Kreu Aktualitet Task Forca Antikorrupsion masa disiplinore në ZVRPP Kavajë

Task Forca Antikorrupsion masa disiplinore në ZVRPP Kavajë

123
0

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaratë për shtyp mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit:

Përshëndetje!

Lufta kundër korrupsionit vazhdon të jetë në krye të listës së prioriteteve të qeverisë shqiptare dhe strukturave të posaçme të ngritura prej saj për të goditur këtë fenomen.

Kjo luftë vijon e shoqëruar dhe me angazhimin për të reformuar institucionet që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve.

Reformimi i institucioneve kalon nga largimi i të korruptuarve dhe i të paaftëve, dhe zëvendësimi i tyre me të rinj ekselentë e të mirëshkolluar, si dhe nga digjitalizimi i shërbimeve.

Përdorimi i inovacionit si instrument në luftën kundër korrupsionit dhe ndaj praktikave korruptive vijon të rezultojë një instrument i rëndësishëm dhe i suksesshëm. Dua të theksoj se, për periudhën janar-dhjetor 2018, janë shtuar 64 shërbime të reja elektronike, duke e çuar numrin total të shërbimeve elektronike është 591, nëpërmjet të cilave qytetarët mund të aksesojnë shërbimet në mënyrë elektronike.

Gjithnjë e më shumë, qytetarët janë të ndërgjegjshëm se përfshirja e tyre nëpërmjet denoncimeve pranë institucioneve përkatëse, si dhe përdorimi i instrumentit denoncues siç është dhe portali i bashkëqeverisjes, është e domosdoshme jo vetëm për adresimin e halleve dhe problemeve të tyre, por dhe në evidentimin e praktikave korruptive.

Pas një denoncimi të kryer në platformën e bashkëqeverisjes “Shqiperiaqeduam.al”

Task Forca Antikorrupsion ka kryer kontroll në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, me objekt verifikimin e zbatimit të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, nr.prot.3981, datë 10.04.2018,

“Për evidentimin, shqyrtimin dhe trajtimin e të gjitha aplikimeve të prapambetura ose jashtë afatit nga ana e ZVRPP-ve”, si dhe verifikimin e cilësisë dhe transparencës në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit, që kryhen nga ky institucion.

Nga kontrolli i Task Forcës Antikorrupsion janë evidentuar shkelje si në vijim:

Nga praktikat e monitoruara rezultojnë aplikime të trajtuara jashtë afateve të parashikuara në urdhrin nr.995, të kryeregjistruesit, për afatet e trajtimit dhe përpunimit të kërkesave nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Sistemi online i menaxhimit të aplikimeve nuk pasqyron situatën reale të praktikave të trajtuara ose jashtë afatit, për faktin se sistemi nuk administrohet/përdoret në të gjitha fazat e tij nga specialistët e ZVRPP Kavajë.

Si dhe janë gjetur një numër i madh dosjesh/ praktikash të vjetra të prapambetura e të patrajtuara.

Duke mbajtur në konsideratë shkarkimin nga detyra më herët të regjistrueses së ZVRPP Kavajë, për shkelje të evidentuara gjatë ushtrimit të detyrës prej saj, në përfundim të kontrollit janë rekomanduar edhe 17 masa të tjera disiplinore:

“Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna” për 11 specialistë të ZVRPP Kavajë.

“Vërejtje me shkrim” për 6 specialistë të kësaj zyre.

Gjithashtu, janë rekomanduar edhe masa administrative për rregullimin e veprimtarisë së brendshme të institucionit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Dua të sjell në vëmendje të qytetarëve, se me hyrjen në fuqi të ligjit për ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e cila do të fillojë punë së shpejti, do t’u kursejmë qytetarëve sorollatjet e panumërta, sa nga një institucion në tjetrin.

Gjithashtu, kontrolle periodike po ushtrohen edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve. Në datën 20.03.2019, janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë materialet procedurale, për një ngjarje të ndodhur në IEVP Korçë si dhe janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet procedurale në ngarkim të dy punonjësve të policisë pranë DPB-së, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në të njëjtën kohë nga strukturat kundër korrupsionit, në Policinë e Shtetit, gjatë kësaj jave janë evidentuar 10 vepra penale, ku 15 autorë u proceduan penalisht për krime në fushën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës.

Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit, janë kryer veprimet hetimore dhe materialet janë referuar në Prokurori.

Vijoj t’u bëj thirrje qytetarëve për të denoncuar pranë platformës “Shqipëriaqëduam” të gjitha rastet e zvarritjeve, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit nga punonjësit e zyrave të shtetit të të gjitha niveleve.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.