Kreu Aktualitet Spitali i Fierit, transformim rrënjësor në infrastrukturë dhe shërbime

Spitali i Fierit, transformim rrënjësor në infrastrukturë dhe shërbime

1619
0

Në spitalin rajonal të Fierit janë shtuar shërbimet për pacientët, të ofruara këto përmes aparaturave të teknologjisë së lartë. Rreth 1 milionë euro janë investuar vetëm gjatë këtij viti, në pajisje ekzaminuese dhe intervenuese bashkëkohore, për çdo kabinet mjekësor, duke iu shërbyer në këtë mënyrë 300 mijë banorëve të këtij qarku.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizituan mjediset tërësisht të shndërruara të këtij spitali, i cili për herë të parë ka hapur edhe kabinetin e kimioterapisë dhe te hemodinamikës.

Infrastruktura moderne e spitalit është e pranishme në të gjitha mjediset ku qytetarët duhet të presin dhe të marrin shërbimin mjekësor. Ajo që bie në sy sapo hyn në mjediset e spitalit është tabela me listat e barnave, një praktikë kjo, sipas ministres Manastirliu, që ndiqet në çdo spital, duke i dhënë fund njëherë e mirë formave abuzive të blerjes së medikamenteve jashtë spitalit. “Lista e barnave është e afishuar në çdo spital, jo vetëm në spitalet rajonale, por edhe ato bashkiake. Asnjë medikament esencial nuk duhet të mungojë në spitale, pasi të gjitha spitalet nëpërmjet marrëveshjes kuadër kanë të gjitha barnat, në cilësi, në sasi, pa krijuar stoqe. Të gjitha këto lista që ne kemi shpallur janë për të rritur transparencën dhe për të mos lejuar më që askush të mos rekomandojë për të blerë medikamente jashtë spitalit.” Drejtuesja e spitalit informoi se për çdo rast që një qytetar do të ketë ankesë për mosdhënien e një medikamenti, në dispozicion është vënë një numër për ankesat që funksionon 24 orë në 24.

Kabineti i kimioterapisë është kabineti më i ri që do të trajtojë sëmundjet tumorale. Në bisedën me mjekë dhe paciente që kishin filluar në këtë kabinet trajtimin me herceptinë që deri dje e kryenin në Tiranë, Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme të rritet vetëdija tek gratë dhe vajzat për ekzaminime të hershme, në mënyrë që të shmangin në kohë sëmundjet e rënda tumorale. Mjekja onkologe Dhurata Tarifa, shefe e Shërbimit të Kimioterapisë në QSUT, e pranishme në fillimin e punës së kabinetit të ri të kimioterapisë, u shpreh se, që nga maji kur u sigurua herceptina, pacientë​t e marrin këtë preparat në kohën e duhur, pa asnjë vonesë.

“U zgjidh herceptina se ishte sfidë e madhe në fakt, se është ilaç shumë i shtrenjtë, por jeta e të gjitha atyre grave dhe vajzave që kanë nevojë për këtë ilaç është shumë herë më e shtrenjtë. U realizua falë marrëveshjes kuadër. Më vjen shumë mirë që tani, në këtë spital kemi dhe këtë shërbim, sepse do të lehtësojë shumë dhe është një zonë me shumë njerëz dhe ngarkesë. Duhet të bëjmë çmos që të rrisim vetëdijen tek gratë dhe tek vajzat që ta bëjnë këtë ekzaminim përpara, që të mos jenë të detyruara të vijnë e të kalojnë në këtë proces,” – u shpreh Kryeministri.

Në kuadrin e muajit të ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit, në spitalin e Fierit është instaluar mamografia e lëvizshme, në shërbim të të gjithë grave dhe vajzave që duhet të depistohen.“Mamografi i lëvizshëm nuk është vetëm në Fier, por të dy mamografët e lëvizshëm që ne kemi si njësi depistimi janë në të gjithë Shqipërinë, në ato spitale apo poliklinika ku ende nuk mund të ofrojmë nëpërmjet mamografit statik. Ndaj, jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit ky shërbim do të jetë i pandërprerë edhe në zonat e thella rurale për të gjitha gratë që duhet të depistohen,” tha ministrja Manastirliu.

Në mënyrë të veçantë është modernizuar shërbimi i urgjencës, i cili jo vetëm jep ndihmën e parë me profesionalizëm, por edhe lehtëson pritjen e të gjithë qytetarëve. “Urgjenca, – nënvizoi Kryeministri, – lehtëson jashtëzakonisht shumë dhe Urgjencën e QSUT dhe ka filluar dhe hap pas hapi po bëhet shpërndarja e shërbimeve, sepse deri dje kishte vetëm një QSUT që dhe ajo ishte copë-copë dhe tani ka filluar të krijohet një sistem, të ketë shërbime të shtrira. Do vazhdojmë sepse ka nevojë shumë akoma, por e rëndësishme është të garantojmë ecurinë pozitive të gjithë trupës së mjekëve dhe të infermiereve. Patjetër që ka midis tyre njerëz që e njollosin, si të thuash, përparësen e bardhë, por shumica nuk janë absolutisht ashtu. Edhe me projektbuxhetin do të bëjmë një shtesë tjetër të pagës, të konsiderueshme, për infermierët dhe për mjekët.”

Gjithashtu, pas dy spitaleve universitare të Tiranës (QSUT dhe ‘Shefqet Ndroqi’) dhe spitalit rajonal të Shkodrës, që mbulon me shërbim rajonin e veriut, shtohet në hartën e shërbimit të kardiologjisë edhe kabineti i hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit, që do të ofrojë shërbim të specializuar për të gjithë qytetarët e rajonit të Jugut. Urgjencat kardiake me metoda të avancuara do të zgjidhen në këtë spital.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.