Kreu Aktualitet Shkolla e re në Universitetin Bujqësor, kërkesë e banorëve

Shkolla e re në Universitetin Bujqësor, kërkesë e banorëve

85
0

Shkolla e re në Kodër-Kamëz do të ndërtohet në një ish truall privat, të shpronësuar nga Bashkia e Tiranës, për të plotësuar nevojat dhe kërkesën e hershme të banorëve për një shkollë në atë zonë. Nga Universiteti Bujqësor i Kamzës ku zhvilloi një takim me studentët, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku theksoi se shkolla e re në Kodër-Kamëz është pjesë e projektit për ndërtimin e 17 shkollave të reja dhe se ajo nuk cenon hapësirën e kampusit.

“Kjo është hapësira në të cilën do të ndërtohet një ndër 17 shkollat e reja të qytetit. Toka në fjalë e ka pasur statusin privat prej shumë vitesh. Bashkia Tiranës, që në vitin 2018, nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, ka bërë shpronësimin e kësaj toke, rreth 9 mijë metra, të cilat do të përdoren për shkollën e re. Këto 9 mijë metra tokë sot janë me status në pronësi të Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Mazniku.

Nevoja për ndërtimin e një shkolle të re në Kodër-Kamëz është një kërkesë e vjetër e banorëve të këtij komuniteti për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre.

“Zona e Kodër-Kamzës është një zonë e cila ka shumë nevojë për një shkollë. Është një zonë e cila në 10-15 vitet e fundit është banuar në mënyrë të dendur, dhe nuk ka shkollë. Ndaj, ndërtimi i një shkolle të re ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e kësaj zone dhe na mundëson të kemi edhe arsimin parauniversitar, por edhe arsimin universitar, pa i cenuar në asnjë mënyrë, asnjë prej funksioneve të njëri-tjetrit”, deklaroi ai, teksa shtoi se janë të gjitha hapësirat e mundshme për t’i krijuar mundësi Universitetit Bujqësor që të shfrytëzojë hapësirat e tjera.

Si pjesë e Paktit për Universitetin, Mazniku deklaroi se qeveria shqiptare i ka akorduar Universitetit Bujqësor më shumë se 1 milion euro për fermën eksperimentale në Valias, një hapësirë prej gati 100 hektarësh, e cila plotëson më së miri nevojat e studentëve për procesin mësimdhënës.

“Gjithashtu, është e rëndësishme të theksojmë se para pak kohës qeveria i ka akorduar Universitetit Bujqësor, si pjesë e Paktit për Universitetin, më shumë se 1 milion euro për fermën eksperimentale në Valias: një hapësirë shumë e madhe, prej pothuajse 100 hektarësh, ku funksionet e mirëfillta mësimore mund të ndodhin atje. Ndaj ky projekt, së pari i sjell një shkollë shumë të dobishme komunitetit, shumë të nevojshme për këtë zonë, që nuk e ka një shkollë të tillë, dhe nuk cenon në asnjë moment, dhe në asnjë rrethanë funksionet thelbësore të universitetit”, sqaroi Mazniku.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.