Kreu Aktualitet Roskovec, vijon mbështetja me financime për fermerët

Roskovec, vijon mbështetja me financime për fermerët

224
0

Shqipëria e  mbylli vitin e shkuar me një bilanc pozitiv dhe shumë inkurajues të eksporteve të produkteve bujqësore dhe ka arritur sot të jetë dominuese në rajon dhe një nga 20 vendet eksportuese kryesore të domates në botë. Ndaj edhe investimi në sera, sidomos në Qarkun e Fierit, është gjithnjë një zgjedhje e zgjuar për fermerët, pasi edhe fitimi është i garantuar. Skema kombëtare e mbështetjes ka nxitur sipërmarrës të rinj t’i drejtohen këtij aktiviteti. Një prej tyre është Ferdinandi, i cili ka përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes 50% të investimit për serën e tij 1 hektarëshe me domate. Në serën e tij ishte Kryeministrit Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit dhe deputet i Qarkut Fier, Gramoz Ruçi dhe ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi.

“Kjo ishte një ndihmë e madhe nga qeveria. Unë e kam për herë të parë këtë biznes. Investimi total i serës ishte 220 milionë lekë. 50% e investimit është financuar nga qeveria. Kjo ishte nxitja kryesore që e bëra dhe shikoj që ky lloj biznesi është me mjaft interes,” u shpreh Ferdinandi.

Sipas drejtores së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, Fieri është qarku më i preferuar nga fermerët sa i takon ngritjes së serave.

“Qarku Fier nga skema kombëtare e vitit 2018 ka përfituar rreth 3.1 milionë euro mbështetje për fermerët. Në Fier kemi rreth 13 sera, nga 19 sera në total që ne kemi mbështetur,” u shpreh drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca.

“Sektori që ne duhet të mbështesim këtu janë serat, sepse vetëm eksporti këtë vit ka shkuar në rreth 250 mijë ton të të gjitha produkteve, ku domatja ka zënë peshën kryesore”, tha zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë me financime fermerët e interesuar për të investuar sidomos në sera, në mënyrë që shifrat e eksportit të kapin një tjetër nivel.

“Do vazhdojmë t’i financojmë shumë fuqishëm serat dhe të rrisim eksportin. Kapja e 250 mijë ton ishte e pamenduar para disa vitesh. Ne do shkojmë te 300 mijë patjetër si hap tjetër dhe pastaj më lart,” deklaroi Kryeministri Rama.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.