Kreu Sociale Të parët tanë voskopojarë

Të parët tanë voskopojarë

611
0

-Në vend të parathënies –
Fieri. Vendlindja jonë. Djepi ynë. Ku çelëm synë. Pragu dhe dera. Vatra dhe ata. Papu dhe maja. Ku zbritëm ëndrrat. Këtu ku ngritëm tendat. Ku mblodhëm pikë-pikë ujërat. Nga mëma-bletë, gjithë nectar e mjaltë. Nga qyteti i paqtë. Qyteti ynë i lashtë, i djemve dhe vashave. I kishave këmbanëgjëmuese. I Akademisë, i Kavaliotit, i shtypshkronjës, i bibliotekës librashumë. I arpunuesve, i bakërxhinjve, i tavanxhinjve, lëkurëpunuesve, i samarpunuesve e i nallbanëve. Qyteti i vajzave dhe nyseve. Ku edhe natën vlonte tezgjahu. Aty, ku gjyshet, nënat dhe çupat, ëndrrat qëndisnin mbi qilimat e kuvertat e tyre të rralla, sin ë përralla. Voskopoja e njerëzve të artit dhe kulturës, të vreshtave dhe kullotave të begata. Të pyjeve, livadheve dhe kullotave bar-shumë. Atje, ku bariu dhe stopani nuk flinin gjumë. Ku gjëmonin zile dhe këmborë. Ku prodhohej djathi e gjalpi i bardhe-borë. Atje, nga niseshin karvanet për në Ballkan e anë për anë, gjithë Shqipërisë, deri tutje Italisë, ku me ëndrrat e mëngrat gatuhej me bukën dhe baroti. Ja, prej andej kalëzbritën vllehët, të parët tanë këtu në Fier. Erdhën ata me laçkë e plaçkë. Ëndrrazvarritur, Shtëpibraktisur. Se zilia dhe xhelozia e kohërave të pabesa, rrufe e be lëshuan mbi ta. I dogjën dhe i vranë. I sakatuan dhe i shanë. Ndaj vatër e prag atje zemërthyer lanë. Por Voskopojën me vete pajë e morën. Këtu në Fier e sollën. E shkruan thellë në kujtime, në këngë e ligjërime. Me të zgjoheshin në atgime. Flinin me të në perëndime. Me të bashkë në zgjime. Dhe si hajmali shpirti, mbeti ndër ta e ndër ne Voskopoja. Te çdo derë e portë. Të vogla e të mëdha. Së bashku edhe këtu ata daltuan e blatuan në gjak e zemër emrin e artë Voskopojë.
Me një frymë e me një gojë. Ikën vitet. Kohërat. Patjetër që do të udhëshkonin në shtratin e tyre, por familjet dhe fiset vllehe të ardhur prej andej këtu në Fier, do të ruanin atë emër të madh,l voskopojar. E ruajtën në origjinën zanat e profesion. Edhe sot i ruajnë ato rrënjë, ato tradita dhe gjurmë origjine. Ja këtu i kemi, mes Fierit e nesh, Begot, Papuçinjtë, Moçët, Dëmat, Pogaçet, Gerot, Gjerazët, Dhimat, Shillot, Spahot, Nati, Porot, Mitrushët, Kallogjerët, Robot, Argjendarët, Kilicët, Verot, Koshovarët, Bellot, Piperët e plot fise e familje të tjera voskopojare të Fierit, të cilave u kërkojmë ndjesë që nuk po i përmendim. Më shumë për mungesë informacioni.
Këto familje dhe përfaqësuesit dinjitozë të tyre, kanë luajtur rol të madh e të veçantë në ecurinë kulturore-qytetare të Fierit dhe të përparimit social-ekonomik të tij. Midis tyre po përmendim: Lili Moçin, intelektual dhe atdhetar. Miti Moçin me punishten e tij të verës dhe të rakisë. Mihal Dëma, artist i arteve të bukura, Loni Pogaçen dhe Stefan Geron; Pal Gjerazin, i cili vazhdoi traditën voskopojare të dërstilës dhe leshpunuesit. Uran Dhima, tregtari me emër i Fierit; Mark Sholla, një tjetër tregtar i leshit. Vëllezërit Tuni dhe Todi Spaho, i pari intelektual fierak dhe i dyti, tregtar. Peçi dhe Bush Nati, atdhetarë nolistë. Intelektuali i dëgjuar fierak, Thoma Poro. I shumëdëgjuari Naun Argjendari, që solli dhe çoi përpara artin e argjendpunuesit.
Pothuajse të gjitha profesionet dhe zanatet e Voskopojës u sollën në Fier nga vllehët voskopojarë dhe u mëtutjevazhduan nga pasardhesit e tyre. T’i pyesësh ata dhe fëmijët e tyre, përgjigjen krenueshëm “Jemi nga Voskopoja, voskopojare, nga ai gjak i parë. Vijmë nga ato rrënjë të thella…” dhe, edhe mua më rrëmben nostalgjia, krenaria, origjina. Më përplas sa andej e këtej udhës odiseane të të parëve të mi. Sa në Voskopojë aq edhe në Grabovë; sa në Berat e Sadovicë, aq edhe në Vlorë e Selenicë. Sa në Dukas e Gradishtë, aq edhe në Kavajë e Divjakë. Sa në Elbasan e Vithkuq, aq në Kolonjë e në Korçë. Vend më vend ku shkelën vllehët e mi e të tutë. Në çdo kishë e stan. Kudo që dhkelën e ranë, me vendasit hallet qanë. U bënë një në jetë e në profesion. Përgjithmonë, bashkëudhëtarë. Një vatër e një zjarr. Kështu u gjendën mes fierakëve e myzeqarëve vllehët në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Së toku u betuan për liri dhe së toku luftuan. Së toku u plagosën e u vranë.
Edhe sot nderohen si në mbarë Shqipërinë, edhe dëshmorët vllehë të Fierit. Heroina e Popullit Liri Gero dhe Pinellopi Piro. Dëshmorët Andon Xoxa, Mihal dhe Llambi Bego, Loni Papuçiu dhe gjithë të rënët nga komuniteti ynë vlleh. Së toku, vllehë e myzeqarë, i nderojnë sot të rënët në çdo 5 Maj dhe ashtu do të vazhdojë. Kjo krenari e shtyu Raqin (Sotiraq Begën), këtë artist dhe shkrimtar vllah, të shkruajë për Fierin dhe për fierakët, për familjet vllehe të Fierit. Ai prej kohësh e kishte ëndërrim, obligim; prej kohësh na fliste, na pyeste, na intervistonte. Mendonte dhe shkruante. Dhe ja, më në fund e arriti atë që donte. Nxorri në dritë librin më të fundit të tij me titullin aq kuptimplotë: “Fieri dhe Fierakët e Vjetër”. Të tillë bij janë dhe mbeten krenari për vllehët. Pishtarë. Gjyrmëkërkues të tyre. Gjurmëruajtës. Ata edhe sot e meritojnë emrin e madh: Voskopojare.
MIHAL LILI KRIMÇE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.