Kreu Ditar Skënderbeu, burim frymëzimi për luftën ANÇL

Skënderbeu, burim frymëzimi për luftën ANÇL

55
0

Më 17 Janar vdiq Heroi Kombëtar i Shqiptarëve  Gjergj Kastrioti Skënderbeu, luftëtar, udhëheqës i shquar, burrë shteti dhe diplomat, i cili pengoi përhapjen osmane drejt Evropës dhe fitoi mirënjohjen e shteteve Perendimore.

Në Qiellin e Shqipërisë, Skënderbeu ka qenë një Yll Polar, burim frymëzimi për rilindasit dhe shëmbull i ndritur për betejat legjendare të Ushtrisë Partizane gjatë Epopesë së Luftës Heroike Antifashiste Nacionalçlirimtsre të popullit shqiptar kundër pushtuesit nazifashist.

Dihet mirë se, që në ditët e para të Prillit 1939, kur pushtuesit fashistë iu sulën si bisha vendit tonë, buçiti edhe kënga e rinisë në demostratat atdhetare antifashiste: “Sa të rrojë gjithësia,/Sa të rrojë gjithë dheu/do të rrojë Shqipëria/edhe emri Skënderbeut”. Kjo frymë patriotizmi manifestohej sidomos te rinia studentore antifashiste e shkollave të mesme të qyteteve: Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan  dhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Në çdo demostratë këndohej kënga: “O trima luftëtarë/o bijtë e Skënderbeut/Kërkoni ju shqiptarë/Lirinë e Mëmëdheut”.

Pushtimi fashist musolinian, ngjalli revolt edhe të studentët ushtarakë shqiptarë që kishin shkuar për studime në Itali. Ata të shkollës së Modenes refuzuan të bënin betimin nën flamurin fashist mesëpatat musoliniane të Liktorit. Heroi i Popullit Reshit Çollaku atje, në mes të shokëve, deklaroi me zë të lartë para komandantit fashist: “Ky nuk është flamuri ynë i Skënderbeut! Në nuk betohemi”. Pas kësaj, ata u internuan e u burgosën nga ku shpejt shumica u arratisën, kaluan sui vullnetarë internacionaliste antifashistë për të mbrojtur Republikën spanjolle nga fashistët e Frankos dhe më pas, erdhën në Shqipëri për të luftuar si partizanë e si kuadro të UNÇ Shqiptare.

Që në traktet e para të PKSH, e cila u vu në krye të Luftës ANÇ dhe në krye të Frontit NÇ, thuhej: “…edhe ne bijtë e denjë të gjyshërve tanë, me flamurin e Skënderbeut do të sulmojmë në luftë kundër pushtuesve të huaj e tradhëtarëve shqiptarë”.

Edhe në Rezolucionin e Konferencës së Parë NÇ, theksohej: “…Populli me armë në dorë dhe flamurin e Skënderbeut në ballë, po lufton me tërbim okupatorin dhe veglat e tija tradhëtare…”. Në një vjershë të poetit Memo Meto “Do dal malit”, e cila në atë kohë njihej nga gjithë partizanët thuhej: “Dua armë e municione, se do shkoj/E urrej dhe une fashizmin, do luftoj/Jam një vajzë shqiptare, vajzë mali/E kam forcën, e kam zemrën, si të djalit/Luftoj se dua Lirinë e Mëmëdheut/dhe flamurin kuq e zi të Skënderbeut”. Kuislingët, ballistët e të tjerë tradhëtarë e pseudonacioinalistë, u munduan t’i kundërvohen Frontit Nacionalçlirimtar me parrullat përçarse: “s’është koha për të luftuar…Ne jemi të vegjël dhe Italia është mbretëri e madhe, po të lëvizim na shtyp menjëherë…”.

Por atyre iu çorr maska shpejt. Shtypi i kohës propagandonte: ”Si ka luftuar Skënderbeu për 25 vjet me rradhë në një Shqipëri të vogël kundër një armiku të madh e të tërbuar, i cili ishte tmerri i asaj kohe? Një botë e tërë është me ne! Në Mars 1943, tre trima partizanë ranë në Hoçisht të Devollit duke luftuar për të çarë rrethimin. Ata qenë: Fuat Babani, Abdulla Kroi etj., të cilët çanë rrethimin. Në ceremoninë e varrimit, nëna e njërit prej Dëshmoreve, kur pa se shokët e djalit të rënë i vunë sipër Flamurin e Skënderbeut, ngriti kryet dhe tha me krenari: “Hidhjani bijt e mij sipër këtë flamur madhështor, se ai për këtë flamur e këtë liri ra si luan…”.

Në ato vite të luftës çlirimtare gjithë populli edukohej me këtë frymë atdhetare dhe e denin mirë se ç’ishte liria e Atdheut dhe heroizmi legjendar i Heroit Koimbëtar Skënderbeu. Çetat e para partizane merrnin emra rilindasish si Çerçiz Topulli, Selam Musai, Koto Hoxhi, Kanan Maze etj.  Në çdo ceremoni që organizohej në krijimin e brigadave partizane, dorëzohej Flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare. Më 17 Gusht 1943, u vu në jetë “Dokumentki i formulës së Betimit nga Shtabi i Përgjithshëm, në të cilin thuhej: “Unë vullnetar i popullit, betohem në emër të tij, se me Flamurin e Skënderbeut, do të jem besnik i Luftes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe do të luftoj kundër zaptuesitn dhe tradhëtarëve deri në pikën e fundit të gjakut tim”. Dhe pikërisht në atë kohë, gjithë shtypi ANÇ në faqet e tyre përsëriste se: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, po ripërtërihet nga qindra partizanë e vullnetarë të lirisë, që sot mbajnë lart me nder flamurin e Skënderbeut”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.