Kreu Sociale Thana kjo bimë e bekuar, por e harruar

Thana kjo bimë e bekuar, por e harruar

295
0

Xhelal Shuti

Origjina dhe përhapja

Thana është një bimë vendase e Evropës Jugore dhe Qëndrore, si dhe e Azisë Jug-Perendimore. Thuhet se në Ballkan thana si ushqim për njerëzit është përdorur që nga periudha e Neolitit

(para 7000 vjetëve). Në veri të Greqisë, ku dhe sot rritet me shumicë në forma natyrale, arkeologët kanë gjetur dëshmi nga ajo periudhë, së bashku me elbin, bizelen dhe thierzat. 

Në Mesjetë bima e thanës gjendej  në  gjithë Evropën: në kopshtet, oborret dhe manastiret ose vendet e shenjta.

Në Kontinetin Amerikan sporadikisht thana duhet të ketë hyrë që me ardhjen e evropianëve. Në vitin 1906 është koleksjonuar në Kopshtin Botanik të Nju Jorkut.

Thana (Cornus mas L.) Emëri shkencor “Cornus” i thanës rrjedh nga gjuha latine që do të thotë “bri” sepse druri i thanës është i fortë si një bri.

Zakonisht gjëndet si shkure 4-6 m e lartë. Në vendet ku është e kultivuar mund të gjëndet dhe si pemë deri në 10 m e lartë. Ka një rritje të ngadalte por, jetëgjatësia e saj shkon 200- 300 vjet dhe më shumë. Në Trojet Shqiptare gjëndet në lartesitë deri 1300 m. nga niveli detit.

Thana rritet në kushte tokësore të vështira: në rrëpiara, toka të pjerrëta, të thata, shkëmbore dhe të rrezikuara nga erozioni. duron temperaturat deri -25oC.

Thana në Evropë nuk ka hibride të kultivuara por janë selektuar disa genotipe ose klone me veti të mira në drejtim të prodhimit të frutave ose rezitente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Mund te shumohet ne rruge vegjetative dhe me farë. Kur bëhet shtimi me copa bima rezulton më jetë-shkurtër si dhe dalin shume filiza në bazën e trungut.

Thanën të parët tanë e kanë ripërtrirë duke e prerë për të provokuar daljen e lastarëve të rinj nga baza, për të cilët kujdesoheshin.

Mund të mbillet në këto terrene duke i pyllëzuar ose në formë brezash, për ti mbrojtur nga gërryerjet, i bën të bukura, i gjallon sepse ëshë edhe tërheqese e kafshëve të egëra.

Mbjellja me farë behet  kryhet si të gjitha bimët e tjera, fidani është i gatshëm për t’u mbjellë në vendin e përhershëm në vitin e tretë. Gjat mbjelljes duhet të përdoret pleh organik.

Thanës si shërbime agroteknike mund t’i  bëhet ndonjë krasitje formuese ose për ajrosje të kurorës, si dhe prerjen e filizave që dalin nga trungu. Thana është më rezistente se bimët e tjera nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

Dobitë e thanës

Këto 100 vitet e fundit, thana po vlerësohet e ka ngjallur interes në shtetet e zhvilluara perëndimore. Ajo ka gjetur një përdorim të gjerë si bimë zbukuruese. Lulet e verdha të saj janë ndër të parat që çelin pas dimërit. Lulet, por dhe fletët mjaft të bukura, krijojnë një mjedis tërheqës çlodhës. Një pamje interesante krejt të veçantë krijon edhe në muajtë gusht-shtator kur formohen frutat  me ngjyrën e kuqe ose të verdhë. Në parqet, kopshtet dhe oborret e shtëpive të këtyre vendeve, tani më shpesh po zen vend edhe kjo bimë. Specialistat e bimëve ornamentale e rekomandojnë kryesisht në lulishtet e muzeumeve ose mjedise antike.

Druri i thanës ka ngjyrë të kuqëremtë, është shumë i rëndë dhe nuk qëndron mbi ujë. Eshtë dru i fortë prandaj është përdorur për bërjen e mekanizmave të mullirit të blojes dhe mekanizmave të tjera në formë ingranazhesh, etj. Pavarësisht kësaj, druri saj vlerësohet nga zdruktharët sepse gdhëndet dhe punohet lehtësisht në torno e për të bërë paisje të forta si: bishtat e veglave të punës, bastunët, instrumenta muzikorë, gdhëndje zbukuruese, skulptura, enë guzhine, etj.  Druri digjet mirë si dhe bën qymyr të cilësisë së lartë. Druri thanës përkulet por nuk thyhet, me thuprat e saj mund të bëhen shporta e kosha të ndryshme si dhe punime artistike.

Lulet me që çelin ndër të parat vizitohen nga bletët sepse përmbajnë shumë nektar dhe polen. Lëvorja dhe gjethet përmbajnë lëndë nga e cila përgatiten bojëra të verdha për ngjyrosjen e pëlhurave të ndrushme, lëkurët, etj., si dhe përmbajnë sasira të larta lëndë regjëse. Gjethet, lëvorja dhe frutat janë përdorur e përdoren  në mjekësinë popullore. Nga bërthamat e thanës mund të nxiret vaj i ngjashëm me atë të arrës i cili përdoret për përgatitjen e bojërave për piktorët.

Frutat e thanës konsumohen të freskëta shpesh nga bima në gojë por, edhe mblidhen e ruhen ose tregëtohen.

Me frutat jane bërë tradicionalisht shurupe, pije e lëngje të ndryshme, reçel, marmalat, likere, vere raki dhe uthull. Në disa vende prodhohet dhe një lloj salce. Në Rusi nga thana përgatitet edhe vodkë. Në Greqinë Veriore me nxitjen dhe financimet e BE-së, prodhohen e tregëtohen rreth 12 lloje pijesh.

Thana eshtë bëre objekt studimi edhe i mjekësisë bashkëkohore. Studimet në mjekësinë moderne kanë vërtetuar se frutat dhe vaji i nxjerrë nga farërat janë të dobishme për shërimin dhe rigjenerimin e indeve epidermike të dëmtuara të brendëshme  dhe të jashtëme (lëkurë dhe mikoderm). Gjithashtu kanë veti për për të shëruar plagët e ndryshme, ulçerën e stomakut dhe kolitin. Ftuti i thanës  përmban antioksidantë me veti shëruese, anti-inflamatore, kundra kancerit, diabetit, etj.

Etimologjia.

Fjala “thanë” është shumë e vjetër në fondin e gjuhës shqipe. Kjo fjalë të krijon përshtypjen e diçkaje të thatë, e tharë ose të than. Po ta kqyrësh me vëmendje bimën e thanës në dimër ose dhe gjat vegjetacjonit, duket si një dru i tharë.

Emëri “thanë” në Shqipëri çfaqet dhe si patronim, është mbiemër për shumë fise  shqiptarësh në forma të ndryshme si: “Thana”, “Thano”, “Thanza”, “Thanasi”,  “Nasi”,  “Athanas”, Thani, “Thanati”, etj. Këta mbiemëra janë  shumë të përhapur e të shpeshtë tek shqiptarët

Të njohura janë toponimet “Qaf-Thana” në Pogradec, Prroi i Thanzes ne Kalimash Kukes,   “Lugu Thanës” në Kumanovë Maqedoni etj. Një lug shumë i bukur ku rriten me shumicë bimët e thanës, etj. E ndeshim dhe në emëra fshatrash “Thana”: në Lushnjë, Fier, Elbasan, etj.

Duke qenë të lidhur kaq shumë me bimën e thanës të parët tanë doemos do ta pasqyronin dhe në emërat e trashëgimtarëve të tyre si sinonim të trimit, i të fortit, rezistentit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.