Kreu Aktualitet Shqipërinë mbrapa nuk kanë për ta kthyer dot

Shqipërinë mbrapa nuk kanë për ta kthyer dot

351
0

Gjirokastër, takimi publik Bashkia që Duam: 

Shumë faleminderit!

Më vjen vërtet keq që, megjithëse këtu janë konsumuar të gjitha hapësirat e këtij pallati, jashtë kishte plot të tjerë dhe nuk ishte e mundur që të ishin brenda, por për shkak të motit ky takim nuk u organizua dot jashtë që të kishim edhe më shumë njerëz. Megjithatë jam i bindur që muret nuk na pengojnë për të përcjellë qoftë këtë atmosferë, qoftë edhe ato që do themi këtu.

I jam shumë mirënjohës secilit dhe secilës prej jush që më shprehni këtë mbështetje në këto momente, kur realisht Shqipëria ka nevojë të vazhdojë të ecë përpara dhe ne të gjithë sëbashku të ecim pa e ulur, por, përkundrazi, duke e rritur ritmin dhe patjetër që të kujdesemi edhe për të gjithë miqtë tanë demokratë, të cilët u tradhtuan nga përfaqësuesit e tyre në mënyrën më të habitshme dhe në një mënyrë që historia e demokracive parlamentare nuk e njeh.

Duke refuzuar mandatin e deputetit, ata nuk janë bërë popull siç pretendojnë, por thjesht kanë tradhtuar popullin që i ka zgjedhur për të shkuar atje dhe për t’i përfaqësuar.

Unë dua t’jua them të gjithë demokratëve, se kjo nuk ka lidhje me ato që thuhen.

Kjo ka lidhje me ato që dihen.

Së pari, ata e dinë shumë mirë që ne nuk kanë asnjë shans që të na mundin dhe e thonë edhe vetë.

Së dyti, Lulzimi nuk e përballon dot edhe një humbje tjetër, se edhe ata që e mbajnë, madje edhe ai që e ka caktuar të rrijë aty, nuk do ta pranonin dot më që të vazhdonin ta mbanin aty, kështu që thotë më mirë po i iki fare betejës, sesa të futem në betejë dhe të dal i humbur.

Por do të dalë ai dhe partia e tij, bashkë me partinë simotër, shumë më të humbur sesa ç’do të dilnin të humbur nga zgjedhjet.

Ata janë në panik, sepse e shohin që nuk kanë më asnjë mundësi ta pengojnë drejtësinë. Nuk kanë më asnjë mundësi t’i mbyllin rrugën, siç ia kanë mbyllur për vite e vite të tëra, drejtësisë dhe e dinë të gjithë shqiptarët që drejtësia e re ka disa punë me ta.

Ata duke braktisur Kuvendin dhe duke u përpjekur, njësoj si të mbyturit që kapen pas fijes së barit, të kapen pas iluzionit se mund ta tërheqin për hunde këtë popull në rrugën e rrëmujës dhe në rrugën e destabilizimit, për t’u bërë tym e flakë dhe pastaj për t’u zhdukur edhe ata mes mjegullës, apo për t’u djegur në ato flakë dhe llogaritë e tyre me të shkuarën, nuk ka asnjë shans të funksionojnë.

Nuk mundet të funksionojnë!

Ajo që unë ju them të dashur miq dhe ju them të gjithëve, se nuk është mirë që ata u larguan, por nga ana tjetër është pak, por e sigurt se ata, Shqipërinë mbrapa nuk kanë për ta kthyer dot dhe se ata rrugën e Shqipërisë për të shkuar përpara dhe për t’u bërë një vend normal, ku gjërat të funksionojnë normalisht për të gjithë njerëzit pa dallim, nuk e hedhin dot më në erë.

Fatkeqësisht, nga veprimet e tyre dëmtohen njerëzit e zakonshëm, dëmtohen ata që kanë një biznes, dëmtohen ata që merren me tregti, dëmtohet konsumi, dëmtohen konsumatorët.

Kjo ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, kur ata rikthyen fantazmën e dhunës mbi institucionet, por ajo fantazmë që u shfaq për një moment, ju e patë se u zmbraps po ashtu me sukses të plotë. Të jeni të sigurt se ne jemi me të drejtën dhe se ne në rrugën tonë të drejtë do të jemi edhe më shumë, pasi edhe më shumë njerëz do të kuptojnë qartësisht se politika e sherrit, politika e rrëmujës, politika e përçarjeve për të arritur deri në dëmtimin me qëllim të interesave dhe të imazhit të vendit nuk është politika që sjell gjë të mirë për ta, për familjet e tyre, për vendin e tyre.

Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi do ta kuptojnë shumë shpejt, – flas për ata që deri sot kanë shpresuar tek të arratisurit nga Parlamenti, – se rruga e drejtë është rruga e të qëndruarit të secilit në detyrën e vet dhe në të bërit të secilit me sa më shumë ndershmëri, përkushtim dhe sukses punën e vet.

Ne jemi këtu për të bërë këtë.

Ne jemi këtu për të bërë të mundur që edhe Gjirokastra të kalojë në një fazë të re. E kemi fituar Bashkinë e Gjirokastrës në koalicion. Nuk dua të bëj asnjë diskutim dhe nuk dua të them as fjalën më të vogël për kryetaren e bashkisë që ka marrë mbështetjen e të gjithëve ne për të qeverisur bashkinë, por nga ana tjetër është pak por e sigurt se, siç po ndodh me qeverinë qendrore ku shumë gjëra po ecin më shpejt dhe shumë shpejt, shumë gjëra do të bëhen shumë më mirë seç ishin, ashtu do të ndodhë edhe me Gjirokastrën:

Shumë gjëra me ne do të ecin shumë më shpejt dhe do të bëhen shumë më mirë seç ishin.

Besoj se ardhja juaj këtu, besimi dhe mbështetja që ne kemi në të gjithë këtë qark nuk lidhet me faktin se ne kemi bërë ndonjë mrekulli, as me faktin se këtu, qoftë dhe një person i vetëm, përfshirë dhe mua, është plotësisht i kënaqur me  si shkojnë punët, as edhe me faktin se këtu, qoftë edhe një njeri i vetëm është i lumtur me qeverinë.

Përkundrazi, ne jemi mbledhur të gjithë këtu, sepse e dimë shumë mirë që Shqipëria që kemi nuk është ajo që duam, por ama besimi ynë dhe forca jonë qëndron në faktin që Shqipëria që kemi është si dita me natën me Shqipërinë që kishim.

Ne jemi këtu, sot, sepse ka shumë e shumë për të bërë akoma në të gjithë këtë qark. Padiskutim që ka shumë e shumë për të kërkuar akoma prej nesh, prej të gjithëve ju dhe prej të gjithë atyre që banojnë apo që kanë emigruar nga ky qark, por ama, jo vetëm ne, por dhe ata që s’janë këtu, edhe ata që nuk janë votuesit tanë, nëse do t’i pyesim:

Tepelena sot, a ka të krahasuar me Tepelenën dje?

Libohova sot, a ka të krahasuar me Libohovën dje?

A ka të krahasuar, qoftë Këlcyra e vogël, apo Memaliaj me shumë probleme, me atë dje?

Natyrisht që nuk ka asnjë të krahasuar. Ishin vende ku njerëzit vetëm iknin dhe asnjë vizitor nuk shkonte. Sot janë vende ku çdo ditë ka vizitorë, ku çdo ditë njerëzit shkojnë, ndalojnë dhe ku ne duam që të jenë dhe më të shumtë dhe të qëndrojnë dhe më shumë.

Prandaj kjo është një betejë që vazhdon.

Ashtu sikundër ne kemi bërë jo pak për Gjirokastrën. Për të gjitha bashkitë e Gjirokastrës besoj se mund të bëjmë edhe shumë e shumë më tepër, jo se çfarë bënë ata që s’bënë gjë fare, por sesa ne kemi bërë në këto 4 vite.

Unë dua t’i siguroj të gjithë, jam shumë i vetëdijshëm se asnjë kategori shoqërore, asnjë grup interesi, asnjë që sot kontribuon në radhët e shërbëtorëve të shtetit, që nga infermieret te mësueset, nga mjekët te nëpunësit nuk ka arsye dhe unë jam i vetëdijshëm për këtë, që të jetë i lumtur, por cilido prej tyre që kthen kokën pas, për të parë nga u nisëm, ka të gjitha arsyet për të besuar se kjo është rruga dhe ka të gjithë arsyet për të vazhduar të mbështetet tek fuqia transformuese e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Po flisja me miqtë më parë dhe po u thosha, ne bëmë një fushatë kuqezi, bëmë një fushatë me dy ngjyra, me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar dhe ju folëm të gjithë shqiptarëve. Morëm një mandat në një shumicë absolute për të qeverisur për të gjithë shqiptarët dhe sikur e ndollëm që vërtetë ne, në një moment të caktuar, siç erdhi ky sot, do të mbanim të gjithë barrën që i takon të zgjedhurve për të përfaqësuar popullin e tyre. Barrën për të përfaqësuar jo vetëm ju dhe të gjithë ata që na kanë dhënë votën, por dhe ata të tjerët që votën ia dhanë dikujt tjetër dhe sot janë jetimë.

Janë jetimë, të tradhtuar, të lënë në rrugë, të tallur dhe mbi të gjitha janë jetimë, të cilët kërkojnë t’i marrin për budallenj, kërkojnë t’i tërheqin prej hunde.

Ti tërheqin prej hunde për ku?

Për çfarë?

Për t’i vënë flakën kujt?

Për t’i vënë flakën atyre që janë ndërtuar dhe për të djegur edhe një herë tjetër imazhin e Shqipërisë në sytë e botës. Një imazh që u përmirësua dhe u përmirësua, gjë që e tregon fakti se çdo vit, turizmi në Shqipëri po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe ne na duhet vetëm që të punojmë për të qenë të gatshëm të mikpresim sa më shumë turistë e nga turizmi të krijojmë ekonomi, punësim, shpresë dhe mundësi për të tjerët që të kthehen.

Ndërkohë këta duan që të përdorin si mish për top, ata të cilët i tradhtuan, ata të cilëve ua morën votën për të luftuar për disa ide që nuk i kanë. Për të luftuar për një program që nuk e kanë, për të luftuar për një vizion që nuk e kanë pasur kurrë dhe për t’i mbrojtur nga padrejtësitë, që jo vetëm nuk i mbrojnë dot, por as u ka shkuar mendja se mund t’i mbrojnë e jo më të kenë menduar se si t’i mbrojnë.

Ne, sot, vërtetë kemi bërë shumë e vërtetë shohim se shumë më tepër ka për të bërë, por një gjë është e sigurt, nga dita e parë kur kemi thënë na jepni votën, jo për të qeverisur me të tjerë si këta që ndërrojnë çdo ditë, sepse duan vetëm erën që të fryjë në favor të interesave të tyre, por na jepni votën për të qeverisur bashkë me ju, e pra, çdo ditë ne jemi përpjekur për të qeverisur bashkë me ju, duke dëgjuar të gjithë, duke dëgjuar çdo komunitet që ankohet, çdo grup që proteston, çdo individ që na drejtohet për një padrejtësi.

Kemi krijuar Platformën e Bashkëqeverisjes dhe sot falë asaj vote dhe falë kësaj qeverie, çdo shqiptar, nuk ka rëndësi a është socialist, a është demokrat, na do apo nuk na do, në rast se ndesh një padrejtësi në zyrën e shtetit, mjafton të na çoje një sinjal nëpërmjet telefonit në adresën www.shqipëriaqeduam dhe menjëherë na ka në krah. Është tamam si një shërbim urgjence për ata që plagosen nga administrata.

Kush ishte më parë dhe ku ishte më parë ai, apo ajo adresë që i ndihmonte njerëzit, kur i përplasnin derën përpara syve?

Administrata, sot nuk është ajo që duam ne dhe patjetër, në zyrat e administratës, sot ka akoma plot e plot nga ata që nuk meritojnë të jenë aty. Patjetër kur shkojnë të trokasin në ato dyer ka shumë njerëz që plagosen në sedër dhe fyhen në dinjitetin e tyre, por ama, ne jemi sot me ta. Jemi çdo ditë me ta. Jemi çdo ditë aty për ta dhe mijëra prej tyre, falë kësaj mundësie që të jenë bashkë me ne, i zgjidhin problemet që përndryshe nuk do i kishin zgjidhur për vite e vite të tëra.

Unë sot këtu kam kënaqësinë që të thërras 2-3 prej tyre, bashkë me mua, që të dëshmojnë konkretisht rastin e tyre me Platformën e Bashkëqeverisjes.

Qytetar: Punoja në një firmë private, më hoqi padrejtësisht. Duke iu drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes, brenda 3 ditëve mu kthye përgjigje pozitive. Ju faleminderit edhe njëherë. U jam mirënjohës.

Qytetare: Përshëndetje Zoti Kryeministër. Të uroj të gjitha urimet e botës, të kesh shëndet për hallet që po i zgjidh këtij populli. Unë prej 3 vitesh kam dalë në pension, mirëpo sorollatesha nëpër zyra, asnjë përgjigje nuk merrja. Kur dëgjova në televizor për bashkëqeverisjen, thashë ta provoj njëherë. Për 4 ditë u habita.

Qytetare: Unë jam këtu të prezantoj problemin tim në lidhje me Platformën Bashkëqeverisëse. Disa miq të mitë kanë aktivitetin e tyre dhe për shumë kohë ata tarifoheshin si biznes, si një lokal dhe jo si një furrë buke. Në momentin që ne kemi referuar problemin tonë në Platformën e Bashkëqeverisjes, brenda 7 ditëve, problemi na u zgjidh menjëherë. Jo vetëm që tani furra e bukës faturohet si furrë buke dhe faturë më të ulët.

Kryeministri Rama: shumë faleminderit për këto dëshmi.

Kush do merrej me këta njerëz dhe me shumë të tjerë, nëse nuk do ishim ne në qeverisjen e vendit!

Këta njerëz dhe mijëra të tjerë, për vite të tëra kanë pritur të zgjidhnin një problem. U desh vota e një viti e gjysmë më parë, që ne të fillonim t’i adresonim drejtpërdrejtë problemet e të gjithë njerëzve.

Gjatë kësaj periudhë kohore, përpara fundit të vitit të shkuar e tani në fillim të këtij viti kemi parë dy protesta. Kemi parë protestën e studentëve, e cila mori të gjithë vëmendjen e opinionit publik. Kishte mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar dhe që nga sekonda e parë kishte dhe mbështetjen dhe të gjithë vëmendjen tonë. Një protestë prej të cilës ne nxorëm mësimet tona, nxorëm detyrat tona dhe falë të cilës sot, të gjithë studentët, pavarësisht nëse prindërit e tyre janë socialistë apo demokratë, paguajnë vetëm 50% të tarifës së universitetit dhe ata me 9-ta e 10-ta, ata me ndihmë ekonomike, apo ata me disa probleme të natyrës shëndetësore ose sociale të veçanta, nuk paguajnë asgjë. Të gjitha i paguan qeveria dhe plus ju jep edhe 100 mijë lekë bursë.

Kjo është qeveria që beson tek dëgjimi i njerëzve dhe tek bashkëqeverisja me njerëzit. Qeveria që nuk i thotë plaç atyre që protestojnë për të drejtat e tyre dhe jo më pastaj t’i japi plumbin ballit.

Ndërkohë kemi parë një protestë tjetër. Një protestë të atyre që populli i largoi 5 vjet e gjysmë më parë, ekzaktësisht për të gjitha ato arsye që ata thonë se po protestojnë.

Shqipëria, sot ka probleme me krimin, ka probleme me korrupsionin, ka ende luftë për të bërë me trafiqet e të gjitha llojeve, por, a ishte diku këtu afër, apo ishte në hënë ajo Republika për Faqen e Zezë të Lazaratit, që kishte të gjithë bekimin e tyre, mbrohej prej tyre dhe ata përfitonin prej saj, ashtu sikundër dhe e gjithë mbulesa e heshtjes mbi këtë fenomen që ishte mbi të gjithë Shqipërinë.

Ne e luftuam fenomenin dhe e nxorëm atë në pah çdo ditë dhe u duk sikur fenomeni lindi atë ditë që u vu në qendër të vëmendjes. Ashtu sikundër kemi luftuar edhe të tjera fenomene.

Të jeni të sigurt, lufta jonë e vendosur për çrrënjosjen e kanabisit, gjë që është e konfirmuar për vitin e dytë radhazi dhe lufta jonë e vendosur për reformën në drejtësi kanë prekur interesa dhe kanë futur në panik shumë grupe dhe shumë njerëz.

Ashtu sikundër edhe lufta më e fundit që kaloi gjysmë në heshtje, mos mendoni se ka prekur pak dhe mos mendoni se ata që janë prekur janë si ju, ata të cilët ishin pas industrisë së lumit të kumarit në gjithë Shqipërinë.

Janë të gjitha këto forca të prekura që sot përfaqësohen nga ata që thonë po lëmë mandatet dhe po shkojmë me popullin.

Me cilin popull?

Kush është populli?

Tritani Shehu me Dashon e Lazaratit dhe me 30 veta që kishin dalë tek ura e Viroit, për të dalë fotografi dhe për të treguar që më zunë rrugën mua?

Edhe nuk ishin as në mes të rrugës, ishin në anë të rrugës, por fotografinë që i kanë çuar Saliut e kanë bërë në mes të rrugës.

Ata janë populli?

Apo janë populli, ata që mbyllin bashkitë për qytetarët gjithë ditën dhe vijnë bëjnë sikur janë aty popull, ndërkohë që janë thjesht rrogëtarë të thirrur me lista për të bërë rolin e popullit e për të pritur në gjirin e tyre deputetët që bëhen popull.

Shikoni sa qesharake është! Populli voton që të çojë vetveten, përmes disave, në parlament. Këta i thonë ne po e lëmë parlamentin e po vijmë të bëhemi si ti. Populli nuk ka nevojë për ta që të jenë aty, por popullit, ata i duhen atje nga ku u arratisën, sepse pasi humbën zgjedhjet, humbën edhe të gjitha debatet. Përfundimisht nuk kanë asnjë mundësi tjetër, përveç se të bëjnë një stazh të gjatë mes popullit, t’i thërrasin mendjes e kur të vijnë zgjedhjet e tjera, të riparaqiten nëse do jenë akoma në vëmendjen e popullit.

Ju falënderoj shumë. Një nga gjërat që do bëjmë, do jetë rindërtimi i këtij pallati. Do e bëjmë këtë pallat, ashtu siç e meriton Gjirokastra dhe do bëjmë dhe shumë e shumë të tjera. Sot, ne nuk jemi në fushatë. Sot, ne jemi këtu për t’ju thënë të gjithë gjirokastritëve dhe të gjithë banorëve të këtij qarku, edhe atyre që janë në emigracion, se ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi dhe do ta bëjmë me të gjithë pasionin dhe gjithë vullnetin tonë. Do të bëjmë shumë më tepër se deri tani për Gjirokastrën, për Tepelenën, për Libohovën, për Këlcyrën, për Përmetin, Memaliajin dhe Dropullin.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.