Kreu Aktualitet Rivitalizim përmes investimeve për Përmetin

Rivitalizim përmes investimeve për Përmetin

456
0

Vëmendja që qyteti i Përmetit ka marrë përmes investimeve madhore, në vitet e fundit, ka bërë që banorët e zonës, të larguar në emigracion, ose në qytete të tjera, të rikthehen dhe të investojnë në krijimin e bujtinave dhe hoteleve familjare, duke e kthyer turizmin në kryefjalën e zhvillimit të tyre ekonomik. Ruajtja e traditës është qëllimi kryesor i këtyre investimeve. I tillë është edhe rasti i të riut Arbër Goga, i cili ka marrë iniciativën të blejë një ndërtesë të vjetër, tipike përmetare dhe ta kthejë në një hotel tradicional.

Gjatë vizitës së tij në Përmet, Kryeministri Edi Rama u ndal në bujtinën e Arbrit që ndodhet në Qendrën historike të qytetit. “Kjo është si një dallëndyshe që lajmëron mundësinë e një pranvere, në qoftë se njerëzit e ndjejnë dhe e ndjekin këtë shembull.” – u shpreh Kryeministri, duke vlerësuar pamjen e saj që në hyrje.

Arbri shpjegon se shtëpia është shumë e vjetër dhe i përket lagjes së dikurshme të tregtarëve, që ofron një arkitekturë tejet të veçantë dhe karakteristike. Arbri ka punuar në emigracion në sektorin e turizmit dhe mendon se e ardhmja më e mirë për të është pikërisht investimi në këtë fushë. “U bënë rreth 3 vjet e gjysëm që jam kthyer nga Italia me idenë për të zhvilluar turizmin sepse është fusha që unë kam punuar. Kam jetuar këtu në Përmet, një qytet i mrekullueshëm, në pak qytetet e Shqipërisë që mund të ofrojë një arkitekturë të tillë. Kjo ka qenë një shtëpi tregtarësh e fundit të viteve ‘800 dhe fillimit të viteve ‘900, siç ka qenë gjithë lagjja që merreshin me tregti. Është një nga objektet më të vjetra të lagjes dhe u ka rezistuar kohërave”.

Kryeministri vlerësoi idetë dhe investimin e Arbrit dhe u shpreh se po punohet për një program të posaçëm për të mbështetur financiarisht shtëpitë që kthehen në bujtina, në zonat urbane. “Ne po diskutojmë që të bëjmë një program të veçantë sepse kemi program mbështetje për ferma, për agropërpunim, për sera, për bujtina në fshat, por nuk kemi një program për qytetin. Këto shtëpitë e traditës që janë pasuri kulturore, siç janë në Gjirokastër apo në Berat, nuk kanë asnjë suport si suporti që kanë në fshat. Për këtë po mendojmë një program, që nga një anë të bëjmë zero taksën e tatimit mbi fitimin, ndërkohë që ju do të keni 6% TVSH, sepse është hotel. Është një ndihmë e madhe. Duke e patur tatimin mbi fitimin zero dhe duke vendosur një fond në dispozicion për suport mbështetje pjesore do të ishte mirë. Me këtë jemi duke punuar. Kjo për të stimuluar edhe njerëzit që rrinë dhe i mbajnë kot, ose që duan t’i ndryshojnë dhe nuk kanë mjete, ose kanë pak mjete financiare dhe për t’i dhënë një përqindje të financimit, bazuar në kritere dhe kushte të caktuara.”

* * *

Dikur i harruar dhe i braktisur nga vetë banorët e tij, qyteti i Përmetit është kthyer tashmë në një prej destinacioneve turistike në vend. Që prej shpalljes së tij si qendër e mbrojtur historike, qyteti është shndërruar në një zonë me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe atë ekonomik.

Qendra historike e Përmetit është pjesë e programit të Bankës Botërore me vlerë 71 milionë dollarë. Kjo qendër shtrihet rrëzë malit dhe përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese, kryesisht në lagjet e Shënkollit (Varrosh), Teqesë, të cilat për nga kompozimi i ndërtimeve dhe rrugëve me kalldrëm, janë lagjet ku kanë mbetur gjurmët më të vjetra të qytetit. Aktualisht përmes investimit po bëhet rijetëzimi i ndërtesave, duke ruajtur njëkohësisht edhe trashëgiminë e çmuar kulturore.

Deputetja Kumbaro tha se shpallja e qendrës historike të qytetit i dha një hov të menjëhershëm zhvillimit të turizmit.  “Qendra historike e Përmetit nuk ishte përcaktuar si e tillë. E shpallëm në vitin 2016, pasi bëmë gjithë studimin e zonës, në të njëjtën kohë kur filluam projektin e Rilindjes Urbane. Pamë që ka një potencial të jashtëzakonshëm kjo zonë për ta kthyer në një destinacion turistik, por edhe për ta rijetëzuar si arkitekturë, duke ruajtur gjithçka tradicionale. Kjo është arsyeja pse kjo zonë është pjesë e projektit me BB bashkë me Gjirokastrën.” – u shpreh ajo.

Brenda qendrës historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë; Kisha e Shën Kollit e shekullit 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit 19-të.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.