Kreu Aktualitet Sfida jonë, për të bërë më shumë, për të bërë më mirë

Sfida jonë, për të bërë më shumë, për të bërë më mirë

465
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare të Kuvendit

Po e nis nga shprehja brutale dhe e neveritshme e kryetarit të Partisë Demokratike, këtu në këtë foltore, që ju drejtua zonjave në podiumin e qeverisë, duke, në fakt, thënë me fjalë të pamenduara, atë që është problemi i tij dhe problemi i këtyre. Nuk kanë, – të paktën për disa kohë, – asnjë mundësi të hedhin balte. Zero. Kush është bashkuar me ne në qeveri, duke ardhur nga të tjera drejtime, ka një karrierë profesionale dhe ka një integritet te padiskutueshëm dhe njëkohësisht, mishëron atë që jemi ne, atë që Partia Socialiste ka qene kohë më parë dhe atë që e ka bërë Partinë Socialiste thelbësisht të ndryshme nga këto partitë e tjera dhe që ka mundësuar ripërtëritjen e vazhdueshme të saj dhe të qenurit e saj si një platformë për këdo që ka pasur diçka për të dhënë.

Unë jam vetë, këtu, shprehje e kësaj mënyre të të qenit të Partisë Socialiste dhe kam ardhur jo nga rruga e partisë, por nga rruga e shoqërisë. E shoqërisë aktive, civile, urbane. Ndërkohë që, duke parë përballë meje, jo vetëm nuk jam i vetmi, por shumëkush këtu është si unë e të gjithë sëbashku jemi ajo që është Partia Socialiste; Forca që ka lindur për të qenë në dispozicion të të gjithë atyre që duan të kontribuojnë për këtë vend dhe që i ka dhënë mundësinë profesionistëve, i ka dhënë mundësinë figurave publike që kanë dashur të përfshihen në politike. Sikundër i ka dhënë mundësinë edhe më të rinjve në forumin e saj rinor, që të rriten e të bëhen të gjithë sëbashku, fytyra dhe forca e kësaj partie. Jo vetëm që nuk kemi ndërmend të kompleksohemi, por përkundrazi jemi krenar për këtë. Është ajo që kemi bërë, është ajo që po bëjmë e ajo që do bëjmë gjithmonë, duke u hapur për të tjerët e duke i dhënë mundësi të tjerëve që Partinë Socialiste ta shohin si fuqinë e tyre të ndryshimit dhe t’i bashkohen për të rritur fuqinë tonë të përbashkët të ndryshimit.

Është shumë e qartë që ne, sot jemi më shumë dhe jemi më të fortë seç ishim një muaj më parë, sepse ne, sot kemi shumë më tepër forca këtu në Parlament dhe kemi shumë më tepër forca të shpërndara në territor, aty ku kemi nisur edhe një herë tjetër përgatitjet për një betejë ku nuk diskutohet nëse ne do fitojmë, apo jo, por ku diskutohet diçka tjetër, sesa shumë ne do ta shfrytëzojmë këtë fazë, për t’u bërë më shumë dhe për të qenë më pranë njerëzve e për t’i përfaqësuar ata edhe më mirë, qoftë në këtë nivel në Parlament apo në qeveri, qoftë në nivelin vendor. Natyrisht që nuk ka pasur më parë një mundësi për ata që protestojnë, që të dëgjohen e të respektohen, siç janë dëgjuar dhe janë respektuar protestuesit falë nesh.

Sot është 21 janari.

Këta vranë tetë vjet më parë.

Sot, këta vijën këtu dhe natyrisht janë akoma të karikuar nga ideja se drejtësia nuk do të vijë. Mendojnë akoma se do të vazhdojnë ta pengojnë, ta ngatërrojnë dhe ta përmbysin reformën në drejtësi, që është pa kthim.

Është e vërtetë që ende 21 janari mbetet një plagë e hapur e pa hetuar dhe e pagjykuar deri në fund. Ende ata, të cilët duhet të përgjigjen përpara ligjit për 21 janarin, janë të pandëshkuar, por është po kaq e vërtetë që sot, Shqipëria është ndryshe nga ç’ishte edhe vjet.

Është po kaq e vërtetë që gjykatës të 21 janarit, sot janë rrugëve, nuk janë më gjykatës. E nëse sot janë rrugëve, nesër mund të përfundojnë prapa hekurave, sepse drejtësia e re nuk është thjeshtë që të pushojë nga puna, ata, të cilët janë të padenjë për të qenë gjykatës dhe prokurorë. Drejtësia e re është që ata, të cilët janë të padenjë e kanë llogari të hapur me drejtësinë, nesër të jenë të akuzuarit e drejtësisë.

Natyrisht, kush nga ne nuk do donte që kjo çështje të ishte mbyllur dhe edhe ndokush këtu të ishte prapa hekurave sot, për ata të vrarë në bulevard. Unë i pari. Por, nga ana tjetër, pikërisht pse ne nuk jemi uzurpatorë të pushteteve, por jemi reformatorë të shtetit, pikërisht pse ne nuk jemi ata që duam të kontrollojmë çdo gjë, por jemi ata që duam të vëmë kontrollin e ligjit mbi të gjithë, sot jemi ne ata që duhet të shtrëngojmë dhëmbët, të durojmë edhe dënglat e këtyre e të shtyjmë përpara reformën në drejtësi e të gjitha reformat e tjera.

Nuk flasim për të bërë një betejë, dy, tre, katër apo pesë. Ato i bëjmë. Ato i fitojmë. Flasim për të bërë një proces shtetndërtimi, që nuk është një proces i thjeshtë, ama është po kaq e sigurt që këta, sot kanë më shumë arsye sesa kishin një muaj më parë që të reflektojnë. Këta, sot janë edhe më të dobët, sesa ishin një muaj më parë. Ndërkohë që ne jemi më të fortë, sesa ishim një muaj më parë.

E dini pse?

Pikërisht sepse protesta e studentëve na dha mundësinë që të dëgjojmë, të reflektojmë e të reagojmë. Ndërkohë që protesta e studentëve, këtyre u dha mesazhin që nuk ju shikojmë dot me sy. Protesta e studentëve, ne na drejtoi një kërkesë shumë të qartë, duam këtë dhe këto me radhë dhe i duam nga ju. Askush tjetër nuk i bën dot për ne. Ndërkohë që këtyre, protesta e studentëve u tha që nuk ekzistojnë si alternativë.

Prandaj, kur broçkullisin këtu, e sjellin gjithmonë e më shumë gjuhën, aty ku gjuha nuk mund të shkojë në një sistem demokratik, – tek dhuna, tek konfrontimi, tek përplasja. Kujtojnë se shqiptarët, të cilët kanë 1001 arsye që të kërkojnë më shumë nga ne, do të shkojnë pas berihait e do të shpresojnë tek vezët e këtyre, apo tek pilivesat mes tyre.

Të gjithë janë shumë të shqetësuar për atë që ne bëmë sot. Për ndërprerjen e procedurave për partneritetin publik, privat në aksin Thumanë – Kashar. Shumë të shqetësuar, sepse është një hapësirë fiskale për një partneritet publik, privat goxha të shtrenjtë. Pra, është një volum parash i konsiderueshëm, të cilin ne kemi vendosur ta kalojmë për universitetin dhe për arsimin në tërësi, nëse ka më shumë hapësirë. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo nuk do të thotë që paratë janë në buxhet sot. Se këta janë përveç të tjerave, edhe doktor shkencash me tituj. Parafolësja këtu, se nuk dua t’i përmend as emrin, doktore e shkencave, e vetmja shkencë që ajo njeh është shkenca e filxhanëve, për të parë fatin e për t’u thënë shqiptarëve që unë kam edhe pak muaj jetë. Unë nuk e di sa muaj jetë kam akoma, ose sa vite, por një gjë është e sigurt, që këta nuk vijnë më këtu, sa të jetë Partia Socialiste e Shqipërisë, me mua, ose pa mua.

Tani, “kazan” të lutem, jo lajmin “Edi Rama pohon: Kam dhe pak mua jetë”.

Pakti për Universitetin ka një komponent që është infrastruktura. Ne kemi ngritur grupe të përbashkëta mes ministrive dhe universiteteve, sipas fushave dhe këto grupe të përbashkëta do të ndërtojnë përveç të tjerave, edhe të gjithë projektin për investimet që lidhen me infrastrukturën. Këto projekte, të ndërtuara sëbashku me universitetin, për investimet që lidhen me infrastrukturën do të bëhen bashkë e do të jenë një program i qeverisë sonë për infrastrukturën e universiteteve, kampusin që prezantuam, apo komponentë të tjerë infrastrukturor në universitete të tjera, program ne do ta ofrojmë për bashkëpunim me sipërmarrjen. Patjetër partneritet publik, privat, por jo më për të bërë aksin Thumanë – Kashar, por për të transformuar një herë e përgjithmonë të gjithë infrastrukturën e universitetit. Nëse do të kemi hapësirë brenda këtij volumi, se është një volum i konsiderueshëm, edhe infrastrukturën e sistemit parauniversitar.

Ata nuk e kuptojnë, por njerëzit kuptojnë dhe njerëzit dinë se kujt duhet t’i besojnë. E jo rastësisht njerëzit vazhdojnë e do të vazhdojnë të na besojnë ne, pavarësisht gabimeve, pavarësisht të metave, pavarësisht boshllëqeve, pavarësisht gjithçkaje që bie ndesh me pritshmërinë e tyre ndaj nesh. I kanë pritur nga ne, të gjitha dhe menjëherë. Kjo nuk është e mundur. Mbase mund të kishim bërë më shumë. Mbase mund të bëjmë më shumë, saç mendojmë se është e mundur të bëhet, por, ama, çka është plotësisht e sigurt, është se nuk  duhet të merremi me këta. Ne si këta nuk jemi, por kur vijmë këtu, në këtë kazan, që është kazani më i madh i Shqipërisë, Parlamenti i transformuar në kazan nga këta, ne dukemi si këta.

Sot është dënuar për shpifje nga gjykata dhe shiko se çfarë logjike, njësoj siç e kam parë me sytë e mi “mister TH”, që kur doli para gjykatës, si pulë, thoshte nuk kemi gjë me këtë, por ne kështu na tha partia. Ku i keni provat? Prova është partia, se ne i besojmë partisë e si do mendojmë, që partia nuk thotë të vërtetën?

Ja këto thoshte mister “Th-ja” aty.

Ndërkohë që ky tjetri dënohet nga gjykata për shpifje, pas një sulmi që i bënë kryetarit të grupit, duke e akuzuar konkretisht dhe çfarë thonë në gjykatë? I çon në prokurori dhe i thotë dakord, nëse unë jam i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ti sill një provë dhe unë jam në dispozicion të drejtësisë. Provat i kemi parë në gazeta, thanë. E keni dëgjuar këtë! Kemi lexuar gazeta dhe i kemi thënë.

E pa pikën e turpit, kur dënohen për shpifje, thonë na dënoi gjykata e kapur nga frika e vettingut, të cilës i bëhet presion. Po çfarë presioni? Sepse gjykata duhet të priste fundin e hetimit, sepse kushedi, ajo që kemi thënë ne është e vërtetë.

Ky shpifës e ka të parën këtë. Sot pyeta ekipin që merret me shpifjet. Nja dyzet e ca, ky dhe ai tjetri këtu që ishte shumë i mërzitur. Ka një hall shumë të madh ky i madhi. Unë nuk e ndaj dot me ju, prandaj ishte sot kështu, me kokën të futur brenda supeve. Ka hall të madh, shume të madh dhe s’fliste sot.  E patë?  Po me këta të dy, nja 40 procese i kam unë dhe nuk i kam nga këto që i bën Taulanti, që shkon në prokurori dhe pastaj përfundon me 500 mijë lekë të vjetra. Por gjyqe civile për fondin për arsimin. Xhemal, të gjithë fshatrat e katundeve tona do të bëhen me kompjuter vetëm nga ky i madhi këtu dhe nga i biri atje, që pa pikën e turpit kthehet dhe thotë, “kush jeni ju, nga erdhët?” Po ky kush është, nga erdhi, që akoma s’dihet e ka mbaruar, apo nuk e ka mbaruar shkollën?

Sot që flasim, nga viti i kaluar janë afro gjysmë milionë shqiptarë që nuk kanë mundësi ta bëjnë check up-in në Amsterdam, Vjenë, siç i bëjnë këta të dy, i vogli dhe i madhi dhe e kanë bërë falas këtu dhe me standardet njësoj si në Vjenë e në Amsterdam, me laboratorë ultramodernë dhe me kushte optimale.

Çfarë kanë këta me check-up-in, pse i shqetëson?

Dakord, po e ndalojmë atë partneritetin dhe nuk po e bëjmë më dhe gjysmë milioni njerëz që e bëjnë çdo vit, – po shkon duke u rritur, sepse njerëzit janë shumë më të mençur sesa i kujtojnë këta dhe po e shfrytëzojnë gjithmonë e më tepër këtë mundësi, – çfarë do u themi? Do u themi atë që i thoshin këta, shkoni bëjeni check up-in 81 mijë lekë të vjetra, ose kurrë mos e bëfshi?

Check up-in e paguan shteti. Sigurisht që shërbimin e garanton një sipërmarrje, e cila ka investuar para për laboratorët, për makinat, për qendrat, për gjithë stafin dhe për trajnimin e qindra njerëzve. Por shteti paguajmë analizat e gjysmë milioni njerëz. Ashtu sikundër, edhe para pak ditësh në spital, një tjetër paketë falas u bë për lentet e syve. Për pensionistët në radhë të parë. Një milionë e gjysmë, shteti patjetër, por shërbimi bëhet në publik. Dhe shërbimi i check-up bëhet në gjithë infrastrukturën publike, pra, nuk fusin dorën në xhep shqiptarët. Çfarë ju shqetëson? Se këta kanë vetëm vjedhjen në gojë.

Ky thotë, këta njerëz këtu [ministrat] i sollën oligarkët, ndërkohë që thotë, unë nuk i njoh kush janë. E dini pse? Sepse këtij dihet botërisht kush ia bën edhe listat e deputetëve, edhe kryesinë e Partisë Demokratike dje. Vijnë flasin e qajnë hallin e Partisë Socialiste. E kush ia qan hallin! Po Partia Demokratike ku është? Na vjen keq, thotë, gjithë kjo parti e madhe. Tamam si atëherë, kur i qante hallin Shqipëria, Amerikës, edhe këta qajnë hallin tonë.

E ka bërë Partinë Demokratike “kashtë dhe kokërr” dhe vjen këtu e qan hallin e Partisë Socialiste. Ky e shkatërroi në një formë që nuk e di. Asnjë nga ne, jam i sigurt, edhe Taulanti personalisht, po t’i kishte thënë merre, shkruaje si do ti që ta shkatërrosh PD-në, nuk e bënte dot, siç e bëri Luli. Personalisht Taulant Balla, njeriu i “të gjitha të zezave”, nuk ia bënte dot atë të zezë që i bëri Luli Partisë Demokratike dhe vjen qan hallin tonë këtu.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se beteja jonë nuk është me këta. Sa më shumë ne përplasemi me këta, aq më shumë dukemi si këta. E ne nuk e meritojmë të dukemi si këta. Ne nuk jemi më të mirët, por më mirë se ne nuk ka. Sa më shumë të kuptojmë që beteja jonë është me shumë e shumë probleme, që beteja jonë është si ne të jemi fuqia e njerëzve në çdo hap e në çdo veprim që bëjmë, aq më shumë ne do të marrim atë që na takon, jo për vete, por për vendin. Jo për vete, por për qytetet tona.

Ne nuk i duam qytetet dhe bashkitë për vete. Ne e duam fuqinë nga njerëzit për bashkitë dhe qytetet tona. E njëjta gjë për vendin. Unë jam i bindur që kjo është rruga jonë. Sa më pak të merremi me këta, aq më pak do dukemi si këta. Sa më shumë të merremi me problemet e me njerëzit, aq më shumë njerzillëk do ketë qeverisja jonë dhe qeverisja jonë nuk ka problem asgjë tjetër më shumë, sesa të jetë e njerëzishme në çdo hap e në çdo minutë. Të ketë kapacitetin të dëgjojë në çdo hap dhe në çdo minutë. Këta le të merren me Instagramin tim, se aty të paktën janë të vetmet momente ku mund të duken si njerëz.

Faleminderit! 

Prononcim i Kryeministrit Edi Rama pas votimit në Parlament si Ministër për Europën e Punët e Jashtme:

Çfarë sms-je i ka ardhur zotit Berisha, që ju thatë është shumë në hall sot?

Kryeministri Rama: Nuk e di çfarë sms-je keni dëgjuar ju, unë nuk kam folur për sms fare. Ndërkohë që dua të them vetëm që votimi i sotëm ishte rezultat i një zgjedhje të detyruar, si pasojë e refuzimit të Presidentit për të dekretuar Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme. Thënë kjo, dua që ta bëj të qartë për të gjithë opinionin publik, se në kushtet kur nuk ka një Gjykatë Kushtetuese ende dhe në pritje të formimit të Gjykatës së re Kushtetuese për të trajtuar në rrugë institucionale shkeljen e  Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës, u detyrova të marr këtë vendim, duke besuar në një anë, se projekti i qeverisë së re nuk duhet të cenuar dhe nga ana tjetër se nuk do duhej të zgjidhej një tjetër ministër i Jashtëm për një periudhë relativisht të shkurtër.

A do të shkoni ndonjë ditë në zyrën tuaj të re zoti Rama?

Kryeministri Edi Rama: Do të flasim dhe do të tregojmë në ditët në vijim lidhur me këtë. Ne kemi përgatitur padinë. Në fakt do të jenë një numër padish në Gjykatën Kushtetuese, për një sërë shkeljesh nga ana e Presidentit të Republikës, por edhe për rastin konkret kemi përgatitur padinë, pasi kjo është një çështje që duhet zgjidhur qartë dhe përfundimisht, në kushtet kur Presidenti i Republikës ka marrë përsipër të veprojë në kundërshtim me të gjithë traditën e asaj Zyre dhe me te gjithë paraardhësit, pavarësisht nëse kanë qenë të një pale, apo një pale tjetër, apo mbi palët. Askush nuk e ka bërë këtë më parë .

Do ta kryeni vetë funksionin e ministrit tuaj të Jashtëm, apo do ta delegoni tek ndonjë zëvendësministër?

Kryeministri Edi Rama : Duroni se duhet të bëj betimin, pastaj të vazhdoj me të tjerat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.