Kreu Sociale Shega, pema simbol i legjendave

Shega, pema simbol i legjendave

339
0

Origjina – Historia:

Shega, emrin shkencor e ka Punica granatum L., në frengjisht quhet granade sauvage, në gjuhen italiane, melograno selvatica, në gjuhen greke, rodhia. Bën pjesë në familjen Punicaceae.

Emërtimin “ Punica” në latinisht, është vendosur nga botanisti suedez Karl Lineu ( 1707-1778) Thuhet, se është vendosur në nderim të kolonisë Finikase ( Phoenica), të Kartagjenës. Emërtimin “granatum”, ka lidhje me kokrrat që janë brenda frutit, dhe që janë me shumicë.

Shega, është një bimë që ka një rrugëtim tejet të gjatë, ku është evoluar dhe ka ndryshuar tiparet fenotipike të saj.

E ka origjinën nga Persia (Irani), ku është kultivuar para 4000 vjetëve. Këtëj nëpërmes tregëtarëve, kaloi në zona të tjera të Azisë, në Afrikë, dhe në Mesdhe. Romaket e moren nga kartagjenasit, dhe deri në vitet 750- 800 e përhapen në të gjithë Perandorinë Romake.

Në Kinë, Indi, u fut në vitet 130-120 PK, dhe rreth vitëve 1600- 1700 nga spanjollët u përhap dhe u kultivua në Amerikë.

Përshkrimet e para shkencore i gjëjmë nga babai i sistematikës së bimëve, Theofrasti, tek botimi i Tij “ Historia e Natyrës.”

Shega, përmendet shpesh në papiruset e Egjyptit, në Dhjatën e Vjetër, në Mitologjinë Greke dhe në Historinë e Perandorisë Romake. Në bibël, citohet se mbreti Solomon kishte blloqe me shegë shëkullorë, ndersa në mitologjinë Egjyptiane shkruhet se kokrrat e shegës, farat,shoqëronin Faraonet pas vdekjes.

Shega është kultivuar që në lashtësi, dhe së bashku me ullirin, vreshtin dhe fikun, përbejnë llojët e para të kultivimit.

Karakteristikat Botanike:

Shega paraqitet në dy format e saj, e Egër dhe e Butë ( e Kultivuar). Në botë ka më shumë se 500 lloje kultivarësh.

Shega e Egër, Punica granatum var. Spontaneum K. Maily. Gjendet në formë shkurreje, më shumë llastarë në bazë ( shumë trupeshe), arrin 2- 4 metra lartësi, e paisur me gjemba, lulët e vogla dhe frutat sa një mollë e vogël. Kjo shegë është shumë prodhuese, dhe frutat e saj çahen në kohen e pjekjes, që realizohet në tetor- nëntor.

Shega e butë, Punica granatum, var. Sativa K. Maily. Ka trungun kryesor, ka kurorë të rregulltë, lule të mëdha, degë më të lemuara, me ose pa gjemba. Arrin lartësi 4-5 metra, ka prodhimtari të lartë, me shije të ëmbël, të thartë apo majoshe. Frutat piqen në shtator-tetor.

Në vendin tonë janë përshtatur shumë mirë tre kultivarë:

Shega Devedishe që kryesishtë e kultivon zona e Lezhës, Shkodres.. Frutat piqen në shtator- tetor dhe përdorën për konsum të fresket dhe shurup.

Shega Tivarash, rritet kryesishtë në Malësinë e Madhe, fruti ka shumë lëng dhe konsumohet i fresket ose gjen përdorim në industri.

Shega Majhoshe, është përshtatur shumë mirë në Shqipërinë e jugut. Fruti piqet në shtator- tetor, për përdorim të fresket, për lëng.. Ka tregues cilësor shumë të mirë dhe një rrenjë prodhon deri 120 fruta.

Shega vlerësohet dhe përdorët dhe si dru dekorativë, për lulet e veçanta dhe frutin.

Lartësia, trupi, gjethet, lulet, frutat, ngjyrat, cilësia, shija,…..janë veçori që i dallojnë dhe i veçojnë këto varitete. Lloji me i mirë është shega që ka shumë lëngë, me ngjyrë të kuqe të fortë dhe me lekurë të hollë të frutit.

Sistemi rrenjor depërton 3-4 metra thëllësi. Shega formon shumë llastarë në bazë dhe këto lejojnë shtimin e saj me lehtësi. Me kalimin e moshës këto zëvendësojnë shegen, trungun kryesor kur plaket.

Jeton nga 50- 200 vjet , dhe kjo gjithmonë në vartësi të klimes, tokës, llojit, shërbimëve, shartimëve… Përiudha vegjetative aktive, e gjallë, fillon në pranverë dhe përfundon në vjeshtë.

Rritja e temperaturës, lagështira e nëvojshme, shërbimët…bëjnë që bima të zgjohet nga letargjia dhe në trupin e saj të levizi limfa, ushqimi.. në drejtim të sythave, duke u dhënë jetë atyre. Gradualisht me kalimin e ditëve , javeve, ne mund të shikojmë tek bima ndryshime të mëdha sasiore dhe cilesore, si çeljen e sythëve, formimin e gjetheve, të lulëve, rritjen e sistemit rrenjor, shperthimin energjik të llastarëve, formimin e frutave….

Zakonisht bima e sheges mban 17-30% të lulëve totale, dhe 70-83% i rrëzon, kjo gjithmonë në varësi të moshës, llojit, kushtëve, difekteve në pjalmime, pllenime, mungesa e lagështirës, mungesa e ushqimit, sëmundjet patologjike.

Në blloqet e reja, jep lule dhe frutifikim nga viti i dytë i mbjelljes, por në prodhim realishtë futet pas 4-5 vitësh. Eshtë bimë që u përshtatët shumë mirë kushteve klimaterike dhe preket shumë pak nga sëmundjet.

Fruti që prodhon, e mbron veten nga pluhurat, papastërtitë , dhe kjo i jep avantazhin të kultivohet në zonat e ndotura urbane, anës rrugëve, në qëndrat e prodhimit, mjediset e fabrikave…

Tek shega formohen dy lloje lulësh. Një pjesë janë më të mëdha, më të gjata, ku shtyllëzat e pistilit i kalojnë theket. Këto si rregull formohen në degëza 1-2 vjeçare, çelin në maj, dhe janë këto që formojnë frutat e ëmbla. Këto përbejnë mesatarishtë 25 % të numrit total të lulëve.

Proçesin e pllenimit e realizojnë bletet, insektet në këmbim të polenit. Realizohet pllenimi dhe me anë të erës. Kur nuk ka kushte të mira klimatike, kur ka erëra të forta, furtuna, shira të rrembyeshëm, prodhimi bie, se nuk realizohet pllenimi. Proçesi i pllenimit zgjat nga disa orë në disa ditë.

Lulet e tjera, rreth 75 %, janë lule të vogla, kanë formen e një zileje të vogël, janë 3-5 së bashku, dhe si rregull çelin në muajin qërshor dhe nuk japin fruta.

Avantazhet dhe vlerësimi i shegës në pemëtari:

Shega është vlerësuar nga kopshtarët, jo vetëm për përdorim të gjerë dhe vlerat e larta ushqyese, për përdorim në mjekësi, kozmetik, por dhe si dru dekorativ ne gjelberimin e mjediseve, dhe me cilësi të lartë në punimin e skulpturave.

Eshtë një bimë që vlerësohet dhe përzgjidhet në mbjelljen e saj në hyrjet kryesore të shtëpive, në blloqe frutore vetëm me shegë, apo në bashkëshoqërime me lloje të tjera , në mbjelljen anës rrugëve, në skarpatat erozive, në zonat urbane, në veranda në vazo..

Investimet që nëvojiten për mbjellje, janë relativisht të ulta , e krahasuar kjo me llojët e tjera.

Skemat e mbjelljes lejojnë relativisht sigurimin e shumë bimëve për njësi sipërfaqëje, dhe për rrjedhojë realizojnë rendimente të kënaqshme.

Një rrenjë tashmë e rritur, kjo në vartësi të klimës, kultivarit, shërbimëve…. jep 50-80 kg fruta .

Krahas prodhimit të frutave, mbron shumë mirë tokat e pjerrta , ledhet nga gërryerjet.

Klima :

Ka shumë preferenca për klimë të ngrohtë. Shtrihet dhe rritet kryesishtë në zonën e ullirit dhe arrin 500- 1000 metra mbi nivelin e detit. Në vendin tonë shtrihet në gjithë zonën bregdetare dhe me shumicë gjenden në zonën e Lezhës, Milotit, Shkodres, Tiranës…

Në përiudhën e dimrit kur bima është në letargji duron deri -10 Oc, dhe disa kultivarë deri – 14 Oc. Kur pemet zgjohen nga gjumi nuk i durojnë temperaturat e ulta.

Temperaturat e larta në behar ndihmojnë dhe përmiresojnë shijen, ngjyren e mirë, pjekjen e frutave. Shumë shira në behar japin vertet shumë fruta, por janë të buta, delikate dhe paraqesin vështirësi në transport dhe ruajtje.

Toka:

Shega do toka ranore-argjilore, toka të përshkueshme, me përberje gurishtore. Mund të kultivohet dhe në toka të varfëra, në brigjet e lumenjëve, në kodrina, në toka gëlqerore. Pranon toka alkaline, por prodhim të mirë jep në toka të pasura, të thella, të kulluara mirë, ranore-argjilore dhe me PH 5,5-7,0. Në tokat e varfëra, të lehta prodhon , por frutat janë të vogla, delikate dhe ato çahen pothuaj të gjitha.

Demokritos që në lashtësi këshillonte që shega të mbillej afër mersines(Mirtus communis), për prodhim fruti cilesor.

Në tokat e sheshta, ku mund të futen mjetet mekanike, bëhet një punim i thellë qilizëm, 70-80 cm ,diskim, punim 40-50 cm thellësi, frezim……

Në tokat me pjerësi mbi 25 %, toka tarracohet me pjerësi nga brenda, për kullimin e ujrave dhe për të mbrojtur tokën nga gërryerjet, shpërlarjen,… hapen vetëm taraca individuale( 2,5×3 metra)

Gropat hapen 1x1x1 m, disa muaj para mbjelljes.

Në toka me pjerësi të buta, skema e mbjelljes është (3 x4 m.), (3 x3 m), me 833- 1111 fidana/ ha.

Në tokat e sheshta dhe të pasura, skema e mbjelljes është (5 x 5m), ( 4 x 6m), me 400- 416 fidana/ ha

Shtimi:

Shtohet me fara në farishtore, me fidana në objekte, me shpatulla, me fundakë, përpajna…

Sipas kushtëve klimatiko-tokësore, gjëndet metoda me e përshtatëshme. Mbjellja me fidana bëhet në vjeshtë me renien e gjethëve, ose në fillimet e pranverës, me fidana brenda standartëve dhe të amballazhuara me dhe.

Kostoja e krijimit të objektit është në vartësi të tokës, klimes, llojit..por mesatarishtë leviz në 600-700 euro/dynim. Në këtë kosto përfshihet blerja e fidanit, përgatitja e tokës dhe mbjellja.

Shega , vlerat dhe magjitë e saj :

Për meritat dhe vlerat esaj, është shpallur pema kampione dhe është në qënder të vëmendjes.

Emrin e saj e mban qyteti i bukur, Grenada.

Eshtë simbol i pjellorisë, i bollëkut, i jetëgjatësisë, mirësisë…. Nga prania e shumë kokrrave , gati 1200-1600 për frut, u be simbol i pjellorisë, ndersa ngjyra e kuqe si gjaku e kokrrave dhe lëngut, simbolizon vetë jeten.

Që nga koha e Hipokratit, njihet për përdorimin e saj në mjekësi, për sëmundjet e diaresë, dizenterisë, për plaget e ndryshme, për kollën, .. Kokrrat e pabëra forcojnë mishrat e dhëmbëve.

Lëngu i shegës rrit prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, zvogëlon ngarkesën kardiake. Eshtë shumë rezultativë për kollën, parandalim infraktesh, kancerin në mushkëri, parandalon diabetin, lufton osteoporozën… Prania e lëndes që quhet punicalogins, është antioksidant dhe parandalon prostaten, kancerin, degradimin e ADN. Ka tri herë më shumë antioksidantë se rrushi i zi, çaji i malit, vera e kuqe.

Vetë doktori i njohur Pliniu, përshkruan tek vepra “Historia e Natyres” vleren e shegës në shërimin e shumë sëmundjeve që përmendem.

Për grekët e lashtë, shega konsiderohej frut i shenjtë. Në Krishtlindje dhe Pashkë, akoma dhe sot është traditë, që në tavolinen e pasur dhe te mbushur të mos mungojë shega.

Nuset e reja romake, ndërthurnin në flokët e tyre deget e reja të sheges në ditet e dasmes.

Edhe në zonen e Ballkanit, në vendin tonë, çahet një shegë në ditë dasmash, apo vit të Ri, që simbolizonte lindjet e shumta dhe bollëkun e shtëpisë .

Për të nderuar kujtimin e të vdekurve, njerëzit me besim ortodoks, shpërndajnë “kollyva”, që përgatitet me grurë të zier, sheqer dhe kokrra shege.

Në Romen antike, është përdorur në kozmetikë. Kleopatra, e përdorte me sukses lëngun e saj për lyerje të fytyres, flokëve, thonjëve,.. për t’u dhënë freski, shkëlqim dhe gjallëri.

Druri i sheges është i fortë, cilësor dhe çmohet nga skulptoret për vepra artistike. Në lashtësi vlerësohej fortësia e tij dhe prodhoheshin shigjeta.

Shega tregëtohet si frut për konsum të fresket, si lëng i mrekullueshëm, shurup, prodhohet verë (Spanja, Japonia) e cilësisë së lartë. Përdoret në industrinë ushqimore, për t’u dhënë shije salcave, supave, për të zbukuruar dhe shijuar sallatat, perimet..

Sot në botë njihen mbi 961 prodhime të ndryshme, pije, shurupe ..si plotësuese në industrinë ushqimore.

Vendin e parë në prodhimin e frutave të shegës e ka India, me 53% të prodhimit botëror, vijon Irani me 29% dhe SHBA me 4,5%.

Në vendin tonë shumë fermerë , pas vitëve 2000, kanë investuar dhe krijuar blloqe shumë të mira dhe shijojnë frytet e investimëve të tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.