Kreu Aktualitet Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion

Raporti javor mbi rezultatet e luftës antikorrupsion

268
0

Deklaratë për shtyp e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit:
Masat e marra në inspektimin, evidentimin dhe procedimin e rasteve dhe formave të korrupsionit vijojnë në mënyrë intensive nga Task forca antikorrupsion, policia e shtetit, dhe organet ligjzbatuese në fushën e sigurisë, të cilat në bashkëpunim dhe me prokurorinë kanë dhënë rezultatet e duhuara në luftën kundër korrupsionit në rastet e ndjekura gjatë kësaj jave.
Kontrollet dhe inspektimet e Task Forcës Antikorrupsion në zyrat dhe institucionet që ofrojnë shërbime për qytetarët, po vijojnë me rregullsi dhe seriozitet maksimal. Nisur nga ankesat dhe denoncimet e qytetarëve të ndryshëm në platformën e bashkëqeverisjes, Shqiperiaqeduam.al, Task Forca Antikorrupsion ka realizuar kontrolle të detajuara në disa institucione si:
• Inspektoriati qendror Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
• Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dega Durrës.
Task forca antikorrupsion në raportet përfundimtare janë rekomanduar 24 masa disiplinore për punonjësit e këtyre institucioneve, prej të cilave 9 prej tyre janë shkarkime nga puna.
Personat e shkarkuar nga pozicioni janë:
1 drejtor,
1 inspektor,
3 përgjegjës sektori dhe
4 specialistë pranë Inspektoriatit Qendror Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore
Për rastet kur shkeljet e konstatuara janë në kufijtë e veprës penale, Task Forca Antikorrupsion ka kryer kallëzime penale për personat përgjegjës.
Janë kallëzuar penalisht 2 punonjës:
Ish- Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore Qendër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në shkelje të hapur të ligjit – shkelje në procedurën e prokurimit të me objekt “Digjitalizimi i arkivit” të Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore; Si dhe Kryeinspektori i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Dega Durrës, e cila dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke kryer veprime konkrete në shkelje të ligjit nr.10433, datë 16.06.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij.
Në të njëjtën kohë, institucionet ligjzbatuese për sigurinë kanë vijuar me përpikmëri ndjekjen, evidentimin dhe procedimin e rasteve të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Nga strukturat e policisë së shtetit, janë evidentuar 21 vepra penale në fushën e korrupsionit me 27 autorë të proceduar penalisht, nga të cilët 4 të arrestuar apo ndaluar dhe 23 të proceduar në gjendje të lirë.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve pranë Ministrit të Drejtësisë ka proceduar penalisht në Prokurori dy punonjëse pranë IEVP Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” si dhe ka rekomanduar marrjen e masave administrative për 20 punonjës të tjerë në burgjet e Vaqarrit, Lezhës, Fierit dhe Sarandës.
Po ashtu në rastin e bërë mediatik, lidhur me ndalimin e punonjëses të ZVRPP Devoll, e cila u denoncua në media pasi i mori rryshfet një qytetari për një shërbim publik, u shkarkua menjëherë nga detyra.
Falë bashkëpunimit me Task Forcën Antikorrupsion dhe Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier, u mor masa e sigurisë arrest me burg, për një ish-jurist i ZVRPP Fier, i kallëzuar penalisht për “Korrupsion pasiv”, që në muajin maj të këtij viti.
E gjithë vëmendja për qytetarët, nuk është thjesht një slogan, por është parimi mbi të cilin kemi vendosur të mbështesim qeverisjen tonë.
Prandaj, i gjithë mekanizmi antikorrupsion që kemi ndërtuar, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera ligjzbatuese, nuk do të ndërpresë për asnjë çast aktivitetin e tij në funksion të kësaj sfide vendimtare për shtetin ligjor, por edhe procesin e integrimit europian të vendit.
Më lejoni ta mbyll këtë raportim javor të rezultateve të luftës antikorrupsion duke falënderuar të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e kësaj lufte përmes platformës së bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al si dhe të gjitha mediat që me denoncimet e tyre kanë ndihmuar në identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të çdo nëpunësi të administratës që ka kryer akte korruptive apo që ka abuzuar me detyrën.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here