Kreu Aktualitet Sfida, të arrijmë 10 milionë turistë

Sfida, të arrijmë 10 milionë turistë

504
0

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Rama në takimin me operatorët e huaj turistik në Hilton Garden Inn:

Mbase vlen një krahasim për të folur sot lidhur me ecurinë e turizmit dhe me pritshmëritë nga turizmi duke u nisur nga Kroacia, e cila pret 4 herë më shumë turistë se sa ne, gjeneron 6 herë më shumë të ardhura se sa Shqipëria dhe së fundmi, në gazetat kroate është shkruar me një lloj ndjenje surprize që turistët po na i merr Shqipëria.

Natyrisht që ne nuk jemi duke marrë turistët nga Kroacia por është fakt gjithnjë e më kuptimplotë se nëse turizmi në Kroaci apo në vende si Kroacia ka një vendnumëro që lidhet nga ezaurimi i mundësive, Shqipëria ka një potencial ende të madh të pashfrytëzuar dhe shprehje e këtij potenciali të madh të pashfyrtëzuar është dhe fakti se nëse vendet e tjera të rajonit, Serbia, Maqedonia, Mali i zi, Bosnja apo deri dhe Bullgaria janë rritur me nën 15%, Shqipëria është rritur me afro 30% në muajin gusht dhe edhe në muajin shtator. Sot pamë shifrat e shtatorit dhe pikërisht këtë ishim duke shkëmbyer dhe me disa prej operatorëve të mirënjohur dhe prej shumë vitesh në tregun e turizmit që konfirmojnë të njëjtën gjë, që shtatori ishte si asnjëherë tjetër më parë.

Rritja e numrit të turistëve dhe të ardhurave është akoma më domethënëse nëse marrim parasysh edhe rikthimin në treg të një sërë destinacionesh që deri vjet ishin si të thuash të konsideruara të papërshtatshme duke filluar nga Turqia e deri tek Egjipti dhe Tunizia. Megjithatë, thënë këto dhe shtuar që në 5 vitet e fundit ne kemi kaluar nga 3.4 në mbi 6 milionë vizitorë dhe nga 1 miliard euro të ardhura në afro 2 miliard euro të ardhura nga turizmi, me një reflektim shumë domethënës dhe në punësim ku gjatë sezonit turistik kemi mbi 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit, e vërteta është që potenciali ynë është për tu dyfishuar më shpejtë se sa vonë dhe sfida jonë është të arrijmë në 10 milionë turistë më shpejtë se sa vonë.

Unë nuk jam aq optimist sa Blendi Klosi që e ka optimizmin pjesë të çdo fjalie dhe të çdo mendimi që i shkon nëpër mend, por sidoqoftë, besoj që ne mund të arrijmë në 10 milionë turistë në harkun e një 4-5 vjeçari dhe këtu jemi në një realitet të ri të turizmit dhe të zhvillimit të industrisë së turizmit në Shqipëri, në një hotel të ri dhe me 5 yje ndërkohë që të tjerë do të kemi në realitet, jo në plane gjatë vitit të ardhshëm në Tiranë që janë në fazën e nënshkrimit të kontratave për të hyrë për herë të parë në tregun tonë ashtu sikundër dhe një sërë firmash të njohura, brande globale me 5 yje janë duke diskutuar në një fazë të avancuar me Ministrinë e Turizmit për hyrjen e tyre në zonën bregdetare.

Megjithatë, përtej lejeve për 53 hotele të reja që janë dhënë vetëm gjatë vitit 2017, nuk kemi bërë ende bilancin e 2018. Përtej projekteve të reja të aeroporteve të Vlorës dhe të Kukësit. Përtej ndërhyrjeve masive në infrastrukturë dhe përtej edhe të gjithë aspekteve të tjera pozitive që mund të përmenden në funksion edhe të turizmit por jo vetëm të turizmit, unë një gjë dua të them dhe do ta them shumë qartë për si një lloj parathënie për një event që ne po organizojmë sëbashku me Ministrinë e Turizmit dhe konsulentët tanë shumë të çmuar të grupit kroat Horwath, që ka kontribuar në mbi 50 shtete me impakt shumë domethënës në zhvillimin e tyre turistik, se ne nuk mund të vazhdojmë më të ndërtojmë turizëm Shqipërie për shqiptarët në kuptimin e vazhdimit të ndërtimit të të ashtuquajturave fshatra turistikë që konceptohen si fshatra personalë për tu shitur tek bashkëfshatarë shqiptarë të rrethuar me mure pa asnjë lidhje me çfarë ka majtas e djathtas, përballë detit e pa asnjë lloj respekti për çfarë ka mbrapa, duke u pasur njëri pas tjetrit ose e thënë ndryshe, ne nuk mund të vazhdojmë me golemizimin e bregdetit tonë.

Dy fenomene njohu Shqipëria e tranzicionit, bathorizimin si urbanizim kaotik rezultat i një lëvizjeje të madhe demografike pasojë e sistemit dhe golemizimin si një ankth për të kaluar nga qyteti ne fshat e për tu kthyer nga i pasur në qytet në një fshatar turistik në bregdet. Këto dy fenomene duhet ti përkasin të shkuarës. Kemi një bregdet me një potencial të jashtëzakonshëm, jemi destinacioni i fundit i pazbuluar i Mesdheut, rritja eksponenciale e interesit për Shqipërinë lidhet me bukuritë e vendit, lidhet me aspektet të rëndësishme të virgjërisë fizike të vendit dhe nëse ne vazhdojmë me inercinë e golemizimit, brenda 10 vitesh ne nuk do jemi më vendi ku të gjithë duan të shkojnë por do jemi vendi nga ku të gjithë turistët e huaj nuk do kenë më interes të kthejnë kokën. Që do të thotë, patjetër ne do ti japim një alternativë zhvilluesve, patjetër ne do ti japim një alternativë investitorëve por koha e shitjes së apartamenteve për të pasurit e qyteti që behën bashkëfshatarë buzë detit duhet të mbyllet dhe investimet në bregdet duhet të përkojnë me një ambicie të madhe për ta bërë Shqipërinë jo thjesht një vend ku vijnë shumë turistë por një vend ku turizmi sjell shumë herë më tepër të ardhura dhe krijon punësim shumë më cilësor.

Kjo është sfida, që të kombinojmë bukurinë që kemi gjetur me të bukurën që ndërtojmë. Jo të bukurën që kemi gjetur ta përdhunojmë me format më primitive dhe më vulgare të zhvillimit, gjë që është pjesë e një faze historike por nuk mundet dot për shembull, në një zonë të virgjër, të kemi projekt zhvillimi të një grupi fshatrash që kanë shtretër më shumë se sa ka gjithë Kroacia, do me thënë, një lagje të pasurish që nuk kuptojnë fare se nga vjen e mira e mendjes dhe e shpirtit në këtë botë.

Thënë kjo, unë dua që ti falenderoj dhe ti përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuuar dhe që kanë dhënë maksimumin në këtë fazë tranzicioni të turizmit tonë dhe patjetër që ne po përgatitemi që jo vetëm të mos dekurajojmë investimet në turizëm por përkundrazi, t’i inkurajojmë ato. Jo vetëm të mos kthejmë mbrapsht njerëz që kanë ambicie por t’i japim drejtimin e duhur që nga ëndrra e fshatit turistik personal dhe e krijimit të një komuniteti bashkëfshatarësh që merren me thashetheme shqip të kalojnë në fazën e ndërtimit të kontributeve zinxhir për turizmin shqiptar. Kontributeve që i japin Shqipërisë së zhvilluar ambicien për të mos e ngrënë veten dhe për të mos mbyllur derën e të ardhmes duke shfrytëzuar në mënyrë vulgare dhe barbare bukuritë ende të paprekura të së shkuarës.

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.