Kreu Aktualitet Të 8 pikat janë të realizueshme dhe ne jemi gati t’i realizojmë!

Të 8 pikat janë të realizueshme dhe ne jemi gati t’i realizojmë!

524
0

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Ndërkohë që parlamenti vazhdon sipas axhendës së parashikuar, të gjithë ata, të cilët janë të interesuar në mënyrë të sinqertë për t’i dhënë zgjidhje një situate krejt absurde ku njëra palë ka shtruar disa kërkesa dhe pala tjetër, pra, qeveria, jo vetëm nuk i ka refuzuar ato, por përkundrazi, është e gatshme t’i zgjidhë një për një, – janë të ftuar në çdo moment, edhe këtu në këtë sallë, nëse dëshirojnë, që të diskutojnë hapur në sytë e të gjithë opinionit publik lidhur me të tetë pikat e tyre, por edhe më shumë se kaq. Kjo sallë është në dispozicion.

Faktikisht, opozita reale e vendit sot janë ata studentët që kanë vendosur të ngrenë krye kundër një sistemi brenda universitetit që i ka marrë ata peng dhe në të njëjtën kohë na kanë dhënë një shuplakë, një shuplakë për të na shkundur dhe për të na bërë që t’i hapim sytë më shumë dhe t’i fokusojmë sytë më shumë tek ajo që ndodh brenda mureve të universitetit.

Ky parlament dhe çdo sallë në këtë qytet, apo në çdo qytet tjetër ku ka universitet, janë hapësira ku ne mund të diskutojmë dhe unë jam i gatshëm, këtu dhe kudo që studentët duan, të diskutoj me ta, jo për t’i torolisur, as për t’i futur në një rrugë pa krye e as për të mbyllur protestën. Unë nuk dua që protesta të mbyllet sepse kjo protestë, e cila afishon 8 pika, i ka rrënjët shumë më thellë, i ka rrënjët thellë tek burimet e sëmundjes së universitetit, tek ajo sëmundje, të cilën autonomia e shumëkërkuar dhe e dhënë për herë të parë nga shumica socialiste, i ka mbuluar e nuk ka lejuar kurimin e tyre.

Është shumë e thjeshtë, e dua t’jua them të gjithëve, është shumë e thjeshtë për mua, është shumë e thjeshtë për ne që ta trajtojmë këtë protestë si një çështje procedure e si një çështje ofertë-kërkese, apo si një çështje porosish në derën e një dyqani, por këtu nuk bëhet fjalë për kilogram mish, për thasë me patate, apo për arka me mollë. Këtu bëhet fjalë për të hapur një proces që fillon nga këto pika.

Të gjithë atyre që thonë “plotësoji pikat”, u them, pikat ne jemi gati t’i plotësojmë një për një, por ata që erdhën këtu si përfaqësues të opozitës së maskuar, të opozitës së hedhur në ilegalitet, një opozitë që nuk ka mundësinë të dalë e të mbështesë një protestë studentore, sepse në momentin që e mbështet, e njollos, parafytyrojeni çfarë opozite është. Një opozitë që vrapon për t’u futur mes jelekëve portokalli tek Astiri, se nuk ka kurajën të dalë e t’i thotë popullit që unë jam me studentët, sepse e ha mbrapsht flakërimën, ashtu sikundër askush nuk do ta dëshironte në politikë. E pra, pyetja këtu është, çfarë fshihet pas bllokimit të dialogut?

Kjo është e padëgjuar.

Çfarë fshihet mbas gjithë asaj propagandë të shfrenuar që investohet nga ndërmarrja e doktoreshës dhe nga SHQUP-i këtu e nga ai profesor Qorri, që thonë në asnjë mënyrë dialog?

Fshihet nga njëra anë, qëllimi që këto mos zgjidhen, që studentët të acarohen në mënyrë sa më artificiale e të futen në qorrsokakun ku i do kjo opozitë që ka qyshkur ka humbur zgjedhjet që premton revolucion, që kërcënon me destabilizim, që kërcënon për kaos, që kërcënon për djegie, kjo opozitë që shpërndante mesazhet që të martën pas pushimeve do iki qeveria, ose do digjet Tirana.

Çfarë fshihet?

Kjo është e padëgjuar dhe kjo është dhe arsyeja, pse unë refuzoj që këto 8 pika t’i plotësoj sikur janë porosi për një dyqan, sepse në momentin që ne e themi këtë, jo përballë studentëve e jo bashkë me studentët, menjëherë, gjithë makineria e manipulimit, e cila nuk është vetëm ajo e partive, por dhe ajo e klubeve të natës, e atyre që gdhihen në mëngjes duke shpresuar që të digjet fshati e në mbrëmje shkojnë krihen para ekraneve, do të thotë jo, nuk janë këto. Sepse pikat nuk janë vetëm “çfarë”, pikat janë edhe “si”.

Pika e parë nuk është vetëm përgjysmimi i tarifave, por dhe si do përgjysmohen tarifat dhe në momentin kur do të hymë tek “si”-ja, në atë moment do të fillojë gjithë industria e manipulimit të vihet në lëvizje. Nuk është çështja a duam, apo nuk duam që të bëhet pastrimi i universitetit nga gjithë ajo farsë që rëndon mbi supet e të gjithëve, e titujve, të bazuar jo mbi studime shkencore, por mbi korrupsion, mbi kopje, mbi mashtrime. Pyetja është tek “si”-ja.

Ne jemi të përgatitur jo vetëm për “çfarë”-in, por edhe për “si”-në, por duhet ta diskutojmë këtë me studentët, duam ta diskutojmë me studentët në sytë e publikut, që të jemi të qartë që këtë thamë e këtë bëmë, jo nga ballkoni, “thellohu – thellohu”. Ky është qëllimi e të gjithë studentët duhet ta kuptojnë këtë.

Më falni shumë, por kur kam parë dje, një video nga diskutimi në Fakultetin Ekonomik, që studentët e mbledhur aty kërkonin të binin dakord e të kishin konsensus për të hapur dialogun dhe studentëve ju fliste një fantazmë e Partisë së Punës, e pjesës më vulgare të Partisë së Punës, një doktor shkencash që doktoratën e ka bërë me titullin “efiçensa e kalit në ekonomi”, – është titull doktorature nuk është poezi satirike. Një personazh që nuk kam asgjë personale, por unë e dija tanimë në botën tjetër dhe aq shumë u habita, sa besova që më bënin sytë. Një personazh që përfaqëson gjithçka që ne nuk mund ta gëlltisnim më, kur dolëm në vitin ’90-të kundër regjimit. Fytyra e mediokritetit dhe e gjithë hipokrizisë dhe e gjithë farsës së atij regjimi ju flet studentëve, sot, me megafon dhe ju thotë pse nuk duhet të dialogoni me Kryeministrin e vendit. O Zot, nuk është sot ditë për të kërkuar dialog, sot është ditë për t’u lutur për studentët, për t’u lutur që këta djaj me brirë të mos bëjnë më aq dëm, sa kanë bërë gjithë këto vite! Kryetari i Komitetit Kombëtar të Turizmit, një i nxjerrë nga ato kallëpet e djathit kaçkavall si komunist e i kthyer në socialist, që çonte letra sekrete për të stimuluar prodhimin e bulmetit në hotel-turizëm dhe orientonte hotel-turizmin që t’i blinin produktet tek vëllai i vet në Përmet. Letër sekret! I kam dëshmitarët për këtë, i kam dëshmitarët kryeministra.

Më falni, ku jetojmë, në çfarë pike kemi arritur?!

Në fund të vitit 2018 diskutojmë a duhet të flasim, apo nuk duhet të flasim! Dhe më e bukura me mua është që, kur unë dua të flas, jo thonë, ti nuk duhet të flasësh. E pse nuk duhet të flas? “Se na mbush mendjen”.

Kjo është një çmenduri – “se na e mbush mendjen”. Jo atyre, por studentëve. Mos flisni me atë, se do ju çorodisë, do ju gënjejë, do ju bëjë magji…

Ej, ne nuk kemi ardhur këtu të tallemi. Ne s’kemi ardhur këtu, as të bëjmë sikur. Sudja thoshte, “sot, të gjitha”. E mbani mend se çfarë ju tha në fund? “Ishte loja”. “Sudja” tjetër, doktoresha e shkencave, thotë, “sot të gjitha”. Por ajo nuk thotë, “ishte loja”, thotë “loja vazhdon”.

Kurse ne themi “sot për të ardhmen”, sepse kjo lojë duhet të mbarojë!

Kjo është ajo që ne themi.

Të gjithë ata që më dëgjojnë duhet ta dinë, t’i marrin pikat t’i numërojnë, nga e para tek e fundit, ne jemi gati t’i plotësojmë një për një. Po kujt t’ia themi? Ylli Kadriut, apo Qimi.net

Me kë ta flasim?!

Duhet ta flasim drejtpërdrejtë me studentët.

Nga ky dialog duhet të dalë një marrëveshje e kalendarizuar, ku për çdo pikë të merren përgjegjësi dhe përgjegjësit e ngarkuar nga marrëveshja të përgjigjen për zbatimin, ose moszbatimin e çdo pike.

Unë nuk mund ta parafytyroj dot një situatë në të cilën treçereku i atyre pikave nuk kanë lidhje fare me qeverinë. Nuk kanë lidhje me qeverinë, fare. Treçereku i atyre pikave janë çështje të brendshme të universitetit. Fakti që sot i kërkohen qeverisë flet shumë. Flet për të vërtetën, që shpresa tek universiteti vetë ka vdekur. Shpresa se forumet brenda universitetit mund t’i zgjidhin këto probleme, probleme të mëdha shumë…

Çfarë problemi është publikimi online i të gjitha shpenzimeve të universitetit? Detyrë e qeverisë është kjo?! Unë si mund të them “po”, pa folur dhe pa iu parë në sy dhe pa iu thënë po, por si do bëhet? Çfarë do bëhet dhe kush do bëjë çfarë në këtë histori, se mund të them unë “po”, por publikimin e shpenzimeve të universitetit online duhet ta bëjë çdo universitet. Dhe kjo nuk ka për të ndodhur nëse mjaftohemi me një “po” për të mbyllur protestën.

Kur pashë atë fantazmën dje, mendova sa shumë është mpleksur e gjithë masa e xhagajdurëve që nuk duan zgjidhje.

Nuk duan zgjidhje, as ata që janë në opozitë.

Nuk duan zgjidhje, as ata që janë përpara pasqyrave në darkë.

Nuk duan zgjidhje, as ata që janë brenda universitetit dhe që e ndjejnë se, nëse shkohet përtej 8 pikave, fillon fundi i tyre. Fillon fundi i tyre!

Nëse studentëve u hapet rruga, që jo të ngrenë zërin, por që zëri i tyre të dëgjohet, atëherë do të jetë shumë më e vështirë që t’iu kërkohen para për provimet, do të jetë shumë më vështirë që t’iu kërkohen para për librat. Ku është kjo tek 8 pikat? Kjo nuk është tek 8 pikat.

E mbledhur, e gjithë ajo zonë e jetës shoqërore, e jetës politike, e jetës akademike, e jetës ekonomike të vendit, që do rrëzimin e kësaj qeverie, që nuk ka lidhje fare me studentët që duan të trajtojnë çështjen e diskriminimit të tyre brenda mureve të universitetit.

Kjo është arsyeja, pse unë jam këtu, bashkë me ju, në krahun e studentëve.

Unë nuk dua që kjo protestë të mbarojë. Unë dua të jem pjesë e kësaj proteste në vazhdim. Protesta mund të mbarojë në rrugë, por protesta duhet të vazhdojë në çdo universitet, në formën e një rrjeti të strukturuar njerëzish që sot nuk e mbyllin këtë sikur janë aty për arsye ekonomike, një grup njerëzish që kërkojnë një zgjidhje ekonomike dhe ikin pastaj prapë kokulur dhe futen prapë në një sistem ku nuk kanë dinjitet.

E pra, ajo që unë kërkoj është dialogu, jo për të vonuar zgjidhjen, jo për ta zgjatur pafund procesin, por për të hapur një kapitull tjetër, bazuar tek këto 8 pika. Po jua them prapë për herë të fundit, edhe pse e di që asnjëherë, sado ta përsëris, nuk do të mjaftojë, nëse nuk takohemi sy më sy me studentët që duan zgjidhje.

Të 8 pikat janë të realizueshme dhe ne jemi gati t’i realizojmë.

E thashë unë tani? Tani, shikoni vazhdimin, “plotëso pikat, ne nuk takohemi”.

Por si i bëhet? Si duhet plotësimi i pikave, në çfarë forme?

Qeveria nuk është sot në konflikt me studentët. Qeveria është sot e gjitha sy e vesh nga studentët.

Unë i falënderoj studentët për shuplakën që i kanë dhënë qeverisë, edhe mua, po të doni. Shuplaka të tilla janë ato që na duhen për t’u bërë më të vetëdijshëm dhe për t’u bërë më të mirë në punën tonë.

Atyre që thonë, “pse tani, nuk e dije ti?!”, – u them që demokracia ka lindur pikërisht për këtë dhe është më i miri sistem mes atyre që njohim, pikërisht sepse iu jep mundësi të zgjedhurve që të çojnë përpara ato për të cilat zotohen, por iu jep mundësi zgjedhësve që gjatë gjithë kohës t’i shkundin të zgjedhurit.

Kjo është arsyeja që unë kam qenë dhe mbetem i mendimit që Shqipërinë e ndan përfundimisht nga këto fenomene vetëm një bashkëqeverisje e vërtetë me njerëzit.

Ky është një moment i madh për ta bërë të vërtetë bashkëqeverisjen, për të mos e mbyllur me 8 pika, por… – Të ulen tarifat? Patjetër! Të bëhet publikimi i të dhënave të shpenzimeve online? Patjetër! Të bëhet karta e studentit? Patjetër! Të rregullohen konviktet? Patjetër! Të bëhet deri në fund, ashtu siç kërkohet, çdo pikë? Patjetër! – po pastaj? Pse kaloriferët, tarifat më të ulëta, bibliotekat shkencore, karta studentit do të zgjidhin problemin themelor që ka universiteti? Kurrë!

Problemin themelor që ka universiteti, as nuk e zgjidhin këto, as nuk e zgjidhim dot ne vetë, pasi ne i kemi njohur universitetit autonominë, as nuk e zgjidhin dot ata rektorë e dekanë që akoma nuk e kanë nxjerrë fytyrën në televizor të thonë çfarë u ka takuar atyre të bëjnë dhe nuk e kanë bërë dhe njëkohësisht të kërkojnë nga studentët, duke qenë të vërtetë e të sinqertë me ta, që të kuptojnë se ku qëndrojnë problemet dhe ku gjenden zgjidhjet e këtyre 8 pikave, as ata nuk e bëjnë dot vetë. Studentët jo e jo. Ndërsa të gjithë bashkë, patjetër po!

Kjo është ajo që unë dua të ndodhë dhe mbajeni mend, kjo është ajo që ka për të ndodhur!

Ata që kanë kujtuar dhe kanë bërë çmos që gjithë atë situatë aspak të këndshme të studentëve ta kthejnë në një zjarr për të nxjerrë gështenjat për pushtetin e tyre do të humbasin këtë radhë më keq seç humbën në 2017-ën dhe më keq seç kanë humbur në çdo zgjedhje. Këtë radhë, kjo nuk është me vota. Këtë radhë nuk mund të thonë, “i bletë votat”.

Këtë radhë është kush fiton zemrat e studentëve.

Zemrat e studentëve janë aty, për të qenë pjesë e gjakut dhe pjesë e mënyrës së funksionimit të mëtejshëm të kësaj shumice dhe të kësaj qeverie që duhet të nxjerrë reflektime të mëdha dhe duhet të bëjë ndryshime të mëdha në mënyrën se si i qaset problemeve, falë kësaj shuplake që ka marrë.

Faleminderit!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.