Kreu Aktualitet Revolucion digjital në shërbimet publike

Revolucion digjital në shërbimet publike

276
0

Viti 2020 ka nisur me revolucionin digjital në të gjitha shërbimet publike. Vetëm pak minuta online në kompjuter apo celular, duke klikuar vetë nga kudoqoftë (brenda ose jashtë vendit) ose me një ndihmë të parë në sportel, përmes e-albania.al, mund të kryen procedurat e nevojshme që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë. Ky proces rrënjësisht transformues do të lehtësojë ndjeshëm sidomos biznesin e vogël dhe biznesin nē tërësi, duke eleminuar shpenzimet e ecejakeve.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj kanë parë sot funksionimin e këtij sistemi të ri transformues në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku tashmë çdo subjekt mund të aplikojë për çdo lloj shërbimi përmes portalit e-Albania edhe nga shtëpia, apo zyra e tij. Sportelet do të qëndrojnë të hapura për aq kohë sa të asistohen të interesuarit për të marrë këtë shërbim online dhe më pas do të mbyllen përfundimisht, duke shmangur burokracitë dhe pritjet e gjata për dokumente, të cilat gjithashtu në një masë të madhe do të reduktohen për të lehtësuar kështu qytetarët nga barra e stërmundueshme e procedurave të panevojshme.

“Me shërbimin e ri që do ofrojmë sot janë 114 shërbime të cilat kalojnë online. Aktualisht kemi 152 mijë aplikime nga regjistri dhe 11 mijë aplikime për regjistrimin e klientëve. Në total me shërbimin online do kursejmë 3159 ditë pune. Janë 248 dokumente që do reduktohen. Mendojmë që ky është një hap shumë i madh përpara edhe për adresimin e kërkesave të biznesit, por edhe për të parë nga pjesa jonë e brendshme të gjitha dokumentet që janë të nevojshme por jo të domosdoshme,” u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

“Nga dita e sotme ne e kemi vendosur subjektin në krah të sportelistit, që do të thotë që nuk punon sportelisti për të, por i tregon atij se çfarë duhet të bëjë. Këto janë për të gjitha shërbimet, edhe të regjistrimit, edhe të licencimit. Gjithashtu, kemi lënë dhe një sportel të dedikuar për të gjitha shërbimet që merren me vulë elektronike, sepse në total 83220 shërbime janë ofruar vetëm me vulë elektronike,” shprehet drejtorja e QKB, Pranvera Fagu.

Kryeministri Rama, duke iu drejtuar të gjithë qytetarëve që kishin ardhur sot për t’u njohur me shërbimin e ri online pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, u shpreh se, përveç kursimit të kohës së pritjes në radhë, do të reduktohen edhe një sërë dokumentesh shtetërore, ndërsa ato që do të kërkohen do t’i prodhojnë vetë zyrat shtetërore për subjektet.

“Nga sot do ta keni të mundur që ta bëni këtë punë pa ardhur këtu fare. Pra mjafton të hyni te portali e-Albania te QKB dhe të bëni aplikimin dhe nga sot nuk do keni më nevojë të sillni me vete dosje me dokumente shtetërore, sepse të gjitha dokumentet shtetërore që janë kërkuar deri tani do duhet t’i marrë për ju vetë QKB. Po kështu, edhe në shërbimet e tjera, pra, ju thjesht duhet të aplikoni dhe të vendosni aty vetëm dokumentet individuale, një dokument banke, një vërtetim që merret individualisht nga sektori privat, por jo dokumente që merren në zyrat e shtetit. Kjo do ua bëjë shumë të lehtë këtë punë. Pastaj do merrni përgjigjen menjëherë në kohë. Regjistrimin e bëni për pak minuta,” u shpreh Kryeministri.

Nga ana tjetër Kryeministri tha se brenda 2 muajsh sportelet duhet të mbyllen përfundimisht për transformuar njëherë e mirë sistemin e shërbimeve në Shqipëri.

“Dokumentet që kërkohen pafund janë vetëm problem për njerëzit, sepse krijojnë stres dhe zvarritje brenda administratës. Këto kohë, 1muaj, 2 muaj duhet të vazhdojmë t’i asistojmë në sportel, pastaj duhen mbyllur sportelet përfundimisht. Do jetë pak e vështirë në momentin e parë, por njerëzit do e kuptojnë vetë që kjo është rruga më fantastike dhe s’kanë nevojë fare të marrin rrugën të vijnë këtu, të presin atje si te stacioni i trenit. Duhet të mbarojë kjo. Dhe është e mundur. Duhet kuptuar që është koha për të lehtësuar maksimalisht të gjitha këto lloj procedurash dhe për të hequr plot ato dokumente që iu kërkohen njerëzve, një mal me dosje për të regjistruar një biznes,” u shpreh kryeministri.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj u shpreh se ndërkohë po realizohen shërbimet online edhe në institucione të tjera në varësi të Ministrisë së Financave. “Aktualisht në ISSH po ndiqet e njëjta procedurë, po asistohet çdo i interesuar për aplikimin online dhe për pjesën e dokumentacionit,” u shpreh Ministrja Denaj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.