Kreu Aktualitet Ridimensionim i portit të Vlorës

Ridimensionim i portit të Vlorës

299
0

Një investim prej 15 milion eurosh, më i madhi i realizuar ndonjëherë në Portin e Vlorës do të ridimensionojë rolin dhe funksionin e kësaj porte të rëndësishme hyrëse për qytetin turistik. Projekti është përshtatur në funksion të perspektives dhe profilit të ri të portit, atë të ankorimit dhe përpunimit të trageteve. Krahas këtij investimi të madh, në port është duke u realizuar edhe investimi për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, me vlerë afro 213 milionë lekë. Struktura e portit është zgjeruar dhe parashikon përpunimin për 3-4 tragete njëkohësisht, që po realizohet përmes rikonstruksionit dhe zgjerimit të kalatës perëndimore, avancimit në det të brezit që bashkon dy kalatat ekzistuese, thellimit të basenit dhe zgjerimit të mjediseve të përpunimit me rreth 3 hektarë.

Kryeministri Rama inspektoi punimet në port. Drejtori i Portit të Vlorës Admir Malaj informoi se terminali i ri do të jetë gati për pasagjerët brenda dy muajsh, ndërsa për sa i përket zgjerimit të kalatave është mbyllur tashmë mbi 80% e punimeve. “Terminali i ri, me një vlerë prej 212 milionë lekë të reja, shtrihet në një sipërfaqe prej 2700 metrash katrorë. Terminali i vjetër ishte vetëm 383 metra katrorë dhe me pak ambiente shërbimi. Hyrja do jetë e gjitha me fasadë xhami termik. Do të ketë shtim të Postës së Policisë Kufitare, e cila do të ketë përpunim deri në 3 mijë pasagjerë. Ambientet janë shumë cilësore. Besoj vitin tjetër, për sezonin e ardhshëm, bashkë me projektin e ri për zgjerimin e kalateve do të bëjmë të mundur aksesimin e sa më shumë qytetarëve. Terminali mbaron për 2 muaj,” u shpreh Malaj.

Kryeministri Rama deklaroi se porti duhet t’i shërbejë më së shumti turizmit dhe duhet të integrohet me Lungomaren, në mënyrë që të jetë i aksesushëm për të gjithë qytetarët. “E gjithë sfida tani është të bëjmë planin rregullues të të gjithë zonës që të kthehet në një pjesë të qytetit e gjitha kjo. S’mund të jetë Porti i izoluar nga qyteti. Pastaj të vazhdojmë me fazën tjetër të Lungomares, në krahun tjetër. Por këtu duhet të kemi një plan shumë shpejt që të na lidhet Lungomare me Bulevardin. Kjo është pikë fokale tani,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli tha se plani urbanistik ka parashikuar sistemimin e të gjithë zonës ndërmjet portit dhe Lungomares. Ndërsa ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri nënvizoi se po bëhen përpjekje për të futur një linjë të re tragetesh, për të cilën një kompani shqiptare është gati që të investojë duke i dhënë kështu një impakt mjaft pozitiv turizmit në vend.

Terminali ekzistues i Portit të Vlorës me sipërfaqe rreth 400 m2 nuk përmbush as kushtet e domosdoshme për numrin e pasagjerëve që lëvizin nëpërmjet këtij porti. Projekti për zgjerimin e terminalit konsiston në rritjen e cilësisë së shërbimit, shpejtësi në veprime dhe kontrolle, si dhe mjedise funksionale për të përballuar çdo periudhë lëvizjesh.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here