Kreu Aktualitet Shëndetësi, 400 mjekë dhe 2200 infermierë të punësuar në 2018-2019

Shëndetësi, 400 mjekë dhe 2200 infermierë të punësuar në 2018-2019

122
0

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e diplomimit të 1600 studentëve të Universitetit të Mjekësisë:  

Sot erdha me një dëshirë të veçantë dhe e kërkova fjalën ta merrja që në fillim për arsye se më duhet të largohem, nuk mund të qëndroj deri në fund, por nuk doja të mungoja, pasi mendoj që jo vetëm të gjithë ata që sot diplomohen, por edhe prindërit e tyre meritojnë një përshëndetje të përzemërt. Një urim të përzemërt për të pasur të gjitha sukseset që kanë dëshiruar dhe për të cilat kanë studiuar dhe punuar fort. Patjetër, edhe për të gjithë të ftuarit këtu në sallë, mjekë, infermierë, profesionistë të shkencave mjekësore, të cilët meritojnë respekt në një vend dhe në një kohë, kur për fat të keq edhe padrejtësisht është bërë zakon të flitet pa respekt për ata që janë në këtë sallë, bashkë më shumë të tjerë që s’janë të pranishëm dhe që nën bluzën e bardhë shpëtojnë mijëra e mijëra jetë çdo vit.

Por, meqë bëtë një duartrokitje, unë do doja që një duartrokitje e posaçme t’iu kushtohej të gjitha nënave, baballarëve, gjysheve, gjyshërve të vajzave dhe djemve që janë veshur me mantelin e shumëpritur të çlirimit nga duart e pedagogëve dhe të fillimit të një karriere që ndryshon shumë nga të gjitha karrierat e tjera, sepse është një karrierë në shërbim të drejtpërdrejtë të jetës së njeriut.

Më vjen shumë mirë që sot t’ju them vajzave e djemve që janë mbledhur këtu për të hedhur në fund kapelat, që hyjnë në rrugën e profesionit në kushte më të mira sesa ato që ishin për paraardhësit e tyre. Duke filluar nga një kusht i parë, siç provon eksperienca e atyre që e kanë mbaruar këtë universitet vitin e shkuar, që, për të hyrë në punë drejtpërdrejtë në profesion, nuk ka më nevojë për asgjë tjetër, përveç aftësisë. Vendi i punës në shërbimin tonë publik shëndetësor është i garantuar sipas meritës, falë portalit Mjekë për Shqipërinë, ashtu sikundër dhe për infermierët, edhe për mësuesit. Kjo është arsyeja pse sot, po të vizitosh qendrat shëndetësore që po rindërtohen, gjen ata që dje dolën si më të mirët në këtë universitet dhe sot janë nën bluzën e bardhë në profesionin e tyre, falë meritës së tyre dhe nuk duhet t’ia dinë për nder askujt veç vetes dhe prindërve të tyre.

Po ashtu, – sepse, jo më larg se sot, për koincidencë, ka pasur një tërësi lajmesh dhe komentesh mbi mjekët që kanë ikur nga Shqipëria, – dua të vë në pah faktin se ata që dalin sot nga universiteti dhe duan të ushtrojnë profesionin e mjekut në Shqipëri, sikundër tanimë plot kolegë të tyre që janë në profesion në Shqipëri dhe që kanë pranuar, apo ata që do dëshirojnë e pranojnë të punojnë në spitale larg vendbanimit të tyre, veç pagës, kanë dhe një bonus mujor që e bën shumën e përgjithshme mujore të barabartë me të njëjtën shumë që do mund të mbanin për vete, nëse do punonin mjekë në Gjermani, pasi të paguanin të gjitha taksat që paguajnë mjekët atje. Ky është fakt dhe është një fakt, që, me siguri, siç mund ta dëshmojnë ata që janë sot me shërbim në spitale të ndryshme, do ta dëshmojnë edhe ata që nga sot do të mund të punojnë në spitale larg vendbanimit të tyre.

Ne po përgatisim edhe disa masa të tjera mbështetëse, për të rritur mbrojtjen dhe për të dëshmuar respektin ndaj figurës së mjekut në Shqipëri nga pikëpamja e trajtimit financiar dhe e trajtimit të tyre me banesë.

Pyetja: A e dini që studentët që arsimohen sot janë vetëm të pasur? – ka përgjigjen që kjo është e pavërtetë. E pavërtetë, për faktin se sot, ndryshe nga deri dje, studentët janë të trajtuar më mirë dhe këtë besoj e dini të gjithë ju që jeni studentë këtu, e dinë edhe prindërit. E jo vetëm kaq, por, nëse ata që janë të shkëlqyer, kanë një trajtim të posaçëm, një trajtim të dedikuar kanë edhe ata që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike.

Ama një gjë është e sigurt, që tek ata që janë të shkëlqyer ka plot që janë në vështirësi ekonomike dhe ata janë dëshmia më kuptimplotë e të vërtetës se vështirësitë ekonomike nuk janë një justifikim. Përkundrazi, për shumëkënd janë një nxitje dhe se pikërisht përmes notave të shkëlqyera, të rinjtë pajisen me armët e duhura për të dalë jo vetëm vetë, por për të nxjerrë edhe familjen nga vështirësia ekonomike. Sigurisht kemi zgjedhur këtë sistem dhe në këtë sistem nuk mund të trajtohen të gjithë njësoj. Nuk mund të trajtohen njësoj ata që janë të shkëlqyer me ata që nuk shkëlqejnë. Ky është fakt, duam, apo s’duam.

Ajo çka do doja të kishin pasur ata që sot përfundojnë studimet, janë kushtet e mëtejshme të përmirësuara të Universitetit të Mjekësisë. Ju jeni dëshmitarë që ka një ndryshim të madh për nga rritja e mundësive për të kryer studimet dhe për të pasur aksesorët e nevojshëm mbështetës. Pakti për Universitetin në Universitetin e Mjekësisë ka një program të vetin, që ndiqet drejtpërdrejtë nga ministrja e Arsimit. Janë bërë disa hapa shumë të rëndësishme dhe do të vijohet me të tjera, me sallat e reja për studentët e mjekësisë, me sallën Aula Manja, me 7 salla laboratorike, bibliotekën, qendrën kompjuterike, sallat e studimit e me radhë, ndërkohë që ato që janë bërë, i keni dhe nuk po jua numëroj, sepse çfarë u bë, u bë.

Natyrisht, e mira nuk ka fund, e keqja harrohet shpejt. Por, nëse për një moment do kthenim kokën për të parë nga u nisëm, atëherë do të na mjaftonte vetëm një moment, për të kuptuar se sot jemi në kushte shumë më të mira nga sa u nisëm. Por, nëse shohim se ku duam të shkojmë, e sotmja nuk mjafton. Studentët që do vazhdojnë të jenë ende në shkollë, do të jenë ende në laboratorë, do jenë ende në praktikën profesionale, do kenë kushte edhe më të mira se ata që sot largohen nga shkolla.

Mjafton për të gjithë ju që jeni të profesionit, Spitali ri i Kirurgjisë, – jam i bindur, shumëkush prej jush e ka parë, – për të prekur me sy dhe me dorë ambicien tonë për si e duam ne shërbimin shëndetësor në Shqipëri dhe si i duam ne kushtet e shërbimit.

Mjafton të bëni një krahasim mes instrumenteve mjekësore të përdorura deri dje nga profesorët tuaj dhe instrumentet mjekësore që kanë ata dhe do të kenë edhe mjekët e rinj sot në dispozicion, për të kuptuar ambicien tonë për si e duam ne shërbimin shëndetësor.

Mjafton të shihni qendrat e reja shëndetësore që po rindërtohen, apo po ndërtohen nga themelet, të bëni krahasimin me qendrat shëndetësore, ku për 30 vjet kanë sakrifikuar në mënyrë ekstreme nën bluzën e bardhë ata që sot ose nesër do jenë kolegët tuaj, për të kuptuar si e duam ne shërbimin shëndetësor.

Sot nuk jemi më në kohën kur themi “do bëjmë”, por jemi në kohën kur themi, shikojeni si po bëhen gjërat dhe me durim kuptoni që kështu do vazhdojmë dhe do të bëhen të gjitha ato që duhen bërë. Mos e harroni atë që patë vetëm pardje, për të kuptuar se Shqipëria nuk është më siç ishte, në drejtim të paditur. Shqipëria ka drejtimin e vet, ka të gjitha vështirësitë e veta për të kapërcyer, por ajo që është më e rëndësishmja, ka vullnetin e madh dhe pasionin e madh për t’u bërë ashtu siç e meritojnë këta që sot po diplomohen dhe të tjerë që do diplomohen pas tyre.

Në Shqipëri nuk ka mungesë mjekësh. Mungesa e mjekëve në Shqipëri ishte një fatkeqësi e trashëguar nga ndalimi pashpjegueshëm, – akoma sot nuk e shpjegojmë dot, – për 4 vite i specializimeve, që krijoi një boshllëk shumë të madh mes nevojës dhe mundësisë për të përmbushur nevojën. Vetëm gjatë viteve 2018-2019 janë punësuar 400 mjekë të rinj, jo vetëm të rinj në moshë, por edhe mjekë të kthyer nga jashtë dhe 2200 infermierë.

Shumëkush, duke dëgjuar lajme, thotë “s’ka mjekë, s’ka infermierë, ikën gjithë”. Jo, është e pavërtetë!

Sot që flasim janë 1500 infermierë në listë pritjeje, jo pas dyerve të partive, jo pas xhaketës së deputetit, jo në kërkim të krushkut apo kushëririt, që mund t’i ndihmojnë të futen në punë, por në listë pritjeje në portalin Infermierë për Shqipërinë. Është një pasqyrë komplet transparente që nuk të lë as të gënjesh dhe nuk lë askënd të të dalë përpara, nëse rezultatet e tua janë më të mira. Që do të thotë, ne nuk e kemi këtë problem. Patjetër, jo këtu, por sot në shumë vende të Europës, duke filluar nga Kroacia që është anëtare e BE-së, në Itali që është një nga fuqitë e mëdha ekonomike të botës, e pastaj në Spanjë e Portugali dhe shtrihuni ku të doni në pjesën e re të Europës, në pjesën e vendeve ish-komuniste, lëvizja e mjekëve drejt Britanisë së Madhe, Gjermanisë apo vendeve të veriut të Europës është trend. E rëndësishme për ne është të garantojmë që këtu, shqiptarëve që shkojnë të marrin shërbim të mos u mungojë as mjeku, as infermierja dhe asnjë profesionist i mjekësisë.

Natyrisht, këto nuk janë gjëra që sa u thanë, u bënë, por janë gjëra që kërkojnë kohën e tyre. Në këtë kohë që kemi pasur, ia kemi arritur kësaj gjëje. Sot janë 113 mjekë të huaj që punojnë në shëndetësi në Republikën e Shqipërisë.

Për ne është domosdoshmëri të bëjmë gjithçka që të ruajmë dhe forcojmë imazhin dhe dinjitetit e figurës së mjekut, e cila ka pësuar goditje të mëdha në shumë vite dhe e cila është bërë jo rrallë objekt dhune. Për këtë arsye, ne kemi penalizuar rëndë kanosjen, apo goditjen e bluzave të bardha dhe kemi ashpërsuar dënimin penal për çdo person që ndërmerr veprime agresive ndaj profesionistëve të shëndetit. Fakti që qysh prej këtyre ndryshimeve që kemi bërë në Kodin Penal, rënia e këtyre shfaqjeve barbarie është shumë e ndjeshme, flet për efikasitetin e këtyre masave.

Mjekësia është art, nuk është profesion dhe nuk është as biznes. Është një art shumë më i vështirë sesa piktura dhe unë me shumë respekt dhe admirim ju uroj nga zemra të gjithëve, të keni sa më shumë vullnet, sa më shumë pasion, sa më shumë kreativitet dhe sa më shumë kënaqësi si rezultat i artit tuaj!

Shumë faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.