Kreu Aktualitet Ruçi lajmëron nga Lushnja kremtimin e 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar

Ruçi lajmëron nga Lushnja kremtimin e 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar

420
0

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ishte sot në Lushnjë, ku mori pjesë dhe përshendeti në veprimtaritë e organizuara me rastin  e 99 vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Veprimtaritë nisën me pritjen në Bashkinë e qytetit, organizuar nga Kryetari Bashkisë Fatos Tushe, vazhduan me vizitën në shtëpinë e Kongresit historik dhe takimin festiv në qendrën e artit “Vaçe Zela”. Në këto veprimtari ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministri Erion Braçe, deputetët Bashkim Fino dhe Tatjana Pirro, Kryetari i Këshillit të Qarkut Fier Vangjel Ndreka, Prefekti i Fierit Baki Bala, drejtues të tjerë vendorë si edhe përfaqësues të familjeve patriotike që ndihmuan mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjes.

Ruçi la një shënim në librin e  Shtëpisë së Kongresit, në të cilin midis të tjerash vlerësoi  se “Kongresi i Lushnjës përmbylli periudhën e shtetformimit dhe vendosi përfundimisht arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar.”

“Kongresi i Lushnjës, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në përshëndetjen në takimin festiv në qendrën e artit “Vaçe Zela”, konsolidoi Shqipërinë e pavarur e parlamentare, vendosi diplomacinë shqiptare në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit dhe filloi ndërtimin e administratës shqiptare, arsimit, shkollave dhe forcave të rendit. Si një ylber pas rrebesheve të kohës, Kongresi i Lushnjës rilindi ndërgjegjen e lartë politike dhe tregoi pjekurinë e shqiptarëve, në mbrojtje të pavarësisë, në konjukturat e rrezikshme pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Do të mjaftonte ky Kongres, për ta bërë qytetin, historinë dhe popullin e Lushnjës krenarë për kontributin për Shqipërinë.

Më 21 Janar 2020 parlamentarizmi shqiptar do të mbushë një shekull jetë. Kuvendi i Shqipërisë ka nisur punën dhe viti 2019 do të jetë viti i përgatitjeve për këtë ngjarje të shënuar. Ashtu si parlamentarizmi shqiptar mori jetë në këtë shtëpi, pikërisht këtej do të nisin veprimtaritë për celebrimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në ceremoninë për Kongresin e Lushnjës

“Të dashur miq,

Sot është 99 vjetori i Kongresit historik të Lushnjës dhe pragu i shekullit të parë të parlamentarizmit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës përmbylli periudhën e shtetformimit dhe vendosi përfundimisht arkitekturën institucionale të shtetit të pavarur shqiptar.

Kongresi shprehu në mënyrë të qartë vullnetin dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mos lejuar një coptim tjetër fatal të trojeve të tyre që po vendosej në Konferencen e Paqes në Paris dhe për këtë qëllim kërkoi ndihmë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uillson.

Shqipëria nuk pati kohë të festonte shpalljen e pavarësisë sepse integritetit i saj u vu  në rrezik.

Kërcënimet vinin si nga synimet e fuqive të huaja e fqinje për të grabitur territore të Shqipërisë, ashtu edhe nga një pjesë e qarqeve politike, bajraktarëve e dallkaukëve vendas, të cilët e kishin zhytur vendin në anarki dhe kishin nxjerrë sovranitetin, tërësinë territoriale dhe interesat kombëtare në treg, në favor të interesave të tyre.

Grekët në Jug, serbët e malazestë në Veri, italianët në Vlorë, të gjithë këta pushtues të mbështetur nga aventurierë e arrivistë vendas, që për fat të keq Shqipërisë nuk i kanë munguar, të pasuar nga ushtritë ndërluftuese austro-hungareze, italiane e frënge gjatë Luftës së Parë Botërore e dëshironin Shqipërinë sa më të dobët e të thyeshme, për ta bërë pre të synimeve të tyre.

Shteti i shqiptarëve, që deri në shpalljen e pavarësisë, kishte qenë një planet i largët, rrezikonte zhdukjen bashkë me Shqipërinë.

Dy ishin faktorët vendimtarë që në atë kohë shpëtuan Shqipërinë nga coptimi: Kongresi i Lushnjes me vendimet e tij historike, dhe tre ndërhyrjet e presidentit Uillson, i cili me vendosmëri  u ndali dorën fuqive europiane.

Ky rrezik u shmang nga qartësia, zgjuarsia, vendosmëria e trimëria e atdhetarëve që mblodhën Kongresin pikërisht në këtë shtëpi.

Nga kjo shtëpi mori jetë konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare, çka u mishërua në krijimin e Këshillit të Lartë, Senatit, Qeverisë së kryesuar nga Sulejman Delvina, Statutit të shtetit shqiptar dhe caktimit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.

Nga kjo shtëpi nisi diplomacia shqiptare në mbrojtje të tërësisë territoriale të vendit, me caktimin e delegacionit legjitim në Konferencën e Paqes të Parisit, aty ku mbrohej integriteti i Shqipërisë.

Kongresi i Lushnjës, si  një një ylber pas rrebesheve të kohës, rilindi ndërgjegjen e lartë politike dhe tregoi pjekurinë e shqiptarëve, që në konjukturat e rrezikshme pas përfundimit të Luftës, u orientuan drejt dhe reaguan shpejt në mbrojtje të pavarësisë.

Këtej nisi ndërtimi i administratës shqiptare, arsimit, shkollave dhe forcave të rendit.

Kongresi i Lushnjës pati një rrezatim kombëtar e popullor, u prit me entusiazëm e besim prej shqiptarëve dhe u bë sintetizues dhe gjenerues i energjive të kombit.

Do të mjaftonte ky Kongres, për ta bërë qytetin, historinë dhe popullin e Lushnjës krenarë për kontributin për Shqipërinë.

Lushnjarët e myzeqarët i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë urtësinë, energjinë, punën, djersën, aftësitë e tyre krijuese.

Këtu punojnë e jetojnë mjeshtra duarartë, njerëz punëtorë, të mençur e solidarë.

Këtu kanë lindur e jetojnë artistë e poetë, që i kanë kënduar dhe i këndojnë Myzeqesë e Shqipërisë me pathosin e artit të tyre.

Janë rritur heronj që dhanë jetën për atdheun.

Këtu jetojnë njerëz modestë që me thjeshtësinë e madhështinë e tyre, e bëjnë vendin më të bukur dhe më të mirë.

Të nderuar miq,

Sot mbushen 99 vjet dhe pas një viti 100 vjet, nga Kongresi historik i Lushnjës.

Pas pak ditësh, Vlora dhe Shqipëria do të kremtojmë 175 vjetorin e lindjes dhe 100 vjetorin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit.

Themeluesi i Shqipërisë së pavarur mbylli sytë në ditë të vështira për shtetin që krijoi dhe iku një vit para se të mblidhej Kongresi i Lushnjës, që sanksionoi pandashmërinë e shtetit të ri, më pak se dhjetëvjeçar.

Më 21 Janar 2020 parlamentarizmi shqiptar do të mbushë një shekull jetë.

Kuvendi i Shqipërisë po përgatitet për celebrimin e kësaj ngjarjeje të shënuar.

Ashtu si parlamentarizmi shqiptar mori jetë në këtë shtëpi, pikërisht këtej do të nisin veprimtaritë për celebrimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Nderim Kongresit të Lushnjës.

Nderim popullit të Lushnjës.

Nderim popullit të Myzeqesë.”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.