Kreu Aktualitet Restaurohet rruga e kalasë në Berat

Restaurohet rruga e kalasë në Berat

127
0

Rruga “Mihal Komneno” është hyrja kryesore dhe aksesi më i shkurtër që lidh Beratin me një ndër lagjet muzeale të qytetit, lagjen “Kala”. Kjo rrugë tashmë e restauruar, pas amortizimit që kishte pësuar ndër vite, e bën më lehtë të arritshme kalanë, monumentin simbol të qytetit.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndërsa përshkroi rrugën e kalldrëmtë e vlerësoi një nga ndërhyrjet më cilësore që kthen në identitet një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, numri i të cilëve është gjithmonë në rritje në Berat. “Është një nga ndërhyrjet më cilësore, sepse është rikthyer komplet identiteti i zonës. Prekjet kanë qenë jo vetëm në pjesën e nëndheshme, të gjithë kanalizimet, por dhe sistemimet e fasadave, të kalldrëmeve, gjithë pjesa e ndriçimit, pra të gjitha kanë qenë pjesë e projektit, deri edhe elementët e vegjël arkitektonikë. Këto janë ndërhyrje, të cilat vazhdojnë deri sipër në pjesën e kalasë”, – tha ministrja e Kulturës Margariti.

Rruga është një arterie e rëndësishme që akomodon atelie të tregtimit të punimeve artizanale, shërbime hotelerie të njohura, restorante, muze, e të tjera atraksione turistike. Vitin e fundit gjithashtu është shënuar një rritje e numrit të banorëve që kanë në pronësi shtëpi muze dhe duan t’i kthejnë në bujtina në shërbim të turizmit. “Ne duam të bëjmë një program të veçantë, program rilindje të shtëpive të Gjirokastrës dhe të Beratit, si dhe të shtëpive tradicionale me vlerë si monument kulture në zona të tjera turistike. Një program financimi ku t’i jepet akses atyre që marrin këto iniciativa dhe t’ju lehtësohet nga pikëpamja e financimit gjithë procesi. Mund të jenë fonde grant, mund të jenë fonde me kredi me interesa shumë të ulëta”, tha Kryeministri Rama.

Një ndër banorët e vjetër të Beratit, i ikur në emigracion vite më parë, tashmë është rikthyer në vendlindje dhe kursimet e veta i ka investuar në ngritjen e një bujtine. Ambiente e bujtinës janë karakteristike të Beratit dhe janë rinovuar me shumë dëshirë dhe pasion nga sipërmarrësi, i cili synon të zgjerojë aktivitetin e tij vit pas viti, për të tërhequr më shumë vizitorë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.