Kreu Ditar Të rikujtojmë të premten e zezë të 7 prillit 1939!

Të rikujtojmë të premten e zezë të 7 prillit 1939!

336
0

Lufton djali, lufton plaku,

lufton Mujo Ulqinaku…

Më 7 Prill 1939, Italia fashiste e D. Musolinit, sulmoi e pushtoi pabesisht Atdheun tonë, Shqipërinë. E kujtoj katër Prillin 1939, dy data për mua historike, e para 5 Prillin 1939, këtë ditë që unë e quaj: e Mërkurë, ditë e bardhë, sepse është data kur unë kam lindur nga nëna Hane H. Pasha në katundin Gjoçaj të Matit, plot 80 vite më parë dhe më pagëzuan me emrin Idriz, për nder të  Idriz Seferit, Heroit Legjendar kosovar që u përlesh me gjakatarët serb në grykën e Kaçanikut…

Më 7 Prill 1939, e quaj e Premte e zezë, sepse na pushtoi Italia fashiste…Kam gjetur shënime agjentësh e kronistësh të kohës se parapushtimit të vendit tonë, kur u takuan Çurçilli i Anglisë me Duçe Musolinin. Çurçilli e inkurajoi Duçen duke i thënë: “Ke kohën më të përshtatshme, dhjetëditëshin e parë të muajit Prill 1939 për të pushtuar Shqipërinë se, Mbretit Zog do t’i lindë gruaja dhe meqenëse Ai është pak i moshuar, mezi pret të lindë një trashëgimtar. Si pasojë, Zogu nuk do t’i bëjë rezistencë Ushtrisë tuaj”! Një thënë, një e bërë. Duçja e realizoi denjësisht dëshirën e Çurçillit! Nuk mjaftoi Kongresi famëkeq i vitit 1913 ku shtetet evropiane vëndosën dhe copëtuan Shqipërinë duke e cunguar e sakatuar: nga 4 pjesë i lanë vetëm një, si tokë dhe njerëz 3 pjesë ja u dhanë 3 komshinjve tanë armiq: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë! Eh, moj Europë moj Plakë e thinjme,/ti ma copëtove Shqipërinë time!

***

Më 7 Prill 1939, ra heroikisht Mujo Cakuli (Ulqinaku), Dëshmori i parë Shqiptar i Luftës së Dytë Botërore, gjatë rezistencës të pushtimit Italian. Ish të burgosurit në burgun e Durrësit për vepra të ndryshme, tregojnë: Më 6 Prill 1939, vjen vjen brenda në burg Mujo Ulqinaku bashkë me togerin Stefan Goda. Ata na përshëndetën me ngrohtësi dhe pastaj na pyetën: “A e doni Shqipërinë”? -Po, i thamë njëzëri.

-Epo Atdheu është në rrezik, foli Mujo. Nesër italianët sulen të pushtojnë vendin tonë. Ne kemi marrë një vendim: të luftojmë kundër fashizmit. A do të vini edhe ju me ne?

-Po, i thamë njëzëri, gati jemi. Po me se të luftojmë, pyetën njëherësh. Ali Kurt Koleci e Riza Bushi thanë: ne jemi të burgosur, s’kemi armë! Mos u merakosni, tha Togeri, masat i kemi marrë,. Do t’u japim pushkë e fishek dhe bomba dore, ndaj vishuni mirë me ç’të keni dhe hani ushqimin që dispononi sepse për gjithë natën do të zëmë pritë. Kështu vepruan, morëm pushkët, i shtërnguan fort në gjoks se na kishte marrë malli për armë. Lidhëm besën me njer-tjetrin, të gjithë për të luftuar. Ne të burgosurit zgjodhëm komandant njësiti Ali Kurt Koleci nga Mati. Me ne u bashkuan 30 marinarë e 100 vullnetarë dhe zumë pritë bregut të detit siç na porositën ata të dy: Mujo Ulqinaku dhe Toger Stefani, mbanin në dorë  gati për qitje nga një mitraloz “Fiat”. Të gjithë ishin nëpër istikame. Në orën 5, duke zbardhur dita, u dukën forcat italiane në Anije luftarake të shoqëruara si re të zeza avionët luftarakë italianë. Mbasi u afruan në rrezen e veprimit të armëve tona, u dha urdhri: zjarr! Italianët që nuk e prisnin një sulm të tillë, filluan të tërhiqen por pas një gjysmë ore, na u kundërpërgjigjën me të gjitha mjetet, të rënda e të lehta dhe me aviacionin luftarak. Luftëtarët tanë nuk e ndërprenë luftën, sidomos dy mitrolozët e Mujos e Togerit, por edhe ne shenjestruam dhe mbetën qindra italianë të vrarë.

Pas tri orë luftimesh të ashpra, forcave tona iu mbaruan fishekët. Pabesia ishte vrastare; në vend të fishekëve, na erdhën kamione me arka me sapun!? Armët tona heshtën, italianët mësynë si miza dheu dhe zbritën në portin tonë duke hedhur bomba tymuese. Mujo u ngrit në këmbë dhe u hodh me trup mbi to dhe me bomba dore vrau disa italianë. Dikush, i foli në emër që të dorëzohej, por ai si bishë u përlesh me ta deri sa një plumb e mori në gjoks. Mujo ra i shtrirë mbi trupat italianë të vrarë me mitralozin e tij. Të pranishmit, luftëtarët tanë përmes plumbave të armiqve, arritëm të merrnim trupin e Mujos që të mos e shkelnin pushtuesit dhe më pas u tërhoqëm se ishim pa municion! Nga 14 të burgosurit që luftuan përkrah Mujos e Togerit, shumica ishin matjanë: Ali Kurt Koleci, Sul Koleci nga Lami i Madh i Matit; Baftjar Pasha nga Gjoçajt e Matit, Riza Bushi, Dem Luli nga Macukulli i Matit, Imer Vokrri. Nga Daci Lamit Madh, Zenel Xheka nga Dukagjini Mat ndërsa Shkurt Marku, Gjok Lleshi, Nikoll Gjok Mikeli, Gjok Nue Bardhoku nga Mirdita, Medi Dardha nga Dibra, Zef Rozhani e Ren Leci nga Lezha. Të gjithë këta trima me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u dekoruan me Urdhrin e Trimërisë.

Mujo Ulqinaku, ushtaraku që mbaroi akademinë ushtarake në Itali, la tri djem: një djalë Hamitin, i cili u bë aviator dhe dy djemtë e tjerë, Ismailin 6 vjeç dhe Samiun 3 vjeç. Mujo e kishte porositur të shoqen, Havanë, t’ia ruante dhe edukonte fëmijët dhe si kujtim i la unazën e vet, kur bashkë me Dull Rrucin, edhe ky ulqinak, u nisëm më 6 Prill nga ku Mujo s’u kthye më. Lajmin e kobshëm e pruri Dulla. Familja shpalli mortin për djalin e vet, Mujon dhe për gjithë shqiptarët që ranë në luftë në rezistencë kundër pushtuesve italianë. Të gjithë këta pjesmarrës në këtë rezistencë, nuk jetojnë më, vetëm kujtimi dhe vepra e tyre patriotike, nuk harrohet kurrë.

J E T A

Mujo Ulqinaku, (lindur më 1896 – 7 Prill 1939) ishte oficer shqiptar i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, i njohur për rezitencën e tij më 7 Prill 1939 ndaj forcave të pushtimit të fashizmit italian, ka rënë Dëshmor dhe pas vdekjes, iu dha titulli: Hero i Popullit. Mujo Ulqinaku lindi në vitin 1896 në Ulqin në familjen e një detari të varfër. Që në moshë të vogël hyri muço (ndihmës detar) dhe më vonë punoi si detar në Shkodër e në Lezhë. Si nënoficer në një nënrepart të marinës Durrës, ditën e agresionit fashist italian kundër Shqipërisë, u vu menjëherë në krye të detarëve të braktisur nga oficerët tradhëtarë dhe organizoi me ta e me vullnetarë të tjerë, qëndresën e armatosur në portin e Durrësit.

Mujo Ulqinaku luftoi me trimëri e guxim të rrallë, duke vrarë e plagosur dhjetra fashistë. Ra në luftim të pabarabartë në mbrojtje të Atdheut më 7 Prill 1939, duke u bërë shënbull i lartë patriotizmi e atdhedashurie. Pas luftës, Mujo Ulqinakut i kushtohet busti i vendosur pranë kullës së kalasë së Durrësit. Emrin e tij e mbajnë një shkollë në Durrës, një rrugë në Tiranë e një në Fier dhe që nga viti 2005 me vendimin e Kuvendit Komunal, një rrugë në Ulqin, mbart emrin e tij në vend të emrit Ivan Milutinoviq si dhe një rrugë në Prishtinë. Në vitin 1979, në Kinostudion Shqipëria e Re u filmua dokumentari: “Lufton Mujo Ulqinaku”, i cili flet për heroizmin e tij për të mbrojtur qytetin ku jetonte, Durrësin. Emrin e tij e mbajtën edhe disa anije.

Kujtimi dhe vepra e Mujo Ulqinakut, Heroi Shqiptar dhe e shokëve të tij, të cilët bënë rezistencë kundër pushtimit italian të Shqipërisë, nuk do të harrohen kurrë. Ato do të kujtohen me krenari  nga brezat që do të vijnë.

IDRIZ PASHA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.