërtohet Kampusi i ri Universitar. “Ideja është të përfundojmë gjitha rikonstruksionet e godinave ekzistuese, ndërkohë që po përgatitet, mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë, projekti i Kampusit. Siç e kemi thënë, në mandatin e dytë të Lalit do të ndërtohet Kampusi. Ata që janë në vit të parë ose do të vijnë në vit të parë, do ta shikojnë këtë transformim. Është një investim goxha i madh. Paralelisht kemi filluar me konviktet jashtë Tiranës, besojmë se shumë shpejt do të fillojë puna. Ky do të jetë një katërvjeçar historik për arsimin e lartë, pas tre vitesh do të jemi në një situatë komplet tjetër. Do të kemi standard në infrastrukturë, laboratorë, totalisht ndryshe”, u shpreh Rama.

Teksa vlerësoi se është bërë punë e konsiderueshme, kreu i qeverisë tha se rikonstruksioni i këtij konvikti është vetëm një shembull pozitiv i ndryshimit. “Është e vërtetë që kemi bërë gjëra, po gjërat që duhen bërë janë shumë më tepër se ato që kemi bërë dhe për fat të keq, për shumë vite nuk u bënë, dhe tani jemi në një garë të madhe me kohën dhe me pritshmëritë e njerëzve, edhe me shumë sfida të tjera. Plus që nuk është se e kemi rrugën të hapur sepse kemi këta xhagajdurët e dalë nga filxhani dhe bëjnë këtë xhindin nëpër rrugë, por gjërat do shkojnë në vendin e tyre dhe duhet durim. Kjo është ajo që duhet se është një mall që nuk gjendet në Shqipëri, megjithatë duhet bërë çmos që ta gjejmë dhe të pajisemi me pak durim. Edhe ky konvikt është një shembull i asaj që thashë, një shembull pozitiv si do bëhen të tjerat. Pasqyrën se si mund të jetë e ardhmja e kemi përpara dhe mund ta shohim. Të ardhmen do ta bëjmë si pasqyra”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj njohu kryeministrin Rama me ecurinë e rikonstruksionit të konvikteve, proces i cili po ecën me shpejtësi dhe me standarde. “Nga 40 konvikte është ndërhyrë në mbi 30. Kemi edhe 3, plus 7-8 që do t’i bëjë KFË. Në një farë mënyre, të gjitha konviktet janë të zëna, por këtu ka ecur më shpejt sepse filluam më shpejt. Kemi mbaruar konviktet te inxhinieria, kemi mbaruar dy te Mjekësia, kemi edhe një te “Qyteti Studenti”, pastaj nisim te Universiteti Bujqësor. Pra, rendi ka qenë: fillimisht “Qyteti Studenti”, që është pjesa më e madhe, dhe me të mbaruar deri në fund të verës, do të fillojmë me Kampusin”, deklaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës është e para në rang vendi që ka nisur prodhimin Kartës së Studentit, një tjetër premtim i mbajtur. Veliaj u shpreh se falë këtij ritmi të gjithë studentët do të pajisen me karta në kohë rekord, ndërkohë që po shtohet numri i kompanive që i janë bashkuar nismës që ofrojnë çmime të reduktuara. “Këtë javë kapim 20 mijë karta të shpërndara, do të thotë që ¼ e gjithë trupës studentore e ka marrë kartën. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm çdo javë, deri në fund të korrikut do të kemi kompletuar të gjithë studentët që janë fizikisht në Tiranë. Pastaj, kush ka mbetur, do të kemi disa zyra fikse edhe gjatë verës, edhe në shtator, derisa të kthehen në tetor. Kemi tejkaluar 100 e ca kompani private që ofrojnë ulje për kartat e studentit”, tha Veliaj.

Kryeministri Rama u shpreh se kjo eksperiencë e suksesshme në Bashkinë e Tiranës do të shtrihet edhe në qytetet e tjera universitare. “Duhet të bëjmë një takim me Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera për të vazhduar procesin e kartës edhe në qytetet e tjera universitare. Tani është e qartë, e kemi edhe eksperiencën”, deklaroi Rama.

Teksa vlerësoi bashkëpunimin me institucionet shqiptare, Ambasadori Murat Ahmet Yoruk shprehu gatishmërinë e Turqisë për të ndihmuar Shqipërinë. “Ky konvikt është rikonstruktuar plotësisht dhe është mobiluar me të gjitha mjetet e duhura, janë rinovuar të gjitha dhomat e brendshme, me të gjitha mobiljet. Pra, duhet thënë që kushtet e tanishme janë shumë bashkëkohore, si në pjesën e ngrohjes së godinës, por edhe instalime të tjera. Kemi qenë pranë popullit shqiptar dhe tani e mbrapa do vazhdojmë të jemi pranë tyre. Shpresoj që ky konvikt të jetë sa më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë dhe ku të kultivohen nxënës sa më të mirë”, deklaroi ai.

Rezidenca Nr. 6 i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë, sipas parimit të efiçencës në energji, duke ndërhyrë në të gjithë rrjetin hidrosanitar, hidroizolimin e nyjeve sanitare, tarracës, ndërhyrja në rrjetin elektrik në ambientet e përbashkëta dhe në çdo dhomë, dhe ndriçimi LED në të gjithë godinën. Është vendosur sistemi i paneleve diellore dhe sistemi i ngrohjes qendrore, si dhe është ndërhyrë në fasadën e saj duke realizuar termoizolimin e jashtëm. Salla e studimit me një kapacitet prej 30 studentësh, si dhe çdo dhomë është mobiluar, duke i sjellë shërbimin e munguar studentëve, të cilët do të kenë mundësinë të akomodohen në një godinë me kushte bashkëkohore.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.